E enjte, 31.10.2024, 11:57 PM (GMT)

Kulturë

Yllka Mujo

E merkure, 01.03.2006, 09:21 PM


Nje dite do te shkruaj femijerine time
 
Yllka Mujo
Ruan akoma nurin e një bukurie të rrallë. Vazhdon të ketë një burim të pashtershëm energjish dhe një shpirt të gjallë, që është në gjendje të tronditë skenën. Nuk di të urrejë, ka mësuar të falë. Nuk i njeh kornizat, s’jeton dot brenda tyre, i merret fryma, sepse ajo do të jetë e lirë. Ka një zemër, nga e cilia buron dashuri e madhe për njerëzit. Por jo çdokush mund të arrijë deri atje, sepse brendësia e saj ka krijuar një mur ndarës nga bota e jashtme, që është shumë e vështirë ta depërtosh. Lufton çdo ditë vetëm për një qëllim: të njohë veten. Ndoshta një ditë do të ketë një shtëpi të vogël, shumë të thjeshtë dhe pak tokë përreth saj, që ta punojë vetë. Dhe lule, shumë lule, sepse i do shumë. Nuk ndjen lodhje dhe ka një shpirt gati gati prej fëmije, që i jep energji për të shpërthyer në skenë ashtu siç di vetëm ajo, mbretëresha e bukur, Yllka Mujo.
1. Ju kemi parë në shumë role në film dhe teatër, por shumë rrallë në rolin e të intervistuarës, ju ka ardhur në majë të hundës?
Është diçka që mua nuk më josh. nuk është çështje parimi, por mua më pëlqen të bëj dhe jo të them.
2. Si përshtatesh me aktorët e rinj, ka ndryshime nga njëri brez në tjetrin?
Ndryshime ka nga metoda e mësimdhënies. Tani mësimdhënia është shumë e larmishme, ka më tepër hapësirë. Atëherë ka qenë një shkollë shumë serioze, ku studiohej kryesisht Stanislavski, kurse tani shkolla është më e lirë, ka më shumë informacion. Dhe kjo është gjë shumë e mirë për atë që e kupton dhe shumë e keqe për atë që nuk e kupton. Duhet të kesh aftësi për të kuptuar se çfarë të duhet për të qenë aktor dhe çfarë duhet thjesht për informacion.
3. Cili është ndryshimi midis teatrit dhe filmit?
Unë jam futur në botën e filmit që në moshën 15 vjeçe dhe filmi ka qenë hapi i parë drejt këtij profesioni. Por sa më shumë kalon koha, sa më shumë e njoh profesionin, aq më shumë e njoh veten time. Aktrimi e ka zbulimin brenda vetes. Duke njohur karaktere dhe role të ndryshme zbulon edhe veten tënde dhe kjo është lufta ime më e madhe: të njoh veten. Në teatër luaj me shumë dashuri. Jo më kot thuhet luaj. Është njëlloj si të luash në piano.
4. Si vjen tek ti kinematografia e ditëve të sotme tek ne?
Nuk investohet shumë për filmin. Buxheti është shumë i vogël dhe një regjisor ka shumë pak hapësira për të prekur ëndrrën e vet. Në fund të fundit filmi është një mënyrë për të treguar se si është Shqipëria në sytë e tu. Ne kemi regjisorë shumë të mirë si Kujtim Çashku, Mevlan Shanaj, Gjergj Xhuvani, Fatmir Koçi, etj., të cilët kanë këndvështrime të ndryshme dhe kjo është gjë shumë e mirë. Kurse me teatrin akoma e kemi të vështirë të përfaqësohemi. Kemi regjisorë shumë të talentuar, si Pirro Mani, Gëzim Kame, Hervin Çuli, Arben Kumbaro, të cilët kanë dhënë prova të një energjie shumë të madhe, të një kërkese të vazhdueshme drejt një tentative shumë këmbëngulëse për të arritur gjithmonë mbi atë që është e shkruar, tentativë për t’iu afruar imazhit.
5. Ke refuzuar shumjë role?
Kam refuzuar ato role që nuk më kanë bërë të ëndërroj, por ka edhe ndonjë përjashtim. Unë kam bërë përpjekje që asnjë rol të mos i ngjante tjetrit, sepse kjo të jep një kënaqësi dehëse. Kjo është gjëja më e bukur, kur unë shtoj buqetën e roleve të mia me lule të llojeve të ndryshme.
6. Me cilin regjisor të pëlqen të bashkëpunosh?
