E premte, 14.06.2024, 04:17 PM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Tre poetë - Sadik Bejko

E marte, 09.04.2024, 07:58 PM


T R E  P O E T Ë

2.-SADIK BEJKO

Nga Timo Mërkuri

Është interesante poezia "Dashuri" e Sadik Bejkos sepse: megjithëse e shkruar në kohën tonë, madje me një sfond poetik tradicional, ajo jo vetëm që është një poezi moderne, por mund të shihet si pjesë e tranzicionit midis poezisë moderne dhe asaj postmoderne.

Realisht poezia moderne filloi të marrë formë në fillim të shek. të 20-të, periudhë që karakterizohet nga  ndryshimi në formë dhe përmbajtjen e poezisë, duke u larguar nga tradicionalizmi, romantizmi dhe klasiçizmi dhe duke eksperimentuar me forma të reja. Shfaqja e poetëve si T.S. Eliot, Ezra Pound, dhe Ëilliam Karlos Ëilliams shënon një moment të rëndësishëm në zhvillimin e poezisë moderne, pasi ata shfaqën një interes të madh për të shprehur përjetimet e tyre shpirtërore, emocionet e ndjenjat në mënyrë të re, duke përdorur teknika si imazhinizmi dhe simbolizmi për të paraqitur realitetin në  mënyrë abstrakte dhe duke i hapur poezisë dritare të shumta intepretimi.

Poezia postmoderne shfaqet në fund të shekullit të 20-të dhe fillim të shekullit të 21-të me Allen Ginsberg, Sylvia Plath, Frank O'Hara etj. Poetët postmodernistë shfaqin një dëshirë për të sfiduar kufijtë dhe për të eksperimentuar me forma të rej, me teknika si fragmentimi, montazhi dhe hiperrealizmi për të krijuar një perceptim të fragmentuar dhe të shkujdesur të realitetit, madje duke përdorur dhe ironinë  e humorin, për të reflektuar mbi realitetin apo për të kritikuar shoqërinë dhe kulturën bashkëkohore.

I-Poezia "Dashuri" e Sadik Bejkos mund të shihet si një pjesë  tranzicioni  midis poezisë moderne dhe postmoderne për arsye se: duke i përmbushur tiparet e poezisë moderne, ajo synon drejt thelbit të poezisë postmoderniste dhe konkretisht :

-Në poezinë "Dashuri", natyra përfaqëson jo vetëm një sfond fizik tradicional, por edhe dimensionin simbolik dhe emocional, mirëpo përdorimi i natyrës për të shprehur ndjenjat dhe emocionet njerëzore është një karakteristikë e modernitetit poetik, por duke patur  një përputhje me qasjen postmoderniste ndaj simbolizmit dhe interpretimit të subjektivitetit të gjerë.Psh., "Mu'u bënë të shtrenjta e të bukura se i prekëm ne,/I preku dashuria në çaste të egra e të lumtura." Ky pasazh i shpreh ndjenjat dhe emocionet nëpërmjet imazheve të natyrës, ku përdorimi i frazës "të shtrenjta e të bukura" për të shfaqur natyrën forcon përjetimin e bukurisë së emocioneve.  Ndërkohë, ndjenja e "dashurisë në çaste të egra e të lumtura" forcon qëndrimin subjektiv ndaj dashurisë dhe interpretimin e saj si një përjetim që shtrihet në ndjenja dhe emocione të ndryshme, duke u përputhur me qasjen postmoderniste ndaj simbolizmit e subjektivizmit të gjerë, njëkohësisht duke e shndruar këtë pasazh një shembull të përputhjes së modernitetit poetik me qasjen postmoderniste ndaj interpretimit të simboleve dhe emocioneve.

-Edhe pse poezia "Dashuri" përdor elemente simbolike dhe imagjinative, ajo është e përqëndruar në përjetimet personale dhe emocionet individuale të heroit poetik, duke u përputhur në këtë mënyrë me qasjen postmoderniste ndaj subjektivitetit dhe përjetimit të individit si burim kryesor i krijimit poetik. Psh., "Bëhen shtresa të fundosen trupat tanë, mbuluar/Nga hija depërtuese e pemës madhështore/Të mbrëmjes." Ky pasazh shpreh një përjetim të gjerë dhe subjektiv të heroit poetik, i cili përballë natyrës, ndjen një  “fundosje” dhe “mbulim” nga hija depërtuese e mbrëmjes. Ky përjetim subjektiv rrit shprehjen e ndjenjave individuale të heroit poetik duke e përputhur me qasjen postmoderne ndaj subjektivitetit dhe përjetimit të individit.

-Te poezia "Dashuri" ka një reflektim mbi identitetin dhe realitetin subjektiv, e cila përputhet me qasjen postmoderniste ndaj identitetit dhe realitetit, duke shfaqur një ndërthurje midis realitetit objektiv dhe perceptimit subjektiv të tij. Psh., "Bari i tharë nga vera, gjethet e mëdha (vallë/Rranë nga yjet, nga mbrëmja, nga vjeshta?)". Ky pasazh paraqet një reflektim mbi identitetin dhe realitetin subjektiv nëpërmjet një shfaqjeje të natyrës. Gjethet e barit të tharë dhe referimi në yjet, mbrëmjen dhe vjeshtën përofrojnë një perceptim subjektiv të realitetit..

-Poezia përmban një shfrytëzim simbolik të elementeve të natyrës për të shprehur ndjenjat dhe emocionet njerëzore, një karakteristikë e modernitetit poetik. Në të njëjtën kohë, përdorimi i natyrës në mënyrë tepër subjektive dhe simbolike ofron me qasjen postmoderne ndaj interpretimit të lirë e subjektiv të simboleve. Psh: "Mbrëmja bëhet si hija e një peme të madhe /Lehtë e hollë ajo mbulon ato dy metra bar e fletë / Që i duhen dashurisë të heshtë.", ku: ky pasazh shfaq një urë kalimi nga moderniteti poetik drejt qasjes postmoderniste ndaj simboleve dhe natyrës.

-Në këtë poezi,ndiejmë reflektim mbi identitetin dhe realitetin subjektiv, një aspekt i njohur si karakteristikë postmoderne. Këtu, identiteti i individit dhe perceptimi i tij subjektiv i realitetit shfaqen nëpërmjet emocioneve dhe ndjenjave të shprehura në mënyrë individuale.Psh: "E kështu shumë bimë, kodra, fusha / Mu’u bënë të shtrenjta e të bukura se i prekëm ne, /I preku dashuria në çaste të egra e të lumtura". Shikoni pak, pasazhi fillon me një paraqitje të natyrës, duke përdorur termat "bimë, kodra, fusha", të cilat përfaqësojnë një realitet objektiv, megjithatë, kjo paraqitje bëhet subjektive dhe personale kur autori shprehet(dhe sa bukur shprehet) se ky realitet subjektiv bëhet i "shtrenjtë e i bukur" kur i prek ai. Në këtë mënyrë, pasazhi poetik shfaq një përputhje të fortë me qasjen postmoderne ndaj identitetit dhe realitetit subjektiv.

-Poezia "Dashuri" e Bejkos ka elemente të strukturës tradicionale, si përdorimi i rimës dhe strukturës së strofave, por ajo gjithashtu shfaq shenja të sfidimit të kësaj strukture. Ky sfidim përputhet me qasjen postmoderniste ndaj tradicionalitetit (edhe në strukturë), duke inkurajuar eksperimentimin dhe lirinë e shprehjes.Psh: "Llambat bëjnë balona drite varur në plepa / Fshehin sysh shëtitëset silueta të dashurisë" ku, autori eksperimenton me lirinë e shprehjes dhe temën e dashurisë e shpreh përmes imazheve të natyrës dhe përdorimit të metaforave të ndërlikuara.

Përdorimi i imagjinatës dhe magjisë te kjo poezi është në dozë të konsiderueshme, por ky përdorim i tyre për krijimin e një ambienti  mahnitës e të mistershëm përputhet me qasjen postmoderne ndaj realitetit dhe fiksimin e kufijve të perceptimit. Psh.,: "Bëhen shtresa të fundosen trupat tanë, mbuluar / Nga hija depërtuese e pemës madhështore / Të mbrëmjes." ku poeti përdor një dozë të madhe të imagjinatës dhe magjisë për të shfaqur një ambient të të mistershëm.

