Mendime
Kimete Berisha: Një popull i zemëruar!
E marte, 26.10.2021, 07:20 PM
Një popull i zemëruar!
Nga Kimete Berisha
1. Ju kam treguar,
unë nuk urrej gjë më shumë sesa mentalitetin tonë. Jemi
primitivë dhe do të mbesim primitivë derisa ta pranojmë që jemi primitivë.
Vishemi si evropianë, kurse me mentalitet jemi mesjetarë.
2. Ju e dini, se Drejtësia në Kosovë nuk ka ekzistuar prej
pas luftës.
Drejtësi i thonë, por Ata janë 'ekipe ekzekutimi' që
veproinë me urdhëra nga mafia dhe nga nëntoka.
Drejtësia ka punuar dhe punon me urdhëra të mafisë politike.
Je fajtor, ose i pafajshëm, kjo varet nga mafia.
3. E shikuat burrin duke e rrahur një grua publikisht në një
market!
Sulmuesi mund të jetë i tërbuar, por Kush janë policët që
këtë sulm fizik e klasifikuan si 'lëndim i lehtë'!
Shiko çfarë u duket 'lëndim i lehtë' kriminelëve.
Me cilin sy i shikuan policët videon e tmerrit.
Me syrin e dhunuesit!
Pa qenë vetë dhunues, nuk të duket 'e lehtë' ajo pamje.
Pse ata policë ekzistojnë ende në vendet e punës!
4. Pastaj, mentaliteti, më i rëndë se dhuna.
A e dini kur të rrahin fëmija në mëhallë, e kur të kthehesh duke qajt në shtëpi, të rrahin edhe
t'shpisë, pse 't'kanë rreh'!
-- Pse e ke bë punën me t'rreh!
Shqiptarët e kanë një idiomë 'Burri i rrahur nuk del në
rrugë derisa ta kthen nderin në vend'.
Gruaja e sulmuar gjykohet nga mentaliteti edhe si viktimë:
-- Çka dojshe ti me shti kry e m'u rreh me hallk!
-- Na ke ba horë!
-- Pse nuk ja lshojshe rrugën, m'u bë që s'po ni'!
-- Pse u sillshe si tarakicë, e nuk e ulshe kryt!
Pra, përveç që u rrah papritur e pa u kujtuar në market, ajo
do të rrihet nga secili shqiptar, sepse sipas 'urtësisë shqiptare' budallës
duhet t'ia lëshosh udhën, dhe 'nuk shtin gruaja kry me burra'!
Më shumë dhemb kur thyhet shpirti se ashti.
-- Qysh me dal n'derë!
5. Unë personalisht mendoj se në momentin që del në rrugë,
duhet të sillesh si majmuni i mençur japonez 'Nuk dëgjova, nuk pashë, nuk
fola'!
Sepse, rrugët tona janë bërë senatoriume të çmendurisë:
-- të çmendurit janë të lirë;
-- të varurit nga substancat narkotike -janë jashtë
kontrollit;
-- qentë e çartur janë të lirë;
-- drejtësia është e mafisë;
-- Institucionet udhëhiqen nga hajnat dhe të paditurit;
-- e nën zingjir dhe të mbyllur janë veç njerëzit normal!
6. Është çliruar Kosova politikisht, por pa u çliruar nga
mentaliteti, nga primitivizmi, nga paragjykimet dhe nga nevoja për ta sunduar
më të pafuqishmin, nuk i thonë çlirim.
Çdo familje e ka një sundimtar që knaqet duke i sunduar të
pafuqishmit.
Çdo katund e ka një kufi, një asociacion, që të mbyt, të
vret, nëse ia shkel arën.
Çdo arë e ka një mexhë, ku flen djalli dhe ku e ka bazën
tragjedia shqiptare.
Dhe që është më e keqja, asnjë tokë nuk është në emër të
pronarit.
Pra, Kosova si shtet eksperimental ekziston, por shumica e
shtëpive shqiptare janë burgje, ku të zotët e shtëpive janë sundimtarë, e tokat
e sundimtarëve, ku i kanë ndërtuar shtëpitë, nuk janë në emrat e tyre!
Ne jemi primitivë.
Kemi qejf të sundojmë, kë të mundemi. Perendimi na njeh,
prandaj na nënçmon.
7. Në esenë e tij 'Mbi
zemërimin', Seneka tregon për një të djalë të ri i cili e kishte ofenduar disi
ndjeshmërinë e perandorit Kaligula. Kaligula e futi në burg.
Babai i djalit, me shpresën për ta mbrojtur të biri, i foli
perandorit dhe mundua t'ia zbus zemrën që ta falte.
Ndërhyrja e të atij pati efektin e kundërt, sepse Kaligula e
ekzekutoi djalin e tij po atë ditë.
Kaligula nuk u mjaftua me vrasjen e të të riut. E ftoi
babain e tij në darkë - për ta torturuar.
Seneka tregon:
“Kur ia mbyti djalin, të njejtën ditë e ftoi në darkë.
Pastori shkoi në darkë. Iu ofrua një gotë verë, dhe ia krijuan ndjesinë se po e
pinte gjakun e të birit të tij, që ende ishte i pavarrosur.
Babai u ul si një nga njëqind të ftuarit. Ishte i moshuar
dhe i dhimbshëm.
Piu verën e kuqe (me ndjesinë se po e pinte gjakun e të
birit), hëngri mishin (me ndjesinë që ia kishin krijuar se po e hante mishin e
të birit).
Nuk e derdhi asnjë lot, asnjë shenjë pikëllimi nuk e tregoi.
Perandori po e vëzhgonte me habi plakun që sillej sikur po e
festonte ditëlindjen e një fëmije.
Kur e pyetën Senekën 'Pse duroi ky baba?'
Seneka u përgjigj: 'Ai kishte një djalë tjetër.”
P.S. Goodbye forever!
https://www.facebook.com/kimete.berisha