Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Universaliteti në poezinë e Natasha Lakos
E premte, 15.11.2024, 06:56 PM
UNIVERSALITETI NË POEZINË E NATASHA LAKOS
Nga
Timo Mërkuri
Leximi
i titullit të poezisë “Më ka dashur vërtet” ngjall natyrshëm pyetjen naive të
pavetëdijshme: kush e ka dashur vërtet heroinën e poezisë? Ndërsa kërkojmë
përgjigje në vargjet e saj, kuptojmë se poetja nuk na jep një emër specifik. Në
vend të kësaj, ajo na drejton drejt konceptit të dashurisë si një ndjenjë që
nuk përkufizohet nga një figurë e vetme njeriu, por merr formë nga thellësia e
përvojave, kujtimeve dhe elementëve të natyrës që e pasurojnë jetën. Kështu
pra, poezia flet për një dashuri që nuk vjen nga një individ, por nga
ekzistenca në tërësinë e saj, dashuri që ngrihet nga botët e vogla e të mëdha
që na rrethojnë, nga kujtimet e shkuara, nga përjetimet dhe lidhjet e fshehta
me gjithçka që jeton.
I-Në
këtë poezi të Natasha Lakos, dashuria nuk rri brenda kufirit apo ndjenjës për një individ të vetëm,
por shkrihet në një ndjeshmëri të pasur simbolike dhe na fton në një univers të
hapur interpretimesh. Poezia nuk është një përcaktim konkret, por është një
përjetim i imazheve që ndjehen dhe interpretohen lirshëm, ku çdo detaj natyror
apo kujtim mbart thellësi kuptimore të veçanta, duke krijuar për lexuesin një
hapësirë poetike të gjallë e shumëdimensionale. Në këtë mënyrë, ajo shpalos për
ne një dashuri universale, të cilën secili prej nesh mund ta përjetojë përmes
kujtimeve e përjetimeve vetjake. Kjo përvojë poetike shfaqet përmes katër
përmasave estetike, që mbështjellin dashurinë në një strukturë të përjetuar e
ndjerë:
1.Fillimisht,
dashuria shfaqet si një udhëtim drejt të panjohurës, rrugëtim që shfaqet me
shenjat e natyrës. Rruga "që i bie andej nga e panjohura" simbolizon
atë ndjenjë të përhershme kureshtie dhe shpalosjeje që e ka çdo njeri, sidomos
gjatë udhëtimit të pare, ku çdo element, si sytë e zogut, puplat e lejlekëve
apo sqepi i dallëndyshes, krijon një ndjeshmëri të thellë për botën dhe për të
fshehtat e jetës. Poetja e përjeton këtë dashuri si një soditje dhe përkujdesje
për natyrën, si një udhë që lidh zemrën e saj me çdo gjë të gjallë rreth saj.
2.Një
përmasë tjetër dashurie shfaqet në kujtimet e fëmijërisë dhe shkollës, ku
poetja kujton çastet e para të formimit shpirtëror e intelektual. Në ato banka
shkolle, ku "e bukura dhe e soditura" qëndrojnë pranë saj, ndjesitë
dhe përjetimet e hershme janë shenjat e para të një lidhjeje me të kaluarën.
Kujtimet e shokëve, shoqeve, mësuesve të fëmijërisë, shkollës së mesme apo dhe
në fakultete janë gdhendur në ndërgjegjen e saj si ura të fuqishme që ndërtojnë
një lidhje dashurie me të kaluarën dhe me formimin e saj emocional.
3.
Dashuria përjetohet dhe si përvojë gjithëpërfshirëse e jetës dhe ndjesive të
saj, një ndjesi kjo që ndërlidhet me gjithçka që e rrethon. Poetes i duket
sikur është "e lidhur me dy pika syri zogjsh" dhe i përfshin “ të puthurat
e vogla, të mëdha,” duke e bërë të ndiejë një përqafim të butë nga gjithçka
përreth saj. Kjo ndjenjë është e ngjashme me përjetimin rinor, kur gjithçka
duket sikur është veç për ne, madje duke parë si çelin gonxhet e para, na duket
sikur nëpërmjet atyre pranvera na buzëqesh. Kështu dashuria merr kuptimin e
përjetimit të harmonisë së ndërsjellë mes individit dhe botës.
4.
Ndërkaq, poetja përmend një figurë enigmatike, një "dikë" të
paprekshëm fizikisht, thua një hije, që qëndron në një turbullirë fëminore, të
cilin nuk e ka njohur, por që në fëmini e ka magjepsur me "syrin e
ndritshëm të milingonave." Ky “dikush” i heshtur, i largët, por i pranishëm
në kujtesën e saj, përfaqëson një dashuri të çiltër, te pastër e të gjallë në
përjetësinë e mendimit dhe vëzhgimit të thjeshtësisë.
Në
këtë mënyrë konceptimi, poezia nuk është thjesht e Natasha Lakos; ajo
shndërrohet në një përjetim të përbashkët për të gjithë ne që e lexojmë dhe na
flet për çaste të ngjashme, të cilat secili prej nesh ka ndier, në fëmijëri apo në rini. Lako, vetëm sa e ka
shkruar poezinë, por ne e kemi përjetuar atë. Dashuria nuk ka një emër individi;
dashuria ka një univers. Me këtë rast, ndoshta vlen të theksojmë se ne nisim
leximin e poezive te Lakos me një drojë, që buron nga mendimi se nuk do ta
kuptojmë, se është e largët, e misterëshme. Ne hyjmë në poezinë e Natasha Lakos
me ndjesinë se po hyjmë në një observator modern, ku me teleskopët vargojë do
shohim yjësitë e artit diku larg, në mes të mjegullnajave, por mahnitemi kur në
vend të yjeve të largët e të panjohur shohim veten tonë, shpirtin tonë. Me
siguri që do jetë ndonjë magji e Zonjës
së Parë e Poezisë shqipe.
II-Në
këtë poezi vërehet përqafimi i postmodernizmit përmes përdorimit të figurave
letrare që krijojnë një ndjeshmëri të fragmentuar dhe ndriçojnë përjetime të
shumë-fishta të dashurisë. Kështu, Lako e shtrin ndjesinë e dashurisë përtej një
koncepti të përkufizuar, e fragmenton atë në elemente të natyrës dhe kujtimeve,
duke j’u hapur interpretimit të lirë dhe qëndruar parimeve postmoderniste.
Konkretisht:
1.
Poezia nis me një imazh të udhëtimit drejt "panjohurës," i cili
përfaqëson një ndjesi lirie dhe përvojë të shndërruar në ndjenja të vogla e të
fragmentuara. Ajo i jep "syve të një zogu të vogël" një kuptim që
tejkalon përjetimin individual dhe përfshin dashurinë si ndjesi të
përgjithshme. Me këtë imazh, poetja tejkalon dashurinë konvencionale dhe e
shfaq atë si përjetim që gërshetohet me çdo gjë që e rrethon, dukuri karakteristike
e postmodernizmit sepse: a.Udha drejt të “panjohurës” dhe shfaqja e
ndjenjave si përvojë e fragmentuar
përputhen me konceptin postmodern të realitetit të copëtuar. b. Dhënia e “syve
të një zogu të vogël” një kuptim të shumfishtë përfshin dashurinë në një nivel
universal. c. Poezia shmang përkufizimin konvencional të dashurisë si përjetim
i drejtpërdrejtë i dy njerëzve dhe e
paraqet atë si ndjenjë që gërshetohet me eleme-ntet e natyrës përreth, shprehje
kjo e qartë e stilit postmodern që kapërcen kufijtë tradicionalë.
2.Në
vargjet si "kuptim i gjeja sqepit të një dallëndysheje të uritur,"
ndjeshmëria e fragmentuar përfaqëson një qasje postmoderniste që sfidon
ndjenjat e plota dhe lineare të dashurisë, a. duke e fragmentuar atë në imazhe
të thjeshta, simbolike.b.Duke përdorur figura të thjeshta simbolike që mund të
interpretohen në disa mënyra, poetja i jep më shumë hapësirë interpretimi
lexuesit se sa vetes.c. Poetja eksploron përmes figurave një dashuri që nuk
është e plotë, por gërsheton elemente të vogla të natyrës dhe vëzhgimeve, duke
e çuar lexuesin drejt kuptimeve të ndryshme, të cilat bashkohen përmes
perceptimit dhe jo përmes shkrimit.
