Kerko: a
Agron Tufa: Pështymat
E diele, 07.06.2020, 04:17 PM
PËSHTYMAT
Nga
Agron Tufa
Sallë kinemaje. E mbushur plot. Nuk shfaqet film. Flet sekretari i Partisë. Në sfondin butaforik skuq parrulla: “T’I SHTYPIM KOKËN ARMIKUT TË KLASËS!”. Për të mos dëgjuar zërin piskatës të sekretarit, ia ngul sytë Irenës, një gjimnaziste e klasës paralele. Nuk ngopem duke e parë. Nuk di sa kohë më ka frymëzuar fytyra e saj për vizatime me laps, për të shkruar ndonjë varg apo thjesht, pë të ëndërruar me sy hapur. Ia kam ngulur sytë në distancë. “Armiku fshihet midis nesh”; “Hedh vezët e gjarprit”; “Do t’i diskreditojmë publikisht”... Befas dëgjoj emrin tim, por unë sytë i kam ngulë te Irena.
-
Lirim, ti, bir reaksionari! Dil këtu!
Ndërkohë
dy oficerë sigurimi më ngrenë pezull dhe e shoh veten në skenë.
-
Ky bir reaksionari i ka të arratisur dhe babain dhe gjyshin, - thotë sekretari,
duke më shenjuar me gisht.
Pastaj,
me duar në bel, si ata që të bëjnë qepaze, më përvishet:
-
Fol, thuaja të vërtetën masave! I dënon ti, babanë e gjyshin tënd? I mohon?
Nuk
flas. Ai bën “Ë?” dhe me dorën si hinkë në vesh afrohet drejt meje.
Salla
ka heshtur kur unë, me sy të fiksuar pas fytyrës së Irenës, hap gojën e them:
-
Nuk jam kopil... Si t’i mohoj!?
Në
sallë pështjellohet gjithçka.
-
Dilni e pështyjeni armikun! Pështyjeni! Dëgjoni more? Ta pështyni të gjithë
këtë surratqen!
I
shoh si nguten. Si ngjiten. Si më pështyjnë.
Para
meje ka qëndruar Irena. Vështrimet tona ndeshen. Nëse më flet, kjo do të jetë
hera e parë... në këto rrethana... Befas ajo ngrihet në majë të gishtave,
barazohet
me nivelin e syve të mi dhe... më pështyn fort në fytyrë. Madje është e vetmja,
që shoqëron pështymën e saj me një fjalë të artikuluar kumbueshëm
në
rrethin e përsosur të dhëmbëve të saj të dëbortë:
-
Re-ak-sio-nar!
Pështymat
e tjera s’më bëjnë më përshtypje.