Mendime
Fadil Sahiti: Derr i lumtur vs Sokrat i vuajtur
E shtune, 09.11.2024, 06:48 PM
DERR I LUMTUR vs SOKRAT I VUAJTUR
Nga
Fadil Sahiti
Mungesa
e regjimit të mirë politik krijon vetvetiu tension dhe konflikt të përhershëm
mes dijetarit (intelektualit, filozofit, shkencëtarit...) dhe pushtetit
politik, por jo vetëm. Kjo e bën dijetarin të angazhohet në jetën shoqërore,
një angazhim i cili udhëhiqet nga hendeku midis asaj që "është" dhe
asaj që "duhet të jetë", midis "reales" dhe
"ideales". Veprimtaria e dijetarit zhvillohet në një zonë specifike,
në "zonën e papërcaktueshmërisë", në zonën midis
"realitetit" dhe "vizionit" intelektual.
Intelektuali
i angazhuar e di që veprimtaria e tij është një sipërmarrje potencialisht
shqetësuese, mjaft e turbullt, e shpeshherë edhe ngatërrestare. Me kalimin e
kohës e kupton se kushdo që niset në kërkim të dijes, në kërkim të humanes dhe
njerëzores, mund të mos kthehet kurrë te i njëjti person që ka qenë më parë.
Për më tepër kjo sipërmarrje e transformon njeriun nga një derr i lumtur në një
Sokrat të vuajtur.
Nxënia
e dijes, dhe veçanërisht angazhimi i saj, nuk është një thirrje apo urdhër që
vjen nga lart, ta zëmë nga rendi biblik, apo nga poshtë – pasi angazhimin nuk
ia kërkon shoqëria. Është një thirrje krejtësisht individuale. Grekët e lashtë
kishin një fjalë të bukur që lidhej me dëshirën për dije. Ata e quajtën atë
eros, ose dashuri. Dhe, kërkimi i dijes (sipas tyre) shoqërohet, mbështetet dhe
lartësohet nga erosi.
Dashurinë
për dijen dhe angazhimin e saj mund të mos e kemi kuptuar në klasën e parë,
ndoshta as më vonë kur kemi filluar të marrim diploma akademike. Madje, ka
shumë të tillë që nuk e kuptojnë kurrë këtë relacion. Por, nxitja (thirrja) e
brendshme për të nxënë dije dhe për ta angazhuar atë në shërbim të njerëzores,
edhe pse e vështirë dhe shqetësuese, është nderimi më i madh që mund t'i bëhet
vetes dhe dashurisë.