II- Poezia "Dashuri" e Sadik Bejkos përmban elemente të qasjes postmoderne ndaj poezisë, duke shfaqur një liri artistike dhe eksperimentim me gjuhën dhe imazhet. Analizimi i imazheve të poezisë duke evidentuar elementet e postmodernitetit poetik është një qasje elegante për të kuptuar stilin dhe thellësinë e poezisë. Psh. vargjet: "Llambat bëjnë balona drite varur në plepa/Fshehin sysh shëtitëset silueta të dashurisë." përdorin metaforën e "llambave" për të shfaqur imazhin e dashurisë në një mënyrë jo të zakonëshme. Përdorimi i një objekti të zakonshëm si llambat për të shprehur një përjetim të jashtëzakonshme dhe të bukur, siç është dashuria, është një element karakteristik i postmodernitetit poetik. Ndërkohë në këto vargje identifikohen metafora edhe simbole, si: te fraza:"Llambat bëjnë balona drite varur në plepa", "llambat" janë përdorur si  metaforë për të paraqitur dritën, duke e bërë lexuesin të kuptojë se llambat shkëlqejnë ose ndriçojnë në një mënyrë të ngjashme me balonat e dritës që "varin në plepa". Ky krahasim jep një ndjenjë mahnitjeje ndaj dritës. Ndërkohë te vargu: "Fshehin sysh shëtitëset silueta të dashurisë", "shëtitëset silueta të dashurisë" janë simboli që  shfaq ndjenjat e fshehura të dashurisë, duke simbolizuaar qëndrimin e përjetuesit (djalë apo vazjë) të dashurisë në një ambient të fshehur, (nëpërmjet imazhit  "shëtitësave silueta").

-Një tjetër pasazh që shfaq elementet e postmodernitetit është vargu:"Bëhen shtresa të fundosen trupat tanë, mbuluar/Nga hija depërtuese e pemës madhështore/Të mbrëmjes." Këtu, autori përdor një gjuhë të ndërlikuar e një imazh  misterioz për të paraqitur një ambient mahnitës dhe të mistershëm. Përdorimi i një imazhi natyror si hija e pemës për të shprehur një gjendje emocionale është një shprehje e qartë e postmodernitetit poetik. Te ky imazh ndërthuren një gamë e gjerë e elementeve të postmodernitetit poetik, si simbole, metafora dhe personifikime në një mënyrë inovative, ku:"Hija depërtuese e pemës madhështore" është një simbol  që paraqet misterin dhe magjinë e natyrës, pse simbolizon një fuqi që shtrihet përtej realitetit fizik dhe perceptimit tonë. Përdorimi i simbolit natyror për të shprehur një gjendje emocionale (si dashuria) shpreh një lloj postmoderniteti, pasi e çliron poezinë nga dimensionet e zakonshme të kuptimit dhe të perceptimit të realitetit. Ndërkohë "Shtresa të fundosen trupat tanë" është një metaforë për të paraqitur një ambient në errësirë ose një gjendje të ndërlikuar emocionale. Vargu:"Hija depërtuese e pemës madhështore" është një tjetër metaforë që paraqet ndjenjat e fshehta, duke i shfaqur  si një hije që depërton ambientin.

Personifikimi i "pemës madhështore të mbrëmjes" si e një "hije depërtuese" forcon idenë e natyrës që përjetonë dhe ka ndjenja, duke e paraqitur natyrën si personazh aktiv, duke e bërë më shumë se një objekt pasiv në paraqitjen e emocioneve dhe situatave.

-Imazhi natyror:"Mbrëmja bëhet si hija e një peme të madhe / Lehtë e hollë ajo mbulon ato dy metra bar e fletë / Që i duhen dashurisë të heshtë" shpreh një gjendje emocionale, por më e rëndësishmja është mënyra se si ai paraqet mbrëmjen si një "hije e një peme të madhe", duke e bërë atë të duket si një forcë e madhe, që mbulon dhe transformon ambientin. Rikujtomë se përdorimi i një imazhi natyror për të shprehur gjendje emocionale është një teknikë e zakonshme në poezinë postmoderne.

-Duke parë imazhin: "Se nga i nxjerr yjet, këto fruta të pjekura drite / Në gur, në trung a në pemët e flladit frymëbutë."shohim një dritësim dhe shkëlqim te përdorimi i metaforës "frutave të pjekura drite" që shpreh dhe një lloj magjie, një pamje imagjinative. Përdorimi i kësaj metafore shfaq një liri krijuese dhe një qasje të postmodernitetit në përshkrimin e emocioneve dhe ndjenjave. Ndërkohë ky varg përmban një gamë të gjerë të elementeve simbolike dhe personifikimeve që ofrojnë qasjen postmoderne ndaj poezisë, ku: "Yjet" janë përdorur si një simbol i magjisë, shkëlqimit dhe misterit, i një fuqie të cilën njeriu mund të shijojë, por nuk mund ta kuptojë. Përdorimi i "yjeve" si simbol për të prezantuar "fruta të pjekura drite" jep një ndjenjë  mahnitjeje dhe plot mister. Po ashtu: "Guri", "trungu" dhe "pemët e flladit" janë simbole të natyrës dhe përdorimi i tyre si vendndodhje për "frutat e pjekura drite" forcon idenë e një lidhjeje midis natyrës dhe ndjenjave njerëzore.

