Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Idriz Zeqiraj: Në varrimin e Xhemës Rugova i pikëlluar mallkoi vrasësit

| E enjte, 01.05.2025, 06:57 PM |


NË VARRIMIN E XHEMËS RUGOVA I PIKËLLUAR, MALLKOI VRASËSIT

(Pjesa IV)

-Gani Mehmetaj: "Rugovën, si e kam njohur" - pasqyrë e një epoke të trazuar-

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Rikthimi i Presidentit Ibrahim Rugova në Kosovë, më 15 korrik 1999, ishte dëshmi faktike se Ai ishte kidnapuar në Rezidencën e Tij dhe ishte mbajtur peng përdhunshëm. Dëshminë e Rugovës në Hagë, kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit, miku im i mësuesisë dhe burgjeve politike, Kadri (Os)Mani, e botoi në librin "Rugova triumfoi në Kosovë dhe në Hagë". Demantoi bindshëm të gjithë lukuninë lehaqene, akuzuese dhe shpifëse të LPK-së së djeshme, alias PAN-it të sotëm.

Autori i librit "Rugovën, si e kam njohur", Gani Mehmetaj, duke qenë drejtor i "Dardania Press", në kontakte të çdo ditëshme me botën intelektuale, akademike, zyrtarë e njerëz publikë, shkruan për veprimet dhe karakteret e tyre. Në veçanti, flet për "komandantët" mujsharë e fodullë, xhahilë e kriminelë, të zhveshur nga morali, tradita dhe, mbi të gjitha, nga ndjesia njrëzore. Realisht, nuk ishin përballur me luftën kundër pushtuesit dhe e kompensonin këtë mangësi me torturimin, maltretimin e deri me vrasjet e atyre që i konsideronin si kundërshtarë politikë.

Vërtet, Adem Jashari nuk ishte ushtarë i UÇK-së, por ishte ushtar i Atdheut, ashtu siç nuk ishte përballje dhe qëndresë e UÇK-së ngjarja tragjike e tre ditëve të marsit 1998 në Prekaz, por vetëm e Familjes Jashari, me dajën Osman Geci. "Në gjallje ai e kishte quajtur -Komandant- Presidentin Rugova. Luftëtarët ishin të pakët, por, pas luftës ata që veshën uniformën e UÇK-së u dhjetëfishuan, e kishin pronësuar varrin e Adem Jasharit. Me emrin e tij morën pushtetin, bënë pasuri, zhvatën pasuritë kombëtare. Me sjelljet e tyre kriminale e rrugaçërore, ishin të gatshëm të nxisnin luftë qytetare, civile! Ata që e lanë në baltë Adem Jasharin gjatë luftës, e ngrinin në qiell në kohë paqeje",- thotë autori!

"Kronika e vrasjeve të paralajmëruara", e titullon autori përgjakjen, njollosjen e luftës në Kosovë, me rrëmbime, arrestime, burgosje, maltretime, deri në vrasjen serike të kundërshtarëve politikë. Kjo metodë e huazuar nga Enver Hoxha, me partizanët e tij kriminelë, të cilët luftën çlirimtare e konvertoi në luftë civile në Shqipëri. Këtë e ka faktuar edhe historiani amerikano-kanadez, në seminarin dy ditorë, pak vite më parë, të mbajtur në Durrës, me temën: "A ka bërë Shqipëria luftë çlirimtare apo civile?!" Falsifikuesit e historisë shqiptare bënë sikur u habitën me pyetjen e shtruar për diskutim dhe, dëshpërueshëm, provuan ta mbrojnë, kinse, luftën çlirimtare.

Por, organizatori, i cili kishte mbrojtur disertacionin, pikërisht, për Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, Robert, shtroi pyetjen e dytë: "Argumentoni, qoftë edhe me një betejë të partizanëve të Enver Hoxhës, të bërë kundër pushtuesve italianë apo gjermanë?" Belbëzimet e falsifikatorit të historisë, Dr. Paskal Milo, me kolegët e tij, nuk arritën të sjellin asnjë betejë faktike! Atëherë, studiuesi i specializuar amerikano-kanadez sqaroi: "Unë ju faktoj me dhjetra beteja të partizanëve të Enver Hoxhës, të bëra kundër nacionalistëve shqiptarë, respektivisht, të "Ballit Kombëtar" dhe të "Legalitetit". Pra, Shqipëria bëri luftë civile dhe e vetmja nuk gëzoi reparacionet, dëmshpërblimin e luftës të pabërë, edhe pse, formalisht, ishte pjesë e Aleancës fituese të luftës.

Edhe pse autori Mehmetaj, për hirë të etikës, nuk e thotë troç se Shqipëria e Enver Hoxhës ushtroi fashizëm tipik mbi shqiptarët e Shqipërisë londineze, për afro gjysmë-shekulli. Këtë fashizëm e ushtruan në Kosovë "komandantët" pa ushtarë, shqip-folës, por me banda të bollshme. Dhe, po të mos ishin ndërkombëtarët, Qeveria e Përkohshme juntë ushtarake e "gjeneralëve" të vetëshpallur, Kosova do të bëhej fashiste, krejt njësoj si Qeveria Komuniste e Socialiste e byroistëve të Enver Hoxhës. "Komandantët" donin një parti, një prijës, një televizion, një gazetë dhe një mënyrë e të menduarit! Nisën përpilimin e listave emërore të likuidimit fizik. Luftën e pronësuan, shtetin e privatizuan, edhe me të vdekurit bënin dhe vazhdojnë të bëjnë kapital politik", shkruan autori!

Për likuidimet fizike politike eksponentët e LPK-së përgaditën logjistikën, që UDB-a të ekzekutonte disa veprimtarë atdhetarë në Mërgatë, në vitet `80-a dhe 90-a. E vazhduan në Tiranë, me vrasjen e zëdhënësit të UÇK-së, gazetarin Ali Ukaj; shefin e logjistikës të LPK-së, Ilir Konushevcin e Dr. Hazir Malaj; kontraktorët e kampeve ushtrimore, Rushit Elezi, kuksjan; Muharrem Tafa, tropojan, së bashku me Qazim Jakupin, instruktor. Furnizuesit me armë dhe materiale tjera për luftëtarët e Kosharës, Rexhep dhe Ibrahim Nikçi; oficerin Sadri Ramqaj, ushtarakët e FARK-ut, duke kulmuar me ekzekutimin e Ministrit të Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqi dhe kuadro të tjerë, gjithnjë në koordinim me zyrtarët e lartë social-komunistë të Tiranës. Me vrasje e terror uzurpuan pushtetin dhe me krime vrastare donin ta mbanin atë, përdhunshëm e përgjakshëm. Janë shumë qindra vrasje cilësore, kuadro e veprimtarë të LDK-së, por edhe brenda llojit, pra, të LPK-së.

Lista është e gjatë, por autori Mehmetaj përmend me emër vetëm disa syresh: Haki Imeri, një intelektual i kompletuar, arsimtar dhe veprimtar të LDK-së; Shaban Manaj, avokat i shquar dhe kandidat për kryetar të komunës, i marrë nga shtëpia, i torturuar deri në mbytje dhe i djegur, njësoj si soldateska e Millosheviçit; gazetarin e luftës Shefki Popova. "Agime Kotorri nga Peja rrëfen: Në një natë të errët ia behu në shtëpinë tonë njeriu me maskë, shkrepi disa plumba mbi burrin tim, Shkëlzenin dhe ia mbathi pa ferrë në këmbë",- shkruan autori. Veprimtari i shquar i LDK-së, bashkëpunëtor i Presidentit Rugova, Fetah Rudi, i plagosur rëndë, i mbijetuar, por i mbetur, përjetësisht, në karrikën invalidore.

Profesori i Gjimnazit, Sinan Gashi, miku i autorit dhe i imi - njëherësh, nga fshati Arllat i Drenicës, kryetar i Degës të LDK-së në Gllogovc para luftës; redaktor i kulturës në "Bota sot", shkrimtar, publicist, hartues monografish, studiues i zellshëm, botues i tej 20 librave, tregon për fatin e tij tronditës: ´"Policia serbe më torturoi gadi për vdekje, duke më shkaktuar humbjen e njërit sy; "policët" shqiptarë, me maska, të Drenicës, më dëmtuan syrin tjetër. Më së rëndi më vinte kur dëgjoja zërin e ish-nxënësit tim, tek përpiqej të më mbyste", sepse nuk donte të hiqte dorë nga Rugova! Njeriu i letrave, qëndrestari fisnik, Sinan Gashi, edhe pse, tashmë, i verbër, vazhdon të krijojë, por, i ndihmuar, teknikisht, nga nipër e mbesa!

Vrasja e Xhemail Mustafës, më 23 nëntor 2000, shkrimtar dhe këshilltar i parë i Presidentit Rugova, punonjës në QIK, nuk ishte e para, por më tronditëse në Kosovë. E priste atentatimin, por nuk tërhiqej, ndërkohë që i sugjeronte kolegut, mikut të tij, Gani Mehmetaj, ta ndërpriste botimin e gazetës "Dardania Press", ngaqë "komandantët" kriminelë përgjonin dhe kërcënonin. "Sepse jemi në rrezik",- thoshte me shqetësim të bazuar Xhema ynë. Në kolumnen e tij të së martës botoi shkrimin e radhës dhe të fundit: "Mallkimi i popullit nga "të mallkuarit e popullit".

Jakup Krasniqi, i deprimuar nga humbja e partisë-bandë të tij, PDK-së, fyente shqiptarët: "LDK-në e votuan ata që e ndiejnë më afër Beogradin se Tiranën!" "Në një bodrumm të Prishtinës, i përjetoi të 78 ditët e bombardimit të NATO-s. Libri "Një lutje për Prishtinën", është testamenti dhe dëshmia e kohës e njeriut engjëll, Xhemail Mustafa, i cili, krahas Sali Çekaj, në të gjithë sjelljen e tyre urtake, ngjasonin aq shumë me Presidentin Rugova, sikur të ishin vëllezër biologjik! Për çudë, 40 mijë trupa ndërkombëtarë ruanin Kosovën nga Serbia, ndërkohë i regjistronin vrasjet, por nuk i ndëshkonin kriminelët, edhe pse shumë syresh i arrestonin, por i lironin "për mungesë faktesh!?" Richard Hollbruck i tronditur me krimet vrastare të "komandantëve", shpërthen me habi dhe zemrim: "E kemi ditur që shqiptarët, në Kosovë, duhet t`i mbrojmë nga kriminelët serbë, por nuk e kishim paramenduar se do të na duhej t`i mbronim edhe nga vetvetja - shqiptarin nga shqiptari!"

Autori Mehmetaj e përjetoi rëndë ekzekutimin e mikut dhe të kolegut të tij shkrimtar, Xhemail Mustafa, andaj shfrynë: "Grupet kriminale të së kaluarës e të së tashmës, janë bërë njësh. Titistë e enveristë, UDB-ashë e SHIK-istë, në dukje të parë të papajtueshëm, krijuan aleancë të fuqishme kundër demokracisë së brishtë". Vrasjen e tij e heshti, turpshëm, shteti shqiptar, kryeministri Majko, ministri i Jashtëm Milo, edhe Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, pothuaj se, heshti. Vetëm Bota sot" bëri detyrën e saj. Presidenti Rugova, me pikëllim të skajshëm, foli ke varri i Xhemës së tij, të Xhemës tonë, duke i mallkuar vrasësit.

Edhe Adem Demaçi foli, ai kishte një lidhje familjare: "Xhemën e vranë ata që duan ta marrin pushtetin me dhumë". Autori shprehë dyshimin: "A thua e dinte kush janë vrasësit?!" Gazetat "Bota Sot" dhe "Dardania Press", që denonconin krimet vrastare të "komandantëve", u vunë në shenjestër me vrasjen e gazetarëve Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti me shokë. Demaçi, duke kërcënuar se "keni për t`i ngrënë ato gazeta", i mori në mbrojtje "komandantët" kriminelë, me bandat e tyre ekzekutuese të kundërshtarëve politikë.

Realisht, Demaçi i aprovoi vrasjet politike. Në Konferencën në Osllo të Norvegjisë, e thirrur për bashkimin e faktorit ushtarak, LPK-në e përfaqësonte Adem Demaçi, Xhavit Haliti..., të cilët nuk e pranuan Kolonel Ahmet Krasniqin për Ministër të Mbrojtjes, edhe pse ishte propozuar e pranuar nga oficerët profesionalë të FARK-ut. Kuqaloshët e donin një profan nga soji i tyre, LPK-së. Mbledhja dështoi, luftën e sabotoi LPK-ja. Kolonel Krasniqi u ekzekutua në Tiranë, nga "SHTAB-istët e UÇK-së" dhe shefat e Tiranës zyrtare!

Pikëllim e dhimbje shprehen familja e Xhemail Mustafës dhe mijëra shqiptarë. Çuditërisht, munguan shumë nga miqtë në varrim. Kjo fliste për një frikësim e terror të tmerrshëm, një përgjim fashist, tipik enverist, kur lufta e klasave, në Shqipëri, i diferenconte edhe të vdekurit, ceremoninë mortore e bojkotonin edhe të afërmit dhe miqtë e shtëpisë! Autori potencon se "e sfidonim policinë e Millosheviçit dhe u bënim nderime masive viktimave". Një krahasim i rëndë, por, mjerisht, krejt i saktë. Me pushtetin e "komandantëve" Rogner-istë, Kosova po fashistizohej. Dhe, po të mos ishin ndërkombëtarët, Kosova do ta kishte një diktaturë komunisto-fashiste, tipike enverhoxhiste!