Kerko: a
Ndue Dedaj: At Paulin Margjokaj, mea culpa dhe shqiptarët
E diele, 26.07.2020, 02:16 PM
ÁT PAULIN MARGJOKAJ, MEA CULPA DHE SHQIPTARËT
NGA
NDUE DEDAJ
Át
Paulin Margjokaj, një autor i rëndësishëm françeskan i diasporës, ndonëse pak i
“njohur”, për shkak të moskomunikimit në regjimin e kaluar, teksa bën një
analizë të shkoqitur politike-historike të shqiptarëve në dhjetëvjeçarët e parë
të shekullit XX, gjashtëdhjetë vite më parë, shkruante nga Austria, ku qëndroi
nga viti 1941 deri në fund të jetës, më 1975: “Asht shum vshirë qi nji Shqiptar
të thotë ndojherë mea culpa (për fajin tim); ai nuk ia ven për kurrgja fajin
vetes, por përherë tjetërkuj…”, duke treguar se cilat ishin fajet e tyre
konkretisht, si “në lëshimin e konçesjonit të Bankës Kombëtare në duer italjane
(1925) ku patën ndodhë mjaft shrregullime të randa” etj.
Edhe
pse bëhet fjalë për afro një shekull më parë, thua se At Margjokaj është duke
përshkruar të sotmen në Shqipëri, kur thotë: “Të gjithë e dijmë se hajnia dhe
korrupcjoni e përcuellën gjithkund jetën politike shqiptare të asaj kohe. Le të
mos harrohet se krejt mendësia shqiptare e kohës e favorizonte qind për qind
kët korrupcjon të gjithëmbarshëm të njerzve me ndoj zyre shtetit. Çdo njeri i
popullit - l’uomo della strada! – ishte i mbushun mendësh dhe e mbate si një
gja krejt të natyrshme qi nji zyrtar i naltë a i ultë i shtetit do të vete dorë
në kashen e përbashktë të popullit. Dhe sa ma nalt, aq ma e arrijtshme ishte
kjo kashë!...”
Kur
lexon këto radhë duket se politika ka qenë një fatalitet për shqiptarët, të
cilët nuk kanë mundur as atëherë e as sot të “prodhojnë” një qeverisje të
pakorruptuar, që nuk zhvat, nuk mashtron, nuk përlyhet në afera dhe nuk
favorizon krimin. Të vetmit që të vijnë ndërmend, në këtë rast, janë disa
politikanë të stilit perëndimor që i janë ofruar qeverisjes, në këto tridhjetë
vite tranzicion, por kur kanë parë se atje lart nuk rrinin dot të ndershëm, siç
kishin qenë, kanë ikur andej nga kishin ardhur, jo pak herë në Perëndim. Ata
kanë ikur pa bërë zë, pa treguar se çfarë kishin parë të “gatuhej” atje lart,
në zyrat e shtetit (pse të ngatërroheshin, përderisa po iknin!), kurse të
tjerët, që kanë qendruar për të bërë karrierë e pará në kurriz të popullit,
kanë vazhduar avzin e vjetër shekullor, pse jo, të prejardhur qysh prej kohës
së Turkisë.
Në
këtë mënyrë s’kishte mea culpa të tipit: o njerëz, që na keni besuar t’iu
qeverisim, ne qeveritarët tuaj të lartë, presidentë, kryeministra, ministra,
deputetë, drejtues vendorë, kemi gabuar!... Askund, asnjëherë nuk është
shqiptuar kjo frazë magjike, që do të ishte shenja se gjerat aty e mbrapa mund
të ndryshonin. Thuhet disa herë dhe me të drejtë se askush nga ish-qeveritarët
e djeshëm nuk ka kërkuar falje as për gjënë më të vogël, jo më për persekutimin
e thellë politik, varfërimin e popullit, izolimin etj. E vetmja “mea-culpa” e
tyre ka qenë: “ashtu ishte ligji, sistemi”.
Mirë
se ajo ishte diktaturë dhe e “përligj” veten ashtu, por as në këtë kinse
demokracinë e sotme, nuk ka ndodhur asnjëherë të kërkohet falje, për aq shumë
mbrapshti që i janë shkaktuar këtij populli nga qeveritarët e tij, as për 2
prillin, as për firmat pramidale dhe 97-ën, as për 21 janarin... për vjedhjen
drastike të votës, thuajse në çdo fushatë zgjedhore, për grabitjen e pasurive
kombëtare nga pushtetarët dhe një dorë njerëzish të lidhur përmes aferash me
ta, për lejimin e një sistemi drejtësie krejtësisht të kalbur etj. Përkundrazi,
udhëheqësit me siguri kanë filluar të shkruajnë kujtime se si kanë mbetur apo
do të mbesin në histori!?... që zor t’ua lexojnë dhe nipërit e mbesat!
Por
a kanë faj vetëm të naltit e shtetit? Át Margjokaj na thotë jo, kanë faj, sipas
tij, dhe “të vogjlit”, tregtarucët (do t’i vinin në ndihmë ne) që “gjithësa
herë i bashin hile fshatarit a malsorit të thjeshtë me kandar e me peshë,
gjithësa herë e përbuzshin dhe e merrshin nëpër kambë…” ashtu si sot, një
shekull më vonë, kur, paturpësisht, nga tregtarët e farmacive etj. çmimi i
maskave dhe i dorezave plastike është rritur së tepërmi, pa dashur t’ia dijnë
për ministren e përkushtuar Manastirliu dhe organet tatimore. E vijon Át
Margjokaj me shtjellimin e korrupsionit në atë që ne e quajmë bazë: “Të
mendojmë at zyrtarin ma të voglin në çdo katund a qytet qi s’çanë kryet për
ankesat ase nevojët e njerit të ligshtë… se si zyrtari e len të shkretin me
pritë me orë, pse ai asht shumë i zanë tue ça kopalla me shokë… Të kujtojmë at
mjek ase infermjer qi s’e kqyrë as me sy të papasunin…”
Skaneri
politik kritik i fratit mendjemprehtë është i njëjtë me atë që ndodh përditë në
“mejhanet” tona publike, a thua se asgjë nuk ka ndryshuar nga fillimet e
shekullit XX: “Natyrisht, sa ma pak të dijë njeri, aq ma shum flet. E për
politikë, nuk âsht kush qi flet aq shum sa Shqiptarët… Tue ndigjue fjalët qi
flasin ata kafehanevet e mejhanevet, dita më ditë e nata më natë, kujton njeri
se për së shpejtit Shqipnija do të bahet nji Kaliforni e dytë…” Sarkazëm e
merituar!
Këtë
psikologji shqiptare, - do ta quanim parapolitike, e kanë vërejtur dhe të tjerë
mendimtarë të klerit katolik që kemi skeduar kohë pas kohe, sigurisht në rend
me mendimtarë të shquar të vendit, të të gjitha besimeve e rrymave politike, si
Mit’hat Frashëri, Branko Merxhani, apo Mustafa Kruja - me të cilin ka pasur një
letërkëmbim At Margjokaj. Kështu, At Anton Harapi, në vitin 1918, duke kundruar
jetën e malësive nga Gruda, në anë të Cemit, ku ishte famullitar, cek dhe
ngasjet politike gjatë një dreke të madhe pajtimi (pas disa vrasjeve) mes
bajrakut të Grudës dhe atij të Triepshit, ku në sofra ishin ulur rreth 60 vetë.
“S’vonoi
e kuvendi u suell mbi politikë. Aty ndodhshin gjithëfarë kokrrash, gjithnduer
brumi e gjithëfarë partije... Veti me veti shkojshem tue kërkue kah vjen se
Shqiptari, analfabet tue kenë, shkëputë, të thuesh, prej tanë jetës botnore,
mbledhë me mentalitet e me nevojë vetëm mbrenda trollit të vet, mezi pret rasën
të flasë e të merret me punë të mbretnivet. Ky fenomen në jetën shqiptare,
njimend me ndryshime, por i njajtë shfaqet jo vetëm ndër male, por edhe në
fushë e nder qytete...... Shqiptari, prej natyre, asht shqyrtues e analitik,
don të shtyhet e të shofë, ndoshta dhe ku nuk mundet me pa, don të mbahet disi
në të madh e të flasë e të gjikojë mbi punë të mëdha”. (“Andrra e Pretashit”,
Romë 1959, f. 192, 193.)
Shkrimtari
Dom Lazër Shatoja, një tjetër shkrimtar mendjendritur nga radhët e klerit,
shumë dekada më parë, në njërin nga shkrimet e veta, shkruante gjithë pezm e
ironi: “Po, zotní. Pse ai deputet, sikur të gjithë deputetnit tjerë në kët
vênd, ka nji profesjon. Âsht veterinar. Luksin me bâ profesjon zyret politike
mund t’ia lejojë vetes vetëm Shqipnija e ndoshta ndoj shtet tjetër ballkanik.
Zvicra e shkretë nuk ka mbërrîjtë ende n’at shkallë...” !?
Çfarë
do të thoshin, pas kësaj, deputetët e sotëm të Kuvendit të Shqipërisë, që me
daljen e opozitës prej tij, me këtë “opozitën e re parlamentare” ka prekur
fundin e përtejfundit? Dhe mbi të gjitha çfarë do të thoshin shqiptarët, që pas
një viti do të votojnë për Kuvendin e ri? Me lista të hapura apo më lista të
mbyllura, e rëndësishme do të ishte që mendjet e politikanëve të mos vazhdojnë
me qenë “të mbyllura” si deri më sot. Përndryshe, kujt do t’ia kërkonim nesër
mea culpa-n? Fajin tonë si shqiptarë, më të madhin fajin tonë (!), që kemi kaq
mote që riciklojmë një politikë shterpë që nuk na çon askund, veç majm të
vetët?...
E,
pra, At Margjokaj, si çdo meshtar tjetër katolik, e niste meshën me lutjen e
pendimit, shqiptuar së bashku me besmitarët: Për fajin tim, për ma të madhin
fajin tim... o Zot!... na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë...