E merkure, 10.09.2025, 05:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Mark Palnikaj: Vendim i krerëve të Dukagjinit i vitit 1937

E marte, 09.09.2025, 06:58 PM


Ndryshojnë kohët, rrethanat, kushtet dhe pastaj ndryshohen edhe kanunet vendore. Çdo kanun, në kohën kur është shkruar është pranuar nga të gjithë si normal dhe i drejtë. Për kohën ishin të drejtë dhe të pranuar.

VENDIM I KRERËVE TË DUKAGJINIT I VITIT 1937

Nga Mark Palnikaj

Mbledhja filloi nën kryesinë e të deleguemit të Shkelqesisë së Tij, lpeshkvit të Dukagjinit Benardin Shllaku, Padër Rrok Gurashi, Zv. Nenprofektit Kapiten Z. Shaban Elezi: tuj pranue si sekretar Z. Asim Bekasin:

Mbas nji diskutimi të gjatë, mbledhja pa asnjë kundërshtim, pranoi dhe vendosi pikat e poshtshënueme:

1. Festat me miq janë krejt të ndalueme në çdo fshat e krahinë me përjashtim të bijave që vinë me femijë dhe atyne që kanë pasur një nevojë të domosdoshme dhe kjo e vertetueme me deshminë e pleqnise me shkrim dhe të jetë e vërtetueme edhe prej Postë Komandës së Vendit.

2. Në gjamë (në rast vdekjesh) do të marrin pjesë nga një person për çdo shtëpi prej asaj lagjeje të cilët kanë me pasun të drejtë me u ushqye vetëm nji herë, një drekë në atë shtëpi. Në gjamë kanë me marrun pjesë vetëm miqtë e ngushtë jashtë bajrakut e të bajraqeve të ndryshëm, ku keta mbasi janë të largët, kanë me pasun të drejtë darkën dhe drekën ditën e nesërme. Me ketë rast i zoti i shtëpisë ndalon dhjetë shokë prej mahalle për me hanger darkë dhe me ju ba hyzmet të ardhurve prej bajrakëve të jashtëm. Për këtë rast edhe miqtë e ngushtë të katundit Theth në Shalë e Shala në Theth, dhe Prekali në Shosh e Shoshi në Prekal, kanë të drejtë vetëm me hangër një darkë, të nesërmen pasi të kenë hangër drekën, shpërndahen secili në punën e tij.

I vdekuri deri në mbrëmje është e dytyrueme të varroset në varr, dhe mbasi të shpërndahet krejt miqësia, është e ndalueme me u bâ gjamë ose me nxjerrë rrobat e të vdekunit. Me një fjalë krejt drekët ndalohen. Në gjamë është e ndalueme sheqeri edhe rakia, domethanë në këto raste nuk lejohet me u përdorë kafe me sheqer dhe raki.

3. Kundravajtsit e pikës 1 dhe 2 të paragrafit të mësipërm dënohen nga 20 fr ari deri në 100 fr, simbas ligjësisë së administratës civile.

4. Vazjat mbas datës së sotme nuk lejohet të fejohen pa mbushë moshën 15 vjeç.

a - Vajza në rastin e fejesës do të pyetet prej prindve të sajë dhe mbasi të ketë dhënë pëlqimin e sajë ka me u fejumun me këtë burre të caktuem. Mbas kësaj, vajza është rreptësisht e ndalume me ikë prej shtëpisë e me shkue tek një burrë tjetër, por edhe anasjelltas. Nuk munden me i mbushun mendjen vajzës, për me shkue e me marre një tjetër burrë, as përdhunshëm nuk munden me ba nji vepër të tillë, por edhe nji burrë që pranon në shtëpinë e tij ose tjetër kund një vajzë e cila është e fejume me nji burrë tjetër është i ndaluem rreptësisht.

b - Në rast se ndodh një vepër e tillë, paria dhe pleqesia tuj pasë edhe ndihmën e administratës e marrin vajzën me forcë dhe e dërgojnë në shtëpinë e prindërve pa asnjë lëshim.

5. Vajzat e martueme para datës së sotme, do të martohen me atë burrë që është fejue ma parë, pa asnjë kundërshtim dhe për ato që nuk bindën kanë me veprue si mbas pikës 4, parfagrafit b.

6. Sheji i fejesës (Kapari) u caktua maksimumi franga ari nji.

7. Për pajë të vajzës që ka me pague dhandri, nuses u caktua 1-12 napolana si mbas zotësisë ekonomike të dy palëve miq.

a. Të hollat që jepen për pajën e vajzës nuk do të perdoren për ndonjë send tjetër vetëm se për pajën e sajë. Paja, ka me u ba sikurse ka kënë ra dakord mes dy palëve. Pos këtyre të hollave që merr për pajë nusja, tjetër gja nuk mund të kërkojë prej prindërve të dhëndrit.

b. Në rast se shkojnë dasmorët me marrun nusen, prej dhëndrit kanë me marrë vetëm nji ferlik dhe fr ari 5, dhe nuk kanë me i dergue asnji send tjetër. Si mbas zakonit të fejesës me të sipërpermendurat është plotësue paja e nuses.

c. Deri në mbarim të këtij viti kanë me u martue vajzat, sikur e kanë pasun zakonet ma përpara, tuj i dhanë veç pajës që është caktuar me gjithë atë të fejesës së nuses e të tjera.

8 - Po vdiq vajza përpara martesës, kapari nuk kthehet:

a - Në rast se vdes vajza e fejume, gjindja e vajzës janë të detyruem me ja kthye shtëpisë së dhandrrit gjysmën e pareve që ka marrun.

b - Në rast se vdes dhandrri pa u martue, prindja e vajzës janë të detyruem me i kthye shtëpisë së dhandrrit të gjitha paret dhe kaparin që ka marrë deri në atë kohë. Mbas kësaj vajza është e lirë me u martue ku të dëshërojë. Shtëpia e dhëndrrit nuk mundet në asnjë mënyrë me e pëngue vajzën për mos me u martue, ose me e detyrue me marrun një tjetër burrë në atë shtëpi me përjashtim se kur do t'ju pëlqejë të dy palëve dhe tuj respektue pikën 4 paragrafin A.

Kjo pikë vlen për të gjitha vajzat që janë fejue përpara kësaj date.

c - Kur vdes burri i martuam dhe e len gruen vejë, kjo është e lirë me u martue ku të dojë dhe shtëpia e burrit nuk mundet me i xjerrë asnjënjë pengesë.

Në rast se kjo grue largohet prej shtëpisë së burrit ka të drejtë me marrë të gjithë pajën që ka sjellë me vehtë, dhe ato rroba që ja ka blerë burri ose shtëpia e burrit me pelqim të gruas së ve, dhe në rast se i del kunora zyrtarisht, mundet prap me u martue në atë shtepi, por në rast se martohet tjetër kund gruaja e ve është e detyrume me i dhane gjysmën e pareve shtëpisë së burrit të parë, që ka me marre prej marteses se dytë.

ç - Grueja e ve mbas vdekjes së burrit e që don me u martue, për deri që të martohet do të strehohet në shëpinë e prindve e jo në një shtëpi tjetër. Gratë e veja që kanë fëmije e nuk duan me u martue do të jetojnë në shtëpinë dhe në hisen e burrit.

9 - Ndalohet rreptesisht me mbajtë kush në shtëpi grue pa kunorë.

Çdo grue e vejë që është pa kunore në një shëpi, menjëherë me anë të parisë dhe të pleqnisë e tuj pasun ndihmën administrative e qesin jashtë këtë grue dhe e dërgojnë në shëpinë e prindve të sajë, për sa edhe prindërit e vajzës nuk guxojnë në asnjë mënyrë me i lanë vajzat në këtë mënyrë.

10 - Dasmat kanë me u bâ vetëm një natë e një ditë dhe ketu mund të marrin pjesë vetëm të afërmit dhe miqtë e ngushtë që kanë me u thirrë si në shtëpinë e dhandrrit dhe të nuses. Të jashtmit nuk do të marrin pjesë as nuk do të kërkojnë që të jenë të thirrun në dasem.

11 - Kundravajtësit e pikes 4 deri në pikën 10 të këtij vendimi kanë me u gjobitë prej 20-100 fr ari, simbas ligjës së administratës civile.

12 - Ne famuj nuk do të shkojnë tjeter kush veç kumbara vet i tretë.

- Shtepia e famullit mund të thërrasë në ketë gosti vetëm deri në 7 vetë shoke.

- Kumbara do t'i falin famullit vetëm 30 lek.

- Ndrikulla ka me i falë kumbarës një palë shputë, një palë corapë, një këmishë, një kapuç dhe nji facoletë.

- Shokëve që ka marrë kumbara me vehte ju falë nga një palë çorape.

- Kumbarët nuk kanë të drejtë me shkue në asnjë shtëpi tjetër veçse tek ndrikulla.

- Në këtë rast është e ndalume me u pre berre.

13. Buka dhe pergimi (rast lindjesh) është e ndalueme.

14. Lamja e duerve e tasit dhe ibrikut të rakisë, hiqet fare ky zakon e nuk mundet kush prej të thirrunve me kërkue pari, si me thanë për Bajrakë, Katunde, Lagje, ose Fise sikur kanë kenë ma përpara zakonet, porse kjo vepër si për radhën e lamjes së duarve edhe të taseve dhe të ibrikut të rakisë i lihet me e rregullue i zoti shtëpisë. Edhe ibrikun i zoti shtëpisë ka me ua lanë shokëve të mahallës të cilët bëjnë hyzmet në këtë sofër.

15. Rrahja ashte e ndalume.

- Ai që guxon me vu dore mbi shoqin si me e vra e me fjalë, rrahësi ka me u përjashtue:

a. Prej ç’do mbledhje.

b. Prej ç’do bashkimi.

c. Është e ndalume me i dhanë kush bukë dhe me përcjellë në rast se ka frikë.

ç. Është e ndalume me marrun pjesë në çdo dasëm ose mort.

d. Askush nuk mundet me ja hangër bukën as në dasëm as në mort, që në këtë mënyrë mbetet ma i fyem se i damtuemi, kurse në anën tjetër do të i lutemi qeverisë për me e internue këtë person.

16. Mbasi tashti, është e ndalume me shetitë shtëpi më shtëpi pa shkak, tuj ndejt pa pune, si me thanë se ish ba zakon me vizitu kohë e pa kohë tek njani tjetri dhe për të këtille persona do ti lutemi qeverisë me i punësue në punë publike.

17. Për kundra vepruesit e pikës 12 deri në pikën 14, dënohen me gjobë nga 20 - 100 fr ari, si mbas ligjës së administratës civile.

18. Ky vendim është i zbatueshëm, mbasi të jetë aprovue prej qeverisë dhe të jetë shpallun në fletoren zyrtare të vëndit, të Prefekturës së Shkodrës.

Dukagjin, me 24. 10. 1937

Kol Ndou, dv, Lulash Gjeloshi, Patër Rrok Gurashi, Mark Delia, Solol Marashi, Vuksan Leka, Mark Sadiku, Prenush Dashi, Mark Kola, Can Bashota, Kol Marash Zefi, Ndokë Çuni, Ndue Marash Kola, Dede Preka, Sokol Nika, Ndoc Pali, Pal Dedushi, Gjon Prela, Zef Marashi, Marash Ndou, Çuk Gjeloshi, Kolë Vata, Dede Gjeloshi, Mirash Gjoni, Mark Ndou, Mark Delia, Kolë Prela, Gjergj Sokoli, Vate Sokoli, Stak Pjetra, Ndoke Nika, Pjeter Marashi, Mirash Mdou, Preke Marashi, Mhill Vata, Shytan Nika, Mark Pepa, Gjelosh Nika, Mhill Ndou.

Sekretari i mbledhjes Asim Bekasi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx