Kulturë
Idriz Zeqiraj: Në varrimin e Xhemës Rugova i pikëlluar mallkoi vrasësit
E enjte, 01.05.2025, 06:57 PM
NË VARRIMIN E XHEMËS RUGOVA I PIKËLLUAR, MALLKOI VRASËSIT
(Pjesa IV)
-Gani
Mehmetaj: "Rugovën, si e kam njohur" - pasqyrë e një epoke të
trazuar-
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Rikthimi i Presidentit Ibrahim Rugova
në Kosovë, më 15 korrik 1999, ishte dëshmi faktike se Ai ishte kidnapuar në Rezidencën
e Tij dhe ishte mbajtur peng përdhunshëm. Dëshminë e Rugovës në Hagë, kundër
kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit, miku im i mësuesisë dhe burgjeve
politike, Kadri (Os)Mani, e botoi në librin "Rugova triumfoi në Kosovë dhe
në Hagë". Demantoi bindshëm të gjithë lukuninë lehaqene, akuzuese dhe
shpifëse të LPK-së së djeshme, alias PAN-it të sotëm.
Autori i librit "Rugovën, si e kam
njohur", Gani Mehmetaj, duke qenë drejtor i "Dardania Press", në
kontakte të çdo ditëshme me botën intelektuale, akademike, zyrtarë e njerëz
publikë, shkruan për veprimet dhe karakteret e tyre. Në veçanti, flet për
"komandantët" mujsharë e fodullë, xhahilë e kriminelë, të zhveshur
nga morali, tradita dhe, mbi të gjitha, nga ndjesia njrëzore. Realisht, nuk ishin
përballur me luftën kundër pushtuesit dhe e kompensonin këtë mangësi me
torturimin, maltretimin e deri me vrasjet e atyre që i konsideronin si
kundërshtarë politikë.
Vërtet, Adem Jashari nuk ishte ushtarë
i UÇK-së, por ishte ushtar i Atdheut, ashtu siç nuk ishte përballje dhe
qëndresë e UÇK-së ngjarja tragjike e tre ditëve të marsit 1998 në Prekaz, por
vetëm e Familjes Jashari, me dajën Osman Geci. "Në gjallje ai e kishte
quajtur -Komandant- Presidentin Rugova. Luftëtarët ishin të pakët, por, pas
luftës ata që veshën uniformën e UÇK-së u dhjetëfishuan, e kishin pronësuar
varrin e Adem Jasharit. Me emrin e tij morën pushtetin, bënë pasuri, zhvatën
pasuritë kombëtare. Me sjelljet e tyre kriminale e rrugaçërore, ishin të
gatshëm të nxisnin luftë qytetare, civile! Ata që e lanë në baltë Adem Jasharin
gjatë luftës, e ngrinin në qiell në kohë paqeje",- thotë autori!
"Kronika e vrasjeve të
paralajmëruara", e titullon autori përgjakjen, njollosjen e luftës në
Kosovë, me rrëmbime, arrestime, burgosje, maltretime, deri në vrasjen serike të
kundërshtarëve politikë. Kjo metodë e huazuar nga Enver Hoxha, me partizanët e
tij kriminelë, të cilët luftën çlirimtare e konvertoi në luftë civile në
Shqipëri. Këtë e ka faktuar edhe historiani amerikano-kanadez, në seminarin dy
ditorë, pak vite më parë, të mbajtur në Durrës, me temën: "A ka bërë
Shqipëria luftë çlirimtare apo civile?!" Falsifikuesit e historisë
shqiptare bënë sikur u habitën me pyetjen e shtruar për diskutim dhe,
dëshpërueshëm, provuan ta mbrojnë, kinse, luftën çlirimtare.
Por, organizatori, i cili kishte
mbrojtur disertacionin, pikërisht, për Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri,
Robert, shtroi pyetjen e dytë: "Argumentoni, qoftë edhe me një betejë të
partizanëve të Enver Hoxhës, të bërë kundër pushtuesve italianë apo
gjermanë?" Belbëzimet e falsifikatorit të historisë, Dr. Paskal Milo, me
kolegët e tij, nuk arritën të sjellin asnjë betejë faktike! Atëherë, studiuesi
i specializuar amerikano-kanadez sqaroi: "Unë ju faktoj me dhjetra beteja
të partizanëve të Enver Hoxhës, të bëra kundër nacionalistëve shqiptarë,
respektivisht, të "Ballit Kombëtar" dhe të "Legalitetit".
Pra, Shqipëria bëri luftë civile dhe e vetmja nuk gëzoi reparacionet,
dëmshpërblimin e luftës të pabërë, edhe pse, formalisht, ishte pjesë e Aleancës
fituese të luftës.
Edhe pse autori Mehmetaj, për hirë të
etikës, nuk e thotë troç se Shqipëria e Enver Hoxhës ushtroi fashizëm tipik mbi
shqiptarët e Shqipërisë londineze, për afro gjysmë-shekulli. Këtë fashizëm e
ushtruan në Kosovë "komandantët" pa ushtarë, shqip-folës, por me
banda të bollshme. Dhe, po të mos ishin ndërkombëtarët, Qeveria e Përkohshme
juntë ushtarake e "gjeneralëve" të vetëshpallur, Kosova do të bëhej
fashiste, krejt njësoj si Qeveria Komuniste e Socialiste e byroistëve të Enver
Hoxhës. "Komandantët" donin një parti, një prijës, një televizion,
një gazetë dhe një mënyrë e të menduarit! Nisën përpilimin e listave emërore të
likuidimit fizik. Luftën e pronësuan, shtetin e privatizuan, edhe me të
vdekurit bënin dhe vazhdojnë të bëjnë kapital politik", shkruan autori!
Për likuidimet fizike politike
eksponentët e LPK-së përgaditën logjistikën, që UDB-a të ekzekutonte disa veprimtarë
atdhetarë në Mërgatë, në vitet `80-a
dhe 90-a. E vazhduan në Tiranë, me vrasjen
e zëdhënësit të UÇK-së, gazetarin Ali Ukaj; shefin e logjistikës të LPK-së,
Ilir Konushevcin e Dr. Hazir Malaj; kontraktorët e kampeve ushtrimore, Rushit
Elezi, kuksjan; Muharrem Tafa, tropojan, së bashku me Qazim Jakupin,
instruktor. Furnizuesit me armë dhe materiale tjera për luftëtarët e Kosharës,
Rexhep dhe Ibrahim Nikçi; oficerin Sadri Ramqaj, ushtarakët e FARK-ut, duke
kulmuar me ekzekutimin e Ministrit të Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqi dhe kuadro
të tjerë, gjithnjë në koordinim me zyrtarët e lartë social-komunistë të
Tiranës. Me vrasje e terror uzurpuan pushtetin dhe me krime vrastare donin ta
mbanin atë, përdhunshëm e përgjakshëm. Janë shumë qindra vrasje cilësore, kuadro
e veprimtarë të LDK-së, por edhe brenda llojit, pra, të LPK-së.
Lista është e gjatë, por autori
Mehmetaj përmend me emër vetëm disa syresh: Haki Imeri, një intelektual i
kompletuar, arsimtar dhe veprimtar të LDK-së; Shaban Manaj, avokat i shquar dhe
kandidat për kryetar të komunës, i marrë nga shtëpia, i torturuar deri në
mbytje dhe i djegur, njësoj si soldateska e Millosheviçit; gazetarin e luftës
Shefki Popova. "Agime Kotorri nga Peja rrëfen: Në një natë të errët ia
behu në shtëpinë tonë njeriu me maskë, shkrepi disa plumba mbi burrin tim,
Shkëlzenin dhe ia mbathi pa ferrë në këmbë",- shkruan autori. Veprimtari i
shquar i LDK-së, bashkëpunëtor i Presidentit Rugova, Fetah Rudi, i plagosur
rëndë, i mbijetuar, por i mbetur, përjetësisht, në karrikën invalidore.
Profesori i Gjimnazit, Sinan Gashi,
miku i autorit dhe i imi - njëherësh, nga fshati Arllat i Drenicës, kryetar i
Degës të LDK-së në Gllogovc para luftës; redaktor i kulturës në "Bota
sot", shkrimtar, publicist, hartues monografish, studiues i zellshëm,
botues i tej 20 librave, tregon për fatin e tij tronditës: ´"Policia serbe
më torturoi gadi për vdekje, duke më shkaktuar humbjen e njërit sy;
"policët" shqiptarë, me maska, të Drenicës, më dëmtuan syrin tjetër.
Më së rëndi më vinte kur dëgjoja zërin e ish-nxënësit tim, tek përpiqej të më
mbyste", sepse nuk donte të hiqte dorë nga Rugova! Njeriu i letrave,
qëndrestari fisnik, Sinan Gashi, edhe pse, tashmë, i verbër, vazhdon të
krijojë, por, i ndihmuar, teknikisht, nga nipër e mbesa!
Vrasja e Xhemail Mustafës, më 23 nëntor
2000, shkrimtar dhe këshilltar i parë i Presidentit Rugova, punonjës në QIK,
nuk ishte e para, por më tronditëse në Kosovë. E priste atentatimin, por nuk
tërhiqej, ndërkohë që i sugjeronte kolegut, mikut të tij, Gani Mehmetaj, ta
ndërpriste botimin e gazetës "Dardania Press", ngaqë
"komandantët" kriminelë përgjonin dhe kërcënonin. "Sepse jemi në
rrezik",- thoshte me shqetësim të bazuar Xhema ynë. Në kolumnen e tij të
së martës botoi shkrimin e radhës dhe të fundit: "Mallkimi i popullit nga
"të mallkuarit e popullit".
Jakup Krasniqi, i deprimuar nga humbja
e partisë-bandë të tij, PDK-së, fyente shqiptarët: "LDK-në e votuan ata që
e ndiejnë më afër Beogradin se Tiranën!" "Në një bodrumm të
Prishtinës, i përjetoi të 78 ditët e bombardimit të NATO-s. Libri "Një
lutje për Prishtinën", është testamenti dhe dëshmia e kohës e njeriut
engjëll, Xhemail Mustafa, i cili, krahas Sali Çekaj, në të gjithë sjelljen e
tyre urtake, ngjasonin aq shumë me Presidentin Rugova, sikur të ishin vëllezër
biologjik! Për çudë, 40 mijë trupa ndërkombëtarë ruanin Kosovën nga Serbia,
ndërkohë i regjistronin vrasjet, por nuk i ndëshkonin kriminelët, edhe pse
shumë syresh i arrestonin, por i lironin "për mungesë faktesh!?" Richard
Hollbruck i tronditur me krimet vrastare të "komandantëve", shpërthen
me habi dhe zemrim: "E kemi ditur që shqiptarët, në Kosovë, duhet t`i
mbrojmë nga kriminelët serbë, por nuk e kishim paramenduar se do të na duhej
t`i mbronim edhe nga vetvetja - shqiptarin nga shqiptari!"
Autori Mehmetaj e përjetoi rëndë
ekzekutimin e mikut dhe të kolegut të tij shkrimtar, Xhemail Mustafa, andaj
shfrynë: "Grupet kriminale të së kaluarës e të së tashmës, janë bërë
njësh. Titistë e enveristë, UDB-ashë e SHIK-istë, në dukje të parë të
papajtueshëm, krijuan aleancë të fuqishme kundër demokracisë së brishtë".
Vrasjen e tij e heshti, turpshëm, shteti shqiptar, kryeministri Majko, ministri
i Jashtëm Milo, edhe Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, pothuaj se, heshti.
Vetëm Bota sot" bëri detyrën e saj. Presidenti Rugova, me pikëllim të
skajshëm, foli ke varri i Xhemës së tij, të Xhemës tonë, duke i mallkuar
vrasësit.
Edhe Adem Demaçi foli, ai kishte një
lidhje familjare: "Xhemën e vranë ata që duan ta marrin pushtetin me dhumë".
Autori shprehë dyshimin: "A thua e dinte kush janë vrasësit?!"
Gazetat "Bota Sot" dhe "Dardania Press", që denonconin
krimet vrastare të "komandantëve", u vunë në shenjestër me vrasjen e
gazetarëve Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti me shokë. Demaçi, duke kërcënuar se
"keni për t`i ngrënë ato gazeta", i mori në mbrojtje
"komandantët" kriminelë, me bandat e tyre ekzekutuese të
kundërshtarëve politikë.
Realisht, Demaçi i aprovoi vrasjet
politike. Në Konferencën në Osllo të Norvegjisë, e thirrur për bashkimin e
faktorit ushtarak, LPK-në e përfaqësonte Adem Demaçi, Xhavit Haliti..., të
cilët nuk e pranuan Kolonel Ahmet Krasniqin për Ministër të Mbrojtjes, edhe pse
ishte propozuar e pranuar nga oficerët profesionalë të FARK-ut. Kuqaloshët e
donin një profan nga soji i tyre, LPK-së. Mbledhja dështoi, luftën e sabotoi
LPK-ja. Kolonel Krasniqi u ekzekutua në Tiranë, nga "SHTAB-istët e
UÇK-së" dhe shefat e Tiranës zyrtare!
Pikëllim e dhimbje shprehen familja e
Xhemail Mustafës dhe mijëra shqiptarë. Çuditërisht, munguan shumë nga miqtë në
varrim. Kjo fliste për një frikësim e terror të tmerrshëm, një përgjim fashist,
tipik enverist, kur lufta e klasave, në Shqipëri, i diferenconte edhe të
vdekurit, ceremoninë mortore e bojkotonin edhe të afërmit dhe miqtë e shtëpisë!
Autori potencon se "e sfidonim policinë e Millosheviçit dhe u bënim
nderime masive viktimave". Një krahasim i rëndë, por, mjerisht, krejt i
saktë. Me pushtetin e "komandantëve" Rogner-istë, Kosova po
fashistizohej. Dhe, po të mos ishin ndërkombëtarët, Kosova do ta kishte një
diktaturë komunisto-fashiste, tipike enverhoxhiste!