Kerko: a
Mehmet Prishtina: Jehona e një kushtrimi për unifikim
E merkure, 10.06.2020, 08:43 PM
LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT – JEHONA E NJË KUSHTRIMI PËR UNIFIKIM DHE MIRËKUPTIM BRENDAKOMBËTAR
Lidhja
Shqiptare e Prizrenit mbetet guri më i ndritshëm kilometrik i rrugëtimit të
shqiptarëve drejt progresit kombëtar. Ndonëse shumë ide të Lidhjes mbetën të
parealizuara për shkak të raportit
gjeopolitik, ushtarak, e diplomatik të forcave para 142 viteve, ajo
megjithatë vazhdon të shërbejë si një krua i pashtershëm i energjive të pastra
kombëtare brenda trungut etnik shqiptar.
Nga
Mehmet PRISHTINA
Një
komb është i suksesshëm në rrugëtimin e tij, vetëm nëse arrin të ngrejë në
maksimum aftësitë dhe kapacitetet shtendërtuese. Për shumë kombe ky proces
kishte përfunduar në shek. 19, por te shqiptarët fatkeqësisht shkoi më vonë.
Megjithatë,
si ngjarje që shënon pjekurinë historike të shqiptarëve për shtetndërtim mund
të konsiderohet Lidhja Shqiptare e
Prizrenit (10 qershor 1878), jehoha e së cilës nuk ka pushuar të jetë aktuale
deri në ditët e sotme.
Por,
çka mësuan shqiptarët, si politikë dhe si shoqëri, nga Lidhja e Prizrenit dhe
sa kjo ngjarje ka mbetë vetëm në muze dhe nëpër libra, dhe sa ka shërbyer si
model i unifikimit dhe mirëkuptimit të brendashqiptar?
Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit i njihen disa merita, por kësaj radhe do të veçojmë
vetëm tri, për të qenë në korrent me ngjarjet e së kaluarës që mund të
shërbejnë edhe si ura lidhëse me të sotmen dhe të ardhmen.
Konteksti
historik kur u organizua Kuvendi i Lidhjes në Prizren ishte tepër i pafavorshëm
për çfarëdo lloj organizimi politik e ushtarak të shqiptarëve, mirëpo kjo nuk i
pengoi krerët e Lëvizjes sonë kombëtare që të thyejnë barrierat dhe të mblidhen
në Prizren, për të artikuluar fuqishëm padrejtësitë e Kongresit të Berlinit, i
cili u tregua tepër i njëanshëm në vendimet e veta që shkonin ndesh me sovranitetin
dhe integritetin territorial të tokave shqiptare.
Merita
tjetër e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte se ajo, si një organizatë gjithë
kombëtare dhe gjithëkrahinore, i dha
kahje të duhur politike kërkesave të shqiptarëve duke i unifikuar brenda një
platforme të vetme, e cila edhe pse kishte mospajtime të caktuara, ajo
megjithatë arriti të integrojë një frymë të re mobilizimi në aspektin e
ngjizjes së ideve kombëtare brenda një doktrine politike e ushtarake.
Kur
jemi te doktrina ushtarake, duhet përmendur faktin se Lidhja shqiptare e
Prizrenit, përpos që i kishte tiparet e një akademie politike, ajo i vuri bazat
edhe të akademisë ushtarake, sepse komponenta e rezistencës së armatosur, që
kulmoi me kryengritjet e mëdha në fillim të shek.20. i japin asaj tiparet e një edukimi ushtarak
të brezave që do të vijnë e që do ta kenë Lidhjen si pikë referuese të të
gjitha përpjekjeve për çlirim nga dominimi i huaj. Lufta e fundit e Ushtrisë së
lavdishme Çlirimtare të Kosovës, si refleksion historik i ngjarjeve të
mëvonshme, u formua dhe zhvillua mbi themelet politike e ushtarake të Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit, që në instancë të fundit ishte edhe bazamenti i
shtetndërtimit të Kosovës, së lirë e të pavarur.
Një
pyetje fundamentale që imponohet tani kur po kujtojmë 142 vjetorin e Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit ndërlidhet gjithsesi me dilemën nëse Kosova si shtet dhe
si shoqëri po e ndjek modelin unifikimit dhe mirëkuptimit, ashtu siç e
manifestonin krerët e Lidhjes, duke dalur mbi dallimet krahinore, fetare e
ideologjike në favor të ideve integruese brendashqiptare.
Më
tepër se kurdoherë më parë, Kosova aktualisht ka nevojë të mësojë nga këto ide të Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit, edhe për faktin se tani ndodhemi në fazën e mbylljes së çështjeve
problematike me Serbinë. Mbi të gjitha, ky mësim do të ishte produktiv sikur do
të refuzonte çfarëdo lloj opsioni që vë në pikëpyetje tërësinë territoriale të
shtetit të Kosovës. Sepse vet Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me shtrirjen e saj
organizative në të gjitha viset
shqiptare, kishte si lajtmotiv pikërisht plotninë e pacënueshme të hapësirës etnike shqiptare.
Nëse
bëjmë një paralelizëm të situatave e rrethanave të tanishme me ato të para 142
viteve, do të vërejmë një paradoks se vetëdija politike e kombëtare e krerëve
të Lidhjes ishte shumëfish më e avancuar se një pjesë e klasës politike aktuale
të Kosovës, të cilën nuk mund ta vlerësojmë lart përderisa ka pranuar që në
momente të caktuara të rinegocojë e statusin e Kosovës, edhe përkundër mendimit
afirmativ të GJND-së sa i përket legjitimitetit ndërkombëtar të pavarësisë së
Kosovës. Pas këtij mendimi, asnjë politikan i Kosovës nuk do të guxonte të
negocionte më për kufijtë e Kosovës e më së paku të kontrabandonte në tryezën e negociatave edhe çështjet gjoja
të pazgjidhur territoriale të saj.
Lidhja
Shqiptare e Prizrenit mbetet guri më i ndritshëm kilometrik i rrugëtimit të
shqiptarëve drejt progresit kombëtar. Ndonëse shumë ide të Lidhjes mbetën të
parealizuara për shkak të raportit
gjeopolitik, ushtarak, e diplomatik të forcave para 142 viteve, ajo
megjithatë vazhdon të shërbejë si një krua i pashtershëm i energjive të pastra
kombëtare brenda trungut etnik shqiptar. Brezat që po vijnë duhet ta kenë LSHP
si kandil orientues, jo vetëm në përhapjen e ideve avangarde, por edhe në
instalimin e një mendësie moderne që pikëpamjet dhe mendimet e ndryshme i
trajton si begati e debatit, e jo si hendikep i zhvillimit. Kosova si shtet dhe
si shoqëri ka nevojë pikërisht për këtë mendësi, në mënyrë që rivalitetet dhe
polarazimet aktuale të marrin fund dhe në vend të tyre t’i hapet shteg pajtimit
të brendshëm kombëtar.
Prishtinë, 10 qershor
2020