E merkure, 07.05.2025, 02:27 PM (GMT+1)

Editorial

Gjon Keka: Ditëlindja e Gjergj Kastriotit, Yllit udhërrëfyes të kombit tonë

E hene, 05.05.2025, 07:00 PM


Ditëlindja e Gjergj Kastriotit, Yllit udhërrëfyes të kombit tonë

(Me rastin e 620 vjetorit të lindjes së Çlirimtarit të Iliro-Arbërisë Gjergj Kastriotit – Skënderbeut)

Nga Gjon Keka

Bota është e mbushur me emra që e kanë shkruar emrin e tyre në faqen e pavdekësisë së historisë së kombeve të tyre. Në mesin e tyre qëndron edhe kryehero ynë Gjergj Kastrioti, i cili e ka shkruar emrin e tij në faqen më të artë të historisë së popullit Iliro-Arbëror. Ai sigurisht nuk e shkroi me dorën e tij, por e shkruajtën jeta dhe vepra e tij, gjurmët e tij, djersa e tij, vendimet e tij, emri liri që ai i solli vëllezërve të tij arbëror në zemrat e tyre, ringritja e mbretërisë së Arbërisë, mbrojtja e civilizimit europian, etj.

Fama europiane dhe botërore e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) mbështetet në patriotizmin e tij të pastër, guximin e tij të palëkundur, në arritjet e tij në artin luftarak dhe fitoret në fushëbeteja kundër armikut otoman, në aktin e tij të madh të lirisë, pavarësisë e të bashkimit në Kuvendin e Lezhës dhe të mbrojtësit të vetë Europës së kohës së tij. Prandaj, Gjergj Kastrioti ynë i Madh nuk ka të barabartë në historinë tonë dhe atë europiane; dhe si komandant ushtarak, ai është renditur në analet e historisë së njerëzimit ndër të parët, në mesin e Aleksandrit të Madh, Karlit të Madh, Uashingtonit, Belisarit, Huniadit, Eugenit, etj.

Ndërsa në historinë e jetës sonë kombëtare iliro-arbërore-dardane, si më i dalluar nga personalitetet mbikohore është Gjergj Kastrioti (Skënderbeu). Ai është themeluesi i Arbërisë kombëtare europiane, dhuruesi i flamurit të tij me Shqiponjën dykrenare në sfondin e kuq, çlirimtari i Iliro-Arbërisë, shpëtimtari i Europës.

Nuk mund të mos vërehet tepër qartë nga jeta dhe vepra e tij, dashuria e tij e pastër për Atdheun e tij Iliro-Arbëror dhe lirinë, përkushtimi i tij ndaj detyrës në udhëheqjen e Shtetit të Arbërit dhe në udhëheqjen e ushtrisë arbërore si një strateg e gjeneral i madh, pastaj vendosmëria dhe këmbëngulja e tij në të drejtën e popullit të tij, atdheut të tij, në ruajtjen e lirisë, bujaria e zemrës së tij që e kishte trashëgim nga nëna e tij Vojsava dhe fryma e tij e lirisë që e kishte mbjellë sa ishte në gjirin e babit të tij Gjonit dhe krahët e dashura të nënës së tij.

Ai mori hapa dhe përgjegjësi të mëdha në prani të vrasësve të tij, armiqëve otoman dhe tradhtarëve të brendshëm, të cilët ai i njihte mjaft për nga ligësia dhe djallëzia e tyre; dhe që nga ajo ditë e rikthimit të tij në Arbëri e deri në ditën e vdekjes së tij, ai qëndroi në praninë e tyre dhe i kreu me besnikëri detyrat e tij ndaj atdheut të tij, shtetit të tij arbëror dhe udhëheqjes së popullit dhe ushtrisë së tij në fitore të njëpasnjëshme. Është e qartë dhe evidente se Gjergj Kastrioti i drejtoi punët e Shtetit të Arbërit në kohët më të rrezikshme. Në periudhën mbi 25 vjetësh, ai gjithnjë e kishte para syve popullin e tij, shtetin e tij, ushtarët e tij, pasurinë shpirtërore dhe fizike të Iliro-Arbërisë. Ai nuk mendonte asgjë tjetër pos për Atdheun e tij, lirinë, dhe që populli i tij të ndihej i sigurt në shtetin dhe atdheun e vet, sepse për të ishte derdhur gjak dhe djersë dhe liria kishte çmimin e lartë e të shenjtë në rrënjët e Pemës së kombit.

Nëse e shohim nga veprat e tij, Gjergj Kastrioti ynë i Madh gjithmonë ishte i mbështetur tek vetja, tek forcat e tij, nuk i varte shpresat tek të tjerët, prandaj edhe gjithmonë merrte i pari iniciativat, i pari në betejë, i pari në fushëbetejën e jetës dhe vdekjes, për lirinë dhe pavarësinë e atdheut të tij, por edhe për mbrojtjen e civilizimit të përbashkët europian. Nisur nga kjo, jo rastësisht ai është vendosur me shumë merit midis personazheve të mëdhenj të historisë europiane dhe botërore.

Ndërsa tek ne, e në veçanti për mua dhe për arbërorët e tij si pasardhës besnikë, Gjergj Kastrioti ynë i Madh është Ati i kombit tonë Iliro-Arbëror.

Padyshim, Gjenerali i Madh europian dhe arbëror, Gjergj Kastrioti, është i pari i iliro-arbërorëve nga të gjitha fiset e trojet apo krahinat. Ai është i vetmi që i bashkoi dje dhe që duhet t’i bashkojë edhe sot, sepse emri i tij si Ati i urtë e vizionar i kombit, si themeluesi dhe dhuruesi i flamurit të përbashkët që mbështillet natyrshëm e gjithë Iliro-Arbëria, na tregon këtë fakt historik.

Ai nuk donte që shtëpia e tij të ishte e ndarë, e përçarë dhe kundër vetvetes, por një shtëpi e bashkuar, e në harmoni dhe në dashuri ndërvëllazërore. Prandaj edhe ai mori hapin e shenjtë të Bashkimit në Kuvendin e Lezhës (2 mars 1444) dhe i mblodhi shpirtërat iliro-dardano-arbëror rreth vetes, për të dëshmuar shpirtin e tij të madh të Atit që i do bijtë, bijat dhe vëllezërit të bashkuar. Ngase e dinte se Arbërorët vetëm të bashkuar, si shtëpi e natyrshme kombëtare, mund të kenë të ardhme, ndërsa e dinte poashtu se si të ndarë dhe të përçarë, vetëm shkatërrimi i pret.

Me pak fjalë, Gjergj Kastrioti edhe sot, kur po përkujtojmë 620 vjetorin e ditëlindjes së tij të përjetshme, emri i tij, vepra e tij, jeta e tij nuk e kanë zbehur shkëlqimin e famës së tij. Ai edhe sot mbetet Ati i përjetshëm i lirisë, i themeleve të kombit tonë, i flamurit tonë, vula e identitetit tonë kombëtar europian dhe frymëzimi i bijëve e bijave, i brezave sot, nesër e përgjithmonë.

Në fakt, ai është dhe do të mbetet përgjithmonë jo vetëm Ylli udhërrëfyes i imi dhe i pasardhësve të tij besnikë, por edhe i kombit tim Iliro-Arbëror.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx