E merkure, 30.04.2025, 05:25 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Tregues i një bote të errët

E marte, 08.04.2025, 07:00 PM


Prof. Blerim Latifi:

Dy imamë kanë ra në sherr me njëri-tjetrin. Njëri e akuzon tjetrin se ia ka rrëmbyer gruan. Tjetri i kundërpërgjigjet me akuzën se është i dhunshëm në familje. Dhe kjo, të nderuar miq, nuk është rast i izoluar. As vetëm storie e ndyrë e dy kodoshëve. Storia e tyre është tregues i një bote të errët, mesjetare, të prapambetur, primitive, botë në të cilën gruaja e ka statusin e një prone, të një gjësendi, të një lecke, në duart e burrave.

Sot kjo botë e errët i shitet kësaj shoqërie si model që duhet ndjekur, si një ligj i dekretuar nga Zoti. Dhe kjo RRENË E MADHE, kjo ndyrësi, sot ka gjetur vend shprehje gjithandej mediave dhe në shumë raste edhe përkrahjen nga politikanë zuzarë, të cilët, për ca vota, janë në gjendje të bëjnë pakt me çdo të keqe e idiotësi.

26 vite më parë Millosheviqi na i dogji shtëpitë dhe na vrau fizikisht, por ne triumfuam mbi të, sepse ai nuk arriti të na vriste shpirtin dhe mendjen. Atë që nuk arriti të na e bënte Millosheviqi, tash jemi duke ia bërë vetes.

_____________

“Shqiptarët e dinë gjithashtu se, kështu të ndarë në tri besime dhe me një arsim në gjendje embrionale, nuk do të merreshin vesh me lehtësi për t’u vetëqeverisur pa një dorë të fortë që t’i shtyjë dhe t’i ndalojë sipas rrethanave, që të ulë vrullin e tyre ose t’u ngacmojë plogështinë. Po të liheshin në fatin e tyre dhe në dorë të instinkteve, do të bëheshin gazi i botës me mosmarrëveshjet e tyre të pafundme”.

Këto fjali janë shkruar në vitin 1879 dhe autori i tyre është Pashko Vasa.146 vjet pas tyre, ato mund të përdoren për të përshkruar në masë të konsiderueshme aktualitetin tonë politik e shoqëror. Pa frikë se mund të gabojmë.

_____________

I keni pa fotografitë e vjetra të shqiptarëve, të bëra nga fotografë të huaj në fund të shekullit XIX?

Shumica e burrave në ato fotografi pozojnë të armatosur. Ka kaluar shumë kohë që atëherë, por mentaliteti militarist i njerëzve tonë duket të mos ketë ndryshuar shumë. Arma vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e konceptit të vetëvlerësimit që shqiptari ka për veten. Në këtë koncept të jesh burrë do të thotë të kesh një armë me vete ose në pronësi. Por të kesh një armë me vete do të thotë të mendosh dhe të jesh gati në çdo kohë për "zgjidhje" të dhunshme të problemeve. Arma në brez krijon një ndjesi krimogjene të superioritetit ndaj tjetrit dhe kjo shpie në agresivitet kur tjetri të kundërshton. Prandaj po na ndodhin vrasje kaq shpesh. Së fundi katër të vrarë brenda tre ditësh.

A ka zgjidhje për kët' problem të tmerrshëm? Sigurisht që ka, por lajmi i keq është se në kët' vend askush nuk mendon seriozisht për problemet reale të shoqërisë.

_____________

Manuel Sarrazin, përfaqësuesi special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, paska shkuar në Beograd dhe paska kujtuar 84 vjetorin e sulmit të Gjermanisë Naziste mbi Jugosllavinë Monarkiste.

Paska vendosur edhe një buqetë me lule në një gërmadhë të asaj kohe, në nderim të viktimave të atij sulmi.

Krejt kjo do të ishte në rregull sikur shteti i sulmuar të ishte një shtet i lirë dhe demokratik.

Por Jugosllavia Monarkiste nuk ishte fare e tillë. Ajo ishte po aq fashiste, sa edhe Gjermania e Hitlerit.

Atë që vuanin hebrenjtë në Gjermaninë e asaj kohe, në Jugosllavinë Monarkiste e vuanin shqiptarët, në të njëjtat përmasa.

Derisa Hitleri bënte plane për “zgjidhjen finale të çështjes hebreje”, krajlat në Beograd bënin plane për një zgjidhje finale të çështjes shqiptare në Kosovë, e cila nënkuptonte ose dëbimin kolektiv ose zhdukjen kolektive të tyre.

Bombardimi i Beogradit në prillin e vitit 1941 dhe fundi i Jugosllavisë Monarkiste, bëri të mundur që këto plane të mos realizoheshin. Kjo, natyrisht, ishte një pasojë e paparashikueshme e atyre zhvillimeve historike. Një fatbardhësi për ne brenda katastrofës së madhe që po ndodhte në Europë.

Këtu qëndron arsyeja pse shqiptarët e Kosovës nuk u ngritën në luftë kundër fashizmit. Jo pse e donin atë, si të tillë [as që e kuptonin çfarë ideologjie ishte], por se ai ua hoqi nga nga qafa regjimin mizor të Kralit të Beogradit.

_____________

Për dekada me radhë Muslim Brotherhood dhe organizata tjera simotra të saj kanë ndjekur një strategji shumë inteligjente: dërgimin e militantëve të tyre në universitetet më prestigjioze amerikane. Ideja e këtij dërgimi ka qenë e menduar fort mirë: të kesh një avokat me gradë shkencore të Columbia University a të Princeton University është ma e dobishme për propagandën se qindra akte terroriste. Do të duhej të shpërthenin trazirat antisemite në universitetet amerikane vitin e shkuar dhe të vinte Trump në pushtet që krejt kjo të merrej vesh. Tash ka fillu korigjimi i këtij gabimi të shkaktuar nga naiviteti liberal. Sepse gjithmonë vjen një moment kur duhet kuptuar se është gabim fatal të zbatosh tolerancën ndaj atyre që promovojnë dhe avokojnë ideologjitë intolerante.

_____________

Përsërite një rrenë vazhdimisht dhe një ditë njerëzit do ta marrin atë për të vërtetë!

Ky është një nga ligjet më të lashta të njerëzimit. Ideologjitë, doktrinat, fetë totalitare, pushtetet, qeveritarët e zuzarët e të gjitha llojeve, kanë qenë e vazhdojnë të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtij ligji. Sot rrjetet sociale e kanë bërë edhe më të efektshëm atë. Ëndrra e madhe e Iluminizmit për një botë të udhëhequr nga e vërteta, sot është vetëm një utopi.

_____________

Kroni (Zoti i Kohës) i ha bijtë e tij, thotë një mit i grekëve të vjetër. E bijtë më të shquar të tij janë qytetërimet. Pasi lindin e lulëzojnë, një ditë gëlltiten nga ati i tyre mizor. Krejt çka mbetet prej tyre janë pirgje gurësh, të rrethuar nga vegjetacioni i përjetshëm. Në praninë e tyre e kuptojmë atë që Heidegger e quan formën më të lartë të metafizikës: mendimin mbi kohën.

_____________

Në fillimet e teatrit grek, aktorët përballeshin me një problem serioz. Sa herë që publikut nuk i pëlqente mënyra se si zhvilloheshin dialogjet dhe ngjarjet në skenë, njerëzit futeshin aty dhe përpiqeshin të impononin bindjet dhe mënyrat e tyre të zhvillimit të dramës. Zgjidhja për këtë problem u gjet në shpikjen e korit, të cilit ju ngarkua detyra të përfaqësonte pikëpamjet e publikut në skenë. Sot, pak a shumë, me të njëjtin problem përballet sfera publike. Përmes mundësive teknologjike dhe rrjeteve sociale, publiku ka vërshuar në sferën publike, duke e njollosur atë me gjuhën e pakultivuar e me budallallëqet e të gjitha llojeve. Në këtë situatë tragjikomike kush bërtet më shumë dhe kush është më gojështhurur, i ka gjasat më të mëdha që të dëgjohet e të marrë vëmendje. Barbarët e Kafavis (poet i famshëm grek) më në fund kanë arritur.

_____________

Qenka organizu një garë vrapimi në nderim të viktimave të Masakrës së Izbicës.

Qysh vlla nderohen viktimat e një masakre me aktivitete sportive?

Qysh nderohet kujtimi i një dhimbje të madhe me aktivitete argëtuese?

Si mund t'i bëhet homazh një trupi të masakruar me fitnes?

Kjo nuk bën vaki në asnjë vend normal.

Çfarë ka ndodhur kështu me ne?

E kemi humbur sensin elementar të gjërave.

_____________

Do të thotë në studiot tona televizive diskutohet seriozisht edhe për një sulm të Shqipërisë ndaj Kosovës.

Përfundimisht Isak Njutoni ka pasë të drejtë kur ka thanë se ai mund të llogaris lëvizjen e yjeve, por jo edhe budallakun e njeriut.

_____________

Trupa muzikore e ushtrise britanike në sheshin e Prishtinës. Një performancë e bukur dhe fort domethënëse për vendin tonë në këto kohë turbulencash të mëdha ndërkombëtare, kur popujt e vegjël kanë aq shumë nevojë për mbështetje nga miq të mëdhenj.

_____________

Voglushi pranë pikturës së babait të tij, i rënë dëshmor për lirinë e Ukrainës. Një ditë lufta do të marrë fund, ky voglush do të rritet dhe bashkë me të do të rriten edhe mosmirënjohja, harrimi dhe tallja me guximin dhe sakrificën e babait të tij. Sikurse ka ngjarë dhe vazhdon të ngjaj edhe në Kosovën tonë.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx