Kulturë
Viron Kona: Mund “të shkurtoj” majën Everest, por jo romanin tim!
E marte, 22.04.2025, 06:55 PM
Mund “të shkurtoj” majën Everest, por jo romanin tim!
Duke
përkujtuar 23 prillin, Ditën Botërore të Librit1)
Pak
humor me kolegët shkrimtarë
Nga
Viron KONA
Paskam trokitur
në portën e Olimpit!2)
Shkrimtari i ri trokiti në derën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
-Urdhëroni zotëri, cilin kërkoni? – e pyeti portieri,
që po hante një copë bukë me djathë e domate.
-Dua të takoj kryetarin.
-Nuk është, - i tha portieri dhe bëri t`i mbyllte
derën.
-Atëherë, nënkryetarin, të lutem!
-Edhe ai nuk është.
-Po, sekretari, ai besoj se është?
-Më vjen keq zotëri, por edhe ai nuk është.
-U pa puna, do të takoj atë që merret me botimet,
- tha pa e fshehur nervozizmin shkrimtari i ri.
-Nuk është zotëri, as ai nuk është, - i tha portieri,
teksa gëlltiti të gjithë copën e bukës, të djathit dhe të domates së mbetur.
Shkrimtari u shfaq krejt i habitur dhe foli me zë
të ulët, si të fliste me vete:
-More, po ç ‘ është kështu, këta, “qoftë larg!”,
sikur paskan vdekur të gjithë!
-E ke shumë gabim zotëri, shkrimtarët janë
hyjnorë, janë të pavdekshëm. - i tha portieri, kësaj here duke fshirë me mëngën
e xhaketës thërrimet e bukës dhe djathit që i kishin mbetur në buzë.
-Ah, - tha me ironi shkrimtari i ri, - pse s`thua
që unë paskam trokitur në portën e Olimpit!
Ju lutem, m`i
thoni edhe një herë ato fjalë!
-Urime, - i tha zyrtari i lartë, duke i
shtrënguar dorën autorit për librin e ri që porsa kishte botuar. -Ke shkruar
një roman vërtet të rrallë, madje të mrekullueshëm, nuk e teproj po të thosha
se me këtë roman do të jesh njëri nga pretendentët për çmim!
Autorit të librit i ndriti fytyra dhe, duke parë andej
– këndej, i tha:
-Ju falënderoj shumë, zotëri, nuk mund ta merrni
me mend sesa më gëzuat, por, ju lutem, ju lutem shumë, m`i thoni edhe një herë
tjetër këto fjalë kur të jem mes kolegëve shkrimtarë! Ja, disa prej tyre po afrohen...
Vërejtjet pas
krahëve na shijojnë më shumë!
Kur përurimi i librit përfundoi dhe të gjithë
nisën të shkojnë në punët e tyre, njëri nga shkrimtarët pjesëmarrës në përurim
iu afrua studiuesit që mbajti referatin kryesor dhe i tha:
-Fole mirë,
por të kishe bërë edhe ndonjë vërejtje! Ti e di që, vërejtjet me vend janë si
kripa e gjellës, si piperi dhe speci djegës, si xhenxhefili, si salcat
pikante...
Studiuesi e ndërpreu dhe i tha:
-Meqenëse përmende
kripën, piperin, specin djegës, xhenxhefilin dhe salcat pikante, shkojmë ku ato
kanë vendin, ja, tek ai restoranti i fshehur mes pemëve. Atje, bashkë me
mishin e pjekur e me shije pikante, edhe vërejtjet pas krahëve të autorit, do
të na shijojnë më shumë!
Mund “të shkurtojë”
majën Everest,
por jo romanin
tim!
-Romani im tregon
për aventurat e një grupi alpinistësh, që ngjiten në majën më të lartë të botës,
në Everest, - i tha shkrimtari i ri
botuesi të njohur. -Shpresoj se do të ma botosh?3)
-Tema më duket interesante,
- i tha botuesi, - Por do ta lexoj romanin dhe do të të kthej përgjigje.
Kaluan disa javë
dhe, ngaqë s`po merrte përgjigje, shkrimtari i telefonoi botuesit dhe e pyeti
nëse ai e kishte lexuar romanin.
-Më vjen keq që
s`po e lexoj dot më shpejt, - iu përgjigj botuesi, - prisja tjetër gjë nga ti, romani
po më duket i lodhshëm në lexim, madje edhe më i lodhshëm sesa t`i ngjitesha dhe
vetë Everestit. Ke shkruar për aventura shpesh herë të pabesueshme, rrëfen se
si në lartësinë 8 mijë metra alpinistët heqin maskat e oksigjenit, shtrohen këmbëkryq
duke ngrënë ushqime të llojllojshme dhe duke pirë verë e shampanjë, madje ata
këndojnë e kërcejnë, ndërkohë që dikush
shkruan në ditar përshtypjet e tij, një tjetër pikturon peizazhet mbresëlënëse,
disa luajnë me topa dëbore, një djalosh i bie kitarës dhe këndon këngë dashurie,
një tjetër mbledh lule (?!) dhe ia dhuron vajzës alpiniste që dashuron...Pastaj,
befas, personazhet humbasin nëpër shtigje mali, përpihen nga humnerat e rrëpirat,
rrëshqasin në akullnajë qindra metra poshtë, zhduken dhe rrëmbehen nga ortekë të
fuqishëm dhe, pas disa orësh, shfaqen papritmas si me magji, madje ndihen mjaft
mirë me shëndet, me humor dhe krejt të freskët!! Ndërkaq, personazhet i mbajnë
fjalime dhe i thurin vargje poetike njëri-tjetrit, qeshin me hare e bëjnë humor
edhe kur zvarriten nëpër shkëmbinj të rrëshqitshëm e të thepisur, apo dhe kur
kalojnë buzë humnerave e akullnajave...Të them të drejtën, po dyshoj dhe s`jam
i sigurt, nëse unë si lexues do të kem guximin “të ngjitem” së bashku me
personazhet e tu alpinistë deri në majën Everest, në lartësinë 8.849 metra...!
Botuesi heshti
një çast dhe vijoi:
-Zotëri! Ngjitja
në Everest s’është si të bësh një
ekskursion turistik në malin e Dajtit. Si fillim mendoj që ti duhet të studiosh
mirë dhe me kujdes faktet shkencore dhe përvojat e atyre që janë ngjitur deri atje
lart. Duket që nuk e di se në Everest temperatura shkon -40 gradë apo dhe -60
gradë celsius, maskat e oksigjenit
s`mund të hiqen e të vihen si të ishin syze dielli. Duhet të dish se vetëm disa
persona mund të qëndrojnë në majë, qëndrimi atje s`duhet t`i kalojë 10 apo 20
minuta, ndryshe, sidomos pa maskë rrezikon seriozisht jetën për shkak të mungesës së pamjaftueshme të oksigjenit,
për shkak të stresit dhe të lodhjes, por dhe për shkak të ndonjë stuhie të
fuqishme që vjen papritmas...Duhet të dish gjithashtu se në lartësinë mbi 8
mijë metra mbi nivelin e detit nuk
rriten bimë apo lule. Kjo zonë quhet
“zona e vdekjes”, sepse aty ka shumë pak oksigjen, ka kushte ekstreme të motit,
temperatura të ulëta dhe erëra të
forta...Të këshillojë t`i bësh përmirësime dhe shkurtime të thella romanit, sidomos
të mënjanosh fantazitë boshe dhe teprimet që bien ndesh me faktet shkencore...Mos
harro këshillën, që u jep Çehovi shkrimtarëve të rinj:” Shkruaj dhe
shkurto. Shkruaj dhe shkurto!”
Shkrimtari i ri dëgjonte
me nervozizëm, ndizej përbrenda nga zemërimi dhe mezi priste të shpërthente. Ai
i tha botuesit:
-Kuptohet
qartazi, zotëri, ju s`doni që ta botoni romanin tim! E po, mbase s`keni faj,
sepse ju s`e keni nivelin e duhur të kuptoni
imagjinatën time dhe vlerat e rralla të këtij romani! Ndonjë fakt shkencor,
mund ta verifikoj, por që ta rishkruaj dhe të shkurtoj pjesë të tëra të
romanit, këtë harroje, kjo s`ka për të ndodhur kurrë! Madje, në mënyrë
figurative do të thosha që, unë mund “të shkurtoj” edhe majën Everest, por jo romanin
tim! Eh, pse po vazhdoj të merrem ende me ty, kur ka plot botues të tjerë që do
të ma rrëmbenin këtë roman magjepsës, siç rrëmben peshkun delfini akrobatik dhe
do të ma botonin në dhjetëra mijëra kopje. Unë, “drëng!” paratë në dorë dhe...
Romani i “përmbytur”
-Lutem, hidhi një vështrim romanit tim dhe më ndihmo me
ndonjë sugjerim, - i tha shkrimtari i ri një botuesi.
-Për çfarë flet romani yt ?
-Për vërshimet e lumenjve dhe përmbytjet... Personazhi im
kryesor është një specialist që manovron disa motopompa të fuqishme, të cilat
shërbejnë për largimin e ujërave nga tokat e përmbytura dhe kthimin e tyre në
toka buke...
Pasi e lexoi romanin, botuesi i tha:
-Ideja dhe qëllimi i romanit është interesant, por, romani
yt është “përmbytur me ujë” më shumë se
tokat e përmbytura, madje aty, ka kaq shumë “ujë”, saqë as motopompat e tua të
fuqishme, nuk e largojnë dot..!
Si bleta nektarin!
Në përfundim, në
këtë Ditë të Shënuar të Librit, po përshëndes me disa vargje të krijuar enkas të gjitha
shkrimtarët, që përkushtohen dhe vënë shpirtin dhe zemrën në çdo krijim të
tyre:
“Ty të “urdhëron”
shpirti dhe mendja,
Ndaj pareshtur
s`e ndal të shkruarin,
Vargjet poetike
që të dalin nga zemra,
Lexuesit i
kërkojnë si bleta nektarin!”
........................
Shënime
shpjeguese:
1.Ideja e
përkujtimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në
Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një
trëndafil. 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor
1995, me një rezolutë të UNESCO-s. Më 23 prill të vitit 1616 u nda nga jeta
Servantesi, Shekspiri, dhe Garcilaso de la Vega. 23 prilli shënon edhe lindjen
ose vdekjen e disa shkrimtarëve të tjerë...
2.Olimpi është i njohur në
mitologjinë e lashtë greke si shtëpia e perëndive greke, në majën Mytikas 2918
metra lartësi.
Në mitologjinë shqiptare “mal
i perëndive” konsiderohet mali i Tomorit, me majën më të lartë 2416 metra, i
quajtur ndryshe “Baba Tomori” - babai i perëndive dhe i njerëzve. Ai kishte
bashkëshorte të Bukurën e Dheut. Edhe mali i Pashtrikut (pjesë e maleve të
Hasit), mes kufirit imagjinar Shqipëri-Kosovë, konsiderohet “Baba Pashtriku”,
mali i perëndive, figurave mitologjike. Kuptimi etimologjik i Pashtrikut: “pa
shtriga”).
3.Më 27
maji të vitit 1953, dy alpinistë: Sër Edmund Hillari (nga Zelanda e Re) dhe
Tenzing Norgei (nga Nepali) arritën të ngjiten në majën më të lartë të botës,
në Everest. Pas asaj ngjitjeje, janë edhe qindra të tjerë që kanë mundur të
kapin majën, mes tyre, në vitin 1912 edhe gjashtë alpinistë shqiptarë.