Personifikimi i "yjeve" si ata që "nxjerrin fruta të pjekura drite" shpreh idenë e një natyre aktive, që ndikon në përjetimet dhe ndjenjat njerëzore. Ky personifikim e bën natyrën të ndjehet si një personazh aktiv në ngjarje, duke e bërë më shumë se një objekt pasiv në paraqitjen e emocioneve dhe gjendjeve.

Këto elemente metaforike, simbolike dhe personifikime, që me ndërveprimin mes tyre shfaqin imazhet e poezisë,  e bëjnë poezinë të shfaqë një  eksperimentim të lirë me gjuhën dhe imazhet përmes një lirie shprehjeje. Përdorimi i tyre në një mënyrë të inovuar përputhet me stilin e postmodernitetit poetik.

III-Kjo poezi dashurie e Sadik Bejkos e shkruar në vitin 1969 kur poeti ishte një djalosh i ri 23 vjeçar është botuar së pari te vëllimi poetik”Rrënjët” (1972) dhe është përfshirë në poezinë e zgjedhur “Perëndim me pak natë”( f.174) prej nga e morëm ne për analizë. Ajo që të bie menjëherë në sy është pikërisht kuota e lartë artistike e kësaj poezie në rraport me kohën,  është guximi “prej të marri” i djaloshit poet që në periudhën e bunkerizimit soc.-realist të poezisë, ai, sikur të mos i mjaftonte moderniteti poetik niste udhëtimin drejt postmodernizmit. Sigurisht që këtu së pari ka ndikuar shpërthimi i talentit të tij poetik, i cili synonte lartësitë e artit pse e ndjente artin a lartësive. “Atëherë arratiseshim ,"fundoseshim" në natyrë, iknim nga realiteti në lirinë e egër, jashtë rregullave, te guri, te bishat, te bimët. Të dashurosh fshetas është rrebelim. E dyta është një shkrirje magjike e rinisë me natyrën. Nuk përsëriten më.” më shkruan poeti. Nuk e di pse duke i bërë sot një lexim poetik dhe duke e parë në kontekstin e kohës kur është shkruar, m’u forcua bindja se nuk ishte vetëm talenti dhe as vetëm dashuria ajo që krijoi këtë poezi. Kjo është produkt i shpirtit të revoltuar të poetit (ndaj kornizave të kohës), etja e tij për liri (artistike), dy tiparet kryesore që krijojnë heronjtë. Kështu ma paraqesin këto vargje poetin Sadik Bejko dhe unë kështu dëshiroj ta shikoj.

Por unë shoh dhe diçka tjetër tutje talentit dhe fatit personal: kur poezia shqipe e viteve 60-70 eksperimentonte forma posmoderniste dhe eksploronte lartësi të tilla arti, mendoni se çfarë gjëme solli në letërsinë (artet e kulturën) shqipe pleniumi I IV famëzi, që artet dhe kulturën synonte ti shndronte në zogj të klloçkës soc.-realiste. Guxoni pak dhe ëndërroni ku do ishin artet tona me poetë të tillë të talentuar dhe kurajozë, vetëm atëherë mund ta kuptoni përmasën e asaj gjëme.

Sarandë, më prill 2024


Sadik Bejko


DASHURI


Mbrëmja bëhet si hija e një peme të madhe

Lehtë e hollë ajo mbulon ato dy metra bar e fletë

Që i duhen dashurisë të heshtë. Vjeshta

Se nga i nxjerr yjet, këto fruta të pjekura drite

Në gur, në trung a në pemët e flladit frymëbutë.

Llambat bëjnë balona drite varur në plepa

Fshehin sysh shëtitëset silueta të dashurisë.

Bari i tharë nga vera, gjethet e mëdha (vallë

Rranë nga yjet, nga mbrëmja, nga vjeshta?)

Bëhen shtresa të fundosen trupat tanë, mbuluar

Nga hija depërtuese e pemës madhështore

Të mbrëmjes. E kështu shumë bimë, kodra, fusha

Mu’u bënë të shtrenjta e të bukura se i prekëm ne,

I preku dashuria në çaste të egra e të lumtura.


Perëndim me pak natë. f.174



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora