Kerko: a
Nexhmedin Saqipi: "Mjeku e shëron të sëmurin, ndërsa vet është i sëmurë!"
E shtune, 15.08.2020, 12:00 PM
"Mjeku e shëron të sëmurin, ndërsa vet është i sëmurë!"
Nga
Nexhmedin Saqipi
Mungesa e funksionimit institucional dhe profesional
midis shtetit, pushteteve lokale dhe institucioneve shëndetësore edhe më shumë
po e humbim betejën kundër virusit Covid - 19, duke i sjell qytetarët në një
gjendje të vështirë shëndetësore dhe ekonomike, me pasoja të gjata e të
pariparueshme.
Përzierja e
politikës në institucionet shëndetësore
dhe keqmenaxhimi i krizave në shtetet Ballkanike, ka bërë që situata të dalë
jashtë kontrollit, duke krijuar një klimë jo të favorshme te qytetarët, të
cilët pa dashjen e tyre përfshihen nga kriza, stresi dhe pasiguria jetësore. Të
gjitha këto dukuri të dëmshme për shoqërinë tonë, të cilat udhëhiqen nga
injoranca, bëjnë që të shtohet urrejtja, përçarja, izolimi total dhe
vetëshkatërrimi.
Prioriteti i prioriteteve për politikanët tanë është para se të merren
me pushtet dhe shtet, duhet t'i nënshtrohen testit të aftësisë së pjekurisë dhe maturisë
politike, e jo vetëm të deklarimit të pasurisë, për ndryshe si pasojë do të
vijë deri te keqmenaxhimi i qeverisjes dhe situatave të ndryshme, siç po ngjet
tani me virusin pandemik dhe fenomenet e tjera natyrore: tërmetet, vërshimet,
zjarret etj.
Ky konstatim
lidhur me këtë situatë kaotike, fatkeqësisht, që thirret në njërën anë te mosdija
e individëve në aspektin profesional , të cilët në emër të votës qëndrojnë në
krye të institucioneve shtetërore dhe shëndetësore, duke vënë politikën para profesionalizmit, nga e
cila po lindin keqkuptimet dhe keqmenaxhimet me përmasa komike dhe tragjike.
Nga kjo situatë
çfarë e kemi aktualisht, po na dalin në shesh ashiqare të palarat, mosdija, si
trashëgim nga koha e komunizmit kur prodhonte "hibrida" e deri në
periudhën pluraliste kur po ngriten dhe afirmohen individë joprofesionistë,
amatorë, profiterë e aq më keq edhe
diletantë.
Nga ky rezultat
nuk pritet tjetër përveç mungesës së vetëdijes qytetare, shtetërore,
institucionale, politike, arsimore, fetare, ekonomike, shëndetësore etj.
Hija e injorancës
Gjendja në të
cilën ndodhemi me betejën kundër virusit Covid - 19, pastaj edhe me krizat e
tjera shoqëruese: ngërçi politik dhe kriza ekonomike e shëndetësore, na kujton
një fjalë të urtë popullore: "Ra ky mort dhe u pamë!"
Tani po shihemi se
deri ku kemi arritur, në një shkallë nga e cila me vështirësi po ia dalim.
Njerëzit po vdesin, ekonomia po shkatërrohet, bizneset po fundosen, e bashkë me
to edhe sistemet arsimore, shëndetësore e injoranca politike jep premtime se do
të bëhet mirë, duke ofruar ndihma, të cilat janë të përkohshme dhe të
pamjaftueshme për mbijetesë.
Njerëzit duhet të
përballen me këtë krizë për të mbijetuar, sepse, kjo bota gjithmonë ka
përjetuar luftëra, tërmete dhe katastrofa të tjera epidemiologjike, ekologjike,
por që njerëzit nuk duhet t'i humbin shpresat për jetë, ata duhet të jenë të
përgatitur në çdo kohë fizikisht, shpirtërisht e psikikisht.
Politikanët dhe
pushtetarët, të kapur nga stresi dhe hutia, për ballë kësaj situate të
vështirë, ata i ndërrojnë rolet me ekspertët shëndetësor, duke u bërë zëdhënës
e prognozerë edhe të këshillave shëndetësore. Ata, nuk duhet vënë maska e
dorezë, për të qëndruar në zyre, por për të dalë në terren për të mësuar nga
afër se si po jetojnë qytetarët në këto rrethana, natyrisht për t’u ofruar ndihmën
e nevojshme e jo vetëm për të dhënë urdhra e për të marrë masa kufizuese.
Ndërrimi i roleve
Pushtetarët e kanë
obligim ta organizojnë popullin me mekanizmat institucionale, me të gjitha
veprimet shoqërore në terren, e jo për të organizuar konferenca shtypi,
intervista, debate publike etj. e aq më tepër për të mos e luajtur rolin e mjekut e humanistit.
Ka ardhur situata,
që secili duhet ta kryej punën e vet. Nuk i ka hije një politikani apo
pushtetari të merret me humanitet, në këtë krizë të thellë ekonomike, kur janë
fondet institucionale me karakter humanitar e me njerëz të zgjedhur në këto
misione.
Institucionet
duhet t'i kryejnë punët e veta për çka edhe janë të zgjedhur e jo të bëhen
humanitarë, gazetarë dhe analistë e falltarë, t' na tregojnë çka po bëhet , si
po bëhet, sa po vdesin, sa janë sëmurë etj.
Obligimi i
pushtetarëve është t'i kryejnë punët që u përkasin ndaj qytetarëve dhe sektorit
joqeveritar.
Porosia
Imagjinone se si
do të dukej kur një pushtetar të shpërndaj pako humanitare për nevojtarët, apo
një i tillë të bllokoj fondet obligative për veprimtaritë shoqërore?! Po, kësaj
kur t'i shtohen edhe pasojat e virusit Covid -19, atëherë gjërat dalin nga dora
dhe punët do t'i kemi ashtu siç jemi!
Për fund një si
këshillë. Nuk duhet të frikësohemi nga vdekja e as nga sëmundjet, sepse këto
janë aktuale gjithmonë, por duhet të frikësohemi nga mosdija, injoranca,
mendjemadhësia, xhelozia të cilat po na shoqërojnë çdo hap, duke na komplikuar
e vështirësuar jetën tonë shoqërore.
(Autori është publicist dhe kryetar i
Shoqatës së Gazetarëve nga Lugina e Preshevës)