Kerko: a
Prend Buzhala: Homazh për Sefedin Xhafollin
E hene, 01.06.2020, 11:59 AM
HOMAZH PËR SEFEDIN XHAFOLLIN (1950 - 2020)
Nga Prend Buzhala
Shkoi në përjetësi shkrimtari
për fëmijë Sefedin Xhafolli. Letërsia shqipe për fëmijë mbeti edhe pa një poet
të mirëfilltë të letrave shqipe. Poezia e tij, e pëlqyeshme, me ritme të
begatshme e të këndshme, me rimarium po ashtu të pasur e jashtëzakonisht
joshës; pëlqehej shumë nga lexuesit e të gjitha shtresave. Edhe motivet dhe
tematika ishin ndër më të befasishmet; syri, mendja e imagjinata e poetit,
depërtonin edhe aty duke hedhur dritë metaforash e ritmesh, thëniesh e
sugjestionesh artistike- mu aty ku kishte mjegullirë e errësirë, fshehtësi e
mister. Kurse qëndrimi kritik, i shqiptuar shpesh nëpër vargje të tilla, hapte
shtigje vizionesh të befta, shpaloste horizonte të çlirimit edukues, social,
nacional e përgjithsësiht të një shpirti humanist, duke qldnruar gjithnjë në
anën e të mirës.
1.
Sefedin XHAFOLLI (1950-
2020) u lind në Drenovc të Prishtinës. Aty mori edhe arsimin fillor. Mandej
vazhdoi të mesmen pedagogjike dhe universitetin për gjuhë e letërsi shqipe në
Prishtinë. Ka punuar gazetar në Radio-Prishtina. Ka botuar për fëmijë:
- Jarani i pites (vjersha)
– RILINDJA, P.1984
- Dardha ka bisht (vjersha)
– RILINDJA, P.1986
- Perëndinë e ke
n’Prishtinë (poezi) – ZERO PRINT, P. 2015 (f. 67)
2.
Meqë ishte aktiv me
krijimet e tij dhe në rrjetin social, herë mbas here kisha dhe komentime të
lirikës së tij. Ja disa të tilla (e vitit 2015).
Sefedin Xhafolli
24 korrik 2015 ·
TË FALA NGA MUZEU!
************************
Që atë ditë
kur shkova n'Vjenë-
m'kujtoi vetja-
Skënderbenë!
...lashë valigjet
ngjesha shpatën:
ta ndryshoj
pak situatën!
...sigurisht pat'
jehonë shumë:
tash me shpatën
jam n' muze,
fllad e kemi-
në bodrum!...
Koment:
Realiteti i legjendarizuar,
përmbyset, i kthehet ironisë së thellë: ndryshimi mbetet një iluzion! Krenaria
mbetet vetëm në muze!
Porse subjekti (a folësi
lirik) që ligjëron në veten e parë, duket sikur i vetëpërmbys ato, pas një
zhurme të madhe (jehonë)...
Poezia pëlqehet edhe për
ritmin e rimën e këndshme, të lexueshme...
Përgëzime!
3.
Sefedin Xhafolli
12 Nëntor 2018 ·
SHPIRTI I PRISHTINËS
...ta pashë
veshur robërinë
varfërinë
zinë
Prishtinë
...ta pashë
pushkën
sa mirë e ngjeshe
ta pashë Lirinë
ëmbël buzëqeshe
me qeleshe
kuqezi
u veshe
...të shoh
sot
të dua të fortë
imja aortë
që më zhveshë
që më shet për një vizë një
pasaportë*)
...u plaka me ty
me riga
lagur
dy palë sy
unë
dhe
TI
---------------
*)Vetëm më 2017,mbi 40 mijë
kosovarë hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës!
Koment:
Ritëm i bukur poetik, që
edhe zinë e madhe, e shndërron mjeshtërisht e shpritërisht në hare të rimës...