Shtesë » Lajme
Kisha Shqiptare në Boston, mesh për popullsinë çame
E marte, 03.07.2007, 11:26 PM
At Artur Liolini përkujton në Boston viktimat e gjenocidit çam
Liolini dhe Moisiu |
Mesha
Në kishën e At Artur Liolinit në Boston u mbajt mesha përkujtimore në nder të viktimave të popullsisë çame që u masakruan 63 vite më parë nga Napoleon Zerva dhe shteti grek. Ideja për këtë mesh u hodh në komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Bashkim Braho,intelektuali dhe koreografi i njohur, i cili e vazhdon aktivitetin e tij në SHBA. Ka qenë një kërkesë që ky i fundit i bëri At Artuar Liolinit për organizimin e kësaj meshe. Ndryshe nga sa ndodhi në Tiranë, ku kreu i kishës ortodokse, Anasatas Janullatos refuzoi të merret pjesë në ceremoninë e organizuar nga Partia për Drejtësi dhe Integrim duke e cilësuar këtë gjë si një çështje politike, At Artuar Liolini ju përgjigj pozitivisht kësaj ftese. Në këtë meshë Aa Liolini përkujtoi spastrimin etnik që iu bë çamëve nga qeveria e atëhershme greke. Sipas tij, krimet ndaj kësaj popullsie, siç është rasti i vjedhjes së pronave padrejtësisht, vazhdojnë deri në ditët e sotme nga shteti helen. At Artur Liolini ka bërë thirrje në emër të zotit që t’i njihen të drejtat njerëzore kësaj popullsie.
Kontributi i At Liolinit
Prej kohësh shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë gjetur te kisha e drejtuar nga At Liolini një mbështetje që u ka munguar. At Artur Liolini e ka shndërruar kishën e Fan Nolit në një ikonë që ka bashkuar shqiptarët në Boston pa dallim feje. Ky është një kontribut i vyer shpirtëror, human dhe nacionalist, që çmohet dhe do të kujtohet përgjithmonë nga shqiptaret e mbarë Amerikës. Në përfundim të ceremonisë gjithë të pranishmit i kanë shprehur mirënjohjen At Artur Liolinit.
Përvjetori i gjenocidit çam
Me një dekret të veçantë Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha shpalli në vitin 1994 27 qershorin si “Dita e Përkujtimit të Gjenocidit Grek ndaj Çamëve”. Që nga ajo kohë, shoqata dhe parti të ndryshe që mbrojnë interesat e komunitetit çam organizojnë veprimtari përkujtimore në nderim të viktimave. Janë rreth 4250 çamë të vrarë më vitin 1944 gjatë gjenocidit grek. Ndërkohë që rreth 60 mijë çamë u dëbuan nga pronat e tyre dhe u sollën në Shqipëri. Që nga ajo kohë shteti grek asnjëherë nuk ka njohur krimet e bëra nga ushtarakët si Napolon Zerva dhe të tjerë.
Janullatos: Nuk marrim pjesë në vendime politike
Kisha Ortodokse dhe Kryepeshkopi i saj, Anastas Janullatos, ju përgjigjën negativisht ftesës së Partisë për Drejtësi dhe Integrim, për një lutje ndërfetare për përshpirtjen e viktimave të popullsisë çame. Në një komunikatë për mediat, një ditë para ceremonisë që u mbajt në hotel “ Tirana Internacional”, kisha ortodokse e cilësoi si politike evenimentin. Sipas saj, kisha ortodokse respekton parimin për të mos u përzier direkt apo indirekt në çështjen politike të brendshme dhe të jashtme. “Lutjet për viktimat e luftërave, për ata që ranë për liri, për atdhe, kryhen në kishë sipas traditës së saj dhe jo me porosi partish apo urdhra politikanesh nga Kuvendi”, thuhet në komunikatë. Madje, në fund të komunikatës thuhet se nuk duhet të tentohet implikimi i saj në mënyrë të tërthortë apo të drejtpërdrejtë në lojëra politike. Krypeshkopit Janullatos iu bë kërkesë dhe nga deputeti socialist, Shpëtim Idrizi, gjatë një seance parlamentare.
63-vjetori i gjenocidit përkujtohet në Qafë-Botë
Një javë më parë mijëra çamë u nisën nga qyteti i Sarandës drejt kufirit me Greqinë, në përkujtim të 63 vjetorit të gjenocidit grek. Protesta paqësore ka nisur të shtunën e kaluar në stadiumin e lojërave me dorë në qytetin bregdetar për të vazhduar mëngjesin e së dielës në fshatin Kllogjer dhe për të përfunduar në orën 13.30 në pikën më jugore të vendit, në Qafë Botë. Një sfond me parulla “Të kujtosh gjenocidin kundër çamëve të pafajshëm është detyrim qytetar”, “Çamëria është në Evropë dhe Evropa duhet të respektojë standardet e saj dhe për pakicën çame”, “E nesërmja çame lind sot, me ju”, “Qershori shërben për reflektim pozitiv si nga Shqipëria dhe nga Greqia”, parulla të shkruara dhe parulla me thirrje treguan se çamët asnjëherë nuk do të rreshtin së kërkuari tokën e tyre, vendin e tyre, Çamërinë. Të pranishëm në tubim ishin dhe tre deputetë të Parlamentit Shqiptar, deputeti socialist, Shpëtim Idrizi, ai demokrat, Bujar Leskaj dhe deputetit i LSI, Pëllumb Xhufi.