Kerko: a
Ndue Dedaj: Koliqi e Camaj, një ''apologji'' e panevojshme
E shtune, 11.07.2020, 02:41 PM
KOLIQI E CAMAJ, NJË “APOLOGJI” E PANEVOJSHME
Nga
Ndue Dedaj
Gjithkujt
që, herët e vonë, ka gërmuar me zell në biografinë e Koliqit e Camajt, por dhe
figurave të tjera të kulturës kombëtare, për të gjetur njolla apo për të
ngjitur “bishta”, kishim për t’i thënë vetëm një gjë, bëni si të doni me
vetveten, por fëmijët tuaj ua “dorëzoni” këtyre mjeshtërve, si bartës të
autentikes shqiptare, me çka është përpajnuar vepra e tyre, si ajo hardhia e
plleshme që lëshon rrënjë të përjetshme nëntokë e filiza të njomë mbi tokë! Kjo
nuk është thjeshtë një metaforë, por një vetëdije që ta krijon ajo “hija e
maleve” e tyre, që ata për herë të parë në letrat shqipe, e shndërruan në
letërsi moderne, që do të përfillej dhe në qarqe letrare e kulturore europiane.
Por e lëmë këtu këtë argument, pasi nuk është vendi për më thellë, çka e kanë
bërë studiuesit e letërsisë. Mjaft të themi se fëmijët tanë, përmes kësaj
letërsie, do të jenë shqiptarë të kulluar e jo si ca individë me formim
ideologjik, që falë kulturës së tyre të linçimit gërricin dhe gërgasin rreth
biografive “problematike” të të tjerëve. Kjo tashmë është një modë në jetën
shqiptare, për të gjallë e për të vdekur. Ndaj e rëndësishme në këtë qasje
është dukuria, se do të ikë një X që turbulloi kësaj here e do të dalë një Y që
do të turbulloje nesër...
Dihet
që letërsia dhe biografia janë dy gjëra të ndryshme, që rrallë i thonë gjë
njëra-tjetrës. Koliqi e Camaj dhe shumë të tjerë sosh, Arshi Pipa, Imzot Zef
Oroshi, Bilal Xhaferi, për të përmendur vetëm pak emra, e lanë Shqipërinë bash
atëherë kur ajo po përshkohej nga internacionalizmi proletar! Është kjo që
meriton të ndriçohet e analizohet sot. Ata ikën për të mos qenë bolshevikë dhe
nuk mund të fajësohen për këtë, përkundrazi. Ishte ideali i tyre, për të cilin
sakrifikuan dheun e lindjes, familjet e dikush edhe jetën. Atëherë si mund të
mendohet një bashkëpunim i tyre me Sigurimin e Shtetit, syrin dhe veshin e
diktaturës së proletariatit? A ia lidh duart Martin Camajt një copë letër e
nënshkruar nga ai kinse për bashkëpunim me Sigurimin? Asesi! Jo. Ajo është
veçse një formë shtrënguese, presioni e organeve të Punëve të Brendshme që nuk
prodhoi asgjë kundër askujt nga ky “bashkëpunëtor”. (Kështu funksiononte ai
pushtet në çdo hallkë të tij. Po t’i shohësh raportet politike zyrtare të
kohës, del se Partia i ngrinte me “vullnetin e lirë” të njerëzve kooperativat
bujqësore, ndërkohë që ka pasur gjer vetëvrasje fshatarësh në shenjë revolte
ndaj koolektivizimit në malësi!...) Nëse Camaj do të ishte kompromentuar me
shërbimin sekret shqiptar nuk do të kishte mundur të ikte në botën e lirë, duke
ua lënë pushkën për faqe ndjekësve të tij, por do të zvarritej këtu ndër ne si
një hije e atij regjimi, duke mos qenë ai që është si shkrimtar e dijetar.
Identiteti i tij është mishëruar në letërsinë që shkroi: “Një fyell ndër male”,
“Palimpsest”, “Djella”, “Dranja”, “Pishtarët e natës”, “Rrungaja në mars”,
“Rrathët”, “Karpa”, “Gjon Gazulli”, “Kandili i argjandit” etj. Një letërsi e
mitit, malit, pëllumbit, gjarprit, barit, njeriut të ndërkallur në lisat dhe
krojet e gjenezës së tij buzëdrinase e deri në fushë e qytet, e gjitha e
shkruar në një shqipe të bukur, gegnishten camjane.
Camaj
bëri që të fliste shqip një katedër e gjuhës shqipe në Gjermani - ai nuk rron
prej afro 30 vitesh, por katedra e tij vazhdon të përgatisë në Mynih studiues e
përkthyes të shqipes. Kjo është kurora e tij kombëtare. Camaj na pati
falenderuar duke na thënë se ju “batë burrinë e më pranuet në mesin tuaj”, por
nuk paskësh qenë krejt kështu. E vërteta është se ai bani burrninë e na pranoi
ne, siç ishim, me gjithë barrën e mëkateve të realizmit socialist, kurse ne
ende nuk e kemi pranuar si duhet. Sepse neve na mjafton vetja dhe (na ngatërron
jo pak) e djeshmja jonë...
Ernest
Koliqi jo vetëm ka qartësuar se cili ishte ai si shkrimtar në raport me
politikën, por ka dhënë dhe përgjigjen për sulmuesit e tij, në vitin 1974, në
revistën “Shejzat”, kur shkruante: “E njoh veten jo person politik që merret me
letërsi, por letrar që rrethana të veçanta e hodhën në valet e politikës.
Prandaj, mbrohem si letrar. Ç’ka flitet për mue si njeri politik nuk më bën as
të nxehtë e as të ftohtë: jam vadit me at’ avaz. Nji gja më vjen keq e më prek
se ndër shkrime në daç të nënshkrueme në daç anonime ku unë sulmohem, të
shumtën e herëve strapacohet ma tepër gjuha shqipe se personi im”.
Kemi
folur gjysmë shekulli për 50 shkollat dhe kurset kundër analfabetizmit të
Ndrecë Ndue Gjokës në Mirditë fill pas Luftës së Dytë Botërore, padyshim një
ngjarje e rëndësishme arsimore në Shqipëri dhe nuk kemi folur një fjalë
zyrtarisht për 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta që u
hapën nga Koliqi brenda një viti në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare, që
kishin qenë nën regjimin serb. Për shkak të kufizimit ideologjik, kemi pranuar
lokalen dhe kemi mohuar kombëtaren. Ndreca, që bëri emër në Mirditë, kishte
qenë i njohur më parë si mësues në Kosovë për disa vite, saktësisht në
Zllakuqan të Lugut të Drinit, i dërguar atje me firmën e ministrit të Arsimit
Ernest Koliqi, së bashku me 200 mësues të tjerë për të përhapur arsimin në
trojet etnike shqiptare. Thënë ndryshe, “nxënësi” i Koliqit dekorohet me
medaljen më të lartë të arsimit, “Mësues i Popullit”, kurse profesori dhe
eprori i tij i lartë dhe i gjithë shqiptarëve nuk kishte tagrin as të
përmendej, pasi ai ishte përfshirë në një qeveri shqiptare nën pushtimin
italian. Pra, edhe pse Koliqi bën të njëjtën gjë si rilindasit, me hapjen e
shkollave të sipërthëna (shkolla shqipe dhe jo italiane!), krijimin e
Institutit të Studimeve Shqiptare, botimin e kolanës “Visaret e Kombit” etj.
nuk i njihet asnjë kontribut dhe përjashtohet arbitrarisht nga historia. Është
po ai atdhetar e misionar kombëtar që nuk ndalet, tashmë në emigracion, me
botimin e revistës së mirënjohur “Shejzat”, rreth së cilës përbashkohet gjithë
elita diturake e emigracionit politik etj.
Nëse
do të ceknim figura të tjera të kohës, dihet fati tragjik i At Anton Harapit,
pas Luftës, vetëm se kishte qenë në Këshillin e Regjencës gjatë pushtimit
gjerman. Po a e dini si shkruante ai në veprën e tij “Andrra e Pretashit”, në
vitet e Luftës së Parë Botërore, kur ishte misonar françeskan në Grudë,
territor shqiptar i aneksuar Malit të Zi? Zyrtarët e pushtetit serb “mue më
njifshin të gjithë për shqiptarofil deri në palcë...”. Një shqiptardashës i
madh, i cili vazhdon me qenë dhe sot i përjashtuar nga letrat shqipe dhe
kultura shqiptare zyrtare.
Lufta
e Dytë Botërore dhe me pas ajo e Ftohtë “implikoi” shumëkënd, e, megjithatë nga
shkrimtarët e ftuar/ shtrënguar për të bashkëpunuar me shërbimet e fshehta, nuk
ka dëshmi se ata kanë kryer krime kundër njerëzve dhe vendit të tyre. Çfarë
mund të thuhet në këtë anë kur askush nga elita e kulturës shqiptare nuk ka
qenë jashtë përndjekjes së Sigurimit të Shtetit, si: Ndre Zadeja, Ndoc Nikaj,
Vinçens Prenushi, Eqerem Çabej, Musine Kokalari, Arshi Pipa, Krist Maloku, Zef
Oroshi, Injac Zamputi, Lasgush Poradeci, Dhimitër Pasko, Sabiha Kasimati, Ethem
Haxhiademi, Gjon Shllaku, Pashko Gjeçi, Martin Camaj, Ismail Kadare etj.
Atëherë, këta apo Sigurimi?! “Lahuta e Malcis”, apo pranguesit e saj për gjysmë
shekulli?...
Ka
rënë sistemi komunist, por ka mbetur ende ndikimi ideologjik e asaj kohe, si
një “palimpeset” i trishtë, i mbuluar nga kinse shtresimet kulturore të kohës
së sotme, përndryshe nuk do të kishte “gjyq” figurash historike sa herë bëhen
përpjekje për të kthjelluar diçka nga e kaluara “reaksionare”. Edhe pse Mit’hat
Frashërit iu bënë nderime shtetërore nga shefi i të majtës, njëherësh
Kryeministri i aktual, tradicionalistët e të majtës komuniste nuk ndenjën pa e
fshikulluar, gardianë të regjur të atij regjimi.
Askush
nuk thotë që të fshihet asgjë nga jeta e shkrimtarëve, por e kemi lejen të
kapemi pas mëkateve të tyre morale, kur t’i kemi dhënë vendin e merituar veprës
së tyre, e cila kapërcen çdo fajësi të supozuar.
Së
fundi, shumë vetë këto ditë të debatit të nxehtë kanë cituar poezi të ndryshme
të Martin Camajt, kurse mua m’u kujtua ajo me titull “Një ditë e ka dhe
korbi”... me mujt (ah, me mujt!) me u ba pëllumb në shpirt!