Kerko: a
Florim Zeqa: Opozita në dialog me Serbinë, e mbron Kosovën nga marrëveshjet e dëmshme!
E enjte, 18.06.2020, 10:28 AM
Opozita në dialog me Serbinë, e mbron Kosovën nga marrëveshjet e dëmshme!
Shkruan:
Florim Zeqa
Opozita
në Kosovë, në mënyrë të veçantë LVV-ja duhet të bëhet pjesë përbërëse e Ekipit
Negociator dhe se refuzimi eventual i bashkangjitjes në proces të bisedimeve,
nuk e liron LVV-në nga përgjegjësia historike në rast të një marrëveshje të
dëmshme për Kosovën.
Edhe
pse pozita, gjegjësisht qeveria e ka përgjegjësinë kushtetuese të udhëheq
dialogun me Serbinë, nuk e zbehë rolin e opozitës, e cila duhet të jetë gardian
i marrëveshjeve me Serbinë, duke mos lejuar marrjen asnjë vendimi të dëmshëm
për shtetin e Kosovës.
Pra,
pa pëlqimin e opozites nuk mund dhe as nuk duhet të merret asnjë vendim
përfundimtar në dialogun përmbyllës me Serbinë. Meqë duhet të jetë kështu,
opozita duhet të jetë aktive dhe konstruktive si pjesë përbërëse e Ekipit
Negociator, gjë e cila do të pamundësoj marrjen e çfarëdo vendimi të dëmshëm
për Kosoven.
Mungesa
eventuale e opozitës dhe LVV-së në veçanti në takimin e përcaktuar në
Washington me 27 qershor, do të ishte e papranueshme dhe e dëmshme për imazhin
e shtetit të Kosovës.
LVV-ja
me prezencën e saj në Washington dhe gjetiu ku mbahen takimet e Ekipeve
Negociatore, do të bënte që të hiqen të gjitha dilemat dhe paragjykimet e
marrëveshjeve (të përfolura) sekrete për shkëmbim territorail.
Askush
më mirë sesa opozita, në këtë rast LVV-ja nuk do të mund ta bënte transparente
çdo detaj të bisedimeve, marrëveshjeve dhe mosmarrëveshjeve me Serbinë.
Vetëm
kështu, pra, duke qenë pjesë përbërëse e negociatave, LVV-ja mund ta mbrojë
Kosovën nga marrëveshjet e dëmshme dhe jo transparente.
Për
më tepër se kaq, opozita e bashkuar LVV-PDK e ka mundësinë që t'i mbajë të
informuar qytetarët e vendit për ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi, duke e bërë
transparent çdo zhvillim në procesin e dialogut, gjë e cila ka munguar në
procesin e deritanishëm duke iu lënë kështu hapësirë spekulimeve mediatike dhe
deklaratave paushalle dhe pa asnjë mbulesë faktike, duke i vënë në lajthitje
qytetarët e vendit, për rrezikun e humbjes së territorit dhe rrezikimin e
sovranitetit të shtetit.
Pjesëmarrja
e opozitës, kryeparlamentares, botës akademike dhe shoqërisë civile do t'i bëjë
akoma më të përgjegjshëm negociatorët kosovarë në krye me kryeministrin
Avdullah Hoti dhe presidentin Thaçi, si udhëheqës i politikës së jashtme dhe
përgjegjës kryesor për të gjitha marrëveshjet e deritanishme me Serbinë.
Pra,
roli i opozitës në procesin e dialogut përmbyllës me Serbinë është jetik dhe i
pazavëndësueshëm, siq është në të gjitha proceset tjera vendimarrëse në
Parlamentin e Kosovës.
Edhe
poqesë ndodhë ndonjë prapaskenë e papritur gjatë dialogut, përseri do të jetë
opozita e bashkuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ajo që me votën e saj
do ta bëj të pamundur kalimin e marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën.
Opozita
duhet ta tregojë kujdesin maksimal që të mos ndodhin kompromise të reja që
rrezikojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit, por assesi t'i
ikë një dialogu me Serbinë nën ndërmjetësim e
Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Pjesa
përmbyllëse e dialogut me Serbinë zyrtarisht fillon me takimin e 27 qershorit
në Washington, në Shtëpinë e Bardhe nën patronatin e Presidentit Amerikan
Donald Trump, dialog ky i cili pritet ti jepë fund një historie të gjatë të
mosmarrëveshjeve politike dhe ndërnacionale mes serbëve dhe shqiptarëve në
Ballkan.
Në
takimin e 27 qershorit 2020 në Washington dhe takimet e tjera të radhës,
çështja e territorit të Kosovës as që duhet të jetë temë diskutimi, për shkak
se ajo ekziston nga e kaluara e largët e vitit 1945, pas luftës së dytë
botërore e përcaktimit të kufijve administrativ në ish federatën jugosllave, të
shndërruar në kufij shtetëror me 17 shkurt 2008 me njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe
sovran në kufijt ekzistues.
Në
rast të parashtrimit të kërkesës nga ana e Serbisë për ndryshimin eventual të
kufijve, atëherë një kërkesë e tillë duhet refuzuar unanimisht nga negociatorët
kosovar, gjë e cila pritet të refuzohet kategorikisht edhe nga shtetet
Bashkimit Evropian, për shkak se do të hapej "Kutia e Pandores", e
ndryshimit gjeopolitik në Ballkan, gjë e cila pashmangshëm do ta çonte rajonin
drejt luftërave të reja ballkanike.
Përfundimisht,
opozita në dialog me Serbinë, duhet të jetë gardian besnik që e mbron Kosovën
nga marrëveshjet e dëmshme dhe që mbështet zgjidhjen e drejtë dhe
përfundimtare, e cila do të çoj në njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë!