Kerko: Resmi Osmani
Resmi Osmani: Gjuetia
E shtune, 16.10.2021, 06:52 PM
GJUETIA
“Të tjera hesape bënte
lepuri, të tjera gjuetari” - Populli
TREGIM NGA RESMI OSMANI
Bora kishte vene shtresë të
hollë. Petriti, i njohur me emrin Lenci, e ngiste motorrim ngadalë që të mos rrëshqiste. Parkoi
në oborrin e bar “Lorelain” që ishte buzë lumit Rin, në stacionin fundor të
tramvait. Bënte ftohtë. Hyri në bar. Ishte i pastër e plot dritë. Aty
ktheheshin ata që zbrisnin nga trami, kthenin ndonjë gotë sa për tu ngrohur dhe
delnin për të shkuar në punë të tyre. Ca çifte të rinjsh ishin ulur në stolat e
larta pranë banakut dhe në tryeza, ca të moshuar që ngrohnin eshtrat e mardhura
me pije të forta. Ai u ul në qoshen e djathtë, me pamje nga dera, që të shihte
Gretën kur të hynte. Pasi të përcillte vajzat në “punë”, e kishin lënë të
takoheshin aty, por ajo ende s’kishte mbërritur. Djali i shërbimit erdhi të
merrte kërkesën:
- Me se mund t’i shërbejmë zotrisë?
Porositii uiski me akull dhe
bajame të kripura.
Ja pruri. Uiski mdrinte në
gotë me reflekse të arta, në të pluskonin koklat opake të akullit. E ndjeu sesi pija e ftohtë i shkau
nëpër fyt, i zbriti në lukth dhe i ngrohu rropullitë. U ndje mirë. Hodhi sytë
nga ora e madhe e murit, po shkonte
dhjetë. Greta po vonohej. Melodia e lehtë që dukej se vinte nga një hapësirë e
largët i ndillte gjumë.
Ai nuk i pikasi të ardhurit
kur hynë në bar, veç kur ju fanepsën të dy si fantazma përballë tryezës. Ju pre
gjaku,iu mpi trupi, i iku çerja nga vendi
e sa s’iu ndal zemra. Ata, pa i kërkuar leje, u ulën në tryezë. I njohu,
ishin Xhoni dhe Maksi.
-Eh, më në fund! Sa na ke
lodhur e robtuar! Tri vite që të gjuajmë
si qeni me erë, tri vite që të kërkojmë,
shtet më shtet, qytet më qytet, sa herë të ram në gjurmë, ti skile dinake na
lije hijen. Dhe ja në ç’strofull qenke strukur aty ku s’e prisnim: në Bazel ,
ne kufijte e tre shteteve.
Ai që fliste ishte Xhoni. I
veshur me kostum lëkure të zezë, mjekër të plotë e mustaqe të varura. Kokën të
rruar, mbuluar me borsalinë feltri tiroleze, e zbukuruar me një pupël të
bardhë. Në sy kishte një dritë të verdhëreme, të keqe, fjalët me ashk inatçor,
shikimin zhbirues qëndrimin të tërhuzur
hakërrues e mujshar. Maksi ishte më i ri, flokëgjatë, me sy të bukur e pamje femërore, kapuçi i zi me xhufkë, i mbulonte edhe veshët.
-Je i vdekur. S’ke shpëtim.
Dënimi ka tre vjet që është dhënë. S’të shpëton dot as Zoti!
Heshtje. Petrit-Lenci nuk bzante. S’guxonte as t’a
shihte në sy.
- Më dhemb hala ajo plaga e
thikës që më ngule në brinjë, teksa im vëlla ka tre vjet që tretet e nuk gjen
prehje nën dhe. Hidhërimi për të ma ka helmuar gjakun, dhe zemërimi që ti je
ende gjallë, ma shqyen zemrën.
- Ishte për faj tuaj. Për
vetmbrojtje.
- Qepe halen! Ngreu dhe
hajde pas nesh! Do të të japim atë që të takon: gjaku lahet me gjak dhe jeta e
marrë paguhet me jetë! Hajd, përjashta!-urdhëroi Xhoni.
