Mendime
Ibrahim Kabili: Treshja institucionale me tre Jo-të e fuqishme ringjall shpresë
E merkure, 10.11.2021, 07:00 PM
Treshja institucionale me tre Jo-të e fuqishme ringjall shpresë...
Nga
Ibrahim Kabili
Ringjall
shpresën se diçka do bëhet për konsolidimin e shtetit të ri dhe të brishtë të
Kosovës. Ringjall shpresën se tre institucionet më të larta të shtetit janë në
harmoni të plotë midis tyre. Ringjall shpresën se tre drejtuesit kryesor kanë
pak a shumë të njejtin qëndrim për problemet kardinale të Kosovës. Të ringjall
shpresën në lidhje me qëndrimet në
bisedimet me Serbinë. Të ringjall shpresën dhe të mbush me optimizëm
pasi i kanë thënë dhe po i thonë, JO:
Open Ballkanit; Ndarjes së Kosovës apo shkëmbimit të territoreve; Krijimit të
Asociacionit të Komunave me shumicë serbe me kopetenca ekzekutive. Të ngjallin
shpresë pasi ndryshe nga ish-komandantët po i japin një tjetër dimension
drejtimit të shtetit. Të japin shpresë se vendimet merren nga institucionet dhe
jo nga individët.Të japin shpresë se Kosova do arrijë të forcohet edhe më shumë
në arenën ndërkombëtare... Kjo nuk është e lehtë, është një sfidë e gjatë
dhe tepër e vështirë, por jo e
parealizueshme... Kjo treshe po nuk u "kap", dhe po nuk ndryshoj
qëndrim në lidhje me qasjen në dialogun me Serbinë, është në rrugë të mbarë.
Kjo përbën një vlerë të fuqishmme për Kosovën, njëkohësisht një barrierë të pa
kapërcyeshme për Serbinë. Të tjerat i bëjnë të mëdhejtë, i bën Amerika.
Natyrisht një politikë e tillë ka edhe kostot e veta... Kosto që i marrin
njerzit e punës... Shpesh ato janë në shënjestër të atyre që nuk punojnë dhe
abuzojnë. Kështu u penalizua edhe Vetvendosja. Fjala është për rezultatin shumë
të dobët të saj në zgjedhjet e fundit të tetorit për pushtetin lokal ku ajo nuk
mori asnjë Komunë! Paradokse shqiprare kanë ndodhur dhe ndodhin shpesh me
shqiptarët andej dhe këtej kufirit! Megjithatë sovrani vendos. Ndoshta Qeveria
Kurti II duhet të ndryshojë diçka, duhet të ndryshojë qasjen për shumë probleme
të brendëshme, të shpejtoj reformat, të luftoj korrupsionin, të vej me pranga
pas hekurave abuzuesit, të bëjë aktpaditë për krimet dhe gjenicidin serb në
Kosovë. Të bëjë, e të bëjë shumë më tepër për shumë probleme të Kosovës... E
megjithatë duke e parë problemin në kompleks e krahasuar me bëmat e disa
paraardhësve të tyre, mendoj se kjo është treshja më serioze e drejtimit të
institucioneve të Kosovës që erdhi në pushtet nga fitorja plebishitare e
Vetvendosjes në zgjedhjet parlamentare. Fjala është për tre shtetarët e sotëm
të Republikës së Kosovës; Presidenten Osmani, Kryeministrin Kurti dhe Kryetarin
e Kuvendit Konjufca. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe... Kurti u largua nga
pushteti në mënyrë arbitrare dhe jo demokratike. Një dorë të fortë ja dhe
Grenell, dorën tjetër Beogradi me aleatët historik të tij, dorën tjetër ish-
komandantët me luftën e egër dhe anadollake për pushtet... Populli e
rivlerësojë Kurtin përsëri dhe e nxori në krye të vendit... E drejta vonon por
nuk harron... Kush më mirë se populli e
thotë këtë? Askush! Po, ai vendos. Vendos me votë. Le të shohim se çfarë do
ndodhë me rezultatet e balotazhit. Ato do jenë një provë... Një provë e
vështirë për treshen aktuale të shtetarëve të Kosovës... E pavarësisht kësaj,
tre Jo-të unanime të treshes serioze në mendimin tim, janë vendimet më të
drejta dhe shpëtimtare për Kosovën e pavarur dhe ekzistencën e shtetit të saj.
"OPEN BALLKANI" si ide Serbe, e asgjëson përfundimisht shtetin e
Kosovës. Përse? Sepse Serbia nuk e njeh Kosovën. Për rrjedhojë kjo e fundit
sipas tyre mbetet nën kufirin admonistrativ të
Serbisë. Pra të dashur bashkëkombas të mi vendimi i Qeverisë për mos
pjesmarrje në këtë nismë të vjetër por e veshur me ngjyra të reja, është
UNIKALE për Kosovën dhe shtetin e saj. Nuk ka zgjidhje tjetër më të drejtë, më
parimore, më atdhetare.
Nuk
është çështje kosi, qumështi, leshi, preshi pasi këto janë gjëra të vogla. Nuk
është edhe çështje autostrade, hekurudhe e gjëra të mëdha që duhen; por është
çshtja më e madhe: Njohja reciproke... A e bën Serbia këtë? Natyrisht, në
mendimin tim,JO. Atëherë cila është rruga që duhet të ndjekë Kosova? Rruga e vetme është REFUZIMI me neveri i
kësaj nisme që asgjëson Kosovën e Pavarur dhe e "fut" atë nën Serbi.
Kjo nismë është shumë e rrezikshme për gjithë shqiptarët dhe për Shqipërinë
londineze; pa Kosovën prezente, pa i kërkuar ndjesë Serbia asaj, pa ndodhur
njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo nismë vendos hegjemoninë serbe
dhe ruse në Ballkanin Perëndimor, ku "ligjin" me Open Ballkanin e bën
i fuqishmi. Këtë besoj nuk duhet ta pranojë edhe miku më i madh i shqiptarëve
Amerika. Unë shpresoj shumë te Ajo... Në vend të Open Ballkanit duhet të ishte
përqafimi i proçesit të Berlinit. Edhe këtu qëndrojnë problemet e mësipërme por
garant do ishte Gjermania apo "amerika evropiane" siç thuhet, së
bashku me SHBA-në. Në "Open Ballkanin", garant ështe Serbia dhe
mentorët e saj; Rusia dhe Kina. Kosova t'ia dijë për nder "Treshes"
që në unison i thanë Jo Ballkanit të Hapur... Nuk ishte kjo situata me
qeveritarët e "djeshëm" atje, apo Jo? Njëri rrihte mbi thua, tjetri i
binte patkoit... Kështu ndodhi "atëherë" me ato "pushtetarët
paraardhës" që bënë pazare me Serbinë në lidhje me Asociacionin e Komunave
Serbe me kopetenca ekzekutive, ndarjen e Kosovës apo shkëmbimin e
territoreve... E kam ripërsëritur deri në kupë qiellit, për mua, kjo ishte
tradhëti kombëtare. Për fatin e mirë të Kosovës sot këto plane janë refuzuar
absolutisht nga përfaqësuesit e tre institucioneve më të rëndësishme të vendit,
nga Osmani, Kurti dhe Konjufca. Kjo është alfa dhe omega për politikën e
Kosovës nëse do ta ruaj pavarësinë dhe ta konsolidojë shtetin e saj. Të tjerat
janë gjepura. Janë gjellë të gatuara me helme me veprim të gjatë në kohë, po i
konsumove shkaktojnë vdekje të padiskutueshme. Unë mendoj se treshja e
sipërpërmendur e Kosovës duhet të mbështetet fuqishëm nga populli,
institucionet, intelegjenca, shoqëria civile, mediat etj. E të dy shteteve
shqiptare dhe diaspora. Kjo rrugë është
e vështirë, por duke patur me vete si mik të çmuar SHBA-në dhe shtete të
fuqishme të BE-së do realizohet me sukses. Në planin e brendshëm sfida është po
kaq e vështirë pasi Kosova ka shumë probleme që kërkojn? zgjidhje. E krahas
kësaj vështirësitë shtohen kur gjithë "makineria" serbe është hedhur
kundra Kosovës e sabotimit të shtetit të saj. Le ti mbështesim udhëheqësit e
Kosovës në sfidat e tyre tepër të vështira. Të shpresojmë se ato do jenë të
vendosur dhe nuk do ndryshojnë qëndrim për këto tema jetike për Kosovën e
shtetin e saj. Në të kundërt ata do humbin besimin e popullit dhe dështimi i
tyre do jetë i sigurtë. Unë besoj në të kundërtën. Jamë shpresëplotë në
realizimin e aspiratave të popullit të Kosovësn dhe forcimin e shtetit të saj.
Kjo është historia, këto mendime vijnë dhe imponohen prej saj.
Ibrahim Kabili
Tiranë më 09.11.2021