Mendime
Florim Zeqa: Letër e hapur kryediplomates Donika Gërvalla
E merkure, 28.04.2021, 08:44 PM
Letër e hapur kryediplomates Donika Gërvalla
Shkruan:
Florim Zeqa
E
nderuara Donikë, e respektuara ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
kryediplomate dhe zv. kryeministre e parë e Republikës së Kosovës.
Kam
nderin dhe kënaqësinë t'iu drejtohem publikisht me kërkesa të hapura, në mos
për zgjidhjen e menjëhershme e të gjitha problemeve të mërgimtarëve, të paktën
t'u hapni rrugë dhe t'i futni në procedurë të zgjidhjes disa prej tyre.
Kërkesa të sinqerta në
vesh të shurdhër
Përgjatë
10 vjetëve të fundit, hiq më pak se pesë herë ju kam drejtuar publikisht
institucioneve të shtetit tonë për zgjidhjen e disa prej problemeve të mërgatës
sonë në shtetin italian, dy prej të cilave ishin kontakte direkte me zyrtarët
shtetërorë.
Adresimin
e parë publik e bëra më 13/12/2011 përmes shkrimit autorial "Të hapet
konsullata e Kosoves në pjesën veriore të Italisë", i botuar në të
përditshmen Bota Sot.
Takimi
i parë me zyrtarët e Ministrisë së Diasporës dhe atyre nga Ambasada e
Republikës së Kosovës në Romë ndodhi më 14/04/2013 në qytetin Treviso, pas të
cilit reagova me shkrimin autorial "Mërgimtarët, nga shteti i tyre
kërkojnë trajtim dinjitoz e jo privilegje!", i botuar poashtu në të
përditshmen Bota sot më 15/04/2013.
Adresimin
e dytë publik e bëra më datën 26/04/2013 me titull: "Letër e hapur
Ambasadorës së Republikës së Kosovës në Romë, zonjës Bukurije Gjonbalaj",
i botuar në të përditshmen Bota Sot.
Adresimin
e tretë publik e bëra më 05/06/2015 me titull "Letër e hapur ministrit të
Diasporës, zotit Valon Murati", i botuar në të përditshmet e shtypura Bota
Press dhe Kosova Sot si dhe në dhjetra portale kombëtare.
Kurse
takimi i dytë me zyrtarë shtetëror ndodhi më 11.06.2016 në Treviso (Itali) me
ish ministrin e Diasporës, Valon Murati në një aktivitet të mërgatës sonë.
Në
asnjërin prej adresimeve të sipërpërmendura publike nuk e kam marrë asnjë
përgjigje prej zyrtarëve përkatës të shtetit tonë!
Megjithatë,
më të dhimbshmet mbeten dy takimet direkte me zyrtarët e shtetit, nga të cilat,
jo vetëm që mbeta pa përgjigje, ky i fundit me ish ministrin e Diasporës, ishte
edhe skandaloz, ngase ish ministri në vend të zotimit për trajtimin e kërkesave
në qeveri dhe parlament, kërkojë që
kërkesat e mia (tona) t'iu nënshtrohen procedurave burokratike!
Pas
përgjigjes paradoksale të ministrit, një bashkatdhetar prezent në këtë takim,
kishte reaguar në këtë mënyrë; "O Florim vëllau, kot u mundove, ky nuk ka
ardhur ky për neve këtu, këta të qeverisë nuk mërziten fare për problemet tona,
mendjen e kanë tek paratë dhe..."!
Hapja e Konsullatës së
Kosovës në pjesën veriore të Italisë, kërkesë 10 vjeçare
Pas
kërkesës time për hapjen e Konsullatës së Republikës së Kosovës në pjesën
veriore të Italisë (Treviso), një grup bashkatdhetarësh kishte organizuar edhe
një Peticion me nënshkrimet e mijëra bashkatdhetarëve, por asnjëherë për këto
10 vite nuk u muarën në konsideratë kërkesat tona të arsyeshme nga
institucionet e shtetit tonë!
Arsyeja
e kërkesës për hapje të konsullatës në qytetin Treviso, është koncentrimi i
madhë i shtetasve kosovarë në këtë provincë me rrethinë.
Per
shkak të shtrirjes gjeografike të shtetit Italian, mërgata jonë nga pjesa
veriore duke filluar nga Trieste, Udine, Pordenone, Treviso, Vicenza...etj,
duhet t'i bëjnë hiq më pak se 500 deri në 800 km rrugë per të shkuar në Romë,
humbje e ditëve të punës e kosto të lartë të udhëtimit, andaj është nevojë
imediate hapja e një Konsullate të Republikes së Kosoves në pjesën veriore, ku
vetëm në Provincen e Trevisos me rrethinë llogaritet të jenë dhjetramijëra
shqiptar nga Kosova.
Të ndalet diskriminimi i
shtetasve kosovarë
Specifikat
e problemeve të mërgimtarëve në Diasporë ndryshojnë varësisht prej standardeve
demokratike të vendeve respektive, mardhënjeve ndërshtetërore dhe lidhjeve
miqësore që kanë me Republikën e Kosovës.
Vendi
ku unë jetojë së bashku me dhjetramijëra bashkatdhetarë-Italia, njihet si njëra
ndër vendet më të populluara të Bashkimit Europian me shtetas të Kosovës.
Numri
i saktë i mërgimtarëve kosovar në ketë shtet nuk është bërë i ditur asnjëherë
shkaku i trajtimit jo adekuat nga shteti Italian, i cili herë na trajtonte si
jugosllav, herë serbë, e herave tjera serbomalazez e më së paku na trajtonte si
shqiptar të Kosovës!
Pas
shpalljes së pavarësisë, gjegjësisht të njohjes ndërkombëtare të Kosovës,
menduam se i erdhi fundi këtij trajtimi të pazakont e të padrejtë të shtetasve
kosovar nga autoritetet italiane.
Mirëpo
për fat të keq, odiseada e keq-trajtimit të shtetasve kosovar po vazhdon edhe
në ditët e sotme. Madje kohëve të fundit, shteti italian është duke përdorur
standarde të dyfishta dhe selektive ndaj shtetasve kosovar.
Varësisht
prej regjioneve, provincave dhe komunave, disave ua njehë pasaportën dhe kodin
shtetëror të Kosovës (160), ndërsa tjerëve pasaportën, por jo edhe kodin
shtetëror. Një ndarje paradoksale e "Codice Fiscale" ndodhë edhe
brenda antarëve të së njëjtës familje!
Zëvëndësimi
i kodit të Kosovës (160) me atë të ish-Jugosllavisë (118), dhe vënja e siglës
"YUG" në letërnjoftime dhe lejet e qëndrimit (Permesso di soggiorno),
i ka vënë në lajthitje të madhe bashkatdhetarët, të cilët bredhin poshtë e
lartë nëpër zyrët e "Agenzia delle Entrate" në kërkim të zgjidhjes së
këtij problemi sa kompleks po aq të dëmshëm për të ardhmën pensionale.
Shumica
e bashkatdhetarëve janë duke e përcjellë në heshtje ketë problem, por ka edhe
të atillë që ju drejtohen zyreve legale (Avokatëve), nga të cilët
"rrjepën" pamëshirshëm si pasojë e këtij paradoksi administrativ të
shtetit italian.
Shqetësues
mbetët fakti, sesi sigla e një shteti të vdekur (Jugosllavia) u vëhet vetëm
shtetasve të Kosovës, por jo edhe serbëve, kroateve, boshnjakëve dhe
maqedonëve...
Ky
diskriminim ndaj shqiptarëve të Kosovës është që nga paslufta, nga koha e
pasaportave të UNMIK-ut, i cili vazhdoi edhe më pasaportat e Kosovës, dhe për
fat të keq po vazhdon edhe tani më pasaportat biometrike të shtetit të Kosovës.
Është
momenti i fundit që të ndalet ky trend i keqtrajtimit të shtetasve kosovar nga
autoritetet italiane.
Problem
tjetër serioz për shtetasit e Kosovës është edhe udhëtimi i prindërve më
fëmijët e posalindur nga Italia për në Kosovë.
Edhe
pse më dokumente valide, çertifikata të lindjes, leje qëndrimi të rregulluara
për fëmijët (Permesso di Soggiorno), nuk ju mundësohet fluturimi nga aeroportet
italiane për në vendlindje pa nxjerrjen edhe të një fletudhëtimi nga Ambasada e
Kosovës në Romë.
Kësisoji
shqiptarët e Kosoves që jetojnë e veprojnë përkohesisht në pjesën veriore të
Italisë, për shkak të shtrirjes gjeografike, ia mësyjnë Ambasadës së Republikës
së Kosovës në Lubjanë (Republika e Sllovenisë) për rregullimin apo nxjerrjen e
ndonjë fletudhëtimi për fëmijët e posalindur në Itali.
T'i largoni fasadat
mashtruese, trajtoni me dinjitet mërgimtarët
Ka
vite dhe dekada që diaspora është e anashkaluar, mbase edhe e harruar nga
pushtetarët. Fasadat mashtruese përmes pankartave gjigante "Mirë se vini
bashkatdhetarë" dhe "Ditët e Disaporës", bëhen për ta mbuluar
plaçkitjen e sistematike të mërgimtarëve.
Diaspora
ka nevojë për trajtim dinjitoz në vendlindje, duke filluar nga hyrja në pikat
kufitare, me heqjen e barrierave të krijuara në formë "gjobe" mbi
sigurimin e automjeteve, të marrjes së "mitos" për nxjerrjën e
dokumenteve e deri tek format e "haraqit" për bizneset familjare!
Mesazhi
i vërtetë i pankartave gjigante "Mirë së vini bashkatdhetarë", i
përkthyer në gjuhën e mërgimtarëve të plaçkitur i bie: "Po vjen cjapi të
kasapi". Kështu jemi bërë ne bashkatdhetarët që vijmë të ç'mallemi më
vendlindjen tonë. Dikund më pak e dikund më shumë, për çdo ditë jemi rrjepur
nga qeveritë paraprake për "shërbimet" qe na i ofron i yni gjysëm
shtet!
E
nderuara ministre Gërvalla, është tepër e dhimbëshme kur dëgjon një
bashkatdhetar tëndin të dëshpruar më pritjen në Kosovë, kur thotë: "që sa
vite nuk isha në Kosovë, por edhe në mos u kthefsha më kurrë malli s'më merrë
për ketë vend të mallkuar".
Qoftë
ky dëshprim edhe i vetëm një bashkatdhetari duhet të jetë shqetësim për ju si
qeveritarë të rinjë, prandaj vëni gishtin kokës e mendoni pak më thellë për
pasojat dëshprimit të bashkatdhetarëve!
Të
jeni të kujdesshëm nga besimi i marrë nga mërgimtarët dhe të vëmendshëm nga
mallkimi i tyre. Sa më të kujdesshëm që të jeni ndaj mërgimtarëve, aq më komod
do të ndjeheni në qeverisjen e vendit. Në të kundërtën, mosukujdesi ndaj
mërgimtarëve mund t'iu kthehet në bumerang, siq ju kthye pushtetarëve
paraprakë.
Qasja
në mënyrë institucionale dhe pa pengesa burokratike ndaj mërgimtarëve dhe
trajtimi dinjitoz në vendlindje do të ndikonte tejet pozitivisht në kthimin e
besimit dhe rritjen e dashurisë ndaj shtetit nga ana e mërgimtarëve.
"Ligji Gërvalla për
mërgatën" që ju reziston ndërrimit të pushteteve
Politikanët
në pushtet dhe opozitë i kanë borxh qytetarëve dhe mërgimtarëve për zhvillimin
ekonomik dhe krijimin e stabilitetit politik, krijimin e kushteve për investime
dhe zhvillim të lirë të veprimtarive afariste konformë ligjeve dhe normave
demokratike.
Prandaj,
ju si pushtetarë të rinjë e keni rastin historik që me veprime të përgjegjshme,
të krijoni stabilitet politik dhe ekonomik, të krijoni infrastrukturë ligjore
që mbronë pronat dhe pasuritë e ligjshme të qytetarëve, e në veçanti pronat e
mërgimtarëve të cilat vjedhen dhe plaçkiten pamëshirshëm prej hajdutëve
ordinerë të mbështetur nga krimi i organizuar.
Prandaj,
u bëjë thirrje publike që që ta rregulloni me ligj mbrojtjen e pronave të
mërgimtarëve dhe t'i lironi ata nga tatimi për shtëpitë e ndërtuara pas lufte, të cilat i shfrytëzojnë
një muaj në vit ose më pak, e jo të vraponi vetëm pas Ligjit për Zgjedhjet e
Përgjithshme që mundëson thithjen e votave të mërgimtarëve për qëllime
pushtetore (siq e kërkon kryeministri Albin Kurti).
Ju
ftojë publikisht që ta iniconi nxjerrjen e një ligji që e ndalon haraçin legal
22 vjeçar që ushtrohet ndaj mërgimtarëve në pikat kufitare me policat e
sigurimeve, të cilat nuk u garantojnë dhe mbulojnë asgjë.
Ju
zonja ministre e dini mirë, që paratë që vjelen në pikat kufitare në emër të
"policave të sigurimeve" nuk përfundojnë në arkën e shtetit, por në
xhepat ish pushtetarëve paraprakë.
Po
ashtu ju ftojë ta ndaloni me ligj haraçin legal 22 vjeçar ndaj mërgimtarëve në
emër të përshpejtimit të nxjerrjes së dokumentave të udhëtimit (50 euro për
letërnjoftim dhe 100 euro për pasaport) si dhe të hiqen të gjitha barrierat
burokratike për nxjerrjen e dokumentëve tjera për mërgimtarët, të cilët, ditët
e çmuara të pushimeve i kalojnë duke pritur para sporteleve të administratës së
korruptuar.
Shpresoj
që kësaj radhe, kërkesave të arsyeshme të
bashkatdhetarëve t'iu jepni rrugën e zgjidhjes e nderuara minsitre
Gërvalla.
Zgjidhja e problemeve,
përmirëson imazhin e shtetit
E
nderuara ministre Gërvalla, angazhimi i juaj i menjëhershëm në zgjidhjen e
problemeve të sipërpermendura, do tua lehtësonte brengat e shumta të
mërgimtarëve në prag të pushimeve verore.
Pra,
arritja e shpejtë e një marrëveshje me autoritetet italiane për mundësinë e
udhëtimit pa pengesa të familjeve me fëmijë të posalindur drejt vendlindjes do
të ishte një ndihmesë e çmuar për bashkombasit tuaj, një akt human dhe
patriotik, për të cilën gjë do të mbaheshit gjatë në mendjet dhe zemrat e
bashkombasve tuaj në shtetin italian.
E
nderuara ministre Gërvalla, ju ftojë që në takimin e parë me homologun tuaj
italian t'i trajtoni problemet e ngritura në shkrim rreth trajtimit të
shtetasve kosovarë nga zyrtarët italian, kurse në mbledhjen e parë të qeverisë
t'i shqyrtoni mundësitë e hapjes së konsullatës në pjesën veriore të Italisë,
përkatësisht në Treviso.
Pra,
ligjin e kompletuar për mërgatën ta vëni si prioritetin numër një në agjendën
tuaj dhe sa më parë ta dërgoni para ligjvënësve për miratim në Kuvendin e
Republikës së Kosovës.
Propozoj
nga këtu, që ligji të quhet kështu; "Ligji Gërvalla për mërgatën", i
cili pa mëdyshje do t'i rezistojë kohës dhe ndërrimit të pushteteve siq ndodhë
në Itali, ku ligjet e mira u rezistojnë dekadave. Kësisoji do të mbaheshit
gjatë në mend e mbase përgjithmonë nga mërgimtarët e shpërndarë gjithandej
globit.
Ministre
e nderuar e Punëve të Jashtme dhe zv. kryeministre e parë e Republikës së Kosovës, kryediplomate Donika
Gërvalla, mbetem me shpresën që kjo letër e imja të gjejë vend në agjendën tuaj
si ministre dhe të bëhet pjesë e prioriteteve të Qeverisë së Kosovës.
Përvoja
juaj e gjatë në fushën e diplomacisë, jeta e gjatë në emigrim, përkushtimi dhe
dashuria që keni ndaj vendit dhe bashkatdhetarëve, më shtynë të besoj në ju që
do t'i merrni seriozisht kërkesat e parashtruara në këtë letër të hapur.
Ndihma
(institucionale) në zgjidhjen e problemeve dhe brengave të shumta të
mërgimtarëve do të çonte në krijimin e një imazhi pozitiv të institucioneve të
shtetit dhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe lidhjen e
fuqishme emocionale (shpirtërore) të mërgimtarëve me atdheun e tyre.