Kerko: a
Agron Tufa: In Memoriam Silke Liria Blumbach
E shtune, 13.06.2020, 08:33 AM
IN MEMORIAM
Silke Liria Blumbach
Paska
vdekur e paharrurshmja Silke Liria Blumbach, vajza e dashuruar me Shqipërinë
dhe Kosovën, poetja, përkthyesja poliglote, mikesha jonë e shtrenjtë e
familjes.
Për
ikjen e saj të parakohshme (në shkurt të këtij viti këmbyem për herë të fundit
mesazhe) i vetmi ngushëllim e kujtim për miqtë janë tekstet e librat e saj, që
Silke i shkruajti në shqip.
Këtu
poshtë po hedh një tekst rescensional mbi bjërin nga librat e Silkes të shkruar
kund 14 vjet më parë...
Qofsh
lule e Parajsës, e shtrenjta jonë!
GJUHA, POETI, FATI DHE
KRIJIMI
(Mbi
fenomenin dhe fenomenologjine e poezisë shqipe të poeteshës gjermane Silke
Liria-Blumbach)
Nga
Agron TUFA
Ka
afër një dhjetëvjeçar që poetja Silke Liria-Blumbach ka projektuar një
ekzistencë të dytë, kësaj radhe jo biologjike, por gjuhësore, e për rrjedhojë,
ekzistencë shpirtërore. Ekzistenca e re gjuhësore e poetes nga Gjermania, nuk
ka habitur vetëm atë vetë, por tw gjithë ata lexues qw e kanw njohur poezinw e
saj. Sepse mahnia që shkakton kjo ekzistencë, ka të bëjë me faktin se ajo është
konfirmuar në nivelin e saj më të epërm: në gjuhë dhe madje në nivelin më të
epërm të ekzistencës së gjuhës, që është poezia. Silke tani sapo ka botuar
librin e tretë me poezi të shkruara në shqip – “Lumi qw rrjedh drejt burimit”.
Duhet thënë se për qenien e shkrimtarit gjuha përcakton automatikisht edhe
atdheun. Besoj se kjo është një ligjësi universale. Postulati i njohur i Martin
Hajdegerit se “Gjuha është shtëpia e qenies”, veçse e thekson më fort mendimin
e shprehur deri tash. Madje edhe nëse kjo “Shtëpi e qenies” është njëkohësisht
e banueshme në dy gjuhë, në shqip dhe gjermanisht, si në rastin e Silkes.
Natyrisht poeti në këto raste ka dy “shtëpi” të Qenies dhe rrjedhimisht, bujtja
në të dyja këto shtëpi e bën të pashmangshëm dyzimin e qenies, sikundër ka
ndodhur kjo edhe me raste shkrimtarësh të tjerë para Silkes (me Konradin,
Nabokovin, Gogolin ukrainas, Vasko Popën rumun, Apolinerin italo-polak, Josif
Brodskin rus etj).
Ajo
që pëson sensacion të thellë në këto raste është Gjuha. Gjuha nuk është
instrument në duart e shkrimtarit, si[ keqmendohet - përkundrazi – shkrimtari
është instrument i bindur i gjuhës. Në rastin konkret, jo gjuha, por poetesha
Silke Blumbach ka qenë shumë e epshme, e dëgjueshme, e bindur dhe e dhënë
tërësisht pas shqipes, duke i besuar asaj tërë botën e saj, nga rrënqethja dhe
frika ekzistenciale gjer tek regëtimat mw intime. Do të themi se Silke ka
projektuar një Vete të re, duke ia besuar tërësisht aktivitetin e saj frymor
shqipes dhe duke pranuar me dëshirë e vullnetarisht të jetë totalisht e varur
nga kjo gjuhë. Dhe kur njeriu gjendet tërësisht i varur nga gjuha, ashtu si
alkoolistët nga alkooli, si duhanxhiu nga cigarja, si narkomani nga droga, pra
kur një njeri e ka përsëritur mahninë e krijimit me gjuhën, dhe s’mund të bëjë
pa të, njëlloj si varësitë që përmendëm më sipër, atëherë sipas Brodskit, ky
njeri quhet poet.
Por
Silke, mendoj fort dhe jo pa arsye, është e ngjashme me rastet analoge tw
Gogolit, Konradit apo Nabokovit, të cilët krijuan ekzistencën e tyre krijuese
në gjuhë tjetër, duke ardhur nga jashtë sistemit. Duke e lidhur fatin e
ekzistencës së vet me një gjuhë tjetër, është normale që krijuesi gjendet para
një tendosjeje maksimale për të edukuar e stërvitur reflekset, duke operuar në
plan të parë me vetëdijen, logjikën dhe ndjeshmërinë, derisa të fitojë siguri
duke kompensuar një gjë thelbësore: mungesën e instinktit amësor ndaj fjalëve
të sakta që të mund të shprehë atë çka është, atë çka ka më të shtrenjtë. E
ndoshta me kohë, pas një familjarizimi me gjuhën, ky instinkt fitohet.
Po
ta vëresh ligjërimin poetik të Silkes, ai dominohet nga një vetëdije gati
traumatike, duke ndërkëmbyer e përforcuar imazhet me mjete të gjithwmundshme.
