Kulturë
Prend Buzhala: Përsiatje lirike mbi ekzistencën, mallin, kujtimet, humbjet, dhimbjen...
E enjte, 24.04.2025, 06:52 PM
PËRSIATJE LIRIKE MBI EKZISTENCËN, MALLIN,
KUJTIMET,
HUMBJET, DHIMBJEN...
(Tair
Bezhani: “Pikla nga qielli”, poezi, 2025)
Nga
Prend BUZHALA
Në
letërsi është i njohur fakti për një dorë autorësh që, përpos krijimit poetik,
kanë edhe prirje të tjera shkrimore. Kështu, edhe Tahir Bezhani shfaq disa
prirje të tilla që nga paslufta e këndej: në botimin e librave poetikë dhe në
atë të literaturës dokumentare, të monografive e të kritikës letrare. Sado që
janë disa qasje të ndryshme për t'i shprehur dhe përpunuar mendimet dhe përjetimet,
këto forma, megjithatë, bashkëjetojnë në
veprat e këtij autori. Nëse librat poetikë janë krijime që zakonisht përmbajnë
poezi me vlera e kuptime shumëdimensionale që transmetojnë ndjesi, ide,
përjeitme dhe mendime të brendshme, përmes përdorimit të imazheve dhe figurës
poetike a shtjellimit të përvojave njerëzore; nëse monografitë dokumentare (si
“Rapsodët e Rekës së Keqe”,monografi,2005, “Shkollat shqipe në Rekë të
Keqe”,monografi,2006, “Smolica bastion I lirisë”,monografi,2007 etj.) vijnë si
punë përkushtuese kërkimore dhe mbështeten në fakte dhe burime të jashtme; nëse
tregimi letrar (vepra "Vite tronditëse") narracioni, përshkrimi
emocional dhe introspektiv thellohet në ndjenjat dhe përvojat e brendshme të
personazheve; nëse tek reportazhet ka një prirje të dukshme për të krijuar
imazhe të fuqishme dhe për të përshkruar atmosferën dhe emocionet në mënyrë
shumë të detajuar (libri "Madhështitë e atdheut"), dhe, më në fund, nëse
te vështrimet e kritikat letrare shqipton njohuri mbi letërsinë me anë
analizash e vlerësimesh të veprave letrare; atëherë të gjitha këto forma
shkrimi sitnetizohen ndryshe te vargu poetik.
1. Poezia “Pikla nga
qielli”, një lexim letrar
Poeti
Tahur Bezhani parapëlqen që librin e tij më të ri poetik ta quajë "Pikla nga
qielli". Përse pikël qielli? Ç ‘është kjo pikël? Sipas Fjalorit të
shqipes, fjala pikël ka kuptimin e një pike të vogël (uji, pikla ulliri , pikla
dardhe etj.) a një "kokërr që bie nga një pemë (kur piqet shumë ose kur
krimbet), pike: pikla ulliri (dardhe); atëherë te ky vëllim merr
një
kuptim të pasur figurativ:
Në planetin tokë dridhet
frika
Pikla nga qielli vijnë,
re të zeza...
Metafora
dhe simbolika e piklës në poezinë "Pikla nga qielli" është një nga
shënjuesit kryesorë që e përplotëson këtë poezi me një kuptim të përthelluar
dhe shumëdimensional. Pikla përdoret për të simbolizuar disa aspekte të jetës
njerëzore, si ndjesitë e trishtimit, dhimbjes dhe pasigurisë, por gjithashtu
ndërlidhet me përsiatje dhe me mundësinë e rigjenerimit, ringjalljes,
spastrimit të njohur aristotelian.
Në
këtë poezi, pikla kuptohet si element që bie nga qielli, një shenjë poetike që
ka lidhje me diçka të jashtme që ndikon tek njeriu. Pikla merret si simbol për
dhimbjen e thellë ose humbjen, duke u shfaqur si diçka që bie nga qielli (nga
një hapësirë e pafund dhe e largët) dhe që paraqet një trajtë përjetimi të
papritur, një ngjarje që bie mbi individin nga një vend i panjohur ose i
jashtëm. Ky element i të papriturës, i dhimbjes ose trishtimit është i ngjashëm
me një fenomen të natyrshëm, si një shi i rrallë që bie nga qielli i errët. Në
një kuptim tjetër, pikla simbolizon pasigurinë e jetës, sugjeron se trishtimi
dhe pasiguria janë të pandashme nga ekzistenca. Është një simbol për sfidat e
përditshme me të cilat ndeshet njeriu, duke iu nënshtruar rreziqeve dhe
faktorëve të jashtëm që nuk janë të kontrollueshëm. Përdorimi i piklës si një
shenjë që bie nga qielli, përfaqëson gjithashtu pasojat e veprimeve të kaluara,
të cilat mund të rikthehen papritur dhe të ndikojnë në jetën e njeriut. Ajo
dëfton një gjendje të pashprehur që lë gjurmë në jetën e njeriut, si një
kujtesë e së kaluarës, duke rikthyer dhimbjet ose humbjet që nuk janë shëruar.
