Kerko: a
Martin Camaj - Romanet
E hene, 01.06.2020, 01:58 PM
Tiranitë,
krahas nervozizmit dhe stuhive kalimtare, janë përpjekur të krijojnë portat e
rreme e të gabuara. Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke
zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një
porte, asaj të madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e
mëdha.
Siç
është thënë dikur, De Rada i paharrueshëm, në një përshkrim të natës së
pashkëve, ka rrëfyer për “engjëjt që e bëjnë veç gostinë e tyre”. Në tryezën e
epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e
as afrohen profilet e rëndomta. Atje ka përherë mirëkuptim e harmoni, ndaj e
kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk sos.
ISMAIL
KADARE
(Nga parathënia për
Veprën e Plotë të M. Camajt)
Djella
e Camajt, tue iu shmângë guximtarisht çdo konvencjonalizmi shtînjarak e tue na
vizatue me pendë mjeshtrore bukurít e shembtimet e nji pjese së gjallë të botës
shqiptare, ka me xânë menjiherë nji vend të shquem në letresí tonë.
Ernest Koliqi
(Nga parathënia për
romanin “Djella”)
Tek
e fundit, nëse edhe Camaj, ashtu si Defoe, i besoi personazhit të tij detyrën
“të rindërtojë” një botë që t’i ngjasojë atij, duke e lejuar të përdorë të
gjitha mjetet e mundshme, përfshirë rrënojat dhe mbeturinat, siç mund të jenë
copëzat e kujtimeve dhe të mallit, ky qëllim nuk mund të arrihej veçse përmes
krijimit të atij vendi ideal, imagjinar, magjik, origjinal ku njerëzit ëndërrojnë
të lënë dëshirat e papërmbushura.
Prof. Dr. MATTEO MANDALÀ
(Nga parathënia për
romanin “Karpa”)
Martin
Camaj punoi rreth pesëmbëdhjetë vjet me këtë tekst, që e konsideronte si veprën
e tij kryesore e ku do të përcillte në mënyrë letrare djalërinë e përjetuar në
Shqipëri, si edhe ngjarjet revolucionare dhe ndryshimet shoqërore në kohën e
komunizmit. Ky roman paraqet veprën e parë të madhe në prozën e Martin Camajt,
i cili atëbotë ishte bërë i njohur si lirik. Edhe pse më vonë u botuan prej tij
vepra të tjera në prozë, romani Rrathë është vepra e tij më e vëllimshme në
këtë zhanër letrar.
Prof. Dr. ELVIRA GLASER
(Nga parathënia për
romanin “Rrathë”)