E enjte, 14.11.2024, 04:31 AM (GMT)

Shtesë » Historia

"Oxhaku", poezia me të cilën Diana Çuli çoi në pushkatim Genc Lekën

E marte, 25.11.2008, 12:26 AM


Sot më datën 19.11.1976 në Tiranë, unë Diana Çuli, redaktore për poezinë në organin letrar "Drita", organi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, sipas kërkesës së bërë nga ana e hetuesit të Degës së Punëve të Brendshme Librazhd, Selim Caka, me vendimin e datës 28.9.1976 për akt-ekspertimin letrar të disa materialeve letrare që i përkasin të quajturit Genc Leka.

Nga ekspertimi i bërë këtyre materialeve rezulton se:

Vjersha "Poezi pa titull" është një vjershë pesimiste, ku autori shpreh dëshpërimin që i ka kaluar jeta e fëmijërisë, e cila ka qenë e bukur për të, ndërsa tani nuk është më dhe, në jetën e tanishme, i kanë mbetur vetëm gërmadha dhe gurë. Dy vargjet e fundit "që flenë mes gurësh përgjithnjë në ëndrrat e mia" e shprehin qartë idenë se jeta e tij e tanishme nuk është aspak e bukur dhe se ëndërrat që kishte nuk iu plotësuan.

"Këngë për miqtë e parë". Kjo vjershë paraqet interes. Në katër strofat e para, autori flet për ca "miq", të cilët nuk i përcakton se kush janë. Këta miq vijnë në fshat dhe kur largohen, nëpër monopate mbeten gjurmët e tyre, pra mbetet kujtimi për ta. Kënga e këtyre miqve "tretet nëpër erë", pra zhdukej nuk e dëgjonte më njeri, kurse ata ecnin "natën nëpër rrugë". Autori kujton me nostalgji kohën kur ata vinin dhe i sillnin atij "veç gëzim". Duket se këta miq autori i ka parë kur ishte fare i ri në moshë (vargu "unë i vogël isha atëherë") dhe nuk i ka parë më, vargu "vitet shkuan, ne më s'jemi parë", këta miq të parë, siç i quan ai, e kanë frymëzuar, i kanë dhënë një flamur, vargu "Ju o miq më dhatë një flamur" pra një ideal, idera. Në strofën e katërt del se këta miq mbanin "Krahut maliher" dhe se "kishin parë shumë nga jeta dhe ishin trima me fletë".

Në strofat e tjera, që vinë më pas, dhe që i përkasin të njëjtës vjershë, por me një ndarje, sikur të jenë shkruar më vonë, karakteri i vjershës papritur ndryshon. Autori thotë se, këndon për ta me mall dhe se ata u bënë fli për lirinë, megjithatë janë përsëri gjallë. I quan çlirimtarë, u thotë "veç ta shihnit Shqipërinë si është bërë sot", po përsëri i quan miq të parë. Në strofën e tetë duket se bën fjalë për partizanët, me që flet se gjaku i tyre ishte fjala e Partisë, për ata që kanë luftuar për liri, për gjakun e tyre (fjala dëshmor, hero, partizan nuk përmenden) për fjalën e Partisë, për Shqipërinë sot. Por këto strofa bien në kontradiktë me strofën e parë, ku flitet për ca miq që ecin nëpër rrugë dhe u tretet kënga. Nga ana tjetër, nëse autori e ka fjalën për partizanët, pse i quan ata miq dhe aq më tepër "miq të parë", kur kjo fjalë nuk është përdorur ndonjëherë as në letërsi dhe as në popull, ata janë quajtur gjithnjë dëshmorë (vjersha është shkruar më 1962).

"Oxhaku", kjo vjershë ngjan disi me vjershën për miqtë e parë. Autori flet për oxhakun, rreth të cilit janë ulur shumë miq, po janë dëgjuar dhe këngë partizane. Oxhaku ruan diçka të shenjtë. Kjo diçka nuk përcaktohet. Gjithashtu, vargu "Dikur rodhën disa pika gjaku" është i errët, sepse nëse autori e ka fjalën për kohën e Luftës Nacionalçlirimtare, në atë kohë nuk kanë rrjedhur vetëm disa pika gjak. Ndërsa vargu "ky oxhak e dogji një pyll të tërë", nuk merr shpjegim në vjershë. Pse e dogjën pyllin? Kur, si, për ç'arsye.

"Kjo rrugë". Vjersha nuk është shumë e qartë. Autori flet për një rrugë malore, "me gjurma në zall", e cila humbet diku nëpër pyje dhe për të ai ndjen një mall të madh. Kjo nuk është rruga e shtëpisë së tij, sepse ai thotë që "fëmijët i lashë", pra po ikën nga shtëpia, por shpreson se një ditë dhe ata do të nisen drejt "rrugëve të reja". Rruga diku e çon autorin, por ai nuk e tregon se ku, gjithashtu nuk shpjegon pse ndjen mall për të. Ndoshta ajo i kujton mjaft gjëra të kaluara, të bëra në kohë më parë, ndoshta ajo e shpie drejt një mendimi të caktuar. Rruga mund të përfaqësojë edhe idetë e tij (se cilat janë nuk shpjegohet) ide që dikur i pati humbur dhe i gjeti përsëri.

"Rrethi i hënës". Kjo vjershë ka tingëllim pesimist. Duket se autori flet sikur i është nxirë jeta. Vargjet "o hënë pse dole kaq e trishtuar" mos vallë për mua, "hënë ti mban zi" tregon qartë për mendime të zymta. Në strofën e dytë duket sikur vjersha është shkruar për një vajzë që e braktis i dashuri, (dy vargjet e fundit të strofës së dytë), por në tërësi vjersha është pesimiste, shpreh trishtim dhe mërzi ndaj jetës.

"Cigani i vogël", vjersha është me dy kuptime i pari, jeta e vështirë e ciganit, i dyti, shpreh vështirësitë që mund të heqë në jetë njeriu dhe në të vërtetë ai e ka shkruar për këtë qëllim, sepse në vendin tonë s'ka më karvane me ciganë. Ai thotë: "Oh, fli, djalosh sa është natë dhe mos derdh lotë mbi lumë", pra se është jetë e zezë, më mirë fli e mos qaj, bëj sikur s'sheh, se do vij koha kur do të nisësh rrugën e gjatë e të lodhshme (pra koha për veprim). Cigani nënkupton vetë autorin, do eci vetë nëpër këtë rrugë (përpara është nisur karvani, pra shokët e tij), por nuk do të jetë kaq e lehtë, sepse do të hasë pengesa të shumta (vjeshta do të hedh sipër ciganëve gjethe e fletë).

"Harabelët" vjersha ka një farë alegorie. Me zogjtë që s'mund të jetojnë në dimër, mund të nënkuptohen njerëzit që jetojnë në një atmosferë të rëndë dhe kërkojnë të largohen (si zogj në vende të ngrohta, pra, duan qiell pa re (jetë pa vështirësi). Megjithatë, zogjtë e duan këtë vend (si njeriu atdheun) dhe, edhe pse është keq, ai nuk do të largohet prej vendit të tij (si zogjtë që kthehen përsëri).

Vjershat "Fillim pranvere", "Milingonës", "Lumes", "Viti i ri", etj., nuk paraqesin ndonjë interes.

Siç shikohet nga vjershat që bëhet fjalë më sipër apo nga vargjet që citohen, autori shkruan me një frymë pesimiste, shpesh dëshpërim, kujton me nostalgji të kaluarën, bën aluzion për një të ardhme dhe shkon me alegori, gjë që tregon se ai ka një tronditje të theksuar ideologjike ose vetë autori nuk është i kënaqur nga realiteti i sotëm dhe quan të rëndë ambientin ku jeton, se për të është mbytës dhe i padurueshëm, prandaj kërkon rrugë për të dalë.

DIANA ÇULI

Firma




GENC LEKA

OXHAKU

Bora mbulon tokën e gjërë,
Dhe natyra duket në gjumë;
Ky oxhak e dogj një pyll të tërë,
Ky oxhak ka parë ngjarje shumë!…

Dhe kur shpesh fryn era dimërore,
I kujtohen këngë partizane.
Miq… biseda… gjurma… flokëbore,
Gjithçka që mbeti kësaj ane!

Ndaj oxhaku tymin nxjerr përpjetë,
Si një plak që qetë pi duhan…
Në mendime bije nëpër netë;
Dhe në shpirt diçka të shtrenjtë mban…

E, sa gjurma mbetën kësaj ane
(E, sa miq ka pritur ky oxhak…)
Këtu rrodhën këngë partizane
Diku rrodhën disa pika gjak!…

Bora prap mbulon tokën e gjërë,
Prap natyra duket si në gjumë;
Ky oxhak që dogj një pyll të tërë,
Është i thjeshtë, por ka parë shumë!…

4.12.1965



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora