Kulturë
Shefqet Dibrani: Peisazhi psikologjik dhe mozaiku poetik
E diele, 21.11.2021, 07:17 PM
PEIZAZHI PSIKOLOGJIK DHE MOZAIKU POETIK
Erinë
Rrahmani, “NATËN E MIRË HËNË“, vjersha, botoi Shtëpia Botuese “FAIK KONICA”,
Prishtinë 2010, faqe 128. ISBN 978-9951-06-310-4
Nga
Shefqet DIBRANI
PROLOGU:
Sa herë vendos të lexoj
libra me vjersha dhe poezi për fëmijë, më kujtohet një shqetësim i bardit
kosovar të letërsisë për fëmijë Rifat Kukaj, që e pat thënë me mjaftë dëshpërim
se: “Nuk thuhet, por mendohet se poetët për fëmijë nuk janë shkrimtar?!”.
Fatkeqësisht sintagma e atij mendimi sikur është ngulitur thellë në mendjen
time, prandaj librin e Erinë Rrahmanit e nisa për ta lexuar po me atë
paragjykim, gjë që nuk është mirë. Libri me vjersha, “NATËN E MIRË HËNË“,
më doli i mrekullueshëm, dhe bëra mirë që e lexova me pasion.
Ky libër është ndarë në tre
njësi ciklike: “SY NË ZEMËR”, “ËNDËRR NË AKUAREL” dhe cikli “OREKSI
PO(ETIK)”. Në secilin cikël shpaloset një imagjinatë që ka plot fantazi,
ironi, porosi dhe mendime të vyeshme, sa që mendjen ta kthen në moshën e re,
përkatësisht tek imagjinata e fëmijës.
Cikli: “SY NË ZEMËR”
Libri dhe ky cikël nisin me
poezinë kushtuar “Flamujve”, në të cilën shprehet një dashuri e çiltëri
për flamurin tonë për të cilin autorja ka admirim, madje me përjetime
sentimentale, emocione që qesin në pah aspekte edukative e pedagogjike, pasi me
të “pavarësia na i mbushi zemrat” dhe asaj i vjen një ndjesi “sa herë
atë e mban në duar” ndonëse edhe në këtë poezi shprehet një nostalgji për
flamurin që kishim me shqiponjë sepse me atë flamur “dashuria për atdheun
mbante erë”, përkatësisht ai flamur “kushtrim i luftës ishte për ne”,
faqe 10.
Motivet e poezive janë nga
më të ndryshmet, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me botën e fëmijës, me sendet
përreth, me përditshmërinë, me raportet ndërnjerëzore, me zhvillimet teknike e
teknologjike, pra me ato gjëra që i ka imagjinata e një fëmije, përkatësisht
imagjinata e poeteshes që ka depërtuar thellë në botën krijuese të fëmijve,
ndonëse edhe vet është e re. Në këtë plan ajo shkruan për hartën gjeografike në
të cilën bëhet një bisedë – rrëfim mjaftë interesant. Pastaj vjershë e bukur
është ajo “Mëso të falësh”, e cila është një poezi edukative dhe me
porosi të qarta:
T’gjithë
mund të bëjmë gabime
Askush
s’është i përkryer
Por një
gjë duhet ditur mirë
Tjetrin
asnjëherë s’duhet fyer
Faqe 13.
Vjersha “Si ta bësh një
poezi?”, sikur i qet poshtë të gjitha teoritë e letërsisë të cilat kanë
bërë shumë interpretime, por Erinë Rrahmani me këtë poezi hynë thellë në
psikologjinë e fëmijës, duke mos qarë kokën fare për teori e interpretime ajo
shkruan:
Gjithçka
në këtë botë
Të dashur
fëmijë
Kur e prek
shpirtin
Bëhet
lehtë poezi
Faqe 14.
Duke shkuar më tutje në
labirintet e mendimit psikologjik të cilën ua përshtat imagjinatës së fëmijëve,
me ç´rast ka krijuar një peizazh të bukur, sepse poezia është fëmija, është
dashuria, toka, uji e qielli. Pra, gjithçka përreth duke përfshirë edhe
gjithësinë është poezi. Një imagjinatë e mirë ku buzëqeshjen do t’ia ngritë
edhe atij që ndjehet mbret i poezisë sepse vetëm thjeshtësia dhe mirësia për të
bukuren e bëjnë poezinë, shkruan ajo, ashtu sikurse tek vjersha “Ura që lidh
zemra”, kemi një motiv human me porosi të qarta edhe në raportet
ndërnjerëzore, pasi nga përfundimi i saj del se:
Disa
bashkojnë ëndrra
Apo ndajnë
momente
...
Por mbi të
gjitha ato ura
Zemrat
tona kur bashkojnë
Janë të
larta e të forta
Erërat nuk
mund t´i rrënojnë
Faqe 15.
Po ky motiv, por në një
formë tjetër është i paraqitur edhe tek poezia “S´blihet gjithçka me para?”,
në të cilën poetesha shprehet:
Nuk ka
çmim që ta vlerësojë
Lumturinë
dhe shëndetin
Se asgjë
s´do të ndryshojë
Nëse
n´para e shndërrojmë detin
Faqe 17.
Poetesha Erinë Rrahmani, ka
një imagjinatë për ta zgjeruar fantazinë kudo dhe kahëdo, madje ajo shkruan
vjersha për shkollarët e rinj, ta zëmë se çfarë mund të ndodhë “Për një
minutë”, qoftë kjo si inspirim, por në aspektin pedagogjik është poezi që
ndikon në vetëdijesim dhe cyt imagjinatën e fëmijës:
Për një
minutë
Vjen me
vonesë
Minutës i
bie faji
Që t´i
merr mungesë
Ndërsa vjershën e përmbyll
me porosi të qartë, që të mos humbim kohën kot për kohën e shkuar, për gjërat e
ndodhura më parë pasi:
Koha është
thesar
Mos ta
humbim miq
Minutën që
ikën
Lëre mos e
ndiq
Faqe 21.
Erinë Rrahmani, shkruan për
hënën, për gjumin dhe ëndrrat, për raportet e vajzës me prindërit, me nënën dhe
gjyshen, për ndejat duke pi çaj e kafe, për mysafirët, për gratë llafazane e
për shumë gjëra të tjera. Po ashtu ajo shkruan poezi edhe për veset në shtëpi,
për politikën e cila ndikon edhe në marrëdhëniet e brendshme familjare, sidomos
atëherë kur babi shikon në televizion mbledhjet e gjata, kurse ajo ka dëshirë
të përcjell një lojë futbolli, etj. Këto qasje bëhen herë me ironi e herë me
humor, pak drejtpërdrejt më shumë tërthorazi, gjithsesi me nota edukative i
përmbyll poezitë të cilat manifestohen si ndjenjë optimiste, duke sugjeruar për
t´i lënë veset e këqija, kurse fëmijët patjetër duhet të përmirësohen.
Duket sikur poetesha s’ka
lënë pore të jetës pa prekur imagjinata e saj?! Ta zëmë, ajo ka shkruar për
rrëmbimin emocional të shokëve dhe shoqeve të klasës të cilët shkojnë në
bibliotekë, aty ku zakonisht mësojnë studentët. Ja si e përshkruan një situatë
të tillë:
Ne si
zhurmaxhi
Hymë si me
të drejtë
Brenda
kish qetësi
Mu si det
i qetë
Ndërsa në strofën vijuese
ajo me konsekuencë e paraqet urtësinë e bibliotekistit, sjelljen e tij dhe
kulturën edukativoarsimore që rrezaton në këtë tempull kulturor:
Mos bëni
shumë zhurmë
Tha xhaxha
Agroni
Vetëm
rrini urtë
Lexoni
çfarë të doni!
Faqe 25.
Një dialog mjaftë interesant
bëhet me tabelën e shkrimit, (dërrasën e zezë), me penën, stilolapsin, makinën
e shkrimit, me kompjuterin e deri tek “Ora e saj që kërkon pushim” ?!...
Erina pasi ia përmend orës të gjitha
meritat, punën që e bënë pa ndal, diku mes strofave ajo e shtron edhe këtë ide:
Tash
jetojmë në demokraci
Dhe secili
punëtor
E ka të
drejtën që çdo ditë
Të punojë
vetëm 8 orë
Faqe 31.
Një gjë që vihet re tek ky
libër është ajo se të gjitha sendet, që janë figura të poezisë për Erinë Rrahmanin,
flasin, ankohen, protestojnë dhe i kundërshtojnë padrejtësitë që bëhen ndaj
tyre, dhe si poete e mirë që është, tamam është futur në psikologjinë e
gjeneratës së re, andaj ajo bëhet avokate duke arsyetuar sendet për të cilat
sjell përfundime humane dhe të dëshiruara, siç ka ndodhur edhe tek vjersha që
folëm më parë:
Jo veç ajo (ora) po çdo punëtor
Që gjatë
vitit shumë punon
Ka dëshirë
edhe nevojë
Ndaj
pushimin e meriton
Faqe 32.
Pra sipas këtij motivi edhe
ora e merituaka pushimin?! Prandaj për prishjet dhe lodhjet e tyre nuk duhet me
u hidhëruar, sepse edhe ato kanë shpirt, pra shpirtin e një imagjinate poetike
që këtyre sendeve ua paska dhënë poetesha Erinë Rrahmani.
Në një poezi tjetër trajton
hallet që kanë rrugët e qytetit. E nëse kjo poezi nuk lexohet askujt nuk do t’i
shkon mendja se çfarë hallesh bartin rrugët e qytetit të saj pa lum, madje
brenda poezisë janë përmendur edhe dy lagje karakteristike “Dardania” dhe
Arbëria”. Por sipas Erinë Rrahmanit:
Rrugën që
më qon në shkollë
E mbyt
vrapi pa ndal
Se mos
arrijmë me kohë
Për të
zënë orën e parë
Kurse rruga e spitalit tërë
ditën e kalon në ankth, pasi zakonisht bart të sëmurët, ndërsa në Lagjen
Dardania, rrugët ndryshe i mbulon nata, pasi të rinjtë atje “i mbulon kënga
e gallata”, ndërsa rrugët atje në Arbëri, pasi gjendet stacioni i
trenit(?), vazhdimisht: “...mbytet me zë/ Ka pikëllim gjithmonë
brenda/ Se të merr e s´të kthen më!”, faqe 33. Ndërsa rruga e
fundit, ajo njëkahëshe, të dërgon në Lagjen e Varreve, të cilën e paskan marrë
banorët që nuk u kthyen më kurrë në mesin e të gjallëve?!...
Poetesha Erinë Rrahmani nuk
ka harruar të shkruan poezi edhe “për zemërimin e natyrës” por edhe kur “vera
ikën me të gdhirë”, në të cilën përshkruan stinën e verës, për lule, për
zogjtë që ikin, për dallëndyshet që shkojnë në dhera të nxehta, por sa
interesant kur i gjithë faji bie mbi “muajin tetor”, i cili: “...vjeshtën
e ka ftuar/ Mysafire për ca muaj”, faqe 35, e pastaj ajo vetëm kujtimet e
verës në zemër do t´i ruajë.
Kur jemi tek rrobat e saj të
cilat përveç që grinden e flasin, ato jo pak hidhërohen pse nuk i përdor këtë e
atë kostum a çorape, me të cilat ka ndërtuar një bisedë alegorike, të
pranueshme dhe mjaftë interesante, sepse rrobat e saj të gjitha kanë nga një
histori: “Që mbetën në mua/ Dhe në poezi”, faqe 38. Po ashtu kemi
dialogun e luleve, kopshtit, trëndafilave, zymbylit, sythave e petaleve,
gjetheve të gjelbra të cilat prodhojnë një dialog të imagjinuar që vetëm gjuha
e poeteshës mundet t´i artikulon. Këtë mendim e plotësojnë më mirë poezitë: “Protesta
e çorapeve”, “Dialog kapelash” dhe poezia “Ç´thonë syzet e Vjosës”,
por me një koncept tjetër ku i trajton raportet shoqërore janë poezitë “Nënë
çka është filozofia” dhe “Kur përfundon politika”, të cilat sjellin
atë preokupimin i cili e shfaq tërë botën krijuese, imagjinatë kjo e rrallë dhe
e realizuar në aspektin poetik mjaftë mirë.
Për t’u veçuar është poezia
“Parlament fëmijësh”, jo aq për imagjinatën dhe fantazinë sa për gjuhën
elekuente, humorin e lehtë, pa vulgarizëm, pa sharje dhe pa mohim të
strukturave politike dhe të politikajve. Natyrisht, poezia është mision
edukativ e arsimor, kurse Erina si poete është e vetëdijshme se fëmijet e kësaj
moshe nuk duhet mbushur me vrerë, kundër parlamentit dhe kundër udhëheqësve të
vendit të tyre. Imagjinata e saj flet për lojën e fëmijve pa përdorur asnjë
fjalë vulgare dhe poshtruese, gjë që është specifikë e librit si tërësi, ndërsa
rima dhe ritmika, (me ndonjë përjashtim shpërifillës), janë mjaftë funksionale,
për çka si poete, si nxënëse dhe krijuese e re e meriton vëmendjen e kritikës
letrare!...
Cikli: “ËNDËRR NË AKUAREL”
Cikli i dytë “ËNDËRR NË
AKUAREL”, në të cilin janë përfshirë 23 poezi të ndryshme, po ashtu e ka për
bosht trajtimi botën e fëmijëve, vetëm se tematika zhvendoset në disa probleme
të tjera të cilat lidhen kryesisht me shkollën dhe me aspekte të tjera
shkencore. Poezi e parë e këtij cikli është “Matematika e Agimit gjatë një
viti”, në të cilën jepen përllogari interesante: Sa qortime, trillime, të
fshehta, të vërteta, mungesa, premtime se kështu:
Këto janë
shënimet
e shokut
Agim
që mendon
për marrëzira
e fare pak
për mësim
Faqe 58.
Poezi me tematikë nga
matematika janë edhe “Ankesa e zeros”, “Botën e sjellin numrat”,
për t’u pasuar me poezinë “Hallet e shtëpisë”, ku shfaqen përsëri
problemet e llogaritjes së borxheve dhe të obligimeve komunale të cilat
alterojnë kah matematika. Pastaj në poezitë tjera trajtohen raportet
ndërshoqërore, problemet e ndryshme, gjendja sociale në të cilat atakohen veset
e këqija, dukurit, kompromiset, krekosjet e panevojshme, ta zëmë raportet “berberi
– gërshërët”, “treni – binarët”, “dielli – hëna”, deri sa
dielli do ditën, hëna kërkon terrin e kështu me radhë. Poetesha nuk e ka
harruar as teknologjinë e re, internetin, telefonat celular, në të cilat
shprehen imazhe interesante, sidomos tek poezitë “Me telefon në xhep”, “Epidemia
MSN”. Por përveç veseve të këqija dhe mënyrës tjetër të jetës, ajo ka
nostalgji për të kaluarën për të cilën ka nota sentimentale, por Erinë Rrahmani
është e vetëdijshme se hovi i këtyre zhvillimeve nuk ndalet, andaj ajo i
numëron anët pozitive:
Tash kudo
që të jesh
Përgjatë
kontinentit
Miqtë i ke
shumë afër
Faqe 78.
Në këtë cikël ndeshet një qasja
ndaj problemeve urbane në të cilat përfundimin e nxjerr si skema të bukura dhe
përplot pasion e me shumë ironizime duke e ballafaquar boten materiale me atë
shpirtërore, por Erinë Rrahmani, aspekteve shpirtërore dhe atyre humane më
shumë ua jep krahun. Metafora të shumta dhe të lezetshme dalin edhe te poezia “Diplomacia
e një sapuni”, dialogu i të cilit është interesant, por rëndësia higjienike
që ka sapuni, sikur i jep atij më shumë të drejt, kur shkruan se:
Mikrobeve
pas lojës
S´iu zgjat
shumë rehatia
Dhe nga
një e prekur
U shuhet
mbretëria
Faqe 89.