3.Në
vargjet si "e lidhur me dy pika syri zogjsh, si nota të pakënduara
ende," poetja ndërthur ndjeshmërinë personale me atë universale dhe krijon
një imazh që simboli-zon bashkimin e subjektit me universin. a. Ndërthurja e
ndjeshmërisë personale me atë universale dhe bashkimi i subjektit me universin
përfaqson një ide postmoderniste, ku identiteti nuk është i përcaktuar qartë. b.
Përmes metaforës “ dy pika syri zogjsh, si nota të pakënduara ende” Lako
sugjeron shpërndarje dhe ndërlidhje të ndjesive indivi-duale me natyrëm, një
aspekt tipik postmodernist.c. Simbolika e notave të pakënduara sugjeron një
potencial të paplotë, një ndjesi lirie të hapur për shumësi interpretimesh.
4.Në
përmbyllje, vargjet e fundit ofrojnë një ambiguitet, ku "dashuria e
vërtetë" shfaqet si ndjenjë që nuk ka kufij të qartë dhe nuk është e
lidhur me një person apo objekt të vetëm. b.Figura e “syrit të ndritshëm të
milingonave” sado që ta vrasësh mendjen, mbetet e paqartë për lexuesin, dhe
shton një hapësirë të lirë interpretimi, ku kuptimi i dashurisë mund të jetë
shumëdimensional dhe relativist.c. Mungesa e një përkufizimi të qartë të
dashurisë dhe e lidhjes së saj me një person të vetëm reflekton
shumëdimensionalitet dhe relativitet të ndjenjave.
Në
tërësi, përmes ndërthurjes së imazheve dhe strukturës së hapur, poezia i
qëndron postmodernizmit dhe pasuron hapësirën e poezisë shqipe. Kjo qasje
estetike,nuk synon të japë përfundime të qarta, por sfidon lexuesin të bashkojë
fragmentet, e bën poezinë një pasqyrë të postmodernizmit dhe përvojë të thellë e
të shumëkuptimtë.
III-Në
një lexim me synim zbërthimin e elementeve poetikë, shohim se në strofën e parë
të poezisë "Më ka dashur vërtet", poetja niset drejt një udhëtimi të
brendshëm, duke shfaqur një lëvizje metaforike në hapësirën e panjohur dhe të largët, ku përjeti-met marrin formë e
kuptim përmes vrojtimit të thellë e
shumë personal mbi botën që e rrethon. Duke përdorur simbole të natyrës dhe
ndjeshmëri të rrallë, ajo përfton një vizion të veçantë të dashurisë e
bukurisë, duke i zbuluar lexuesit botën përmes lenteve të shpirtit të saj të
ndjeshëm.
1.Vargu
hyrës, "Rruga më binte andej nga e panjohura dhe e largëta," është
një ftesë shpirtërore për t’i ikur përditshmërisë, ndjek një rrugë drejt të
panjohurës, ku çdo hap e sjell pranë një bote misterioze që kërkon të zbulojë.
Gjithshka ishte e panjohur për atë, me këtë udhëtim ajo nisi ti njihte. Kjo
metaforë thellon përvojën e një udhëtimi që nuk ndjek një vijë lineariteti të
njohur, por hap një univers përtej horizonteve të zakonë -shme dhe sjell përjetime
të ndjesive të panjohura.
2.Në
vijim, poetja përfton një lloj afeksioni të pazakontë për botën e natyrës, siç
shihet në vargun "u jepja kuptim syve të një zogu të vogël, si shkronjave
të para prej frikës dhe së bukurës." Syri i këtij zogu të brishtë bëhet
një simbol i ndjeshmërisë së poetes ndaj gjërave të vogla dhe delikate, ndaj
atyre që shpesh mbetet pa u vënë re. Ky
detaj simbolik shpreh lidhjen e thellë dhe intuitive që poetja krijon me natyrën
dhe aftësinë e saj për të parë thellë në elementët e natyrës. Syri i zogut
bëhet një lloj dritareje, përmes së cilës poetja sheh frikën dhe bukurinë, duke
na sjellë në mendje ndjesinë e pafajësisë dhe të përjetimit të frikshëm që
ndonjëherë shoqëron procesin e njohjeve të reja dhe zbukurimit të botës përmes
njohjes. Përmes kësaj figure, poetja eksploron fillimin e përjetimeve të reja
që burojnë nga një përzierje e dridhshme emocionesh dhe nga misteri që zbulohet
para saj përmes shikimit të kujdesshëm.
3.Ndërsa
vazhdon, tensioni midis butësisë e fuqisë së natyrës shihet në vargun
"kuptim u jepja puplave të lejlekëve edhe në fluturim, ku butësia bëhej e
egër." Lejlekët, me puplat e tyre të buta, në fluturimin e tyre bëhen
simbol i një force natyrore, sa e mëshirshme aq dhe e fuqishme. Puplat e lejlekëve
përfaqësojnë butësinë dhe delicate-sën, por kjo butësi shndërrohet në egërsi
gjatë fluturimit. Ky kontrast ndërmjet butësisë dhe egërsisë reflekton
tensionin shpirtëror në vetëdijen e poetes dhe përvojat emocionale, ku aspektet
e ndryshme ndonjëherë ndihen të kundërta, të buta e të egra, të lidhura me
frikën dhe bukurinë njëkohësisht. Ndoshta gaboj, por mendoj se poetja shfaq këtu
botën e adoloshencës ku ndjenjat janë shpesh të kundërta nga mungesa e përvojës
jetësore.
4.Në
vargun "kuptim i gjeja sqepit të një dallëndysheje të uritur e doja si e
kisha parë," poetja shfaq një tjetër imazh natyror që e shikon me simpati
dhe dashuri. Dallëndyshja e uritur, përveçse një imazh i thjeshtë i natyrës,
mund të simbolizojë edhe dëshirën e vetë poetes për të kuptuar botën në mënyrë
më të thellë. Dashuria që ajo përjeton për këtë krijesë të vogël dhe të brishtë
duket si reflektim i ndjeshmërisë së saj ndaj nevojës për ushqim shpirtëror, për
kuptim. Përsëri te ky varg poetja shfaq dhimshurinë e një adoloshenteje për çdo
gjallesë të vogël e të pafuqishme që gjen dhe njeh rastësisht.
Ka
diçka që duhet specifikuar në këtë strofë të parë, ajo mund të cilësohet si
"strofa e dhënies së kuptim gjërave" për arsye se fraza "u jepja
kuptim" përsëritet në mënyrë të qëllimshme dhe simbolike disa herë dhe jo rastësisht. Në këtë strofë, poetja jo vetëm
që vë në qendër të vëmendjes aktin e vëzhgimit, por edhe atë të një procesi
thellësisht personal të interpretimit e njohjes së botës rreth saj. Kjo frazë
përsëritet për të nënvizuar një lloj krijimi
të brendshëm, një përpjekje për t’i dhënë natyrës e përvojës një kuptim, i cili
del përtej asaj që duket në sipërfaqe.
Kështu,
duke "u dhënë kuptim" elementeve të natyrës, syrit të zogut të vogël,
puplave të lejlekëve dhe sqepit të dallëndyshes, poetja zhvillon një proces
perceptimi të botës, duke i kthyer objektet e zakonshme në burime kuptimesh të
reja e personale. Ky akt sugjeron se çdo përjetim, ka nevojë për interpretim
për t’u përthithur plotësisht; është pra si një zbulim përmes së cilës ajo
zgjeron njohuritë dhe kontaktin me botën. Thua se është një fëmijë I klasës së
parë që mëson shkrimin gërmë pas gërme. Kjo qasje ndaj kuptimit është reflektim
i ndjeshmërisë së saj artistike: poetja nuk e sheh botën si një realitet të
palëvizshëm, por si një hapësirë të pafundme, e cila duhet të njihet përmes
ndjenjave dhe përjetimeve personale. Prandaj themi se strofa e parë është akt
poetik i “dhënies shpirt natyrës” duke krijuar kuptimin si një prani që e
shndërron çdo imazh në pasqyrim të brendshëm të shpirtit të poetes.
IV-Në
strofën e dytë të poezisë "Më ka dashur vërtet," Natasha Lako sjell
një ndjesi të thellë introspektive dhe ndërthurje të ndjeshmërisë estetike me
përvojat e fëmijërisë. Përmes figurave të fuqishme dhe simbolikës së pasur,
poetja trajton konceptet e bukurisë dhe soditjes si pjesë të identitetit të
saj. Strofa ofron një portretizim të formimit të individit përmes përvojave dhe
ndjenjave, duke e vendosur atë në kërkim të vazhdueshëm për kuptim dhe unitet
në këtë botë të turbullt e të paqartë.
1.
Në strofën e dytë të poezisë Natasha Lako ndërthur simbolikën e
"soditjes" dhe "të bukurës" me përvojën intime të
fëmijërisë dhe formimin e identitetit të saj. Vargu “E bukura dhe e soditura
uleshin me mua në bankën e shkollës” nxjerr në pah ndërthurjen midis estetikës
dhe mendimit refleksiv, duke vendosur këto koncepte në kontekstin e shkollës
(fillore?). Kjo shprehje lë të kuptohet se, për të, shkolla është më shumë se
një mjedis për mësim formal; ajo
është hapësira ku ndjeshmëria dhe
soditja bëhen pjesë e formimit të saj të brendshëm dhe mënyrës së përjetimit të
botës. Poetja nuk është thjesht një nxënëse që mëson, ajo është një vëzhguese
që përthith botën përreth, duke kthyer çdo mësim dhe vrojtim në një zbulim të
thellë të bukurisë dhe përjetimit.
2.
Poetja u jep këtyre koncepteve një trajtë të veçantë përmes personifikimit,
duke i bërë "e bukura" dhe "e soditura" si dy qenie të
pranishme në jetën e saj, gjatë dhe pas fëmijërisë. Këto nuk janë thjesht
ndjenja të përkohshme, ato bëhen shoqërues të përhershëm në udhëtimin e saj
shpirtëror, duke përfaqësuar një pjesë të identitetit të saj. Nëpërmjet këtij
përfytyrimi, poetja na fton të shohim bukurinë dhe soditjen jo thjesht si
përjetime të çastit, kalimtare, por si forca që ndikojnë në formimin dhe
frymëzimin e saj të përhershëm, duke i ndihmuar të gjejë kuptim që në vegjëli.
3.
Në vargjet “e lidhur me dy pika syri zogjsh, si nota të pakënduara ende,”
shfaqet një ndjeshmëri fragmentare, ende në proces të plotësimit. Poetja shfaq
veten të lidhur me dy pika syri zogjsh, duke përcjellur një lidhje me lirinë
dhe intuitën, por që është ende e heshtur, si një melodi ende e pa kënduar.
Zogjtë këtu përfaqësojnë jo vetëm lirinë dhe shpresën, por edhe një perceptim
të mprehtë dhe intuitiv të botës që poetja ka qysh në vegjëli. Duke e lënë këtë
melodi të pa kënduar, poetja sugjeron potencialin e fshehur të përjetimeve,
mundësitë e pashprehura, që i japin jetës së saj një thellësi të veçantë dhe e
çojnë lexuesin drejt një kuptimi më intim të përvojës njerëzore.
4.
Në vargun “u jepja kuptim të puthurave të vogla, të mëdha, që më bënë një,”
poetja ndalet në peshën e çdo gjesti të vogël, madje u jep rëndësi edhe
puthjeve më të zakonëshme. Këto puthje bëhen simbole të përjetimeve të ndryshme
që e kanë formësuar dhe e kanë bërë të ndjejë një unitet shpirtëror, duke
shprehur një dashuri për botën përmes gjesteve të vogla dhe përvojave që
formojnë identitetin e saj. Poetja “na
bind” se çdo përvojë, dhe ajo më e vogëla,
është pjesë thelbësore e këtij uniteti, që i jep ndjesi të harmonisë së qenies.
5.
Duke përmbyllur strofën, ajo thotë “kaq e turbullt mbeti jeta që më donte,” një
varg që përcjell ndjesinë e pasigurisë së ekzistencës. Kjo jetë, që i është
shfaqur përmes dashurisë e ndjeshmërisë që ka përjetuar, mbetet përherë e
paqartëj. Ky imazh shpreh një kërkim të pandërprerë për kuptim, një përpjekje
për të përballuar kompleksitetin e përvojave që e kanë prekur dhe që vazhdojnë
ta formësojnë.
Në
qoftë se do kërkonim të shihnim ndryshimin midis strofës së parë dhe asaj të
dytë do thoshnim se: qëndron në qasjen
ndaj përjetimeve dhe në raportin që krijon poetja me botën përreth. Në strofën
e parë, siç thamë, poetja përpiqet tu japë kuptim përvo-jave dhe objekteve,
duke përccjellur një qasje sa aktive aq dhe krijuese, ku çdo element i botës
merr një formë kuptimore në sytë e saj.
Ndërkohë
në strofën e dytë, qasja zhvendoset nga dhënia e kuptimit tek përjetimi i
ndërlikuar dhe i ndjerë, lidhur ngushtë me formimin e saj shpirtëror. Këtu
poetja nuk përpiqet thjesht të kuptojë realitetin, por tregon se si bukuria dhe
soditja janë bërë pjesë të natyrshme të qenies së saj. Ato shfaqen si shoqërues
të identitetit të saj, duke e ndihmuar në njohjen e botës dhe në zbërthimin e
së bukurës. Në këtë mënyrë, strofa e dytë paraqet jo vetëm përvojën e kuptimit,
por edhe atë të formimit të individit përmes ndjenjave të ndërlidhura me fëmijërinë
e rininë dhe përvojat estetike. E thënë më shkurt, heroina është rritur dhe
pjekur, por jo gjer në moshën kur mund të drejtojë jetën e saj.
Këtë
analizë na e kushtëzoi leximi artistik i vargjeve, ndaj edhe vazhdojmë se:
duket sikur Natasha Lako nuk është rritur përtej botës ndjesorë të fëminisë dhe rinisë, ose ajo ende ka
mbetur brenda saj ajo fëmija që habitej me çdo pamje që shihte për herë të parë
dhe që ëndërronte botën, por dyshonte në vetvete në se: do ishte e zonja ta mbante dot dhe jo si do ta mirte atë.
V-
Përmendëm më sipër universalitetin e elementeve të poezisë, por duhet të shtojmë
se ai merr formë të dallueshme përmes gërshetimit të përjetimeve personale të
cilat shpërthejnë përtej individualitetit, duke rezonuar në një ndjesi që prek
lexuesin. Si zakonisht edhe te kjo poezi Natasha Lako ndërton një botë poetike
ku përvoja bëhet universale, ku fjalët kalojnë nga ndjenjat e përveçme drejt
një shtrirjeje të përgjithë-shme njerëzore. Ky universalitet i dhënë përmes
vargut ngjan si thirrje e përjetshme, ku çdo përvojë dhe ndjenjë e njeriut gjen
një hije dhe përmasë të vetën në universin poetik të saj, ose e thënë më
ndryshe kjo poezi na tingëllon sikur është e jona, sikur jemi ne që e flasim
dhe Lako vetëm sa e shkruan atë. Në qoftë se kërkojmë të cilësojmë elementet që
e ngrenë këtë poezi në nivelin universal, ato janë të dukëshme dhe ne na duhet
ti shfaqim:
1.
Në poezinë e Natasha Lakos, dashuria shfaqet si një koncept universal që
përfshin gjithë qenien dhe përvojën njerëzore, duke e bërë të pakufijshme në
kohë, hapësirë dhe ndjesitë e saj. Pra, në këtë poezi, dashuria nuk është një
përjetim i kufizuar tek një marrëdhënie personale apo moment specifik;
përkundrazi, ajo shtrihet përtej individit, duke u bërë pjesë e gjithë botës
dhe të gjithëve dhe kjo është e dukësshme në vargjet, “E bukura dhe e soditura
uleshin me mua në bankën e shkollës”. Këtu, dashuria e lidhur me “të bukurën”
dhe “soditjen” tejkalon përvojën individuale dhe i bashkohet një ndjenje të
përbashkët njerëzore që e nxit shpirtin të kërkojë kuptim dhe harmoni në çdo
aspekt të jetës.
2.
Në vargun “E lidhur me dy pika syri zogjsh, si nota të pakënduara ende,” Lako
prek thelbin e universalitetit, pse kapur një moment përjetimi të përbashkët për
çdo qenie njerëzore, atë të ndjesisë së lidhjes me diçka të madhërishme dhe të pashpjegueshme,
që mbetet e pacënuar dhe e paplotësuar. Kështu: “Dy pika syri zogjsh” ndërsa
përfaqë-sojnë diçka të imët e delikate, në të njëjtën kohë shfaqin një hapje të
jashtëzakonshme drejt botës së natyrës. Sytë e zogjve mund të simbolizojnë
lirinë dhe aftësinë për të parë larg (në fluturim), për të ndjerë thellë. Kjo
frazë shfaq një imazh që nuk kufizohet tek një individ, por i referohet diçkaje
që çdo njeri mund ta njohë në mënyrën e vet. Kështu, ndjesia e të qenit “i
lidhur” me natyrën merr karakter universal , pasi shfaq ndjesinë e të qenit
pjesë e diçkaje të madhe.
Vazhdimi
i vargut “si nota të pakënduara ende” lë hapësirë për të imagjinuar aftësinë e pa shfaqur (të të kënduarit, këtu), harmoni
që nuk është dëgjuar ende. Krahasimi me notat shpreh se brenda çdo shpirti
njerëzor ekziston një melodi e pashprehur, një ndjenjë që pret të realizohet,
duke u bashkuar me përvojat e ndjesitë e njerëzve në tërësi. Kështu, në këtë
varg universaliteti qëndron në idenë se brenda çdo individi gjendet një ndjenjë
që tejkalon atë vetë dhe kërkon t’i përkasë gjithë botës, duke qënë ndërkohë në
pritje të realizohet .
3.
Le të shohim vargun: “u jepja kuptim të puthurave të vogla, të mëdha, që më
bënë një”, këtu puthjet kapërcejnë domethënien individuale dhe bëhen një mënyrë
për të përkufizuar përjetimin universale të dashurisë. Puthjet shfaqen si
simbole të përjetë-shme, i japin formë dhe identitet gjithçkaje që përjetojmë,
një lidhje kjo universale e krijuar për të bashkuar ndjesitë njerëzore në një
tërësi të përbashkët.
4.
Ka një varg në fund Natasha Lako që thotë: “kaq e turbullt mbeti jeta që më
donte” duke shprehur një turbullirë që e kalon ndjesinë individuale dhe bëhet
përvojë e gjithë njerëzimit. Jeta, e cila shfaqet si një “turbullirë” përballë
përpjekjeve tona, është thelbi universal i pasigurisë dhe misterit të
përhershëm, jo vetëm të vajzave të reja. Kjo shprehje përmbledh përvojën
njerëzore në një shprehje të përbashkët që na shoqëron të gjithëve, pavarësisht
se ku jemi dhe çfarë përjetojmë.
E
parë në këtë aspekt, Natasha Lako, nëpërmjet elementeve universale, fton
lexuesin të përjetohet përtej ndjenjave të zakonshme, duke i parë përvojat si
pjesë e tërësisë universale. Vetëm duke i parë në këtë mënyrë ndjern se,
universi i saj poetik nuk është hapësirë vetëm për ndjenjat individuaale, por
edhe një mundësi ku lexuesi zbulon
universalitetin e përjetimeve të veta dhe gjen qetësi shpirtërore. Duhet
të shtojmë se pikërisht universaliteti i poezisë e çon atë përtej kufijve të
postmodernizmit, pse ofron hapësirën ku ndjesitë individuale shndërrohen në
përvoja të përbashkëta, dhe të kuptueshme për çdo njeri, pavarësisht kohës dhe
vendit, ashtu si ujët e lumit shndrohet në pjesë të oqeanit. Ndryshe nga postmodernizmi,
universaliteti e bashkon lexuesin dhe poetin përmes një përvoje të përbashkët
njerëzore.
Duke
parë këtë poezi të Natasha Lakos, ndjejmë se ajo nuk ndalet te subjektiviteti
apo fragmentet e veçanta të jetës, por i tejkalon ato, duke krijuar një realitet
të përbashkët që rezonon me përvojat universale të shpirtit njerëzor. Kështu, përmes
vargjeve që kapërcejnë kohën, poezia e saj shkon përtej veçorisë së epokës dhe
fton lexuesin të jetë pjesë e një përjetësie, të cilën postmodernizmi nuk e kap
dot me të njëjtën ndjesi. Pra, universaliteti e ngre poezinë në një nivel
tjetër, duke e bërë jo vetëm reflektim të brendshëm, por edhe një thirrje për
bashkim shpirtëror, qasje që postmodernizminuk e eksploron
plotësisht.
VI-Universaliteti
poetik i Natasha Lakos qëndron edhe në forcën e figurave artistike, të cilat gjithashtu
kalojnë përtej përjetimeve individuale. Për këtë qëllim ndërtimi i këtyre
figurave dhe qasja e saj estetike krijojnë imazhe që kanë rezonancë universale,
ku përvoja personale shfaqet si
pjesë e të përbashkëtës njerëzore. Kemi
thënë që figurat artistike të Lakos çelin si lule në poezitë e saj, por aroma,
ngjyrat e petaleve dhe vetë petalet ndjehen
dhe shihen në gjithë universin ( ku këto poezi lexohen.
Kështu,
në vargun “e lidhur me dy pika syri zogjsh, si nota të pakënduara ende” psh,
Lako shfaq një ndjenjë përkatësie ndaj gjithësisë. Pikat e syve të zogjve dhe
notat e pakënduara krijojnë një imazh ku dashuria dhe perceptimi për botën janë
të pazbuluar, një gjendje që nxit lexuesin të ndjejë një përvojë universale të
dashurisë dhe ndjeshmë-risë që tejkalon individin.
Gjithashtu,
figurat e përdorura janë të përjetshme dhe i japin karakter universal veprës
poetike. Në vargun “E bukura dhe e soditura uleshin me mua në bankën e
shkollës,” poetja nuk shfaq një moment personal, por krijon një imazh që
personifikon bukurinë dhe soditjen si bashkëshoqërues të përhershëm të njeriut,
ndjenjë kjo e përjetuar nga të gjitha vajzat dhe djemtë e moshës. Ky akt i
bëhet një alegori e përvojës universale të kërkimit të kuptimit dhe soditjes së
botës, çfarë e ngre poezinë e saj në një nivel të lartë të përvojës dhe
ndjeshmërisë kolektive.
Në
shumë vargje , Lako krijon imazhe që nuk përfaqësojnë thjesht përvojën
individuale, por shfaqin një ndjenjë të përjetshme të përbashkët, psh.,
dashuria, malli etj. ndjenja shfaqen në
formë të përgjithshme, ku çdo lexues mund të gjejë pjesë të vetes, gjë që e bën
poezinë e saj një univers. Kështu psh.në vargjet “kaq e turbullt mbeti jeta që
më donte”, poetja shpreh një ndjenjë pasigurie të jetës, që ndjehet dhe kuptohet nga çdo njeri,
pavarësisht vendit dhe kombësisë, duke marrë kështu statusin e një ndjenje
universale. Në këtë mënyrë, themi se universi poetik i Natasha Lakos pasqyron
përvoja dhe emocione të njohura e të përjetuara, ndërsa vargjet e saj shfaqin
një universalitet që kapërcen kohën, vendin dhe individin.
Sarandë, më nëntor 2024
Më ka dashur vërtet
Rruga
më binte andej nga e panjohura dhe e largëta,
u
jepja kuptim syve të një zogu të vogël, si shkronjave
të
para prej frikës dhe së bukurës,
kuptim
u jepja puplave të lejlekëve edhe në fluturim,
ku
butësia bëhej e egër,
kuptim
i gjeja sqepit të një dallëndysheje të uritur
e
doja si e kisha parë.
E
bukura dhe e soditura uleshin me mua
në
bankën e shkollës,
në
gojë dhe buzë të shumëfishuara të jetoja,
e
lidhur me dy pika syri zogjsh,
si
nota të pakënduara ende,
u
jepja kuptim të puthurave të vogla, të mëdha,
që
më bënë një,
kaq
e turbullt mbeti jeta që më donte.
Më
ka dashur vërtet ai që të vogël nuk më pa,
i
mahnitur kur ka qenë nga syri i ndritshëm i milingonave.
Kundërpërfytyrim. Onufri 2023