Kerko: a
Prend Buzhala: Turma kundër turmës
E premte, 26.06.2020, 02:12 PM
LLAJKOMANIA
E TV-PROFILEVE DHE E PROFILEVE TË POLITIKANËVE: TURMA KUNDËR TURMËS
Fenomen
paradoksal: janë vetë fansat e një partie që e defaktorizojnë partinë e
kryetarin e tyre, me sharje e sulme antinjerëore ndaj të tjerëve.
Nga
Prend BUZHALA
1.
Kur
njëri-tjetrin e defaktorizojnë, atëherë vetvetiu defaktorizohet edhe shteti.
Të
yshtur nga diskursi sulmues, me fakte e pa fakte, aty sigurisht që frymëzohen
nga I Pari i tyre e nga partia e tyre... Nuk po i përmendi faktet (bizare), se
si ndonjë forcë politike me vlerë e Kosovës (që ka ndihmuar Kosovën në Evropë e
jashtë saj) është defaktorizuar. Nga i defaktorizuari e i pafuqishmi kot kërkon
ndihmë... dhe ndodh kjo që ndodh...
Vetëm
shikoni se si turmat e fansave të një partie (kur përcjellin një emision
televiziv, debat etj), se çfarë gjuhe primitive, antinjerëzore e pafundësisht
antikombëtare përdorin! Një TV-je i duhet "të mbledhë" sa më shumë
PËLQIME e klikime të këtyre turmave, për të mbetur gjallë me thërrimet e këtyre
të mjerëve! TV-të janë shndërruar në vatra të infektimit konfliktuoz: të
njeriut kundër njeriut, të turmës kundër turmës, të një kryetari kundër një
kryetari tjetër e të një partie kundër një partie tjetër. Madje, edhe të një
rajoni kundër tjetrit! Sa më shumë të krijohen këso dramash LIVE televizive, aq
më shumë këto turma tërhiqen si pre e dhuratë lufte, në kurthin mediale.
2.
Ngjashëm
veprojnë edhe profilet facebook-iane të liderëve partiakë, ku njësoj, si turmat
pa tru, si kriminelët, si njerëzit pa ndërgjegje, komentojnë dhe denigrojnë
fjalën e një akademiku, profesori a njeriu të urtë. Nuk është e habitshme përse
kjo “metodë mediatike e profilizuiese2, i dëboi në një qoshe njerëzit e urtë e
të mençur: s’ka se si të dëgjohet fjala e tyre “e pavlerë”, sepse urtia nuk
merr LIKE, por merr budallallëku.
Interesant:
KARAKTEROLOGJIA (postmoderne) nxori në shesh edhe karakterin e llajkomanit a të
llajkomanisë (like-o-mania)... në rrjetet sociale, si kjo e facebook-ut, apo në
klikimet që përfundojnë në kliko-llurbë... (Besoj që e kuptoni fjalës shqipe
LLURBË). Llajkisti (ai që bën LIKE) ka dëshirë të identifikohet me bindjet,
ideologjitë, po edhe me llumpen-tekstet e facebook-ut. (LLUMPEN-i shënon
mendësinë e përulësisë, është sinonim i ndyrësisë, i vartësisë, i njeriut të
degraduar, të pagdhendur, mendjetrashë, të paemancipuar nga pikëpamja
intelektuale, ... me një fjalë, është tregues për llumin e një shtrese
shoqërore, fundërrinën etike të një mjedisi social).
3.
Natyrisht,
po qe se do të regjistrohej gjithçka çka ato turma komentojnë, do të dilnin në
sipërfaqe linçimet, kërcënimet për heqje koke, shpifjet e sëmura që ia kalojnë
secilës imagjinatë të prishtë e kriminale dhe do të duheshin të ndërtoheshin
edhe disa burgje... Mirë, thuhet se kështu po u vepruaka në krejt botën se
njerëzit paskan nevojë të shfryhen, të shajnë...
Mbase,
ashtu qenka, mbasi TË ZHVILLUARIT nuk kanë model më të mirë as teknologjik e as
mediatik që do ta ndalonte këtë shfrenim të egër e mizor mediatik, sidomos në
rrjetet sociale mediatike... njësoj, si në ata filmat apokaliptikë, ku histeria
shfarosëse (e humbjes së vetëdijes dhe ndërgjegjes), i shtyn njerëzit që ta
therin pambarimisht njëri-tjetrin deri te i fundit...
Porse
asnjëherë as këto TV e as profilet e lidero-llurbës sonë nuk iu shkon ndërmend
si ta edukojnë këtë turmë dhe si ta ndalojnë të keqen që ka vërshuar, meqë janë
vetë frymëzues të së keqes?!
(Prend N. Buzhala, 26
qershor 2020)