Mendime
Nikoleta Kovaçi: Vrasja mizore e një djali dhe heshtja e turpshme e një shoqërie!
E premte, 11.07.2025, 06:55 PM
Vrasja mizore e një djali dhe heshtja e turpshme e një shoqërie!
Nga
Nikoleta Kovaçi
Prej
tri ditësh ky djalë nuk jeton ma! Killerat me makina të shtrenjta, të veshun me
uniforma policie i morën jetën në mënyrë jo vetëm mizore po edhe djallëzore.
Mirë që e vranë po tentuan t'a hidhnin në liqen që mos të dukej si vrasje po si
aksident! Policia nan diktatin e pushtetit gjithfarësh nuk din ma ku do
orientohet, shoqëria s'ka ma asnjë nerv reagues e matjanët janë strukë nën
hijen e nji tmerri e nuk nxjerrin za!
Mbytja
e Renisit e tentativa me zhduk gjurmët e vrasjes asht lehtësisht e kuptueshme
se autorët kanë shkue me plan të qartë, madje edhe me terren të
identifikueshëm, në mos njohës mjaft të mirë të mundësisë me e mbulue vrasjen
me aksident! Ata kanë udhëtue gjatë të veshun me uniforma policie pa ra në sytë
e asnji polici që ka marrë urdhën me vu gjoba vjedhtas shoferëve, me shkue në
mbrojtje të hajnave të tokave e pronave të qytetarëve, teksa dhunohen njerëz që
mbrojnë dinjitetin e vet, apo janë edhe në mbrojtje të baronëve të krimit: ka
ende shumë që janë të lirë dhe të paprekshëm edhe nga SPAK. Sigurisht se kanë
bekimin e kreut të shtetit, se ai i ban edhe k'to punë veç të tjerave!
Matjanët
heshtin! Nuk reagojnë ma! S'kanë si, ashtu siç nuk reagojmë as na ma, ani pse
nji djalë 23 vjeç asht rrëmbye, vra e manej asht tentime me u lëshue në ujë me
makinën e tij! Na, dhanëmendsit për konfliktet në Lindjen e Mesme, për
problemet gjeopolitike, që na gajas shpulla që gruaja i jep Makronit, që duem
me diktue fatet globale, skena guxim të mblidhena kur na masakrohet nji djalë
vetëm 23 vjeç.
Sigurisht
që do thona menjëherë se ai ka ba diçka, se kot s'të vret kush, sepse duke qenë
që nuk dimë me reague, na s'dimë ma as me gjykue! Manej vijohet me: djali jem
asht i mirë e s'ban punë të këqija, nji mendim që i shkon për shtat pafuqisë me
u rebelue në emën të nji jete të marrun mizorisht, sepse askush në këtë vend
nuk ndalet me mendue se Renisi mund të ishte djali i secilit prej nesh!
E
ne kur s'na trondit nji krim kaq i shëmtuem e barbar ndaj nji djali vetëm 23
vjeç, si mund të na trondisë lukunia që po "rrëzon" Thethin, siç
rrëzoi ma herët krejt Thethët e ktij vend! Ndaj të flemë e të zgjohena tue
përtyp heshtjen si kafshatën e mëshirës se don Zoti nuk kena fatin e
Renisit!...