Kerko: a
Aurenc Bebja: Gjergj Kastrioti - Princit të Tarentes: Ja kush janë shqiptarët e mi
E shtune, 30.05.2020, 03:44 PM
GJERGJ KASTRIOTI - PRINCIT TË TARENTES : JA KUSH JANË SHQIPTARËT E MI
Nga
Aurenc Bebja
Autori zviceran, Charles Didier (1805 –
1864), në librin e tij « Raccolta, Mœurs Siciliennes et Calabraises » të
botuar në vitin 1844 në Paris, u ka dedikuar një kapitull shqiptarëve të
Kalabrisë (« Les Albanais en Calabre »), ku dhe vë në dukje kontributin e Gjergj Kastriotit ndaj mbretit të Napolit,
Ferdinandit të I-rë.
Zoti Didier – i bazuar tek
historiani napolitan, Giovanni Antonio Summonte – flet për një
letërkëmbim mjaft interesant mes Princit të Tarentes (Tarantos) dhe heroit
tonë, por para së të arrijmë tek ai, nevojitet pak retrospektivë.
Në vitin 1454, babai i Ferdinandit,
mbreti Alfons d’Aragon ishte ndër të vetmit që i përgjigjet thirrjes së Gjergj
Kastriotit për të luftuar perandorinë osmane, dhe si arsye i dërgon atij disa
trupa nën urdhërat e Raymond d’Ortaffa-s.
Ndërsa, në vitin 1462, Gjergj
Kastrioti, mirënjohës ndaj Aragonëve, i shkon në ndihmë mbretit të Napolit,
Ferdinandit të I-rë, i cili rrezikonte asokohe fronin e tij përballë Dukës së
Anjou-së (Anzhusë) dhe Princit të Tarentes.
Para ndërhyrjes së trupave shqiptare në
Italinë jugore, Princi i Tarentes (Tarantos) i nënvlerësonte ato dhe strategun
legjendar, por Princi i Matit dhe mbreti i Shqiptarëve i ka dhënë atij
përgjigjen e duhur, si fillim me shkrim dhe më pas në terren.
Letërkëmbimi në vijim :
Princi i Tarentes, Jean – Antoine Orsini (Giovanni Antonio) :
« Çfarë të kam bërë që vjen
dhe më sulmon në tokat e mia ? Ti kujton se do të përballesh me turqit e tu të
dobët ; kij kujdes. Ne i krahasojmë Shqiptarët e tu me delet, dhe ne ndihemi të
besdisur ndaj armiqve kaq të neveritshëm. Në pamundësi të mbrosh çatinë tënde,
ti vjen të pushtosh çatinë tonë. Ti do të gjesh këtu vetëm varrin tënd. »
Sovrani i Shqipërisë, Gjergj Kastrioti
:
« Ti nuk je më pak Turk sesa
Turqit vetë, megjithëse thonë për ty se nuk i përket asnjë feje. Sa për
Shqiptarët e mi, ti nuk i njeh ata ; Ne jemi trashëgimtarë të Epiriotëve, që u
dhanë për armik Romakëve, Pirron, dhe të Maqedonasve, që i dhanë Indisë si
fitimtar Aleksandrin. Dhe për çfarë po më flet, ti, për Tarentinët e tu, racë
nevrike që është e aftë vetëm për të peshkuar. Në rast se gjej varrin tim këtu,
Perëndia, e cila është në dijeni për mendimet e mia, do të më gjykojë. »
Si përfundim, lideri shqiptar, guximtar
dhe fuqiplotë, rrugës për në Napoli, fiton betejën e Tranit, përshkon
fushat e Pouille-s (Puglia-s) me kalorësit e tij, shpartallon ushtrinë e
Princit të Tarentes dhe kontribuon në fitoren vendimtare të Troïa-s, e cila u
siguroi kurorën mbretërore Aragonëve, pra Ferdinandit të I-rë.
Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat
– Albania : http://www.darsiani.com/la-gazette/gjergj-kastrioti-princit-te-tarentes-ja-kush-jane-shqiptaret-e-mi/
Aurenc
Bebja, Francë – 10 Nëntor 2016