Me atë që ka një koncept të ndriçuar për pjesën që do të vihen në skenë. Kjo është një kënaqësi intelektuale dhe profesionale, që nuk e provon me të gjithë regjisorët. Sa merr aktori nga një regjisor, aq duhet të marrë edhe regjisori nga një aktor, për të mbyllur në mënyrë të harmonishme ciklin e një pune fatmirësisht të mundimshme.
7. Nuk të kemi parë në ndonjë film të kohëve të fundit. Nuk ke pasur oferta apo e ke mbyllur me filmin?
Kohët e fundit kam bërë filmin “Lule të kuqë, lule të zeza”, me skenar të Natasha Lakos dhe regji të Mevlan Shanajt, film në të cilin kam interpretuar si partnere me vajzën time, e cila ishte protagoniste. Por filmi është një gjini me përmasa të mëdha dhe duke iu referuar mundësive, filmat janë të pakët dhe preferenca e regjisorëve është një e drjetë e tyre normale.
8. Ku qëndron burimi i energjive të tua?
Energjia është diçka që hyn tek cilësitë e njeriut. Vetë njeriu është burimi i energjisë, ashtu siç është edhe talenti. Është një gjë që e ndjen, që e ke dhe është e mrekullueshme, të dish se si ta thërrasësh ujin e këtij burimi, të mos e shpërdorosh, të marrësh aq sa të duhet dhe të lësh sërish aty ujë të kulluar, në mënyrë që ky burim të mos shterojë kurrë. Për mua qenia njerëzore është si toka, ku ekziston një pafundësi larmish, ka male ka pyje, ka lumenj, dete dhe gjallesa. Njeriu duhet ta ruajë këtë rruzull të brishtë, që të mos ndyhet dhe të ketë gjithmonë ajër të pastër dhe ujë të kulluar. Është vërtet e shijshme kur energjinë tënde e kanalizon aty ku i shërben qëllimit për të cilin ti ke ardhur në jetë.
9. Roli më i vështirë?
Kam pasur shumë role të vështirë. Një prej tyre është edhe zonjusha Zholi e Strindbergut, Julia, tek “Fernado Krafi më ka shkruar këtë letër” dhe Soleanzhën tek “Shërbëtoret e Zhan Zhënet”. Por rolet e vështirë janë edhe më të bukurit, sepse kanë shumë skuta, ruajnë të fshehta deri deri misterioze, aktori lufton për t’i arritur. Roli i vështirë është si ai kali pa zot. Duhet t’i vish rrotull, duhet të përdorësh të gjitha mënyrat për ta afruar, domethënë ta njohësh, derisa vjen momenti i mbylljes së një etape dhe fillon një etapë e re, ku ti ndjen ekzaltimin e fitores. Ti e ke njohur, atëherë mund ta drejtosh. Është një gjë me të vërtetë e dobishme. A ka gjë më të bukur se kjo?
10. Nëse nuk do të ishe akotore, ku do ta shihjen veten?
Patjetër këngëtare, ndoshta edhe shkrimtare. Kënga ka qenë ëndrra e fëmijërisë sime të hershme, por unë e shkëputa fillin në moshën 14 vjeç dhe nuk është e mundur që një rrugë e filluar bukur të ndërpritet dhe kështu ndodhi që zëri ndërroi vendndodhjen. Aty ku e shkëputa unë e filloi ime bijë, Elia. Asgjë nuk humbi, pasioni akoma jeton. Kënga jeton akoma.
11. Të trembin vitet që kalojnë?
Jo absolutisht jo, sepse unë jam me energji të plota dhe nuk ndjej lodhje. Brenda meje çdo gjë është aty ku ka qenë, por tashmë më e arrirë: shpirti, zemra, nervi, gjithçka. Tani jam më e fortë, më e pjekur, e gatshme për të përballuar akoma role. Kam akoma të njëjtën dashuri për punën. Jam kjo që jam sot, falë viteve që kanë kaluar. E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja janë një zinxhir i përhershëm në jetën e një njeriu, nuk mund ta konceptosh njërën pa tjetrën.
12. Ku janë fiksuar kujtimet më të bukura?
Fëmijëria ime ka qenë si një përrallë. Jo sepse ishte e tillë në sensin e vërtetë, por ka qenë e tillë brenda meje dhe më ka ndihmuar për ardhur deri këtu ku jam sot. Gjithmonë tundohem për ta shkruar fëmijërinë time. Një ditë do ta shkruaj në formë dhurate për fëmijët e mi dhe për njerëzit që dua.
13. Çfarë të bën të humbasësh durimin?
Unë duroj. Kjo është natyra ime. Fal dhe kur tentojnë më bëjnë keq, energjia ime nuk tronditet. Më dhemb shpirti dhe më shtohet dashuria për teatrin, pra ajo kthehet në vlerë. Nuk di të urrej. Thjesht më përjashtohet fenomeni, nuk e njoh më, ikën vetë siç erdhi, si një fletë e grisur. S’kam më as dhimbje, as gëzim.
14. Çfarë vlerëson tek një njeri?
Fuqinë e mundimshme për të qenë vetvetja dhe për të luftuar, edhe pse mund ta pësosh në këtë luftë. Të dalësh sa më i pastër, jo i kulluar, sepse kjo është e pamundur, por të kesh guximin të marrësh kryqin tënd dhe ta pranosh, sepse çdo njeri e ka një kryq, në fund ke fituar veten.
15. Po tek një aktor?
Pasionin dhe dashurinë që i jep profesionit. Luftën që bën për të arritur jo më lart, por më mirë. Etikën dhe respektin ndaj punës dhe kolegëve, meqënëse puna jonë ka një kusht: është kolektive.
16. Çfarë raporte ke me famën?
Asnjëherë në jetën time s’më ka shqetësuar fakti që të jem e famshme. Unë luftova për të qenë aktore. Që 15 vjeçe e kam pasur përkrah profesionin. Aktorja dhe vajza e vogël kanë qenë bashkëudhëtare. Por nuk e kam pasur për qëllim të qenit e famshme. Mua më duan njerëzit, sepse u kam dhuruar atyre. Kjo është fama. Po e pate si qëllim në vetvete, të merr energji dhe nuk të lë të ecësh. Fama vjen kur ti nuk lufton për ta arritur.
17. Do të doje ta ktheje kohën mbrapa?
Për gjërat që nuk më vlejnë për nesër nuk e kthej kurrë kohën pas, por e dua të kalurën, sepse për mua është si një gjerdan me gurë të ndryshëm, nga të cilët unë sot zgjedh ata që janë të çmuar.
18. Sa e rëndësishme është liria?
Shumë e rëndësishme. Liria ka të bëjë me çlirimin e trurit dhe të zemrës, është brenda qenies. Kjo hapësirë t’i hap rrugët, nuk t’i mbyll. Liria jote mund të qajë për momentin, kur vritet (dhe ajo vritet shpesh), por vjen një kohë, kur e kupton që ke bërë shumë mirë që nuk ia ke prerë krahët.
19. Ku e gjen forcën në ditë të vështira?
Te Zoti. Në qetësinë dhe vetminë time, unë ul kokën para Zotit.
20. Ç’pjesë zë dashuria tek ti?
Pjesën më të madhe timen. Të kesh dashuri do të thotë të kesh shumë për të dhënë. Të duash do të thotë të japësh. Unë dallohem si njeri që jap dhe e bëj me një kënaqësi të jashtëzakonshme. Më pëlqen shumë nocioni i dashurisë, sepse është hyjnore. Kur jep dashuri mund të gabosh, por nuk mund të gjykohesh. Lum ai që ka për të dhënë!
21. Po familja sa e rëndësishme është?
Si përqëndrim zë pjesën dominante. Si kohë nuk mund t’i jap atë që i takon, por përkushtimi im ndaj familjes është shumë intensiv në kohë të kufizuar. Është një familje shumë e dashur, sepse ka qenë një marrëdhënie e mrekullueshme e imja me fëmijët e mi, ku është dhënë shumë dashuri, shumë lodhje, shumë përkushtim. Për mua fëmijët janë gjëja më e rëndësishme në botë dhe njëkohësisht përgjegjësia më e madhe. Kanë qenë bashkëudhëtarë të jetës sime. Janë miqtë më të mirë që unë kam në këtë botë, ata dinë të më njohin. Dhurojnë shumë dashuri. Edhe ata dëshpërohen, por nuk urrejnë. Kanë filluar të nxjerrin nga vetja burimet më të mira. Po bëhen koshientë dhe mua më palqen koshienca e tyre. Shpresoj ta duan veten dhe të bëhen njerëz të dobishëm. Janë ngushëllimi më i madh i jetës sime. Duke rritur ata unë rritem edhe vetë, ose thënë ndryshe, ata më rrisin mua.
 
Jeta


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora