Kerko: a
Bardhyl Mahmuti: Të mos harrohet edhe gjenocidi në Kosovë!
E shtune, 11.07.2020, 01:59 PM
NË PËRVJETORIN E SREBRENICËS TË MOS HARROHET EDHE GJENOCIDI NË KOSOVË!
MASKARADA
NDËRKOMBËTARE E DREJTËSISË!
Nga
Bardhyl Mahmuti
Njëzetë
e pesë vjet pas vrasjes së mbi 8000 civilëve në Srebrenicë të Bosnjës, Rusia e
Putinit përdori veton në Këshillin e Sigurimit dhe pengoi miratimin e rezolutës
së propozuar nga Britania e Madhe përmes së cilës dënohej gjenocidi i forcave
serbe. Ironia më e madhe e qëndrimit rus ka të bëjë me kualifikimin e
projekt-rezolutës si “të motivuar politikisht”.
Nuk
ka ironi më të madhe se kur ky cilësim bëhet pikërisht nga ata që janë aq të
zëshëm për krijimin e një Gjykate Speciale për të dënuar luftëtarët e Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës. Më poshtë po sjell provat se nëse diçka ka “të motivuar
politikisht” në MASKARADËN NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË kjo është Gjykata
speciale.
Për
të kuptuar kontekstin historik të motiveve politike të idesë për krijimin e një
gjykate speciale për Kosovën më duhet të sjell për lexuesin faktin se një muaj
e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës doli nga shtypi libri
autobiografik i Carla Del Ponte-s, «Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës».
Fokusimi i vëmendjes mediatike në supozimet për trafikim të organeve njerëzore
që gjoja ishte bërë nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nxori në
rend të ditës një çështje tanimë të mbyllur.
Përmasat
e efekteve që shkaktoi kjo “informatë” bëri që edhe ish-zëdhënësja e Prokurores
së Përgjithshme, Florence Hartmann-i të deklarohet publikisht dhe ta cilësojë
veprimin e Carla Del Ponte-s si të PAPËRGJEGJSHËM.
Në
një shkrim të publikuar në gazetën «Le Temps» të datës 16 prill 2008 dhe të
titulluar «Carla Del Ponte dhe thashethemet për trafikimin me organe në
Kosovë», Florence Hartmann-i shpreh habinë e vet se si është e mundshme që
“Carla Del Ponte, puna e të cilës konsistonte që të kërkohet e vërteta sot të
na fundosë në kohën më të errët të propagandës.”
Aktualizimin
e një çështjeje të mbyllur pesë vjet para publikimit të këtij libri, të mbyllur
për arsye se nuk u gjet as prova më e vogël, revoltoi ish-zëdhënësen e Carla
Del Ponte-s. Për Florence Harmann-in “të flitet sot, përderisa për pesë vjet
nuk u soll asnjë element i ri që do ta mbështeste këtë tezë, është
papërgjegjësi.” Ndërsa “është jo dinjitoze emërtimi, në mënyrë të
nënkuptueshme, i atyre që urdhëruan një krim të padëshmuar, nën arsyetimin se
disa liderë shqiptar të Kosovës kanë qenë të dyshuar për krime tjera.”
Sado
“skandaloze”, të “papërgjegjshme” dhe “jo dinjitoze” të kualifikoheshin
veprimet e Carla Del Ponte-s, libri i saj bëri bujë në opinionin publik dhe u
shërbeu si pretekst të gjitha qarqeve që ishin të mobilizuara në kulm kundër
pavarësisë së Kosovës.
Më
15 prill 2008, deputeti rus i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës,
Konstantin Kosachev-i, dorëzoi propozimin për rezolutë lidhur me “trajtimin
çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve”.
Deputetët
nënshkrues të këtij propozimi u mbështetën vetëm në thëniet e Carla del Ponte-s
dhe në propozimin e tyre citohet nga libri i saj se gjoja “Ushtria Çlirimtare e
Kosovës, në vitin 1998, kishte rrëmbyer më shumë se 300 serbë, romë, shqiptarë
dhe pjesëtarë të grupeve tjera etnike, të cilëve u ishin hequr organet vitale,
që u dërguan nga Aeroporti i Rinasit në klinikat jashtë shtetit, për t’u
transplantuar pacientëve që paguanin”.
Një
ditë pas kësaj projekt-rezolute, në sesionin e Asamblesë Parlamentare të
Këshillit të Evropës, të mbajtur nga 14 deri më 18 prill 2008, delegacioni
parlamentar zviceran dhe ai suedez, propozuan të hapet debat lidhur me «pasojat
e shpalljes së pavarësisë së Kosovës». Gjatë këtij debati, që u zhvillua më 16
prill 2008, një vend të rëndësishëm zë fjala e Dick Marty-t.
Ishte
një rast i volitshëm për të që t’i përsëriste qëndrimet e veta të mëparshme. Në
fillim të fjalës së tij, Dick Marty tërhoqi vërejtjen se “ajo që është
shqetësuese lidhet me bilancin e veprimeve ndërkombëtare në Kosovë.”
Sipas
tij ky bilanc është tejet negativ. “Pas dhjetë vjet të administrimit
ndërkombëtar, Kosova gjendet pa një shoqëri të mirëfilltë civile. Të gjithë ata
që preokupohen për kriminalitetin e dinë se Kosova -mjerisht! - ka qenë
gjithmonë, e ndoshta sot më shumë se dje, një qendër e kriminalitetit
ndërkombëtar e krimit të organizuar (...) gjendja ekonomike është katastrofike
(...) minoritetet nuk mund të jetojnë në Kosovë, pos të mbrojtur nga trupat e
huaja...” Dhe, kuptohet, këtë gjendje të keqe, sipas tij, e krijoi pikërisht
ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë dhe mosrespektimi i së drejtës ndërkombëtare.
“Kjo filloi me bombardimet e NATO-s, bombardime në kundërshtim me të drejtën
ndërkombëtare, që u bënë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit (...) dhe pas shkeljes
flagrante të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit që garantonte
integritetin territorial të Serbisë...!”
Nuk
mund ta di saktësisht se deri në cilën shkallë ndikoi fjalimi i Dick Marty-t, i
mbajtur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill 2008,
por, ajo që konstatohet pas këtij fjalimi është fakti se hetimet lidhur me
thëniet për “trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim kundërligjor të
organeve njerëzore në Kosovë” iu ngarkuan Dick Marty-t.
Në
qëndrimin propagandistik të regjimit të Beogradit dhe të atyre që për shkak të
verbërimit nga «antiamerikanizmi» u rreshtuan përkrah kësaj propagande,
“shkelja e të drejtës ndërkombëtare dhe sidomos e rezolutës 1244 e Këshillit të
Sigurimit të OKB-së” përbëjnë shtyllat kryesore për t’ia mohuar legjitimitetin
shtetit të ri të Kosovës.
Propaganda
për “trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim kundërligjor të organeve
njerëzore në Kosovë” arriti efektet e veta politike. Të inkurajuar nga
qëndrimet e qarqeve antiamerikane që shihnin “në shtetin e Kosovës bazën më të
madhe ushtarake të SHBA-ve në botë” Serbia ndërmori iniciativën për të gjetur
mbështetje në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në
sesionin e 63 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të datës 8 tetor 2008,
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremi?-i, shtroi për miratim një
projekt-rezolutë përmes të cilës kërkohej që kjo asamble të kërkonte mendimin e
Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e pavarësisë së
Kosovës.
Në
fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ministri serb i punëve të
jashtme i shtroi motivet e kësaj kërkese. Ndër të tjera, ai theksoi se “më 17
shkurt 2008, institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes autonome të krahinës
jugore serbe të Kosovës dhe Metohisë e shpallën njëanshëm pavarësinë. Ne e
larguam mundësinë që të përdorim forcën dhe t’i vëmë sanksione ekonomike kësaj
krahine që kërkonte ndarjen. Serbia ka vendosur që ta mbrojë sovranitetin e vet
dhe integritetin e saj territorial duke iu drejtuar diplomacisë dhe të drejtës
ndërkombëtare... Sa i përket legalitetit të kësaj deklarate të njëanshme të
pavarësisë, ne vendosëm të kërkojmë mendimin konsultativ nga GJND-ja. Duke e
bartur këtë çështje në Gjykatë, “Republika e Serbisë vlerëson se mund të
shmanget që kriza e Kosovës të mos përbëjë një precedent skajshmërish
problematik në regjionet tjera të botës apo të ambicieve për shkëputje në shumë
situata ekzistuese… Ne mendojmë gjithashtu se mendimi konsultativ i Gjykatës,
do të ofronte një mendim politikisht neutral dhe vendeve të shumta të cilët
ende pyesin se si ta konsiderojnë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së
Kosovës karshi të drejtës ndërkombëtare do tu jepte mundësi të gjenin përgjigje
nga këndvështrimi juridik.”
Më
22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli vendimin se
akti “i miratimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008,
nuk e ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244
të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj,
miratimi i kësaj deklarate nuk ka bërë shkeljen e asnjë rregulle të aplikueshme
të së drejtës ndërkombëtare.”
Përkundër
vendimit të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë qarqet serbo-ruse
përpiqen të mbajnë akuzat e sajuara me motive politike kundër Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës me qëllim që të përmbyset perspektiva, dhe në vend të
përgjegjësisë për gjenocidin e kryer në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë ata të
paraqiten si viktima! Dhe rrjedhimisht të mohojnë ligjshmërinë e aktit të shpalljes
së pavarësisë së Kosovës.
Fatkeqësisht
mohimi rus i gjenocidit të ushtruar nga Serbia nuk është mohim i vetëm dhe ky
mohim nuk kufizohet vetëm në rastin e Srebrenicës. Një numër intelektualësh të
fushave të ndryshme dhe politikanë të spektrave ideologjike që shkon nga e
majta ekstreme e deri te e djathta ekstreme mohojnë këtë gjenocid.
Parlamenti
Evropian gjatë seancës së 9 korrikut 2015 miratoi një rezolutë që dënon
fuqishëm gjenocidin e kryer nga forcat serbe në Srebrenicë dhe dënoi veton e
përdorur nga Rusia kundër projekt-rezolutës së propozuar nga Britania e Madhe.
Vetoja
ruse përball fakteve të pakontestueshme të gjenocidit në Srebrenicë duhet t’i
bëjë të mendojnë ndryshe ata përfaqësues të demokracive perëndimore që po
ushtrojnë presion ndaj përfaqësuesve të Kosovës për të miratuar krijimin e një
gjykate të motivuar politikisht dhe ideologjikisht nga «antiamerikanizmi».
Rezoluta
e Parlamentit evropian është një hap tejet pozitiv dhe domethënës për
përcaktimin e institucioneve demokratike të Evropës, për të dënuar krimin e
gjenocidit dhe ata që pengojnë dënimin ndërkombëtar të këtij krimi. POR, në
përvjetorin e Srebrenicës të mos harrohet gjenocidi në Kosovë!