Kulturë
Përparim Hysi: Poetja Eliverta Kanina-Anelli në optikën e krijuesëve të tjerë
E enjte, 17.07.2025, 06:54 PM
Kur të vlerësojnë të tjerët
Poetja ELIVERTA KANINA-ANELLI në optikën e
krijuesëve të tjerë
Nga Përparim Hysi
Kam këtu, mbi
tavolinën time të punës, një libër (më drejt: një libërth) të poetes Eliverta
Kanina-Anelli "Zarfa në kutinë e postës". Është një libër me
përshtypjet e miqve të saj krijues për të. Teksa e lexoj këtë “libërth” të saj,
një çast mendoj:
— Përse një mori krijuesish ulen e shkruajnë për të?
Përgjigjen sikur e
gjej te Ralf Waldo Emerson, që thotë: “Një gram veprim, vlen sa një ton teori.”
Kapur pas kësaj sentence kaq kuptimplote, them: Eliverta nuk ka dhënë një
“gram”, por mbi 10 libra me poezi e prozë, dhe krijuesit jo vetëm ndalojnë, por
e vlerësojnë, siç do citoj më poshtë.
“Çdo vepër është
pjesë e shpirtit tim,” — thotë Patrik Henry, dhe Eli ka vënë shpirtin e saj mbi
çdo libër. Eli është mjeke me profesion, por të shkruarit e ka hobi dhe, ngaqë
e njoh mirë, jo vetëm ka vënë shpirtin, por shtoj se Eli ka një shpirt të
bardhë dhe të mbushur me mirësi.
“Mirësia,” — ka thënë Sokrati, — “është dituri.” Edhe kjo sentencë e Sokratit ia
zbukuron ballin Elit si njeri dhe si krijuese. Dhe, kur thonë që te Tempulli i
Delfit është gdhendur porosia: “Ruaj masën!”, edhe unë po “ruaj masën”, duke u
njohur me disa vlerësime të kësaj poeteje.
I ndjeri,
profesor-doktor Murat Gecaj, i inspiruar nga libri i parë i Elit "Gruaja
dhe muret prej pasqyrash", duke u ndalur te 91 poezitë e saj, e mbyll me
urimin: “E përgëzoj këtë poete. Embarësi në krijimtari dhe urime për frymëzime
të tjera.”
Natyrisht, njeriu që
e njeh mirë Elin, për fatin e saj të mirë, është një krijues gjithëplanesh.
Them për fatin e saj të mirë, sepse Mark Simoni është botues i librave të saj,
dhe Mark Simoni, në vizionin tim, nuk është vetëm botues, por është duke i
hequr metaforës sime "veshjen militare". Mark Simoni është “gjithë
armësh”: botues në Shtëpinë Botuese “Muzgu”, gazetar te “Mapo”, poet, prozator,
esesist i “sërës së lartë” dhe përkthyes. Të të vlerësojë Mark Simoni, atëherë
në krijimtari (në prozë a poezi) e ke syrin hapur dhe faqen e bardhë.
Në "vija të trasha"
(se ku ndiqet Mark Simoni me përshtypjet e tij), thotë: “Libri i Eli Kaninit
është më poetik se vetë poezia.” Sikur vetëm kaq, sikur i ka thënë të tëra. Ose
ca më tej: “... lexuesi e do letërsinë dhe vargun e kësaj poeteje.” Ose në një
ese, enkas për poezinë e Eli Kaninas, Mark Simoni shkruan: “Poezia çan detin e
ngrirë midis nesh.”
Bardhyl Maliqi:
“Pasqyrat që reflektojnë shpirtin e Eliverta Kaninas përtej mureve vetmimtarë
të izolimit, më inspirojnë për një shkrim intrigues, se punon me pasion e përkushtim
dhe tani shpërthen zëri i brendshëm i saj, përmes poezisë.”
KOSTA NAKE:
"Poezia e ELI KANINAS nuk është erotike. ELI KANINA di të lexojë
artistikisht gjuhën e trupit."
Përparim Hysi:
"ELI KANINA është mjekja që flet me gjuhën e vargjeve. Si poete ka 'privatizuar
qiejt'."
Sokol Demaku:
"ELIVERTA KANINA është shumë produktive në vargëzim dhe në vjershat e saj
ka një filozofi e cila e bën lexuesin të ngulitet në lexim pa ndërprerje, duke
kërkuar prej saj libra të tjerë me poezi."
HARALLAMB FANDI: – Duke u shprehur si krijues, them se në shumë nga poezitë gjeta plot gjëra nga vetja,
ndaj i vlerësoj dhe më shumë, veçanërisht në 'Thyerjen e Tabuve' nga ELI
KANINA.
XHELADIN A. ÇITAKU:
"Artikulimin e botës shpirtërore, ELI KANINA e bën natyrshëm, rrjedhshëm,
harmonishëm me metrikën e përzgjedhur, në intonimin melodioz ritmik, me një
elegancë të dukshme në ndërtimin stilistik dhe efektizimin estetik të vargut,
me një delikatesë spontane, ngjyruese që lë shije të mirë te lexuesi i
pasionuar."
ZHULJETA GRABOCKA ÇINA:
"Pesha e fjalëve të POETES, laton gurin, e gdhend në përditshmëri ditën e
punëve dhe natën e ëndrrave. ... Poetja do që ta ngjyejë gishtin në hënë... e
ta vë mbi buzë... Ti e sheh dhe merr puthjet."
ISKRA THOMA:
"Ç’kënaqësi të lexosh poezitë e ELI KANINËS! Origjinaliteti spontan
gërshetohet me thellësinë e ndjenjave dhe figuracionin e bukur, zgjedhur me
përkushtim. Thjesht: e talentuar dhe e pashtershme!"
ALBANA LIFSCHIN:
"Në krijimtarinë e autores, sinqeriteti dhe detaji bien në sy në mënyrë të
dukshme, gjë që më entuziazmoi... Në fytyrën e paqme, buzëqeshja i shpërndan
dritë. Sinqeritetin e shpirtit ia gjeni në sy. Ju u besoni syve apo jo? Unë
po."
Këto janë veç disa
"sentenca" për Elin, por përshtypjet për të dhe për krijimtarinë e
saj janë ku e ku më të gjata, aq edhe më të thella. Tek i shoh nga
"A-ja" tek "Zh-ja", them se çdo lexues, qoftë edhe ai që
nuk e njeh Elin, qoftë si fizik ashtu edhe si krijuese (në poezi e prozë),
përmes këtyre përshtypjeve arrin ta krijojë portretin e saj dhe mbetet i kënaqur.
Me krijimtarinë e Eli Kaninës ka ndodhur ajo që së lashti e ka thënë Seneka:
"Sa më shumë t’u shpërndash të mira njerëzve, aq më shumë do të shtohen
ato". Ky libër nuk është asgjë tjetër, veçse një "realitet i
prekshëm": Eli, aq e mirë, merr shpërblimin me "dhuratat" e
miqve.
Duke e mbyllur këtë
shkrim për Eliverta Kanina-Anelli, po i lë një porosi. Porosia nuk është e
imja, por e poetit të madh grek, Janis Ricos. Ky thotë: "Sa e pashtershme
është jeta, po aq e pashtershme është dhe poezia". Jetofsh vetëm duke
shkruar poezi dhe prozë!
Tiranë, 17 korrik 2025