Kerko: a
Agron Tufa: Zanafilla e karrierës së keqbërësit politik, shokut Xhavit Shala
E hene, 01.06.2020, 12:55 AM
ZANAFILLA E KARIERËS SË KEQBËRËSIT POLITIK, SHOKUT XHAVIT SHALA
Nga
Agron Tufa
Shoku
operativ i Sigurimit, Xhavit Shala, e ka nisur karierën me bërjen e gropës së
parë, për ish mësuesin Petër Kavaja. Porse ai tradhëtar, nuk deshi t'ia falte
operativit tonë ngazëllimin e triumfit të parë. Ai e mbylli jetën e tij pa i
lënë rishtarit sigurims kënaqësinë e fitores. Në vend të saj, mësuesi
reaksionar i la shokut Xhavit një barrë të rëndë meditimi, se sa të rrezikshëm
janë armiqtë: ata vdesin pabesisht dhe hyjnë jo në gropën që u ke hapur ti.
Mësuesi
Peter Kavaja nga Elbasani, i vitlindjes 1913, i cili kish mbaruar shkollën
normale (por edhe kish ndjekur shkollën teknike amerikane në Tiranë) ishte
dënuar tre herë: në vitet 1951-1954 nga jugosllavët dhe në vitet 1954-1967 dhe
1973-1982 nga komunistët. Pasi bëri burgun e parë, deshën ta rekrutonin dhe si
hakmarrje e dënuan edhe një herë tjetër.
Nuk
dilnin 22 vitet e burgut në Shqipëri dhe një jetë e shkuar dëm, por duhej t’i
përgatitej edhe një dënim i tretë. Operativi Xhavit Shala i kish kopjuar
çelësat e studios skulptorit elbasanas Dhimitër Telezi dhe aty kryente takime
me agjenturën. I shkreti Dhimitër, nga natyra zemërbutë, kishte frikë të hapte
studion se mos gjente Xhavitin brenda me ndonjë. Në vitin 1984, Peter Kavaja
ishte 71 vjeç, i pamartuar. As kishte ndonjë karrierë përpara dhe as
pretendonte gjë. Thjesht donte të jetonte edhe pak vite.
Xhavit
Shala ishte 23 vjeç, sa kish nisur karrierën e keqbërësit politik. Detyra ishte
që këtë pensionist që kërkonte të shkonte në azil, ta burgosnin patjetër pasi
sipas tyre ishte edhe “agjent amerikan”, edhe “agjent jugosllav”. Në përpunimin
e tretë thoshin se ishte “agjent në shërbim të Mehmet Shehut”, në një kohë që
brenda dosjes citohet vet Peteri të kish thënë se ngaqë nuk ishte pranuar
bashkëpunimin me Sigurimin, Mehmet Shehu e dënoi me 9 vjet burg. Peter Kavaja
bënte jetë të kufizuar. Rrinte me 2-3 shokë. Njëri ndër ta bashkëvuajtësi Mihal
Gjoni. Ndërsa “Korabi” u bë copë, sa duke iu ngjitur Peterit, aq edhe duke
raportuar në studion e skulptorit. Peteri u sëmur dhe vdiq në spital më
22.1.1986, duke mos ia mundësuar planin xhavitëve ta burgosnin për herë të
tretë.
Vetingu
në Policinë e shtetit nuk bëhet, zgjatet e zgjatet, ngadalësohet e në fund,
sabotohet, përderisa në institucionet e dosjeve ku verifikohen figura të
këtilla, kyçet i kanë gratë e xhavitëve. Jo më kot janë emëruar aty! Drejtuesit
e dinë këtë, por nuk i lëvizin dot, se është porosi partie. Dhe xhavitët
sundojnë, të miradministruar nga gratë e tyre.