Në
fakt, poezia "Pikla nga qielli," rrezaton përjetime të ndjeshme mbi
natyrën, frikën dhe udhëtimet kozmike që i kalon qenia njerëzore brenda dhe jashtë vetes. Poezia përdor gjuhë figurative
që krijon ndjesi të mistershme dhe tragjike të ndërveprimit mes njeriut,
natyrës dhe universit. Struktura e saj ndahet në dy pjesë kryesore, ku secila
pjesë paraqet një element të ndryshëm të realitetit dhe ekzistencës. Poezia nis
me një metaforë përmbajtjesore: "Një
re e zezë n ‘hapësirë" që krijon ndjesinë e trishtimit dhe misterit.
Reja e zezë simbolizon kaosin, pasigurinë ose anë të panjohura të ekzistencës,
të cilat ndodhin në hapësirën e pafund, nën ndikimin e galaktikës dhe
asteroideve. mundësisht humbjen e shpresës dhe të optimizmit që ndodhin në
jetën e përditshme.
Në
poezi, megjithatë, ka një moment ndriçimi, si "rrezet e diellit" që
ndriçojnë ëndrrat. Ky çast shënjon
mundësinë e shërimit, ri ngjalljes ose rikthimit të shpresës pas një periudhe
të pasigurt dhe trishtimit. Përsëritja e vargut "Pikla nga qielli vij", krijon një ritëm dhe ndjesi ciklesh...
"Frika humb rrugën meridianëve":
frika është një forcë që ndodhet në çdo cep të jetës. Kur thotë "Frika humb rrugën meridianëve",
kuptohet si humbje e drejtimit ose pasiguri që shoqëron jetën e njeriut. Kah
fundi i poezisë përmendet rikthimi i një buzëqeshjeje pas dhimbjes: "Ripërtërihet buzëqeshja e vrarë". Ndonëse
"buzëqeshja e vrarë" kumton
një dhimbje të kaluar, ajo dëfton mundësinë për ringjallje të gëzimit dhe
pozitives në gjirin e krizave të jetës.
2. Çastet festive dhe
kontradiktat e jetës
Le
të zbresim pak te poezitë tjera të librit. Që në poezitë e para ndeshemi me përsiatje
mbi ekzistencën dhe me prirjet stilistike dhe filozofike që lidhet me shkrimin
dhe mendimin, ku theksi bie në reflektimin e brendshëm të njeriut, në përjetimet,
mendimet dhe përvojat personale. Kjo prirje është shumë e pranishme në poezi
dhe letërsi, fokusohet në përsiatjet filozofike mbi jetën, ekzistencën dhe
ndjenjat. Poeti përdor ligjërimin figurativ dhe imagjinatën për t'i shprehur
ndjenjat dhe mendimet që lidhen me identitetin, pasigurinë, pasionin ose me
përpjekjet për ta kuptuar botën e brendshme dhe të jashtme. Kështu, te poezia "Frymëzim nate me hënë" i referohet çasteve të qeta dhe të
kundrimeve të brendshme të një nate migjeniane të pa gjumë. Drita e hënës luan
rolin kryesor të figurës letrare, me krijimin e një atmosferë surrealiste dhe melankolike.
Poeti është i zënë midis ngushëllimit dhe agonisë së pritjes, reflekton mbi
përvojat e kaluara dhe mbi natyrën e ëmbël dhe të hidhur të kohës. Ekziston një
tension mes dëshirës për largim dhe të qenët i magjepsur nga momenti, si në
vargun "Do vargje të urta përkundin
ëndrrat e fjetura". Një tjetër përjetim na dhuron poezia "Sikur
të isha" që ka një përmasë përsiatjesh ekzistenciale. Poeti pyet nëse
dhimbja e tij mund të shërbejë për një qëllim më të madh, nëse vuajtja që ai
përjeton do të sjellë ngushëllim ose kuptim për të tjerët. Sinqeriteti në
vargjet "A do u mjaftonte dhimbja
ime të uriturve" e fton lexuesin të mendojë për peshën e dhimbjes
personale dhe vendin e saj në botë.
