Kerko: a
Vangjush Saro: Që Shtypi të mos ‘shtypë’…
E enjte, 02.07.2020, 05:52 AM
Që Shtypi të mos ‘shtypë’…
Nga
Vangjush Saro
Në këto dekada të fundit, pavarësisht pakënaqësive që ne formulojmë heraherës, ka një zhvillim të shoqërisë shqiptare, ka arritje në disa fusha, si cilësia e jetës dhe Turizmi, ndërtimi, lëvizja e lirë, shërbimet në disa zyra të shtetit, por edhe qasjet në letërsi e kulturë. Shtypi gjithashtu, shënon ndryshime të dukshme; kjo është një e vërtetë që flet më së pari me gjuhën e tij. Megjithatë, duke përfituar nga hapësira që më jep kjo gazetë e nderuar dhe nga vëmendja e lexuesve të saj të shumtë, po shpreh disa rezerva në këtë temë; jo për të praktikuar cinizëm, por për ta parë në një dritë tjetër të mëtejmen e Shtypit shqiptar.
Nuk
është ndonjë gjë e re të themi se çdo gazetë, revistë e TV ka një përkatësi dhe
disa objeksione; ato orientohen në interesa dhe pista të caktuara. Një medie e
mirë di të ndjekë dhe të shfaqë të gjitha anët e realitetit; dhe kjo bën pjesë
ndër preokupimet e rëndësishme edhe në ditët tona. Shtypi bën investigime, ngre
probleme, drejton edhe kritikë, është detyra e tij; por ai kurrsesi nuk shpalos
urrejtje, mëri, inate të mbartura. Jo shumë vite më parë, në disa TV të
qeverisë së atëhershme, tash në hije, urrejtja ndaj kundërshtarëve ishte
sheshit. Sot, një sërë TV e gazeta që mbajnë anën e pushtetit dhe të
Kryeministrit Edi Rama, gjithashtu shkelin çdolloj vije profesionalizmi: në
sasi faqesh, në kohë transmetimi, në ngjyrime ekstremisht politike të materialeve
gazetareske, etj. Ato bombardojnë gjer në lodhje vetëdijen e shikuesit, të
qytetarit, me vizita e fjalime pa fund të Kryeministrit dhe pasuesve të tij.
Nuk
mbeten prapa as mjetet e propagandës të Opozitës apo ato pranë saj; jo rrallë
herë e teprojnë. Gjithsesi, vërehet më së shumti një sforcim i pushtetit të
sotëm për t’u imponuar, për ta gjetur suksesin edhe atje ku s’gjendet. Është e
habitshme se si njerëzit, edhe ata të medies, binden dhe besojnë verbërisht
pronarët ose politikanët që i komandojnë, ndërkohë që më të zellshmit ndër ta
nuk munden dot të kontrollojnë fiksimet dhe simpatitë apo antipatitë e tyre.
Mendoj se një medie profesionale i jep një kuptim të caktuar lirisë dhe, nga
ana tjetër, i kamuflon me sens inatet apo pakënaqësitë e veta, së paku
përmbahet emocionesh e mërish. (Nuk mund të vësh në llomotitje soj-soj shkrues
e madje t’iu mbash edhe ison atyre, kur vijnë në ‘midenë’ tënde duke sharë dikë
që ti e urren dhe përpiqesh ta diskretitosh… Kështu, pavarësia dhe paanësia e
shtypit vdesin, shiten. Kështu shtypi ‘shtyp’.)
Një
ndër detyrimet e tjera të Shtypit, është mbrojtja e vendit dhe e qytetarëve të
vet, skanimi me profesionalizëm i çdo situate dhe përballimi me qetësi e
dinjitet i provokimeve, ngado që mund të vijnë ato. Për hir të njëlloj
‘liberalizmi’ gjer në hipokrizi, për hir të luftës së brendshme politike,
shpesh herë Shtypi dhe njerëz të njohur të tij shfaqen më kundërshtarë se
kundërshtari, kinse këta janë… ‘kampionë të drejtësisë’. I tillë ishte rasti i
këtyre ditëve, kur disa medie e individë u hodhën kundër z. Hashim Thaçi më me
egërsi se vetë serbët; për më tepër, po të mendosh sa i madh e tërësor është
ndryshimi mes paramilitarëve dhe ushtrisë së Millosheviçit dhe luftës mbrojtëse
e çlirimtare e UÇK-së. Instancat përkatëse do të vendojnë në kohën e duhur, por
assesi nuk na takon neve të hidhemi në sulm të parët, të paragjykojmë e të
rrëfejmë zell prej ksenofobësh ndërsa akuzohet një politikan i njohur shqiptar;
është e shtirur, është edhe e papranueshme. Vaniteti i disa individëve - për
fat të keq, mediet ua hapin pareshtur dyer e dritare - flet për një zhvillim të
vonuar dhe me hile të kësaj disipline.
Gazetaria
është një profesion që jo kushdo mund ta bëjë. Përveç shkollës, që ka ‘kusuret’
e veta, janë një sërë rrethanash e specifikash, sipas zhanreve, që na lejojnë
të vlerësojmë apo të tërheqim vëmendjen në pika të caktuara të kësaj
trajektoreje po aq ‘tranzitore’ sa e gjithë jeta e këtyre dekadave. Në shtypin
e sotëm, në medie siç thuhet tani, për shkaqe që nuk mund të renditen këtu,
përpiqen të shfaqen shumë e shumë emra, që ndonjëherë redaksive u vjen për
mbarë t’i aktivizojnë, e dinë ato pse. Por, bie fjala, përcjellja e një lajmi,
është njëlloj komunikimi dhe kaq; nuk ka nevojë për t’u zbukuruar apo shëmtuar.
Lajmi lyp saktësi; është ngjarje, vend, kohë, fakt, dokument. Këto janë të
vetmet shenja të vërtetësisë dhe nevojës për t’u publikuar si i tillë. Nga ana
tjetër, një analizë apo një opinion, nëse nuk duam të jetë hartim, përveç
informacionit, fakteve, kujtesave dhe citimeve, lejon interpretimin e një
dukurie a problemi. Por në të njëjtën kohë, lyp kujdes nga emocionet e
tepruara, ca më pak nga emfaza, onomatopetë e pasthirrmat. Madje ato edhe në
letërsi janë të kufizuara e zakonisht shfaqen në krijime që mbushen me patetizëm
dhe humbasin në emocione boshe. Stili i letërsisë dokumentare dhe publicistikës
ndryshon nga ai i letërsisë artistike, edhe pse ato shkëmbejnë elemente me
njëri-tjetrin.
Në
televizion, gjërat janë po kaq të dukshme, delikate, të pakorrigjueshme nëse
koha nuk premton… Ndër çështjet e rëndësishme këtu, paraqitet vetë
programacioni. TV-të shqiptare janë të ngarkuara me biseda e debate gjer në atë
pikë, sa ato pothuaj u janë neveritur shikuesve; njerëzit duken tejet të lodhur
nga patetizmi dhe banaliteti, sidomos në tema politike dhe në ato të Historisë.
Britmat dhe horrllëqet, që në fakt rëndom frymëzohen nga politika, sofistikohen
e shumëfishohen në këto biseda… që vetëm kështu s’mund të quhen. Gjatë këtyre
muajve, për shkak të situatës së Pandemisë, në TV-të e Amerikës së Veriut -
SHBA, Kanada - një pjesë e madhe e bisedave, konsultimeve, janë realizuar
online. Më ka bërë përshtypja drejtimi me profesionalizëm i këtyre emisioneve e
lidhjeve, për disa minuta apo për një kohë më të gjatë; pjesëmarrësit dëgjojnë
me durim, presin të mbarojë tjetri argumentin e vet, pastaj fillojnë të
shprehen. Edhe kur e ndërpresin dikë, ky apo kjo nuk vazhdon të flasë, që të
bëhet ‘pazar’, por hesht për një çast, dëgjon, pastaj e merr fjalën sërish… Në
TV-të tona, në disa emisione të kësaj natyre, s’merr vesh i pari të dytin.
Protagonistët nuk përmbahen, s’dinë të respektojnë njëri-tjetrin, llomotisin
gjatë gjithë kohës, shajnë, bërtasin, përplasen gojarisht dhe fizikisht. (Janë
të rralla ‘përjashtimet’; e kam fjalën për ekspertë e intelektualë të edukuar
dhe të kulturuar, që nuk i dorëzohen rëndomtësisë.) Kjo është një situatë e
rëndë; ndonjë nga TV shqiptare duhet të fillojë ta përmirësojë këtë episod të
jetës televizive, në mënyrë që të kuptohet se ka edhe ndryshe…
Më
tej, në TV shqiptare ka një luks të paparë. Nuk e kam fjalën për pajisjet dhe
teknologjinë, se rinovimi i tyre është një lajm i mirë. Por po të hedhësh një
sy në ekranet e disa vende të tjera, duke u nisur nga Maqedonia fqinje, por
edhe në Evropë, edhe në Amerikë - kam parasysh të Uashingtonit, të Vankuverit,
ku jetoj aktualisht, etj. - ka një thjeshtësi e natyrshmëri në studio, ka një
sens mase në veshjet e folësve e të ftuarve, ka njëlloj përmbajtjeje sa i takon
tonalitetit dhe termave në tërësi. Te ne, në disa TV, luksi e llamburitja është
e tillë që të kujton atë gomarin e zbukuruar të arixhiut…
Një
ndër pikat më të dobëta të kësaj veprimtarie kaq të rëndësishme, është
gjithashtu ‘rekrutimi’ i stafit; në shumë raste, fitojnë mediokriteti dhe
interesat e vogla. Në TV tona mbizotëron seksi femër dhe këto janë
përgjithësisht bukuroshe e plot hir, doemos edhe plot naze; një pjesë e tyre
kanë njëlloj koketërie bezdisëse, në shikim e në sjellje; nëpër biseda kërcejnë
vend e pa vend, vishen sikur janë në ballo, ndonjëherë sikur po shkojnë në
plazh… Në televizionet ku flet profesionalizmi, folësit dhe folëset nuk
përzgjidhen për nga bukuria, hiret dhe mosha. Patjetër që paraqitja është një
kërkesë, por jo ndër më të rëndësishmet. Vlerësohet më së pari aftësia për të
komunikuar me publikun dhe diksioni; (ka të bëjë me shqiptimin e fjalëve, me
veçanësinë dhe timbrin e të folurit, me bukurinë… e zërit). Po ashtu, lajmi nuk
ngjyroset, nuk përcillet duke shfaqur qëndrim apo emocion të tepërt, gjeste
pejorative (përkeqësuese) jo e jo. Edhe pse folësit, me raste, dalin nga teksti
që kanë përpara dhe shkëmbejnë edhe batuda me njëri-tjetrin, sidomos në mbyllje
të lajmit, ata prapëseprapë nuk u japin ngjarjeve asnjëlloj gjykimi a
pasgjykimi; ka ndjeshmëri, por edhe vetëpërmbajtje; nuk mungon buzëqeshja, por
ajo i drejtohet publikut dhe s’ka të bëjë me lajmin a kronikën; këto i lihen në
dorë shikuesit, që ai të kuptojë e të vlerësojë çka duhet. Një pjesë e medieve
shqiptare janë shumë larg këtij standarti.
Dhunimi
i Gjuhës Kombëtare është gjithaq ndër dobësitë kryesore të Shtypit, në të
gjithë zhanret e tij. Në shqetësimin që po shfaqim - tema është rrahur edhe më
parë, edhe nga kolegë të tjerë - nuk është fjala për ndonjë rrjedhojë të
pakënaqësive a pretendimeve në lidhje me jetën dhe të tashmen e variantit
zyrtar të gjuhës. Ajo vetiu ndryshon dhe pasurohet, duke u konsoliduar falë
zhvillimeve të gjithanshme, si dhe përfshirjes në proces të vetë përdoruesve të
saj, patjetër edhe të ekspertëve të gjuhës. Nga ana tjetër, mënyra se si
shkruajnë dhe flasin njerëzit, ka të bëjë me prirjet, me kulturën dhe jetesën e
tyre; dhe këto nuk mund të gjykohen. Por këtu fjala është për ndotjen e gjuhës
në aspektin zyrtar, gjatë përdorimit në medie dhe në letërsi. Lehtësia (e
sotme) për të publikuar gjithçka përmes Shtypit dhe rrjeteve sociale, krahas
anëve të dobishme, që do të thotë se ka më shumë liri për t’u shprehur, krijon
njëlloj kakofonie; preken rëndë parimet kryesore të qytetarisë dhe të
profesionit të gazetarit, preken gjithashtu gjuha e folur dhe e shkruar:
Sintaksa dhe Rregullat e Drejtshkrimit. Ato mbrohen me Kushtetutë dhe kjo nuk
mund të anashkalohet, për më tepër që në zbatim të ligjeve duhej të
‘vigjëlonin’ organizma të cilat paguhen me taksat e qytetarëve.
Natyrisht,
Shtypi po kalon edhe ai Tranzicionin e vet, si çdo institucion e segment i
vendit. Disa probleme burojnë nga mungesa e përvojës, të tjera nga paqartësia
në zhanër e në profesion. Por defektet që bien më shumë në sy dhe që u përpoqa
t’i veçoj në këto radhë, janë të njëjta me ato që pasqyrohen edhe në politikë,
edhe në trajtimin e së shkuarës, edhe në problemet historike, edhe në
përzgjedhjet për tekstet shkollore, etj. Kjo do të thotë se institucionet tona
dhe ne duhet të lëvizim në bllok, duhet të ndjekim disa parime të qytetarisë më
të përparuar, duhet të kuptojmë se ndryshimi e përmirësimi në çdo aspekt,
përbën zhvillimin real të shoqërisë.