Kerko: a
Xhemal Ahmeti: Rreth ligjërimit skizofren mbi individin e UÇK-së
E shtune, 27.06.2020, 11:07 AM
Rreth ligjërimit skizofren mbi individin e UÇK-së
Nga
Xhemal Ahmeti
"Ekzistenca
i paraprinë esencës" - ma kujtoi një kolege virtuale një ditë postulatin e
Sartrit. Këtij definimi i mungon origjina për ta marrë si komplet: Nga doli
ekzistenca që është shkaku i ekzistencës për modusin X, Y të qenies për të
cilën flasim konkretisht? Po vazhduam zinxhirin kauzal të kësaj pune do t'i
ndeshim pellzagët duke ngrënë fli.
Le
t'i bëjmë ca eksperimente fare bazike për ta provuar integritetin dhe
konsistencën e logjikës sonë:
I.
Nazistët
para Gjykatës në Nürnberg nuk dënoheshin vetëm si individë por edhe si
përfaqësues të një aparati mizor që organizoi një shtet që ushtronte gjenocid.
Vetëm Hitleri mungoi aty ngase vrau veten. Me kohë u dënuan gjithë ata që
konsideroheshin si elita e sistemit. Mënyra e ndëshkimit nuk mund të organizohej
ndryshe: E para: nuk ftoheshin dot gjithë ata mijëra e miliona gjermanë në
gjykatë që ishin me atë pushtet dhe e dyta: ishin këto elita shkaku pse
ekzistoi një sistem i tillë. Mos të ishin këta as që do kishte nazizëm.
II.
Komandantët
e UÇK nga Specialja dënohen si individë e jo si organizues të rezistencës për
mbrojtje të vendit të tyre. Vetëm edhe Adem Jashari mungon ngase e ekzekutuan
serbët me fëmijë, gra e tokë. Mënyra e ndëshkimit ndodhë kështu ngase nuk
penalizohen gjithë ata ushtarë të thjeshtë që kanë mundur të kenë bërë krime:
ishin këto elita që shkaktuan rezistencën. Mos të ishin këta nuk do bëhej luftë
dhe nuk do ikte këmbekrye askush. Mos të ishin pra këta s'do të kishte UÇK.
III.
Çka
nuk shkon ndërmjet këtyre dy rrëfimeve?
Nuk
e dënoje dot nazizmin si dukuri pa penalizuar elitat e saja. Nuk i ndëshkoje
dot krimet e saja pa nxjerr para gjyqit organizatorët e nazizmit si sistem.
Tjerët duhej denazifikuar si viktima të sistemit.
Nuk
e penalizon UÇK-në duke dënuar ata që ikën dhe ata që rrinin maleve për t'i
shpëtuar vdekjes së sigurt, por duke u bërë gjyqin gjithë atyre që e organizuan
atë. Pa ta nuk do kishte UÇK. Pa shkakun s'do ishte pasoja apo?
IV.
Përkrahësit
e Gjykatës speciale nuk mund t'i kenë të dyja: edhe të kërkojnë dënimin e
gjithë atyre që bënë UÇK-në dhe njëkohësisht të flasin se nuk ndodhëka gjyqi
ndaj luftës së shqiptarëve por ndaj individëve. Sa individëve? Gjithë atyre që
organizuan luftën. Njeriu i thjeshtë o ecte pas o ikte o shikonte televizor në
botën e jashtme. Pa këta individë (kush mbeti jashtë - ata që nuk luftuan por
që defilonin me uniforma maleve ku nuk ishin serbët?) s'do kishte UÇK. Le të
bëhen transparentë dhe le të thonë se ndihen të vetmuar e të lënë në baltë pas
ikjes së pushtetit të huaj nga aty dhe nuk dalin kaq qesharak. Ky u del si
thelbi i ligjërimit të tyre. Gjithçka tjetër nuk është logjike. Komandantët nuk
gjykohen se kanë bërë politikë të keqe pas luftës por për "krime gjatë
luftës".
Pastaj
krimi në luftë: nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e njerëzimit të dënohet
për krime lufte (në luftë vriten njerëz - bëhet krim ndaj jetës, nuk
vallëzohet) një ushtri e cila luftonte në mbrojtje nga dhuna e huaj. Nëse po
dënoheshin shkaktuesit e luftës për asgjësimin e tyre. Në Kosovë ndodhë
ndryshe. Me përkrahje të madhe të brendshme.
Kush
janë këta? Ata që vuajnë nga mungesa e Serbisë? Apo nga paranoja tjera? Nuk e
dimë. Një gjë është e sigurt: Kosova është vendi i vetëm në botë me një shumicë
modeste që u jep përkrahjen "morale", teknike dhe politike gjyqeve të
tilla.
Me
një fjalë kemi të bëjmë me skizofrenë të atij tipit religjioz që jetonë sipas
motos: Zoti ka bërë dhe ka determinuar gjithçka, mirëpo për derrat dhe lepujt
s'është përgjegjës ai, ngase këta janë individë.
V.
Kështu
duket "logjika" e të frustruarëve me lirinë e tyre. Ndërkaq Gjykata
Speciale është e padrejtë, ahistorike dhe krim ndaj të drejtës së një populli
për të mbrojtur veten nga gjenocidi.
Është
absurd, është rrëfim defekt qëndrimi që thotë se nuk shpallet UÇK kriminele
nëse nuk gjykohen gjithë autorët e saj ngase janë individë. Absurd që vetëm
mentalitete të veçanta mund ta pjellin.