E enjte, 11.09.2025, 04:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Dedaj: Mitrolozi i Mujhalilit

E merkure, 10.09.2025, 06:53 PM


MITROLOZI I MUJHALILIT

TREGIM NGA NDUE DEDAJ

Kufitarët e rinj, sapo vinin këmbën në repart, i çonin drejt e te sheshi ku ishte vënë nën një tendë mitrolozi “hero”, me grykën kthyer nga piramidat e huaja kufitare...

Tregohej me atë rast ngjarja heroike e atij malësorit që dhe “i vetëm trim në luftë” kishte sharruar ushtrinë armike me “Sharrsin” e tij gjerman. I përmendej vetëm emri si në legjenda dhe asgjë më shumë, pasi posta kufitare kishte qenë djegur gjatë bombardimit dhe nuk kishte mbetur asnjë regjistër.

Kishte qenë një histori e pazakontë ajo e tija. Ai ishte një djalë gazmor që vetëm këndonte ëmbël. Për çudi këngët e tij nuk ishin për trima e luftëra, por për vasha të hijshme, dashtni të mshefta e kroje rudinash. Por i kishte rënë për hise lufta. Fillimisht ajo e fletushkave që binin nga qielli dhe kërkonin rrëzimin e qeverisë. Shteti fqinj befas kishte provokuar, duke sjellë forcat ushtarake në kufirin jugor. Nuk kishin vonuar bombardimet me artileri. Ishte  fillimgushti i vitit 1949. Mbas disa lumtimesh, për qëllime taktike, u dha urdhëri që kompania e tij të tërhiqej më në thellësi. Por mitrolozi i lehtë i Mark kufitarit nuk po donte të shkulej nga toka, duke i kthyer në i “rëndë”, sa vetë pesha e atdheut mbi supet e tij...

Kur ushtarët e huaj panë se përballë tyre nuk kishte më shqiptarë, u dhanë përpara me hov dhe bërtima. Papritmas shpërtheu mitrolozi i vetëm i fshehur në dushqe. Edhe gjethi u shkorrit e përzhit nga lisat e mbuloi tokën. “As vetë s’e di se si m’u dha të thyeja urdhërin për t’u tërhequr. Kur pashë që në krahun tim ra mitralieri që e kisha si vëlla, m’u errësua qielli...” Nuk dihet sa ushtarë mbetën të vrarë buzë kufirit nga ato breshëri vetmitare të atij çasti. Flitej për shumë... njëzet... tridhjetë. Numër nuk kishte, por rapsodët e shumëfishonin numrin e tyre.

Tre muaj mbas Provakacioneve ai ishte liruar dhe nuk ishte kthyer më aty.

Ishte vënë komanda ta gjente, por askush nuk e mbante mend fshatin e tij. Pyesnin ushtarët e rinj, që vinin nga malësitë e Veriut, por asnjëri nuk kishte dëgjuar për njëfarë Mark Mirash Martinin, që më vonë nisën ta përmendnin si Mujhalili.

*

Në vigjilje të tridhjetëvjetorit të Provokacioneve, nga reparti kufitar në mal të Gramozit, u nisën tre veta për ta gjetur heroin e asaj qendrese. Ku nuk shkuan, në katundet e malësisë, pyetën në qendrat e rretheve e ato të punës. Donin ta gjenin dhe ta ftonin në festimet e rastit Markun “legjendar”. E kishin bërë gati propozimin për dekorimin e tij me titullin e lartë “Hero i Popullit” për së gjalli. Vërtetë ishte i vonuar, por më mirë vonë se kurrë, thoshte ajo fjala e urtë. Në dosjen e dekorimit ishin vënë dhe fotot e betimit të ushtarëve të rinj para mitrolozit të tij. Kinostudioja me atë rast do të bënte një dokumentar, që do të quhej “Mujhalili, heroi ynë i gjallë”. Flitej se në kremtime do të vinte Kryeministri, në mos vetë Komandanti i Përgjithshëm.

Në Arlíme, në breg të lumit, ishte një shtëpi si e ngulur në shkëmb të zi. Një peizash krejtësisht i zymtë, a thua se aty s’kishte çelur ndonjëherë pranvera. I kishte kapur etja dhe i bënë zë të zotit të shtëpisë. Por në dorë doli një plakë me shtat të hajthëm. U tha se ajo shtëpi nuk kishte zot! Se zoti i saj kishte vdekur me kohë! Ka vdekur ora e kësaj shtëpie, o gjind që nuk po ju njof e nuk po ju di. Ata nuk kuptonin asgjë, a thua se kishin zbritur në një botë mitike. Plaka u solli një broke me dhallë. Pini dhe ju bëftë mirë, por mos t’iu shohë!... e la ajo fjalinë përgjysmë, si të ishte penduar për çka po donte t’ju thoshte.

Ata e kuptuan që ajo ishte një grua e deklasuar, po sa para bënte tani ta pyesnin si e qysh kishte ndodhur. Fundja ata kishin shkelur në dërrasë të kalbur, ani se pa dashje. Alush Gramozit i ranë në kokë fjalët e asaj gruaje të moshuar që kishte folur ashtu “përçart”, që ata të mos e zgjasnin ndejën aty. Pse i kishte vdekur ora asaj shtëpie? Si kishte ndodhur! Nuk iu durua dhe e pyeti:

“A ke burrë?... A ke fëmijë?...”

“Kisha tre djem, por nuk kam asnjë!”

“Ka ndodhur ndonjë gjëmë?”

“Gjëmë, thua!?”

“Si nuk ke asnjë nga tre djem? Nuk ra orteku që t’i përpijë të tre njëherësh?!”

“Njëri nga djemtë është vrarë në mal, dy të tjerët gjallë janë e gjallë s’janë”...

“Si mund të jetë njeriu edhe i gjallë edhe jo i gjallë?!

“Punë e ngatërruar, o njeri i mirë!...”

Alushi qysh se ishte përjashtuar nga Partia ndihej ligësht kur haste në njerëz që i mundonte biografia. Deshi ta pyeste për heroin e tyre Mark Mirash Martini, por nuk e bëri.

Kur po largoheshin, në portën e kullës, i zunë sytë emrin e gdhendur “Martin Palucë Velniku. Viti 1885”. Emri Martini i shkroluar në atë rrasë guri e vuri në mendime për një çast, por aty për aty arsyetoi: “Kështu i kanë emrat malësorët, në gjithë Gegninë mund të jenë treqind familje me llagapin “Martini”!

Pas tri javësh, kur panë se nuk po i binin në gjurmë heroit të tyre të kufirit, vendosën t’i drejtoheshin të madhit të asaj malësie.

Në Komitetin e Partisë të rrethit i priti vetë sekretari i parë, jo dhe aq miqësor dhe jo pa njëfarë serioziteti në fytyrë. Ata i rrëfyen për Mujhalilin e tyre hero i gjallë, betimin e kufitarëve të tij mbi mitrolozin, si mbi një objekt të shenjtë. Një ritual që nuk kishte pushuar prej tridhjetë vjetësh. Sekretari në fillim bëri sikur nuk po kuptonte se ç’po thoshin ata, por pasi thanë ç’kishin për të thënë, ai i shpotiti duke iu thënë se nuk kishin pasur atyre maleve ku të pinin një kupë dhallë (!)... dhe pa lënë kohë që ata të shihnin njëri - tjetrin, u bëri shënjë të ngriheshin, pasi do të venin të takoheshin me “heroin” e tyre. Atyre u dogji kjo lloj gjuhe e sekretarit, por nuk thanë gjë. Më i moshuari i grupit, veterani i kufirit Alush Gramozi, mendoi për një çast nëse do ta mbante mend Mark Mirash Martinin pas tridhjetë vjetësh. Me siguri që do të ketë ndryshuar, por jo aq sa për të mos u njohur.

Sekretari u ndal në derë të muzeut historik dhe i ftoi të ardhurit të hynin brenda, ku i priste drejtori dhe dy punonjës të tjerë. Drejtori që ishte në dijeni të asaj vizite, u priu drejt një pavioni të vizatuar me ngjyrat e zeza të skëterrës. Aty paraqitej një lloj Goglote, ku gjithkund atyre tërthoreve shiheshin luftëtarë kombëtarë vënë nën tytat e armëve dhe thundrën e njerëzve me uniformë sovjetike dhe yll të kuq në ballë.

AlushGramozit i feksi për një çast se misioni i Mujhalilit të tyre nuk kishte kryer atëherë në kufi, por ai kishte luftuar sërish kundër armiqve të vendit, që desantonin nga ajri dhe për disa vite mbas Provokacioneve të atij gushti, kështu që ai duhet të simbolizohej në ndonjërën nga figurat e këtyre me yllin e kuq. Sekretari me siguri u kishte bërë një surprizë, i kishte sjellë në muze ta shihnin me sytë e tyre veprën heroike te heroit të kufirit, kurse ironia kishte qenë me siguri ngaqë ishin treguar syleshë e ia kishin behur në derë një të deklasuare.

U bë heshtje. Drejtori i muzeut s’pipëtinte. Ndihej një angushti. Treshja e grupit kufitar nuk po kuptonte asgjë. Askujt ndër ta nuk i shkonte ndërmend se kishin ardhur të vinin vetullat, por padashur kishin nxjerrë sytë!...

Sekretari i parë mori një shkop ciceroni dhe si një dirigjent i së keqes, e nguli majën e tij mbi një portret atje me krye në dhé, në atë Golgotë antikomuniste. Alushi e njohu nga tiparet, ishte ai, Mujhalili, legjenda e Provokacioneve 1949. Pa nga dy shokët e tij, njëri oficer e tjetri ushtar.

Sekretari i parë iu kthye këtij të fundit:

- Edhe ti je betuar mbi mitrolozin e këtij? – pa e hequr majën e shkopit nga sytë e vrarë të atij kompozimi mural.

Kufitari i ri nuk foli, nuk po kuptonte asgjë. Ai në ndërgjegjën e tij kishte vetëm mitin e atij Mujhalilit që kishte bërë namin mbi armiqtë. Në gjimnaz kishte mësuar këngët e Kreshnikëve, ato të Mujit dhe Halilit i dinte thuajse përmendësh. Baca Alush, që kishte qenë për shumë vite komisar i Kufirit, ditën që ishte betuar i kishte thënë:

- Bir, mos harro, ata ishin kreshnikë të legjendave, Muji e Halili i vërtetë ishte ky... Mark Mirash Martini.

Sekretari i parë, pasi iu tërhoqi vëmendjen për mungesë vigjilence, duke u thënë: “Ju mund ta mbroni kufirin në male e kodra, por keni harruar se është dhe kufiri... brenda nesh që sulmohet po aq egër nga armiqtë që i dinim miq të revolucionit”, u largua pa ua dhënë dorën.

Drejtori i muzeut u tha se personi që ata kërkonin, kur u kthye nga shërbimi ushtarak në kufi, i gjeti dy vëllezërit e tij në mal reaksionarë, në bandat që luftonin kundër pushtetit popullor; ata të dy u arratisën në Amerikë ku qesin flakë për goje dhe sot kundër pushtetit popullor, kurse ky u vra më 1953...

*

Atje, në kufi, ushtarët e republikës betoheshin në nderin e tij si një hero!

Kurse në vendlindje ai njihej si armik i përbetuar i popullit.

Kohë e shqyer.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx