| E marte, 08.04.2025, 07:00 PM |
Prof. Blerim Latifi:
Dy
imamë kanë ra në sherr me njëri-tjetrin. Njëri e akuzon tjetrin se ia ka
rrëmbyer gruan. Tjetri i kundërpërgjigjet me akuzën se është i dhunshëm në
familje. Dhe kjo, të nderuar miq, nuk është rast i izoluar. As vetëm storie e
ndyrë e dy kodoshëve. Storia e tyre është tregues i një bote të errët,
mesjetare, të prapambetur, primitive, botë në të cilën gruaja e ka statusin e
një prone, të një gjësendi, të një lecke, në duart e burrave.
Sot
kjo botë e errët i shitet kësaj shoqërie si model që duhet ndjekur, si një ligj
i dekretuar nga Zoti. Dhe kjo RRENË E MADHE, kjo ndyrësi, sot ka gjetur vend
shprehje gjithandej mediave dhe në shumë raste edhe përkrahjen nga politikanë
zuzarë, të cilët, për ca vota, janë në gjendje të bëjnë pakt me çdo të keqe e
idiotësi.
26
vite më parë Millosheviqi na i dogji shtëpitë dhe na vrau fizikisht, por ne
triumfuam mbi të, sepse ai nuk arriti të na vriste shpirtin dhe mendjen. Atë që
nuk arriti të na e bënte Millosheviqi, tash jemi duke ia bërë vetes.
_____________
“Shqiptarët
e dinë gjithashtu se, kështu të ndarë në tri besime dhe me një arsim në gjendje
embrionale, nuk do të merreshin vesh me lehtësi për t’u vetëqeverisur pa një
dorë të fortë që t’i shtyjë dhe t’i ndalojë sipas rrethanave, që të ulë vrullin
e tyre ose t’u ngacmojë plogështinë. Po të liheshin në fatin e tyre dhe në dorë
të instinkteve, do të bëheshin gazi i botës me mosmarrëveshjet e tyre të
pafundme”.
Këto
fjali janë shkruar në vitin 1879 dhe autori i tyre është Pashko Vasa.146 vjet
pas tyre, ato mund të përdoren për të përshkruar në masë të konsiderueshme
aktualitetin tonë politik e shoqëror. Pa frikë se mund të gabojmë.
_____________
I
keni pa fotografitë e vjetra të shqiptarëve, të bëra nga fotografë të huaj në
fund të shekullit XIX?
Shumica
e burrave në ato fotografi pozojnë të armatosur. Ka kaluar shumë kohë që
atëherë, por mentaliteti militarist i njerëzve tonë duket të mos ketë ndryshuar
shumë. Arma vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e konceptit të vetëvlerësimit
që shqiptari ka për veten. Në këtë koncept të jesh burrë do të thotë të kesh
një armë me vete ose në pronësi. Por të kesh një armë me vete do të thotë të
mendosh dhe të jesh gati në çdo kohë për "zgjidhje" të dhunshme të
problemeve. Arma në brez krijon një ndjesi krimogjene të superioritetit ndaj
tjetrit dhe kjo shpie në agresivitet kur tjetri të kundërshton. Prandaj po na
ndodhin vrasje kaq shpesh. Së fundi katër të vrarë brenda tre ditësh.
A
ka zgjidhje për kët' problem të tmerrshëm? Sigurisht që ka, por lajmi i keq
është se në kët' vend askush nuk mendon seriozisht për problemet reale të
shoqërisë.
_____________
Manuel
Sarrazin, përfaqësuesi special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, paska
shkuar në Beograd dhe paska kujtuar 84 vjetorin e sulmit të Gjermanisë Naziste
mbi Jugosllavinë Monarkiste.
Paska
vendosur edhe një buqetë me lule në një gërmadhë të asaj kohe, në nderim të
viktimave të atij sulmi.
Krejt
kjo do të ishte në rregull sikur shteti i sulmuar të ishte një shtet i lirë dhe
demokratik.
Por
Jugosllavia Monarkiste nuk ishte fare e tillë. Ajo ishte po aq fashiste, sa
edhe Gjermania e Hitlerit.
Atë
që vuanin hebrenjtë në Gjermaninë e asaj kohe, në Jugosllavinë Monarkiste e
vuanin shqiptarët, në të njëjtat përmasa.
Derisa
Hitleri bënte plane për “zgjidhjen finale të çështjes hebreje”, krajlat në
Beograd bënin plane për një zgjidhje finale të çështjes shqiptare në Kosovë, e
cila nënkuptonte ose dëbimin kolektiv ose zhdukjen kolektive të tyre.
Bombardimi
i Beogradit në prillin e vitit 1941 dhe fundi i Jugosllavisë Monarkiste, bëri
të mundur që këto plane të mos realizoheshin. Kjo, natyrisht, ishte një pasojë
e paparashikueshme e atyre zhvillimeve historike. Një fatbardhësi për ne brenda
katastrofës së madhe që po ndodhte në Europë.
Këtu
qëndron arsyeja pse shqiptarët e Kosovës nuk u ngritën në luftë kundër
fashizmit. Jo pse e donin atë, si të tillë [as që e kuptonin çfarë ideologjie
ishte], por se ai ua hoqi nga nga qafa regjimin mizor të Kralit të Beogradit.
_____________
Për
dekada me radhë Muslim Brotherhood dhe organizata tjera simotra të saj kanë
ndjekur një strategji shumë inteligjente: dërgimin e militantëve të tyre në
universitetet më prestigjioze amerikane. Ideja e këtij dërgimi ka qenë e
menduar fort mirë: të kesh një avokat me gradë shkencore të Columbia University
a të Princeton University është ma e dobishme për propagandën se qindra akte
terroriste. Do të duhej të shpërthenin trazirat antisemite në universitetet
amerikane vitin e shkuar dhe të vinte Trump në pushtet që krejt kjo të merrej
vesh. Tash ka fillu korigjimi i këtij gabimi të shkaktuar nga naiviteti
liberal. Sepse gjithmonë vjen një moment kur duhet kuptuar se është gabim fatal
të zbatosh tolerancën ndaj atyre që promovojnë dhe avokojnë ideologjitë
intolerante.
_____________
Përsërite
një rrenë vazhdimisht dhe një ditë njerëzit do ta marrin atë për të vërtetë!
Ky
është një nga ligjet më të lashta të njerëzimit. Ideologjitë, doktrinat, fetë
totalitare, pushtetet, qeveritarët e zuzarët e të gjitha llojeve, kanë qenë e
vazhdojnë të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtij ligji. Sot rrjetet sociale
e kanë bërë edhe më të efektshëm atë. Ëndrra e madhe e Iluminizmit për një botë
të udhëhequr nga e vërteta, sot është vetëm një utopi.
_____________
Kroni
(Zoti i Kohës) i ha bijtë e tij, thotë një mit i grekëve të vjetër. E bijtë më
të shquar të tij janë qytetërimet. Pasi lindin e lulëzojnë, një ditë gëlltiten
nga ati i tyre mizor. Krejt çka mbetet prej tyre janë pirgje gurësh, të
rrethuar nga vegjetacioni i përjetshëm. Në praninë e tyre e kuptojmë atë që
Heidegger e quan formën më të lartë të metafizikës: mendimin mbi kohën.
_____________
Në
fillimet e teatrit grek, aktorët përballeshin me një problem serioz. Sa herë që
publikut nuk i pëlqente mënyra se si zhvilloheshin dialogjet dhe ngjarjet në
skenë, njerëzit futeshin aty dhe përpiqeshin të impononin bindjet dhe mënyrat e
tyre të zhvillimit të dramës. Zgjidhja për këtë problem u gjet në shpikjen e
korit, të cilit ju ngarkua detyra të përfaqësonte pikëpamjet e publikut në
skenë. Sot, pak a shumë, me të njëjtin problem përballet sfera publike. Përmes
mundësive teknologjike dhe rrjeteve sociale, publiku ka vërshuar në sferën
publike, duke e njollosur atë me gjuhën e pakultivuar e me budallallëqet e të
gjitha llojeve. Në këtë situatë tragjikomike kush bërtet më shumë dhe kush
është më gojështhurur, i ka gjasat më të mëdha që të dëgjohet e të marrë
vëmendje. Barbarët e Kafavis (poet i famshëm grek) më në fund kanë arritur.
_____________
Qenka
organizu një garë vrapimi në nderim të viktimave të Masakrës së Izbicës.
Qysh
vlla nderohen viktimat e një masakre me aktivitete sportive?
Qysh
nderohet kujtimi i një dhimbje të madhe me aktivitete argëtuese?
Si
mund t'i bëhet homazh një trupi të masakruar me fitnes?
Kjo
nuk bën vaki në asnjë vend normal.
Çfarë
ka ndodhur kështu me ne?
E
kemi humbur sensin elementar të gjërave.
_____________
Do
të thotë në studiot tona televizive diskutohet seriozisht edhe për një sulm të
Shqipërisë ndaj Kosovës.
Përfundimisht
Isak Njutoni ka pasë të drejtë kur ka thanë se ai mund të llogaris lëvizjen e
yjeve, por jo edhe budallakun e njeriut.
_____________
Trupa
muzikore e ushtrise britanike në sheshin e Prishtinës. Një performancë e bukur
dhe fort domethënëse për vendin tonë në këto kohë turbulencash të mëdha
ndërkombëtare, kur popujt e vegjël kanë aq shumë nevojë për mbështetje nga miq
të mëdhenj.
_____________
Voglushi
pranë pikturës së babait të tij, i rënë dëshmor për lirinë e Ukrainës. Një ditë
lufta do të marrë fund, ky voglush do të rritet dhe bashkë me të do të rriten
edhe mosmirënjohja, harrimi dhe tallja me guximin dhe sakrificën e babait të
tij. Sikurse ka ngjarë dhe vazhdon të ngjaj edhe në Kosovën tonë.