- Hiqe nga mendja, nuk dal
nga lokali- tha Lenci.
Xhoni, brenda barit, midis
njerëzve, nuk mund ta merrte dhunshëm. Ai mund të bërtiste, te kundërshtonte të
bëhej zallamahi dhe të çatiste policia. I bëri me nojmë Maksit,
-Kontrolloje. Çohu, ngriji
duart lart! Ashtu djalka trim.
Maksi e kontrolloi, deri te
çorapet.
- Është i “pastër”.
- Celularin!
- E mora, ja ku e kam.
- Sa mendon se do të rrijë i
ndryrë djalka trim? Në dymbëdhjetë bari mbyllet. Do s’do, djalka do të dalë. Do
të presim, e me këtë rast pimë ndonjë gotë, si përshpirtje për mortin tend -
tha dhe të dy shkuan e zunë vend në një tryezë pranë derës.
Djali i shërbimit shkoi të
merrte porosinë.
- Konjak të vërtetë, jo
armanjak, sill një shishe nga ato që nxejnë një kuart. Mos harro edhe
çokollatat.
Ora po shkonte njëmbëdhjetë.
Duhet të prisnin edhe një orë.
- Pse nuk e qërojmë dhe
fryjmë e bëhemi erë?-Pyeti Maksi.
-Jo -tha Xhoni. Nuk bëhet.
Durim, kemi tri vite që e presim këtë ditë. I shikon kamerat në të dy cepat e
mureve, do të filmojnë gjithëçka, pastaj janë klientët, boi i shërbimit. Do të
japin alarmin, do dëshmojnë, do të plasë berihaj dhe do të kemi mbi shpinë
gjithë policinë e Bazelit. Policisë së tyre zor t’i shpëtosh. Duhet të bëjmë
punë të pastër e të mos lemë gjurmë. E marrim në makinë, ngasim buzë lumit
drejt perëndimit, e qërojmë dhe e hedhim në Rin. Pastaj ja mbathim ose në
Francë ose në Gjermani, pa na hyrë gjemb në këmbë. Mos ia ndaj sytë.
- E pe si u prish në fytyrë,
si u zgërlaq? Shiftari po e sheh vdekjen me sy. Fjala vret njësoj si plumbi.
Përbrenda është i vdekur, një i vdekur i gjallë! Si i dënuari që prêt pushkatimin. Por agonia e tij s’do të jetë e
gjatë.
Kështu fjaloseshin të dy
gjuetarët, teksa gjerbnin konjakun që po u shijonte shumë, pa ia ndarë sytë
gjahut se mos bënte ndonjë lëvizje, se kushedi ç’i thoshte mendja.
Petrit-Lenci porositi edhe
një uiski tjetër. I kishte minutat të numuruara. Vdekja ishte aty, te tryeza
pranë derës. E frikshme e shëmtuar, e ngërdheshur, veshur me kostum lëkure të
zezë. Në trajtën e plumbave që do të shkreheshin nga tyta e revolverit. Do të
ishte vdekje e menjëhershme, pa dhimbje. Një ngushëllim cinik. E para gjë që i
erdhi ndërmend ishte e ëma dhe ati plak.
E kishin djalë të vetëm. Shpresa e pleqërisë. Kur të merrnin mandatën, si do
t’a gëlltisnin atë gotë farmaku? Dhe ai përfytyroi atë pamje të kobshme,
pikëllimin e pangushëllueshëm dhe përlotjen e vajtimin, rrënimin e tyre të
menjëhershëm, kjo vdekje do t’i kthente në gërmadha. Dhe trupi iu ftoh dhe
zemra iu drodh nga ankthi. E përse e gjithë kjo?