Ashtu si fotonet e dritës rrahin pa pushim objektin nga një burim i caktuar
drite, ashtu edhe Silke angazhon në ndriçimin dhe përftimin e imazhit të saj
burime të gjithëmundshme ndriçimi të natyrave heterogjene. Një rol të tillë e
luajnë tufat e dendura të asociacioneve me referenca nga kultura verbale,
nacionale e transnacionale, kryesisht nga mitet, por asociacionet lindin edhe
nga një sensacion infantil brenda për brenda gjuhës, duke u vetëmagjepsur me kumbimet,
aliteracionet, semantikat e papritura. Vigjilenca e shqisës poetike shfrytëzon
në mënyrë lojacake dhe krijon sakaq papritmas neologjizma, përftesa,
fjalë-kentaurë, kimera efemere, duke krijuar një miksturë dinamike të tekstit.
Një vështrim i tillë mbi gjuhën, mahnitja e pafund ose më saktë vetëmahnitja,
është e pamundur për bartësin e lindur dhe të familjarizuar me gjuhën që në
lindje. Një vështrim i tillë i magjepsur e infantil është privilegj i një
vetëdijeje që vjen nga jashtë sistemit të gjuhës, duke ndërkallur një përjetim
krejt të panjohur më parë nga bartësit e rutinizuar të saj. Pak a shumë ndodh
diç e ngjashme me konceptin e arbitraritetit të gjuhës së fëmijëve, të cilin e
pati studiuar Roman Jakobsoni në punimin “Gjuha e të pavetëdijshmes”. Gjuha në
atë stad përjeton shekullin e saj fëminor dhe ka një automatizëm të kulluar për
të hyrë në lidhje referenciale arbitrare me dukuri dhe nocione. Ajo, si të
thuash, njeh fazën e saj “magmatike”, të pangurtësuar dhe prej kësaj “plazme
magmatike” është më lehtë të krijohen konture e trajta, metamorfoza e kimera që
i japin ligjërimit një dimension alogjik, nonsensi, absurdi, për sa koshienca
dhe subkoshienca gjenden përballë një urie për krijim. Kjo shpjegon edhe
naturën surrealistike dhe një vështrim tejet të mitologjizuar të subjektit
lirik. Këtë fill argëtues në procedeun me gjuhën, Silke e ftillon nëpër
labirinte fjalë pas fjalë, shprehje pas shprehje, duke i ndriçuar dukuritë dhe
realet nxitimthi, sa të shplojnë pakëz konturin a profilin, në mënyrë kaleidoskopike.
Mirëpo gjuha ka të ndërkallur një veti të çuditshme: ajo ngjiz dhe shumwfishon
vetveten, e së këndejmi, realitetet gjegjëse paralele. Si duket, kjo e vërtetë
duhet ta ketë shtyrë poeteshën ruse Marina Cvjetajeva të shkruajë vargun:
“Poeti e shpie gjuhën larg. Gjuha e shpie poetin larg”. Së këndejmi, edhe vetë
ekzistencën e poetit, përderisa ai banon në gjuhë, duke u ripërtërirë në mënyrë
të ndërsjelltë, ashtu si ripërtëritja ciklike e kohës në mite. Po e ilustroj
këtë mendim me një nga poezitë e Silkes, që për mua ka vlerën e kredos poetike,
ku Fjala dhe Krijimi janë veçuar spikatur nga poetesha me gwrmë kapitale:
NDËRRIM
Kur botë të jashtme nuk
ka
Ose ajo është e
pagjetshme
Ose copat nuk mjaftojnë
për të formuar botë,
Atëherë
Kthen sytë nga balli në
mes të kafkës
Dhe lëkura bëhet një
thes përreth universit
Dhe përsëri Fjala do të
fillojë veprën e saj të Krijimit.
Silke
Liria-Blumbach është një poete shqiptare. Ajo është një dukuri krejt
sensacionale e poezisë shqipe. Kontributi më i madh dhe më esencial që i jep
çdocili poet me krijimet e tij një tradite të poetikës nacionale është shkalla
e begatimit të saj me mjete shprehëse: me metrikën, prozodinë, format poetike,
intonacionin ligjërimor dhe diksionin e zërit, me tropet dhe metaforat, e si
rezultat të fundëm të këtyre, me ndjeshmërinë e caktuar. Të gjitha këto janë
ndryshime në kodin e një sistemi nacional poetik, për rrjedhojë kjo çon edhe në
ndryshimin e fizionomisë së poezisë në etapën e saj të evolucionit organik. Unë
mendoj dhe jam i bindur se ky begatim që Silke i sjell poezisë shqipe është i
qëndrueshëm e jetëgjatë, sikundërsa jam i bindur se edhe gjuha shqipe e ka
shpërblyer bujarisht poeteshën, duke e përsosur, duke e çliruar dhe shkarkuar
nga frikërat e saj ekzistenciale, duke i dhënë asaj një jetë të dytë, të
shëndoshë, në nivelin e saj më të epërm: poezinë. Me fjalë të tjera, ndoshta të
panevojshme – duke e shpëtuar nga fantazma e realiteteve të frikshme. Dhe kjo
jo në kuptimin figurativ, por në kuptimin më konkret dhe të drejtpërdrejtë.
Unë
nuk mendoj se Historia e Letërsisë bashkëkohore shqipe mund të refuzojë luksin
e veçantë dhe të anashkalojë një poete novatore si Silke Liria-Blumbach,
sikundërse nuk imagjinoj dot asnjë antologji të Lirikës bashkëkohore shqiptare
pa përfshirjen e individualitetit të veçantë të poeteshës shqiptare nga
Gjermania – Silke Liria-Blumbach. Ne poetët shqiptarë duhet t’i gëzohemi tashmë
pranisë së një simotre të talentuar të penës.