Më
tutje hasim një intensitet emocional dhe reflektime mbi jetën, dhimbjen dhe
mënyrën se si kalohen momentet festive. Çdo poezi e trajton ndryshe përvojën e
festave; lirikat e tilla janë të përplotësuara me gërshetime ndjenjash, me kontradikta dhe
reflektime mbi kuptimin e festimeve dhe vetmisë. Një tension midis gëzimit që
sjell festa dhe vuajtjes që ndjen poeti( poezia “Vargje festive”); një
përsiatje mbi festat dhe gjurmët e tyre në shoqëri., ku ato janë të lidhura me
krismat dhe fishekzjarret, por që shpërndajnë “vjellje helmuese” krijojnë një atmosferë të një natë të paplotësuar
dhe të mbushur me një dhimbje që është e papërballueshme (poezia “Dyzen
krismash festimeve); një vuajtje të vazhdueshme, një dhimbje që nuk ndalet, një
luftë e brendshme që vazhdon për gjithë natën (poezia “Krismë që nuk ndalet”),
- përplotësojnë gamën e gjerë të motiveve dhe ideve të këtij vëllimi poetik.
Këto
poezi shqyrtojnë kontradiktat e jetës dhe festave, si dhe ndeshjen me
realitetin e hidhur të festimeve që jo rrallë janë të mbushura me vuajtje dhe vetmi. Poeti krijon
një imazh shumëdimensional të realitetit, duke përdorur festat si një pikënisje
për të reflektuar mbi më të thellat emocione dhe përvojash njerëzore.
3. Pasiguria
ekzistenciale e dhimbja
Në
disa poezi të tjera prekin tema e motive të tilla si vetmia, dhimbja e thellë,
kujtimet dhe pritja, me përdorimin e një gjuhë të pasur figurative dhe pamje
lirike që ngjallin përjetime. Këto lirika paraqesin një akt të vazhdueshëm të
pritjes dhe tensionin që vjen me këtë pritje, me një ndjenjë nostalgjie dhe
mungese, duke e portretizuar pritjen si akt që përfshin karakterin kalimtar të kohës
me kujtimet e humbura. Poeti qëmton
ndjesitë e brendshme të ngushëllimit dhe mbijetesës përmes kujtimeve.
Kur poeti thotë “Më djegin përqafimet / E
lagen parmakët e heshtur,” ai paraqet mallëngjimin dhe dëshirën për t’u
lidhur me të kaluarën, por gjithashtu një dhimbje që vjen me këtë lidhje. Kur
ndalon te paraqitja e dhimbjes së brendshme që e përjeton poeti, atëherë ajo është
një dhimbje e pandalshme, e lidhur me ndarjen e një personi të dashur (poezia "E
tash, çfarë bëj").
Pasiguria
ekzistenciale e dhimbja këndohen tutje nëpër poezi tjera. Kur përsiat mbi natyrën
e kujtimeve dhe mbresat e tyre në jetën e qenies njerëzore, atëherë ato
paraqiten me vargun e tillë si: “memece rrapëllojnë heshtjes”. Ndërkaq, kur
poeti zhytet në meditime mbi procesin shpirtëror të ndeshjes me dhimbjen dhe
shërimin, atëherë është loti ai që paraqitet si një shënjues që ka një cikël të
vetin: “Loti buron nga pellg shpirti /
Ushqehet me dhimbjen e zemrës”. Këtë shikim ai e zbret më tutje në thellësi
(poezia "Shikim në thellësi"), ku e përfytyron protagonistin lirik në
një udhëtim mendimesh dhe kujtimesh, i ngarkuar me dhimbje dhe mall. Këto
kujtime, ofshamë, vuajtje e humbje, sintetizohen te metafora “shami e përshëndetëse”, e cila “valëvitet / Në vallen e flakës së mbrëmjeve”.
Dy protagonistë dashurie që i takojnë së kaluarës, i takojnë poezisë "Mbrëmë
të shikova gjatë", ku jepet momenti i ndarjes dhe i shikimit të thellë të
qenies së dashur që e ka humbur folësi lirik. Ujëvara shërben si metaforë për
lumturinë dhe dhimbjen që janë të përjetshme dhe që vazhdojnë të rrjedhin:
Ndala mu aty
Përballë saj ngulita
shikimin në kohë
Poeti
bën një përpjekje që ta kuptojë, përballojë të kaluarën. Kujtimet shuhen e shuhen,
ndërsa ujëvara “shushuriste vajtueshëm”. Në fund, poeti shfaq një pyetje naive
dhe të heshtur: “Vallë a i lan hëna sytë
natën në këtë ujëvarë”, që ka të bëjë me pastrimin dhe lehtësimin e
dhimbjes përmes kohës.
Të
tjera poezi mbushullojnë motivet e mjedisit dhe kohës, përsiatjeve mbi jetën
dhe shpirtin. Kontrastet midis bukurisë natyrore dhe një qetësie që bëhet e
dhimbshme dhe e frikshme për shpirtin ("Qetësi që të ther"), edhe njëherë
shfaq reminishencat për të kaluarën. Kjo qetësi romantike jep peizazhin malor,
aty ku "sytë shëtisin shpateve" dhe ku "shpirti dehet n' bukuri
lulnajash. E, megjithatë, ndodhin humbjet e tingujve dhe ndjenjave të
dikurshme: “Nuk di ku mbeti melodia e
fyellit/ As kënga e vashave”. Kjo qetësi bëhet një “burgu shpirtëror” që “ta ther palcën”. Mandej poeti ndalet në një natë
të errët (poezia "Terrinë"), parqet gjendjen e tij shpirtërore. Poeti
pyet: "A frymon gjallesë mbi këtë
tokë?" shfaq pasiguri dhe një kërkim të kuptimit të ekzistencës në një
botë të errët, të humbur dhe të pasigurt
4. Rrugëtimi shpirtëror
përmes vargut poetik
Poeti
i ka çastet e veta të frymëzimit, kur i shqipton lidhjet e
thella midis folësit lirik dhe botës natyrore. Natyra shihet si qenësi që
përkujdeset për shpirtin dhe mendimet e tij, siç është poezia "Frymëzim çasti",
kurse te tjetra, "Meditim malor", ky rrugëtim shpirtëror dhe mjedisor,
shkrihen në meditimet e tij: "Këmbët
humbën kahun e rrugëtimit / Mes malit shtatlartë dëfrehet shpirti". Poeti
e admiron tej mase qetësinë, të kënduar te shumë poezi. Në këtë qetësi ku
shpirti “pushon i pa lënduar" e përfundon
me një dëshirë për paqe dhe për largim nga përvojat e hidhura që ndodhin nga
njeriu dhe shoqëria.
Le ta shohim edhe poezinë “Aty te blini” që ka
një emblemë këndimi të veçantë: mikun e tij krijues Sejdi Berishën. Në një vend
simbolik në Pejë, “Blini i Poetit”, është vendi ku poeti dhe miqtë e tij gjejnë
ngushëllim dhe lidhje shpirtërore. Motivi i miqësisë së thellë, përkushtimi
ndaj jetës dhe artit të poezisë, si dhe pasioni për natyrën dhe jetën,
nënvizojnë rëndësinë e fjalëve dhe vargut për t’i shprehur të vërtetat dhe
emocionet më të thella. Vargu “Shikojeni këtë stilolaps” simbolizon artin dhe
poezinë që, si një hieroglif, bart kujtimet dhe ndjenjat e poetit. Në poezinë
"Përplasje me vargun"
Tahir Bezhani shqipton ndjesinë e mprehtë të grindjes dhe
përplasjeve me mendimet dhe botën e brendshme. Vargu është metaforë për
tensionet që krijohen mes poetit dhe shprehjes së tij, një luftë për ta kapur
dhe shprehur atë që është mbyllur brenda shpirtit. Poezia shprehet për
mundësinë e një "klithje spontane" si një shteg për të shpëtuar nga
një ngërç shpirtëror. Vjen një thirrje e humbur: "Khajam! Khajam i mjerë”
– vjen si një gjëmim i vetmisë, duke shprehur përjetime të shpërthimit të
pasigurisë dhe dëshpërimit.
Gjithnjë në këto shtigje këndimi, poeti edhe
te "Kitara ime e vjetër" tregon një lidhje të ngushtë mes mallit dhe
përjetimit të kohës që kalon. "Kitarën e vjetër" e lidhur me
kujtimet, është një simbol i pasionit të kaluar dhe dhimbjes që mbetet, kur
koha e ndarjes ka kaluar. Tela të shkatërruar dhe ndryshku i kohës janë imazhe
që paraqesin se sa shumë janë zbehur ndjenjat dhe kujtimet, dhe si ato mbeten
të ngulitura në mendje, duke i dhënë shpirtit një barre të përhershme. Kitarës
i është dhënë një kuptim i thellë emocional: ajo është e lidhur me shprehjen e
shpirtit dhe dhimbjes, por gjithashtu edhe me një përpjekje për të gjetur një
çlirim nga malli dhe vuajtja. Në “Dialog me vargun"
Tahir Bezhani krijon një dialog me vargun, e
që është një metaforë për luftën e brendshme dhe tensionin që ndjen ai për ta
shprehur veten. "Ti, vargu im idhnak" është tensioni dhe
mosmarrëveshja me fjalët dhe shprehjet që përdor. "Rrugës së dashurisë e
të dhimbjes" mësyn poeti, për ta shprehur kontrastin mes aspekteve të
jetës që janë të lidhura me pasion dhe vuajtjen.
5. Lirika e humbjeve dhe dhimbjes, kujtimit dhe mallit
Assesi të reshtet së kënduari poezi për mallin
dhe mallëngjimin. E, mall e mallëngjim ka gjithnjë kur diçka ka ikur, ka kaluar,
nuk është më me ne, si te poezia “Lot malli për gurin”, e cila parqet dhimbjen
dhe humbjen, ndjenjën e boshllëkut që vjen nga ndarja me vendin e dashur dhe të
shtrenjtë. Guri, si një simbol i qëndresës dhe historisë, është ngulitur thellë
në shpirtin e poetit. Është lidhja e thellë me trashëgiminë dhe kujtimet që
mbeten të gdhendura në zemër, pavarësisht dhimbjes dhe kalimit të kohës. E
kësaj fryme është edhe poezia “Përkujtim apo përmendore përjetësie, ti o miku
im i shpirtit”, një homazh për Zeqir Lushaj, që paraqet dhimbjen që vjen nga
humbja e mikut të shtrenjtë. Poezia tregon për kujtimet e ndara, momentet e
lumtura të kaluara bashkë dhe qëndrimin e mikut për të ruajtur miqësinë dhe
dashurinë për atdheun. Pavarësisht se mikut i është dhënë një fund, kujtimet e
tij do të mbesin të përjetshme në memorien e poetit Bezhani.
Kjo periudhë e kujtimeve të shkuarës i zë momentet që janë të shenjta për
poetin, si kohë që ka kaluar me dashuri dhe ndjenja të forta, të vendlindjes së
poetit. Poezitë e tilla rëndom shprehin përjetime të forta malli për vendet,
njerëzit dhe momentet e kaluara, si dhe për ato lidhje shpirtërore të thella që
kanë lënë gjurmë në jetën e tij. Malli për të kaluarën është i dukshëm,
veçanërisht në poezi si “Lot malli për gurin” dhe “Shprushje kohe”, “Imazh në
dy kohë”, “Përkujtim apo përmendore përjetësie”, “Kujtesë e vrarë malli”,
“Ngarendje festive”, “Vuajtja e ka heshtjen e gjatë” etj. Poezitë shprehin një
përkushtim të thellë ndaj trashëgimisë, traditave kulturore dhe shpirtërore.
Njerëzit dhe vendet që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e tij, mbeten
të gjalla përmes kujtimeve dhe poezisë. Miqësia është një temë e shpeshtë te këto
poezi, ku poetët dhe miqtë e tij përjetojnë një ndjenjë të thellë përkrahjeje
dhe ndihme shpirtërore. Miqësia dhe lidhjet e thella përshkruhen si formë e
përjetshme e mbështetjes dhe dashurisë. një mall të thellë dhe një kujtim të
vrarë, që na dërgon në një vend të largët, që është shenjë e një periudhe që ka
kaluar, por që ende ngjall emocione të forta. Shprehet një ndjenjë të thellë të
vetmisë dhe zhgënjimit për një botë që nuk e ka mbajtur premtimin e gëzimit dhe
shpresës.
Poezia "Vaj i ndryshkur moteve"
është një këndim elegjiak për humbjen e nënës dhe mbajtjen e saj të gjallë në
kujtime. Ky refleksion është i kapluar nga dhimbja dhe malli, Poeti rrëfen për
një intervistë televizive, tregon për brishtësinë e jetës dhe humbjen e nënës
pa mundur ta shprehë përmes vargjeve, duke nënkuptuar që dhimbja është aq e
thellë sa fjalët nuk mund ta përshkruajnë. Ky mall dhe kujtim i nënës mbeten si
"lapidar kujtimi," dhe, ndërkohë që flaka mund të shuhet, ajo do të
rilindë gjithmonë, si shkëndijë, duke u mbajtur gjallë në shpirtin e autorit.
Ndërsa te poezia "Përfytyrim në dhomën e burgut" është një dëftim i
kujtimeve të dhimbshme të kaluara në burg dhe në robëri. Dhomat e burgut kanë
pamje të errëta dhe të trishta. Te
"Numërim i gabuar" përsëri na vjen ndjesia e humbjes dhe e karakterit
kalimtar të kohës, ku folësi lirik ndeshet me ndryshimet e jetës dhe të
vetvetes përmes një simbolizmi të thellë të numërimit. Dje, ai e numëronte
kohën si një proces linear dhe të kuptueshëm, por sot, ai përjeton një humbje
të kuptimit të saj. Ky numërim i gabuar i jetës është i kapluar me pasiguri, me
ndjesinë se koha ka humbur qëllimin e saj, se numëratorja e jetës ka ndryshuar.
Autori pyet veten nëse ka gabuar dhe ku ka humbur sensin e drejtimit të jetës.
Shtegtimet nëpër kujtimet e kaluara dhe përpjekja për t’i përballuar ndryshimet
dhe humbjet që ka sjellë koha, vijnë edhe te poezia "Isha dje aty". Poeti
përshkruan ndjesinë e të qenit aty, duke puthur gurët dhe tjegullat, që
përfaqësojnë lidhjen e tij me të kaluarën.
"Zemër e Tallahisur" është një
metaforë për ndjeshmërinë dhe për shpirtin që është bërë i rrahur dhe i lodhur
nga vuajtjet e shumta. Ky shkrim është një refuzim i plotë i natyrës dhe e
realitetit, duke përshkruar një zemër që ka pësuar, një trup që ka kaluar përmes
periudhave të vështira dhe një mendje që vazhdon të përballet me të kaluarën e
saj.
Poezitë e Tahir Bezhanit i përshkojnë
përjetimet e thella ekzistenciale, përmes të cilave autori reflekton mbi
karakterin kalimtar të kohës, mbi dhimbjet e brendshme dhe ndryshimet e jetës.
Ai dëshiron ta shqiptojë një lloj distancimi nga e kaluara dhe një ndjenjë të
thellë të humbjes dhe mosrealizimit të mundësive të jetës. Kjo tematikë shpreh
një proces të brendshëm të vetëreflektimit dhe të përpjekjeve për ta kuptuar
jetën në një realitet që është në vazhdimësi e ndryshuar.
E veçantë mbetet poezia "Përshëndetje mes
lotësh (Kryqëzoreve të Jetës)", ku shfaqen e shprehen dhimbja e pafund dhe
humbja e shpirtit përmes shtigjeve të jetës. Lotët janë simbol i vuajtjes dhe pasojave
që lënë mbrapa kujtimet e humbura dhe ndarjet e dhimbshme. Gjithashtu,
kujtimet, të shënjuara nga "xixëllonjat e verës", mbeten si një dritë
e ftohtë dhe e largët, duke pasqyruar gjithçka që është kaluar dhe që ka
humbur, si një kujtim i vetëm që mbetet "përmendore" në bebëza të
syve. Te poezia "Shëtitje" ka një reflektim mbi rikthimin në kujtimet
e fëmijërisë dhe të fshatit. Vargu "Eci
ngadalë rrugëve të qytetit" shfaq një gjendje të brendshme refleksive,
ku qyteti është i mbuluar me gjurmët e kaluara dhe ku shpirti përpiqet të gjejë
një ndjesi të paqes dhe të qetësisë përmes një shëtitjeje të ngadaltë.
Ndonjëherë shpëtimi kërkohet te "Një gotë verë", në të vilën poezi
flet për vetminë dhe pasigurinë që e ndjekin njeriun, kur kalon kohë të vështira.
Poezia shënjon shenjat e harresës për të
kaluarën, kjo humbje për kujtimet dhe miqtë e humbur që tashmë janë të larguar.
Ai shpesh kthehet te kujtimet dhe përbërësit e
mjedisit, vendlindjes, lisit, pishës a burgut etj. që janë të lidhura me
identitetin e tij, duke theksuar lidhjet që nuk mund të thyhen, por as nuk mund
të shmangen. Paraqitet një shqetësim i thellë për kalimin e kohës dhe pasojat e
saj. Nga ana tjetër, këto poezi janë të përplotësuara me pasione të thella, me
përsiatje ekzistenciale, si dhe me një ndjesi të fortë të dhimbjes dhe
nostalgjisë për humbjen e dashurisë dhe kohëve të kaluara. Këto lirika shpërfaqin
një shqetësim të ndjerë për jetën, dashurinë dhe dhimbjen që shfaqen përmes
natyrës dhe kujtimeve të humbura. Dashuria dhe vuajtja janë tema të përhershme,
dhe përmes metaforave të natyrës, ai shpërfaq një botë të brendshme që është e
ngarkuar me pasion dhe dhimbje.
Poezitë e këtij vëllimi zotërohen nga një
tension i vazhdueshëm i përplasjeve mes të kaluarës dhe të tashmes, mes mallit
dhe vetmisë, mes shpresës dhe dëshpërimit. Secila poezi ndihmon në krijimin e
një imazhi të pasur dhe të ngushtë të përjetimeve të jetës, duke shprehur përjetime
të vrullshme dhe perceptim të përthelluar të ekzistencës.
6. Toni reflektues dhe i vetëvlerësimit
Poezitë e Tahir Bezhanit janë të mbushura me
një ton të thellë reflektimi, emocionalizmi dhe vlerësimi të
brendshëm, më saktësisht të një vetëvlerësimi (a introspeksioni). Shkrimet e tij lirike shprehin përjetime të forta, ku trishtimi dhe
kërkimi i kuptimit të jetës janë temat kryesore. Bezhani këndon natyrën, vargun
dhe skalit imazhet për paraqitjen e përvojave të brendshme dhe për t’i shprehur
tensionet shpirtërore të protagonistit lirik përballë realitetit të ashpër të
jetës. Kështu, në poezinë "Hapat që nuk lëvizin..." poeti përshkruan një ditë me shi dhe erë, ku
natyra shfaqet si pasqyrë e gjendjes shpirtërore të poetit. Vargjet "Ditë
me shi, e ftohtë, mërdhin" dhe "Sytë e stepur vitrinave përplot"
përçojnë një ndjesi të ftohtë dhe të paqëndrueshme, ndërsa poetit i duhet të ndeshet me realitetin
e hidhur të jetës urbane, me dhimbjen e realitetit që nuk mund të shmanget, ku
edhe një akt i vogël i bamirësisë, siç është dhënia e kapelës për një fëmijë të
varfër, sjell një shpresë të vakët: "Vogëlushi
zbathur buzë rruge më shikonte". Çaste vetëreflektimi hasim te poezia "Para
pasqyrës në dhomën time", ku autori ballafaqohet me lodhjen e jetës dhe
pasqyrën e tij shpirtërore: "Lodhja
mban peshën mbi kurriz". Rrëfehet poetikisht angështia e jetës së
përditshme dhe pesha e mërzisë. Pasqyra, si simbol i vetëdijes, është thyer në
copëza, një imazh që nënkupton copëzimin e identitetit dhe konfuzionin që lind
nga ballafaqimi me vetveten: "Nuk e
njoha vetveten". Më tutje, poeti parapëlqen çaste ëndërrimi dhe
pasioni, duke krijuar një kontrast të thellë mes jetës reale dhe pasioneve që
lindin në ëndërr *(poezia "Ëndërr e bukur..."). e citon Octavio Paz
dhe ligjëron: "Bota e gjitha është një natë dhe jeta është vetëtimë".
Poeti shpreh pasigurinë ekzistenciale dhe atë të paqes, kurse vetë poezia është
një përshkrim i kontradiktave të jetës, ku ëndrrat dhe realiteti janë të
ngatërruara, dhe vetëm përmes këtij ngatërrimi poetik mund të gjendet kuptimi i
jetës.
“Lëreni njeriun të qajë!" përgjërohet
poeti. Ai kërkon një hapësirë për dhimbjen dhe shpërthimin e saj: "Lëreni të çajë me lotin që shpërthen
zemrës". Është thirrje për ta pranuar dhe lejuar shprehjen e dhimbjes
përmes lotëve, si proces shpërblyes dhe pastrues për shpirtin. Kjo poezi është
kërkesë për empati dhe mirëkuptim për ata që kalojnë përmes dhimbjeve të thella
emocionale dhe ekzistenciale:
Dhimbja për njeriun të jep nder
Të bën krenar
Një meditim mbi vdekjen dhe përballjen me të
(poezia "Kur të vdes...") percepton një përfytyrim të vdekjes si
ngjarje që nuk është e frikshme, por është një kalim në një tjetër realitet,
një përfytyrim idilik dhe paqësor i vdekjes:
Kur të vdes
Do jetë ditë me diell,
Me lule maji e aromë
Ai dëshiron që të kujtohet ashtu siç ishte, i
vërtetë dhe i sinqertë. Në vargjet si "Rrugëtimi
im i gjatë / Emër i fshehur n’guaska" apo "Dhimbje
e pashkruar kurrë" e përshkruan jetën si një udhëtim i brendshëm i
kapluar me dhimbje të panjohura dhe të pazbuluara nga të tjerët, me një jetesë
të brendshme e panjohur për botën e jashtme. Aty na vjen edhe poezia "Rruga
ime...", në tjetër përsiatje mbi jetën dhe tjetër përpjekje e poetit për ta
gjetur kuptimin e ekzistencës:
Mbaj mend saktë rrugën e gjatë
E di se ecja ngadalë e herë edhe me vrap
Miqtë dhe njerëzit që e rrethojnë poetin, janë
dëshmitarë të një procesi që duket si një ndryshim i thellë shpirtëror.
Poezitë e këtij motivi shfaqin një qasje të
hapur dhe të sinqertë për përjetimin e jetës, me reflektime filozofike për të
paraqitur brendinë e shpirtit të poetit. Krijimet e vetëreflektimit janë një
përpjekje për ta kuptuar vetveten dhe për ta përballuar realitetin e vështirë
të jetës, ku kontradiktat e brendshme, si dashuria dhe dhimbja, janë të lidhura
ngushtësisht.
Tahir Bezhani është poet që shpreh nëpërmjet
vargjeve të tij dhimbjen, pasigurinë, dhe kompleksitetin e jetë. Poezitë e tij
janë të përforcuara me një emocionalitet të fortë, janë në përsiatje mbi
marrëdhëniet njerëzore, jetën, vdekjen dhe përjetimet e brendshme të njeriut.
Këto poezi trajtojnë motive të shumta, si humbja, malli, kujtimet, pasiguritë
dhe përpjekjet për ta kuptuar ekzistencën dhe mbylljen e cikleve jetësore.
Një nga temat më të rëndësishme është humbja e
mikut dhe ndarja përfundimtare nga ata që kanë pasur një ndikim të madh në
jetën e poetit. Malli dhe kujtimet, po ashtu janë një tjetër gamë këndimesh që
lidhet ngushtë me refleksionet e poetit.
Këto poezi shpesh prekin marrëdhëniet
njerëzore, si ato me miqtë dhe të dashurit, që janë të përshkruara si lidhje të
forta, por që në fund mund të shkërmoqen nga ndarja ose largimi i papritur. Në
shumë poezi, poeti bëhet refleksiv dhe kërkon kuptimin e ekzistencës. Ndërsa
kalon përmes momenteve të vështira dhe përjeton humbje të mëdha, poeti
reflekton mbi kuptimin e jetës dhe mënyrën se si njeriu mund t’i përballojë
vuajtjen dhe sfidat. Mbi të gjitha, ka një kërkesë për t’i kuptuar dhe për të
shprehur ato që janë të fshehura në shpirt, duke pranuar se dhimbja është një
pjesë natyrale e jetës.
7. Poetika, një kërkim për liri
Tahiur Bezhani është një poet që, përmes
vargjeve të tij, shpreh thellësinë e brendshme të shpirtit dhe natyrën e jetës,
vdekjes dhe dhimbjes. Poezitë e tij janë një qëmtim dhe kërkim emocional dhe
filozofik i kuptimit dhe ndihmës për t’i përballuar ndarjet dhe humbjet që
ndodhin gjatë jetës.
Poetika e Tahur Bezhanit është gjithashtu një kërkim për liri, në
përpjekje për të shpëtuar nga ngarkesat e brendshme dhe nga jeta e mbyllur në
dhimbje dhe përbuzje (si në poezinë "Rruga ime..."). Ka një tip rebelimi
të heshtur në vargjet e tij, ku përpjekja për ta shfrytëzuar çdo mundësi për
liri dhe shpëtim, është një nga motivet kryesore. Ky koncept i lirisë,
megjithatë, është i lidhur ngushtë me vetëdijen për kufizimet dhe pasojat e
jetës që i japin formë dhe thellësi përjetimeve të tij.
Struktura e poezisë së Bezhanit është e lirë dhe e papërmbajtur nga rregullat
e zakonshme poetike. Kjo liri e formës është e lidhur me natyrën spontane dhe
emocionalisht të ngarkuar të poezisë së tij. Ai përdor vargje të gjata dhe
shpeshherë ndërron ritmin dhe metrikën, për t’i shprehur ndjenjat dhe pasionet që
shprehen në mënyrë të pakufizuar. Ky lirim i formës është në harmoni me përjetimet
e përsiatjet e tij.
Mars 2025