Ka edhe mjaftë gjëra të
tjera të zakonshme dhe mjaftë të rëndomta për të cilat vetëm imagjinata e saj i
ka vënë në poezi. Këto fenomene trajtohen tek poezia “Fqinja kureshtare”
si dhe tek poezitë: “Ashensori”, “Si lidhet kravata”, “Horoskopi
gënjeu edhe sot” etj. Kurse te poezia “Mikut tim jashtëtokësor”,
dallohet një prirje pak më ekzotike, ca si misterioze, por ajo që bie në sy
janë kritikat që ua bënë veseve të grave. Ndoshta pasi vet është femër, ajo i
ndien dhe i përjeton më mirë këto dukuri të cilave si duket u ka dhënë
prioritet në këtë libër, ndoshta ka pasur qëllim për t´i plotësuar standardet
“demokratike” për përfaqësim më dinjitoz të grave, ku me siguri kuota mbi 50%
vetëm brenda këtij libri, në këtë plan është siguruar?!...
Erinë Rrahmani, edhe në këtë
cikël ka ndërtuar me shumë sukses botën e saj krijuese, duke u shquar si një
poete që poezinë për fëmijë e trajton në prizmin e suksesit dhe të
perspektivës.
Cikli: “OREKSI PO(ETIK)”
Këtë cikël e përbëjnë vetëm
9 poezi me tematikë, kryesisht nga shkenca e “gastronomisë”, por Erina nuk e ka
hallin e përbërësve kimik a biologjik të gjërave ushqimore, ta zëmë për
sheqerin dhe kripen, ajo si poete me një fantazmë dhe imagjinatë të paparashikueshme
trajton raportet ndër(njerëzore?!) të këtyre substancave, aspekti i ndikimeve
të tyre në organizëm, për mungesën e njërit a tjetrit sa dialogu dhe konflikti
ndërmjet tyre u dashtë “gjykatësit çështjen për t’ia kaluar”. Argumente
e kundër argumentet, të njërës palë, dhe palës tjetër të përfytyrojnë
konfliktin partiak të ditëve tona, në kurthin e të cilit ranë naivitetet,
pikërisht atëherë kur kompromisi u gjet dhe atëherë kur u kuptua se nuk ruhet
baraspesha, pasi nuk bënë as pa krip e as pa sheqer, madje siç thotë ajo:
Se dhe
jeta është e tillë
Ëmbëlsi me
pakëz kripë
Faqe 111.
E në këtë cikël e kemi edhe
një pozi të bukur ku ajo bëhet “Fli për një fli”, pastaj poezitë: “Monologu
i çajit”, “Revolucioni i specave”, “Pse s´e ha piten me kungull”,
“Mish dhe armiq të tjerë”, “Çamçakezi” dhe “Misteri me shumë
shije”, të cilat shpalosin një botë përplot imagjinatë, kurse poezia thotë:
Erinë Rrahmani ka dëpërtuar thellë në psikologjinë dhe fantazinë, andaj
ngjarjet me lehtësi i kthen në poezi!
EPILOGU:
Tani po i rikthehem mendimit
të bardit të letërsisë për fëmijë Rifat Kukaj, të cilin e sallo në fillim të
librit ku ai kishte thënë se “Nuk thuhet, por mendohet se poetët për
fëmijë nuk janë shkrimtar?!”. Pikërisht libri i Erinë Rrahmani, “NATËN E
MIRË HËNË“, i heq këto dilema! Pasi ne mendojmë se shkrimtar me emër, (por që
shkruajnë vetëm poezinë për të rritur), e kanë të pamundur me e zhvilluar këtë
imagjinatë, kur dihet se pa të nuk sendërtohet një nivel i arrirë i poezisë për
fëmijë. Erinë Rrahmani këtë e ka bërë, madje atëherë kur është në fillimet e
fëllimeve të karrierës së saj, prandaj nëse i ndodhë heshtja dhe shpërfillja e
kritikës letrare, ajo nuk duhet të brengoset. Kjo brengë të mos i bëhet
preokupim krijues, sepse edhe shkrimtarë të mëdhenj e kanë përjetuar në shpirt:
heshtjen, injorimin dhe shpërfilljen e kritikës, madje edhe injorimin se gjoja
“poetët për fëmijë nuk janë shkrimtarë”.
Pa dyshim, me këtë libër,
Erinë Rrahmani, është dëshmuar si një shkrimtare, e mirë, e talentuar dhe
njëkohësisht e Madhe!...