Kerko: a
Enver Bytyçi: Gjyshi dhe stërgjyshi nuk e bëjnë patriot kryeministrin tonë!
E diele, 30.08.2020, 03:00 PM
Gjyshi dhe stërgjyshi nuk e bëjnë patriot kryeministrin tonë!
Nga
Enver Bytyçi
Kur
i duhet, thërret në ndihmë babain! “Ishte në anën e duhur të historisë”, thotë
kryeministri ynë. Kur sheh se nuk i shkon kjo lojë politike dhe vihet para
akuzave për tradhti, atëherë shqiptarëve u servir gjyshin, gjyshen, stërgjyshin
dhe stërgjyshen, emrat e të cilëve rrezik se i ka harruar edhe vetë. Ndërsa
shqiptarët as i kanë dëgjuar këta emra për ndonjë bëmë historike e aq më pak
patriotike.
Në
kanunin e Lekë Dukagjinit thuhet se “Nga i miri del i keqi dhe nga i keqi del i
miri”! Edhe nëse të parët e Ramës paskan qenë “të mirët” ose “më të mirët”,
fatkeqësisht prej tyre ka lindur djalli vetë! Ndaj Edi Ramës i duhet t’u
dëshmojë shqiptarëve se nuk është mashtrues dhe intrigant edhe kundër
integritetit territorial të trojeve shqiptare e jo të mbrohet me çfarë kanë
qenë paraardhësit e tij!
Nëse
dëshiron ta bëjë këtë, ai duhet të japë përgjigje për disa çeshtje që kanë të
bëjnë me patriotizmin:
1.
T’i bindë shqiptarët me fakte, jo me batuta kundër opozitës, se “nuk është bërë
pjesë e ndarjes së Kosovës”, dhe se “nuk ka luajtur lojën e presidentit serb në
këtë projekt të Serbisë së Madhe”!
2.
T’u thotë shqiptarëve pse nuk reflektoi asnjë çast për shpopullimin e
Shqipërisë, një akt ky i dëshiruar prej më shumë se një shekulli nga
ish-kryeministri serb, Vladan Gjorgjeviç dhe pasardhësit e tij, Nikolla Pashiç,
Aleksandër Rankoviç, Sllobodan Milosheviç e Aleksandër Vuçiç dhe elaboruar nga
Vasa Çubrilloviç dhe njeriu idol i Edi Ramës, Ivo Andriç!
3.
Pse e përçau klasën politike në Kosovë, duke keqpërdorur miqtë e tij në
Prishtinë, si Hashim Thaçin dhe duke denigruar me fyerje të rënda politikanët
kundër tij, si Ramush Haradinaj?
4.
Pse në konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë, si psh për sa i përket
minishengenit, kufijtë etj, mbajti anën e Beogradit dhe jo të Prishtinës?
5.
Të thotë pse në Shkodër investon dhe dërgon buxhet aq sa i jep Roskovecit? A
është patriotizëm të diskriminosh rajonet shqiptare?! A është patriotizëm t’ua
japësh pasurinë kombëtare një grushti biznesmenësh, me të cilët e ndan këtë
pasuri, përmes PPP-ve?
6.
Të shpjegojë se pse u desh që të ndërhynte presidenti i Republikës, Ilir Meta,
për të ndërprerë nënshkrimin e marrëveshjes detare midis Ramës dhe Thsipras-it?
7.
Pse nuk kërkon edhe Edi Rama që kufiri detar me territorin tokësor shqiptar të
shtrihet në 12 milje, meqë për këtë ai arsyeton dhe i jep të drejtë
kryeministrit grek, Mitsotakis? Dhe ta shohim se ku takohen grekët e shqiptarët
pas 24 miljeve (12 grekët e 12 shqiptarët)!
Nuk
po zgjatem, por edhe historianët e indoktrinuar me ideologjinë e Ramës nuk do
të guxonin që ta etiketonin Edi Ramën një patriot shqiptare, kur ata të
analizojnë veprimtarinë politike e shtetërore të kryeministrit të Shqipërisë.
Patriot
nuk të bën as gjyshi, as stërgjyshi, patriot të bëjnë ose të zhbëjnë veprat që
lë pas!