Kerko: a
Jusuf Buxhovi: Me Covidit-19 duhet të jetohet dhe jo të bëhet politikë!
E premte, 19.06.2020, 05:37 PM
ME COVID-19 DUHET TË JETOHET DHE JO TË BËHET POLITIKË!
Nga
Jusuf Buxhovi
Shfaqja
e Covidit-19 dhe ballafaqimi me të prej katër-pesë muajsh botën e solli para
një sfide të re shëndetësore, po edhe shoqërore dhe politike, të përmasave
globale. E shpallur nga Organizata e Shëndetësisë Botërore (OSHB) si pandemi
botërore, ka imponuar sjelljen në përputhje me disa nga masat (mbylljet,
karantenimet e deri te gjendjet e jashshtëzakonshme), me të cilat, në mungesë
të njoftimeve elementare për natyrën e virusit si dhe zhvillimet e tij, synohej
blerja e kohës, në mënyrë që të pengohej kolapsi i sistemeve shëndetësore, por
njëherësh edhe të shtoheshin kapacitetet për t’u bërë ballë pasojave të saj të
paparashikuara.
Natyrisht
se këtë ndërkohë, institutet shkencore-hulumtuese me renome botërore e kanë
shfrytëzuar për ta para sa më afër Covidin-19 në aspektin pandemik dhe atë
klinik, prej nga tashmë kemi disa njoftime të rëndësishme, ndër të cilat
gjithsesi janë ato rreth fuqisë përhapëse te kategoritë e caktuara (mosha,
gjinia e të tjera) si dhe të shkallës së fatalitetit, që për fat të mirë, është
më e vogël se e një gripi sezonal.
Këto
njoftime në shkallë botërore, ndonëse nuk e kanë hequr faktorin kryesor, atë të
përballimit me anën e vaksinës, (që pritet të gjendet brenda një apo dy
vitesh), si dhe të ilaçit të përshtatshëm për shërimin e të prekurve - për
ç’gjë po punohet me të madhe nga të gjitha anët dhe, megjithëqë shoqërinë e
kanë liruar nga ankthi fillestar i një kataklizmi, bëjnë me dije se sfida e
virusit edhe më tutje vazhdon , dhe se bota do të jetojë me të edhe për një
kohë të mirë dhe madje t’u nënshtrohet disa ndryshimeve të mëdha shoqërore,
politik dhe socio-kulturore.
Në
të vërtetë, këtu dhe te kjo çështje, gjendet formula e sjelljes sonë shoqërore,
politike dhe njerëzore, si një realitet me të cilin duhet të jetohet për aq sa
do të gjendet vaksina, ndoshta edhe më gjatë, që do të thotë se ngarkon me
përgjegjësi secilin prej nesh t’u përmbahet udhëzimeve të OBSH-së për distancë
sociale, maska, higjienë e të tjera, ndërsa politikën e ngarkon me sjellje të
përgjegjshme të marrjes së masave mbrojtëse që kanë të bëjnë me ruajtjen e
shëndetit publik dhe atij personal, e mbi të gjitha të menaxhimit të
infrastrukturës institucionale shëndetësore (spitaleve dhe shërbimeve të tjera
të domosdoshme për ndihmë mjekësore) dhe jo të politizimit të çështjes për
nevojat e politikës ditore, siç ndodhi kohëve të fundit dhe siç mund të ndodhë
edhe në të ardhmen.
Në
këtë aspekt, qeveria aktuale dhe të gjithë segmentet shoqërore duhet që valën e
tanishme të pandemisë, e pritshme në rrethanat e heqjes së kufizimeve dhe
ndalesave gjatë kohës së mbylljes, të mos e kthejnë në një fushatë për
përfitime politike, ku kthimi i kufizimeve dhe masat e deridjeshme të mbylljes
konsiderohen "të domosdoshme" në luftë kundër përhapjes së Covidit-19
paçka se e gjithë bota po i nënshtrohet logjikës së hapjes dhe asaj të kthimit
të jetës në binarët normal. Andaj, qeveritarët tanë, duhet t'i nënshtrhen kësaj
ecurie, pra të përqendrohen te menaxhimi i ripërtëritjes ekonomike në përputhje
me rrethanat e reja, ku refreni i deritanishme “shëndeti mbi të gjitha” (shpesh
herë i keqpërdorur) duhet të bëhet pjesë e pragmatizmit jetësor. Ngaqë shëndeti
varet nga mënyra e jetës dhe faktorët e gjithëmbarshëm, që atë e mbajnë në
raport me të dhe determinojnë dhe jo të shihet i shkëputur prej tyre.
Pra,
në këto rrethana, që do të sfidohemi të gjithë, përderisa nuk do të gjendet
vaksina, nuk duhet të ketë vend për panik e kërcënime politike dhe as për
propagandë iluzore për parandalim mekanik të përhapjes ose të frenimit të
Covidit-19, pra të atyre çështjeve që i takojnë natyrës virale të organizmit
dhe të imunitetit të përgjithshëm. Përkundrazi, politika e përgjegjshme duhet
ta pranojë realitetin e të jetuarit me Covidin-19, siç jetohet edhe me
kancerin, leukiminë dhe sëmundjet tjera me fatalitet shumë herë më të lartë nga
Covidi-19, duke krijuar mundësi institucionale (spitale shtesë dhe shërbime
mjekësore) për t’u dalë në ndihmë të sëmurëve pa u ndalë aktivitetet ekonomike,
kulturore, sportive dhe të tjera, që i duhen normalitetit jetësor dhe
relaksimit mental dhe social. Natyrisht se kjo sjellje nënkupton edhe
vetëdisciplinimin e secilit, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së dhe të
institucioneve shëndetësore, si pjesë e një përgjegjësie që i duhet
ndergjegjësimit të përgjithshëm.