Mendime
Idriz Zeqiraj: Zbatharakët dhe brekëgrisurit e djeshëm, u bënë milionerët e sotëm!
E diele, 18.05.2025, 06:57 PM
ZBATHARAKËT DHE BREKËGRISURIT E DJESHËM,
U BËNË MILIONERËT E SOTËM!
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Humbja e thellë dhe e pashpresë e ri ngritjes së afërme, e ka
demoralizuar dhe çoroditur opozitën, deri në përmasën "sa të humbë rrugën
në oborr"! Fillimisht dhe në vazhdim, refuzojnë votimin e deputetes më të
votuar, "prej si ka mbi lisi", me tej 150 mijë vota të qytetarëve të
Kosovës, Albulenë Haxhiu, me "arsyetimin" se ka fyer kryeparlametarin
Kadri Veseli, themelues i Organizatës ilegale kriminale SHIK, duke e quajtur
kriminel. Kjo është "një e fshehtë publike" dhe nuk përbënë as fyerje
dhe as shpifje, sepse veç sa reprizohet një e vërtetë, tashmë, e njohur.
Si "arsye" të dytë, opozita e akuzon Albulenën si
"përçarëse"!? Duke qenë ministre e Drejtësisë, në koordinim me
Qeverinë dhe ndërkombëtarët, ndonëse Sistemin e Drejtësisë e kishin rrënuar
"komandantët" shtetarë e pushtetarë, për t`iu shmangur ndëshkimit
ligjor, për krimet vrastare dhe hajnore, kërkohej një forcë ligjore Speciale,
Vetting-u. Pas shumë kundërshtive, Kuvendi e aprovoi. Por, opozita u pendua dhe
"nuk la gurë pa lëvizur", madje deri në -Komisionin e Venecias- për
ta penguar fillimin e zbatimit.
Ndërsa Byronë për Verifikimin e Pasurive pa mbulesë burimore financiare,
opozita e ka bllokuar qysh në nismë, ngaqë zhvatja e shtetit nga shtetarët dhe
pushtetarët, ka qenë makro-hajni zyrtare, përgjatë dy dekadave radhazi. Për
rrjedhojë, zbatharakët dhe brekëgrisurit e djeshëm, u bënë
milionerët e sotëm!
Ekstremi opozitar PAN, palë me Serbinë, kundër
pozitës!
Vërtet, qëllimi kryesor i opozitës së bashkuar, plus Lista Serbe, është
bllokimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe personalisht i Albin Kurtit. Propaganda,
shpifjet dhe gënjeshtrat kundër pozitës, respektivisht, Kurtit, me LVV të tij,
kanë qenë aq të shumta e korale, nga opozita PAN-iste, Serbia dhe Rusia, sa i
besuan gënjeshtrat e veta, duke thënë se "populli u mashtrua njëherë dhe
tani është vetëdijesuar dhe në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, nuk do t`i fitojë
as 10 % të votave!" Por, ndodhi e kundërta!
Ekstremi opozitar PAN, në bashkëpunim të ngushtë me Serbinë, përgjatë 4
(katër) viteve të qeverisjes të Vetëvendosjes, nuk ka pushuar se intriguari dhe
shpifuri, në përpjekje për të denigruar dhe larguar nga pushteti Albin Kurtin
dhe LVV. Sanksionet e vëna Kosovës, janë vepër e ndyrë e kësaj opozite, sa
destruktive, aq edhe kundra kombëtare. Kulmon koordinimi me Serbinë, kur
presidenti Vuçiq urdhëron Listen Serbe t`i bashkohet opozitës shqiptare, për ta
rrëzuar nga pushteti Kurtin me partinë e tij.
Opozita e trimëruar, por edhe e tmerruar nga shantazhimi i Serbisë, me
dosje të bollshme penalizuese, është hedhur në sulm frontal kundër pozitës.
Ndoca krerë partiakë, e përjashtojnë fare fituesin e zgjedhjeve, LVV, jo vetëm
nga kompozimi i Qeverisë, por edhe refuzimin e çdo takimi, ku i pranishëm është
Albin Kurti dhe LVV e tij! Një sjellje e tillë kriminale e rrugaçerore e
opozitës PAN-iste, ka irrituar jo vetëm shumësinë e shqiptarëve vendorë, por
edhe ata botërorë.
Oferta e LVV për LDK, koalicion i lakmuar nga shqiptarët
vendorë dhe botërorë
|Për ofertën e Albin Kurtit, për koalicion e bashkëqeverisje, të bërë
LDK-së, kryetari Lumir Abdixhiku, ka kërkuar një marrëveshje paraprake
politike. Lidershipi i ri, me ekipin e tij, ka punuar shumë, me profesionistë
të fushave të ndryshme, për hartimin e një plan programi zhvillimor ekonomik
dhe politik të Kosovës. Për lëndëzimin, realizimin e këtij programi, ai kërkon
kryesimin e Qeverisë. Në të kundërtën është përcaktuar që LDK-ja të vazhdojë
opozitarizmin aktiv. Mbizotëron opinioni se kryeministri Albin Kurti, edhe pse
ka mjaftueshëm zëvendës-kryeministra dhe këshilltarë, ka një ego të sëmurë dhe
nuk i konsulton, në masën e duhur, për vendimet që merr, në qeverisjen e
vendit. Dibranët tanë, për këtë kanë një urtësi: "Një mendje - asnjë mendje,
dy mendje - gjysmë mendje, tri mendje - një mendje".
Prandaj, për të marrë vendime të pjekura, të mençura dhe vetëkontroll të
Qeverisë, një koalicion stabil, i qëndrueshëm është larg më i pranueshëm, se sa
një qeveri me një numër deputetësh, sa për ta bërë qeverinë, por që mund ta
zhbëjë atë edhe një turbulencë e vogël politike. Duhet mësuar edhe nga praktika
e vendeve me demokraci të zhvilluara. Pra, oferta e kryetar Lumirit, për
bashkëqeverisje me Albinin, deri këtu, është e bazuar dhe e sinqertë. Dhe,
pavarësisht se cili është i parë në qeverisje, pa u konsultuar me zëvendësit,
nuk duhet marrë asnjë vendim me peshë.
Letra ofertuese, për koalicion dhe bashkëqeverisje e Albin Kurtit, për
Lumir Abdixhikun, përkatësisht, LDK-në, ishte pozitive dhe e pranueshme për
shumësinë e strukturave, anëtarësinë dhe elektoratin e LDK-së. Përkundër,
përgjigjja publike, e dhënë Kurtit, nuk përfaqëson mendimin e LDK-së, përveç se
të një grupi. Përndryshe, votimi i fshehtë i ofertës për koalicionin me LVV, në
Këshillin e Përgjithshëm, do të ishte më objektiv, më i shëndetshëm.
Nuk qëndron arsyetimi se, kinse, Lidershipi i LDK-së i ka premtuar
anëtarësisë, respektivisht, votuesve për të mos bërë koalicion me LVV. Një
premtim i tillë ka qenë për PDK-në, por është shkelur disa herë, duke e bërë
LDK-në bisht e patericë të PDK-së. A mund ta marrë LDK-ja pushtetin e vetme?
Jo. Atëherë, do të mbetet opozitë e përjetshme! A më të pranueshme janë
subjektet politike të koalicionuara në PAN, të akuzuara bazike për ekzekutimin
e dhjetra FARK-istëve luftë bërës të Ibrahim Rugovës dhe të qindra veprimtarëve
dhe aktivistëve cilësorë të LDK-së apo LVV, e cila nuk ka mëkate të tilla?
Skena politike në Kosovë, është e kontaminuar, toksike. Të vetmet janë
dy subjektet politike: LDK dhe LVV me aleatë Alternativa e Guxo, të cilat, deri
me tani, nuk janë të kriminalizuara. Shembull faktik: krahasoni listat e
kandidatëve për deputetë të LDK-së dhe LVV, me listat e subjekteve politike të
PAN-it! Dhe, komentet janë të tepërta.
Pikërisht, për këtë Kurti ka përzgjedhur LDK-në, duke e përsëritur
kërkesën për koalicion e bashkëqeverisje, si mundësi të vetme për të mos
helmuar Qeverinë e tij. Andaj, është koha për reflektim të opozitës PAN, rrastë
të inkriminuar, të spastrojnë partitë e tyre nga elementë masiv kriminalë dhe
të mos pretendojnë pushtetin, deri sa nuk bëjnë reformim të thellë, ose më
saktë, riformim me ndryshim tërësor, madje edhe të emrave të subjekteve të
tyre.
Qëllimi i tufëzimit në qeverisje - amnistimi i PAN
të kriminalizuar!
2) Propozimi i bërë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, për
koalicion të partive nacionale shqiptare, gjithëpërfshirëse, të Kosovës, është
lapsus i skajshëm dhe provokim i rëndë, jo vetëm për LDK-në, por edhe për
popullin dhe shqiptarët e përbotshëm. Nuk mund të quhen nacionale vetëm pse
flasin shqip, ndërkohë që bashkëpunojnë me Serbinë, për të rrëzuar nga pushteti
partinë, e cila punon e lufton për mbrojtjen e sovranitetit tërësor të
Republikës të Kosovës. Pikërisht, për këtë, aktualisht, edhe votohet më shumësi
absolute, nga populli i saj dhe admirohet nga shqiptarët e kudondodhur.
Propozimi i kryetar Lumirit, për t`u koalicionuar me PAN-in, i cili ka
përgjakur LDK-në dhe Kosovën, është një provokim i rëndë, për vetë anëtarësinë
e LDK-së dhe shqiptarët anepërtej Globit. Dyshoj fort të jetë një forcë e
jashtme, e cila e cytë, me presion, Kryetarin në lajthitje!?
Lidershipi i ri i LDK-së, i nismoi, por nuk i përfundoi reformat. Deri
diku i mirëkuptoj, sepse ishin pjesë i një faji të madh, u zvarritën pas shefit
Isë, të katapultuar në krye të LDK-së nga PDK-ja, duke e bërë Hashimin
president! Edhe pse ishte një amanet i Rugovës, që "ai të mos lejohet të
ngritët në pozitë, sepse është i dëmshëm për Kosovën!" Dhe, vërtet ishte
në shërbim të dy shteteve armike të Kosovës dhe të qeverie, gjithashtu! Kjo po
i hakmerret sot, Kryetarit dhe LDK-së, por, edhe Kosovës, ngaqë konformizmi
ishte trashur!
Mjerisht, në strukturat e LDK-së, vazhdojnë të jenë argatët e PDK-së.
Ata nuk e fshehin preferencën e tyre për koalicionin e serishëm me PAN-in,
sidomos me PDK-në. Dhe, këtë lakmi nuk e kanë fshehur, madje, së fundi, edhe
kanë vepruar haptazi, duke dëmtuar dhe sabotuar, qëllimshëm, Lidershipin e ri.
Dhe, me gjithë punën e madhe dhe fushatën voluminoze e dinjitare, të bërë nga
kryetar Lumiri, me ekipin e tij, vërtet, simpatik, nuk arriti qëllimin e
synuar.
Realisht, parti e dytë e mirëfilltë e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025,
është LDK-ja. Sepse, PDK-ja, me simotrat në koalicion, ka krijuar klientelë
elektorale nga: shumësia e nëpunësve shtetërorë; anëtarësia e organizatave
ilegale kriminale, të krijuara gjatë luftës; armata prej 45.500
veteranëve të rremë, plus familjarë, farefisni e miqësi të tyre, garantojnë
zvarritjen në politikë të partive-banda!
Tendenca e kthimit në pushtet të "komandantëve" mujsharë, me
dosje të bollshme penalizuese, do të ishte vazhdim i një drame me shumë akte.
Ndërsa çështja e ndërrimit të kandidatit/it për kryetar të Kuvendit, nuk është,
thjeshtë, teknike. Përkundrazi, ngulmimi i partisë fituese, Vetëvendosjes, për
ta mbrojtur propozimin fillestar, është thellësisht i drejtë, parimor dhe
plotësisht ligjor. Ndryshimi i kandidaturës, do të ishte lëshimi i parë fatal,
që do t`i bëhej krimit në Kosovë!