* * *
E risolli
ndërmend gjithë atë ngjarje të tre viteve të shkuar. Atëhere ai ishte në
Bruksel, në lagjen Molenbek. Një lagje rrokopujë, ku gjallonin njëqind e
pesëdhjet kombësi e fliteshin gjithë gjuhët e botës! Molenbeku si kulla e
babelit, me tërë racat: të bardhë, të zez, të verdhë!Një serrë ku ngrohej e
lulëzonte vesi, një xhungël ku bishat shqyenin e coptonin njëra-tjetrën.Sido që
me rrezik, fitohej mirë. Malli që shpërndanin vinte nga Afganistani, Pakistani,
Turqia, Kolumbia…. Molenbeku ishte
kanceri që i shtrinte metastazat në tërë Brukselin e ca më larg. Atë pasdite u
takuan me Zhanin ,korçarin, te atomiumi dhe u ulën në stolat e lulishtes veshur
krejt me begonia të kuqe. Aty erdhen edhe dy të panjohur për të, por që Zhani i
njihte. I paraqiti si Xhoni i Madh-bosi, dhe Majklli, të dy vëllezër.Xhoni
rreth të dyzetave , ylli në ngjitje i tregut të shumicës. Ishte një nga të
“fortët”. Askush nuk guxonte t’ia bënte fjalën dy. Në lagje ishte një nga
padronët e së paligjshmes. Ata u kapën me Zhanin për një borxh të pa kthyer,për
mallin e shitur, që thoshin se ishte tridhjet mijë euro. Zhani nuk kishte që
t’ia kthente. U shamatuan, Bosi, i tha se nuk e vinte kokën nën satër, për ca
bythëdhjerë shiftarë si ai. Paratë dhe pikë! Deshën ta merrnin peng. Atëhere
ndërhyri Petriti:
-Sa kohë
është me mua, mos guxoni t’i prekni një
qime!
-Pa shiko
mor Majkëll, djalka na qënka trim dhe shok për kokë!
-Do t’a
shohim- tha Majklli, mua më duket frikacak i dhjerë, dhe nxori revolverin. –Pa
ta shohin tani! Hipni në makinë, në ndenjësen e prasme, në s’doni tu fiket
jeta!
Ata, të
befasuar nga udha që mori kjo ngjarje, nën kërcënimin e armës, hipën. Makinës
një Citroen flake i ri, i jepte Majklli. Xhoni u ul në ndenjësen e prasme, anash
dy të penguarve, mori revolverin e të vëllait dhe i mbante nën shënjestër, me
gishtin në këmbëz.
- Ku po na
çoni ?- pyeti Zhani.
-Te vendi.
Ose lekët ose jetën. Edhe këtij djalkës trim, do t’i tregojmë sa i vlen lëkura!
Makina po
merrte për nga periferia lindore e qytetit.Trafiku dhe këmbësorët u pakësuan. Petriti kuptoi se po shkonin si
cjapi te kasapi,e po dy duar për një kokë, të vdekur se të vdekur! Nxori
vrulltaz thikën nga brezi dhe i dha Xhonit, sa i hante krahu, një goditje në brinjë.
Ai buluroi si demi kur e therin: ”Ah qen më vrave” dhe u plandos mbi ndenjësen
e parë. Revolveri i ra nga dora. Lenci e mori revolverin dhe ja vuri në rrëzë
të veshit Majkllit. Zhani hapi derën dhe i dha një të shtyrë Xhonit që u
plandos në asfalt i mbytur në gjak. Majklli frenoi dhe zbriti rrufeshëm me nje
levë në dorë dhe iu vërsul Petritit. Ky shkrehu revolverin. Plumbi e mori
Majkllin në kokë dhe ra plasur….. Majklli vdiq në vend. Ata të dy i grahën
makinës dhe u bënë erë, diku e braktisën makinën dhe humbën në labirintet e
getos së periferisë.
Xhoni pas një ndërhyrje
kirurgjikale i shpëtoi vdekjes. Që atëhere ai i është vënë në ndjekje.
Zhani iku në Amerikë.
Petrit-Lenci, i paditur dhe tashmë i skeduar nga policia, erdhi rrotull vendeve
të Beneluksit me pasaportë dhe identitet të rrem, pa zënë askund vend, deri sa
u vendos qysh prej gjashtë muajsh në Bazel…..
Ashtu i përhumbur, nuk e
vuri re Gretën që i qëndroi përballë. E bukur si gjithmonë.
- Hello Lenc. - Hoqi
xhupin, kapuçin me ca cufla bore, i vuri
në shpinoren e karriges dhe u ul. Asaj
s’i shpëtoi tronditja e tij- Si janë punët, i dashur, ç’e ke atë çehre?
- Keq. Kanë ardhur të më
vrasin.
- Si, kush? Ç’po thua!
- Ata dy tipat te tryeza
pranë derës, të veshur me kostume lëkure. Do ta bëjnë kur të mbyllet bari. Janë
vrasës profesionistë dhe su dridhet dora.
- Dhe ti e thua kaq qetë?
Pret si kau në thertore që të të vrasin?
- Nuk kam ç’të bëj, kam tri
vjet që u iki dhe ata më ndjekin, siç ndiqet një kafshë në xhungël! U lodha.
Boll më! Rrethi është mbyllur, s’ka asnjë shteg.
-Po i telefonoj menjëherë
policisë- tha dhe nxori nga çanta celularin.
- E ke kot, jemi nën
vëzhgim, nuk do të të lejojnë.
Ashtu ndodhi. Ky veprim nuk
i shpëtoj syrit të Xhonit. Arriti me tre hapa.
- Zonjushë, ma jepni
celularin!- ja rrëmbeu brutalisht nga dora-Po të dhimbset koka, mos bëj asnjë
veprim.
Ajo u step. Mendoi të dilte
nga bari dhe të njoftonte në rajonin më të afërt të policisë, por Lenci nuk ja
këshilloi.
Djali i shërbimit erdhi të
merrte porosinë.
- Të lutem, një kafe
amerikane.
Kur djali solli kafen dhe
bëri urimin e zakonshëm “ju bëftë mirë”, dhe si përgjigje mori një
“faleminderit”, teksa u nis të largohej drejt banakut,Petrit- Lencit i
shkrepi në tru një shkëndijë që i
ndriçoi mendjen.
-Prit pak, të lutem. - Djali
u afrua – mund të ma huash pak celularin?
Djalit që s’i kishte
shpëtuar çasti kur dy të huajt e kontrolluan Lencin, hezitoi.
-Më vjen keq zotri, por nuk
dua të kem telashe.
-Asnjë telash - dhe uli mbi
tabaka një kartmonedhë njëqind frangëshe. Djali nuk po jepej, edhe një
kartmonedhë tjetër. Djali nuk i shpëtoi dot tundimit dhe miratoi me kokë- veç
me kujdes, të mos duket. Djali e pështolli me pece dhe e uli në tabaka teksa po
ngrinte filxhanin dhe bëri sikur po pastronte tryezën.
- Zonjusha do t’a lerë në
tualetin e femrave. Atje do t’a gjesh. Mirë?- Djali miratoi me krye.
Petrit- Lenci prapa faturës,
shkroi një numur dhe pa e ngritur nga tryeza e shtyu drejt Gretës. Është i Bertit. Çoi një mesazh. Të
sjellë urgjent një armë dhe ta lerë në tualet. Këta nuk e njohin. Të mos
komunikojë me mua kur të vijë. As më
njeh as më ka parë.
Greta hyri në tualetin e
grave dhe bëri atë që duhej. U kthye,veshi xhupin, vuri kapuçin, mori çantën.
- Gjithsesi unë po dal- tha
ajo.
- Mos! Ata nuk kanë për të
të lejuar.- Por ajo doli.
Pa që asaj iu qep pas Maksi.
Desh ti dilte krah, por me të dalë jashtë pragut ata do ta vrisnin. Nuk kaloi
gjatë dhe Maksi u kthye. Pyetjes me vështrim të Xhonit iu përgjigj me një pohim
të kokës.Bisedë pa fjalë.
Ç’mund t’i kishte ndodhur
Gretës?
Ora po i afrohej
dymbëdhjetës. Pak e nga pak bari po boshatisej. Petrit-Lenci shpresëhumbur,
s’ja shqiste sytë derës. Ai frymoi thellë kur Brenda hyri Berti, që e pa por
bëri sikur s’e njihte. U ul te stolat e lartë përballë banakut dhe mori një
pije, e rrëkëlleu me një të kthyer dhe shkoi në tualet. Pastaj si një i ngeshëm
e i pa interesuar iu drejtua daljes.
Lencit i djersinë duart dhe
i hipi një zjarrmi në trup, por e mblodhi veten. U drejtua për në tualetin e
meshkujve. Berti, revolverin, e futur në një qeskë letre, e kishte vendosur në
pezulin e mermertë të dritares së ajrimit. Ishte i mbushur, me fishek në gojë
dhe siguresë të hequr, gati për tu shkrehur. E futi në xhepin e xhupit. U kthye
në tryezë, thirri djalin dhe pa u ulur bëri pagesën. Kishte ardhur çasti.
Pritja e ankthshme kishte marrë fund, por jo vetë ankthi. Ose ai,ose ata!Të
tilla ishin rregullat e lojës! Zgjidhje tjetër nuk kishte. Në vend të nënës së
tij, le të qanin nënat e tyre! Me hap të sigurtë, u nis drejt tyre. Nuk deshi
t’u linte ndjesinë se kishte frikë.
- Ejani dhe bëni atë që keni
për të bërë.
Ata brofën hovshëm, si ti
kishte shtyrë një sustë, dolën nga dera dhe e vunë në mes. Xhoni i shtrëngoi
krahun e majtë dhe e drejtoi për nga makina, që ishte e parkuar në fund të
oborrit, teksa me të djathtën mbante revolverin. Kur iu afruan makinës, dhe
Maksi shkoi të hapte dyert, Petrit-Lenci rrufeshëm nxori revolverin dhe ia
zbrazi Xhonit në gjoks, drejt e në zemër. Ai s’arriti as të nxirte zë. Pastaj
iu derdh Maksit, që ndali makinën dhe zbriti, ishte i paarmatosur.
- Aman, mos më vra! Do të
jap çtë kërkosh e sa të kërkosh! Fliste i lebetitur me zë të përvajshëm. Lenci
e qëlloi në kofshë. I plasi gjaku.
- Ç’i bëre vajzës? Folë mor
ndyrësirë!
- Asgjë të keqe. E ke në
bagazh. Shëndosh si kokrra e mollës.
Gretës ia kishin shtuposur
gojën me shami dhe e kishin lidhur këmbë e duar. I liroi gojën dhe e zgjidhi.
- Të kanë lënduar?
- Jo jam e mpirë, më vjen të
vjell nga era e benzinës së shamisë.
- Shpejt të ikim sa pa çatisur
policia.
U kthye nga Maksi që lutej.
U nderdysh.S’ishte rasti për keqardhje,
s’duhej të mbetej dëshmitar i gjallë, dhe po të mbetej, ai sa të ishte
në jetë, do t’a kishte pas shpine, do t’a ndiqte që ta vriste për hakmarrje.Jo.Vdis
ti që të jetoj unë! E gjuajti dy herë në kokë.
Ndezi motorrin dhe me Gretën
prapa, që mbahej fort pas belit të tij i dha gaz dhe u turr përpara me uturimë
e tërë shpejtësinë. I përpiu errësira, që është mbulesa më e mirë e punëve të
zeza.
Në oborrin e bar”Lorelain”
mbetën të shtrira dy kufoma, gjaku i të cilave skuqi borën që kishte vënë
shtresë.
Barmani lajmëroi policinë.
Klientët u larguan me shpejtësi se nuk donin të përzjeheshin si dëshmitarë e të
kishin të bënin me policinë.
* *
*
Në lajmet e mëngjesit,
televizioni i Bazelit dha lajmin që në bar Lorelain, kishte dy viktima, të
cilat u identifikuan si Zllatan Lekiç ,alias Xhoni dhe Zvonimir Andriçi, alias
Maksi, të dy serbë, rezidentë në Belgjikë
dhe me precedent penalë. Vrasësi nuk dihet. Besohet se është bërë për
larje hesapesh midis bandave të narkotrafikut dhe prostitucionit. Hetimet
vazhdojnë.
Tetor-nëntor 2017.