Kerko: a
Resmi Osmani: Mbretëresha Olimpia (III)
E shtune, 30.05.2020, 11:24 AM
Resmi Osmani
Roman
Mbretëresha Olimpia
(Fragment)
Rrethimi
Nga ditari i Thesalonikes.
E marte, dita e trembëdhjetë e vjeshtës së
tretë,315 p.e.r.
Vjeshta e parë dhe e dytë kaluan pa ngjarje të
veçanta.Lufta është ende larg.Nga fronti nuk vijnë lajme të mira.Kasandri[1]
pasi theu falangat tonë të mbrojtjes, është nisur drejt Pidnës[2].Mbeturinat
e reparteve tona të thyera, u kthyen dhe u mbyllën në kështjellë.
Është dita e tretë që gjendemi të rrethuar e
të ndryrë në Pidna.Ka nisur të ndjehet të ftohtit.Fryn papra era e fortë e
verilindjes dhe deti i egërsuar dhe tallazitur nuk rresht së gjëmuari me atë
uturimën e tij ndjellakeqe. Kubeja e përhinjtë e qiellit më duket sikur më
shtyp, më zymton dhe më ngjall në shpirt trishtim. Ushtria e Kasandrit, e shumtë
mizëri dhe e frikshme si një makth, pas luftimeve të ditëve të para, po e
ngushton rrethimin e qytetit. Fusha është mbushur me shatorre dhe natën mijëra
zjarre feksin dhe pikëzojnë errësirën. Sulmi për të marrë qytetin pritet të nisë
nga ora në orë. Banorët janë të trembur e si të mpirë, si në pritje të një gjëme.I
tremben terrorit, masakrës dhe plaçkitjes së mundshme të Kasandrit. E keqja është
te pragu. Mbrojtjen e qytetit, mbretëresha ja ngarkoi general Leonatit, fisnikut të ri e trim.
Nuk kishte hyrë ende mesdita kur më kërkoi
mbretëresha. E gjeta të veshur si luftëtare: me përkrenare, gjoksore dhe mburojë
të rrumbullakët, në mesin e së cilës farkëtari kishte ngallmuar yllin e argjendtë
më gjashtëmbëdhjetë rreze, simbol i mbretërisë. Madhështore dhe krenare, me sytë
që i ndrinin, plot vendosmëri dhe guxim, i ngjante Athinasë luftëtare. Më sollën
edhe mua përkrenaren dhe shqytin.”Bija ime- më tha.-Ne nuk do të luftojmë,
lufta nuk është mjeshtëria jonë, por do të shkojmë te muret, që tu japim zemër
e guxim luftëtarëve.Që trimat të bëhen luanë dhe frikacakët trima. Do të jenë
me ne edhe truprojat tona dhe këshilltarët. Kjo luftë është e jona. Bëhet për
fronin e mbretit të ligjshëm trashëgimtar, por duke qenë se ai është ende i
parritur, lipset prania jonë krah luftëtarëve.”
Para sulmit, ushtria kërcënuese e Kasandrit që
e printe falanga e veshur në hekur dhe e pajisur me sarisat[3] e
gjata, brohoriti sa u tundën muret. Ushtonin brirët e luftës, trumbetat dhe
zallahia me përplasjeve të shtizave apo shpatave pas mburojave.Donin të trimëronin
veten dhe ligështonin zemrat tona. Brohoritjet e frikshme vinin valë-valë,
pastaj, pasi u afruan, harkëtarët shkrehën kordhat e harqeve dhe mizëria e
shigjetave, që vërshëllenin si gjarpërinj u përplasën pas bedenave dhe
mburojave. Hobetarët hodhën me tërsëllimë breshërinë e gurëve. Ranë të vrarët
dhe të plagosurit e parë. Këmbësorët duke ecur me hapa të shpejta, të mbuluar
me mburoja të mëdha, mbështetën qindra shkallë mbi mure dhe me shkathtësi, si
ca shqartha të stërmëdhenj, nisën të ngjiteshin e kacavireshin në gjithë gjatësinë
e mureve rrethues.Tanët u turrën dhe i përmbysën shkallët, hodhën mbi sulmuesit
vaj të përvëluar dhe serë të ndezur, zjarr, shigjeta, ushta dhe popla gurësh të
mëdhenj. Ushtarët sulmues që merrnin plagë binin mbi njeri-tjetrin, shtypeshin,
dërrmoheshin, u thyheshin eshtrat. Thirrmat e lebetitura të dhimbjes ngriheshin
gjer në kupeë të qiellit. Ata që arrinin të hipnin mbi mure, sado luftonin me tërbim,
por më të pakët në numur, vriteshin.Tanët i kapnin kufomat nga këmbët e duart
dhe i flaknin jashtë mureve si të qenë kërma,
që të ngjallnin frikë e llahtar te sulmuesit e tjerë.
Kasandri nuk i kursente ushtarët. Tri valë
sulmi u turrën njëra pas tjetrës, por të tria u thyen. Ne shkonim nga një beden
në tjetrin, nga një grup i mbrojtësve në tjetrin. Nëna Mbretëreshë, pa pasur
frikë dhe duke rrezikuar jetën, u fliste ushtarëve, i quante “Bijtë e mi”, u
ngjallte besim dhe u nxiste guximin e trimërinë. Lufta rreshti para perëndimit
të diellit. Rrëzë mureve kishte pirgje me të vdekur. Ishte një pamje e
dhimbshme për sytë e mi. Nën mure nuk kishte fund ploja dhe gjaku i
derdhur.Trupat e tyre do të kalbeshin në fushën e Prerisë dhe lajmi i zi i
vdekjes do të shkonte në shtëpitë e tyre. Nënave, grave dhe motrave që prisnin
tu ktheheshin djemtë, burrat dhe vëllezërit, kasneci do t’u çonte mandatën, do të
vinin kujën e dhimbshme, do t’i qanin me ligje.
Ndjehesha e lodhur. Ishte e para herë që
merrja pjesë në një luftë.Më parë kasha dëgjuar veç jehonën e tyre. Isha e dërrmuar,
shpirtvrarë, fuqiprerë, e rraskapitur. E pamësuar me gjakderdhjen, vdekjen dhe
vuajtjet çnjerëzore të luftës, mu morën mendtë, më vinte të përzier dhe volla.
Thanë se më kishte zënë gjaku.
Nëna Mbretëreshë, si një luftëtare, i përgëzoi
mbrojtësit dhe u tha se ishte krenare për ta.
Vetëm banja e ngrohtë më solli në vete dhe më
dha pak prehje. Bëra gjumë të trazuar, ankthi zemrën po ma bren. Zgjohesha dhe
pyesja veten: ç’të reja e nesërmja do të na sjellë?Përse kaq shumë gjak, përse
kaq shumë vdekje, a nuk mund të shmangeshin ato? Nisa të mendoj se fronet mbretërore
ishin si një mallkim, se fitimi i tyre kishte çmimin e shtrenjtë të gjakut.
E enjte, dita e 15 e vjeshtës së tretë.
Edhe sulmi armik i ditës së dytë të rrethimit , sado i egër e trmëror, u
thye.
Sot Kasandri ndërroi mënyrën e luftimit. Që
larg u dukën kullat lëvizëse, gurëhedhëset dhe pirgjet e lartë, të vendosur mbi
rrota që tërhiqeshin nga dhjetra pendë qe. Dukeshin si përbindsha të rëndë e
katana, të frikshëm, që çapitnin ngadalë si në jerm dhe vinin të na gllabëronin.
Në anën e portës së madhe, një “Kryedash” i gurtë, lidhur në një tra e i
vendosur mbi një karro, i shtyrë nga dhjetra ushtarë, nisi të godiste portën për
ta shkallmuar. Goditjet ushtonin si një gjëmë. Sulmuesit arritën të hidhnin
çengela, si ca kthetra të hekurta, të lidhur me litarë, që ngecnin në mure e
bedena dhe filluan të kacavirren për të arritur lart, por litarët u prenë dhe
ata u rrokullisën teposhtë me rrokopujë e sokëllima.
Nga kullat u hodhën mbi mure ura të drunjta
dhe grupe këmbësorësh, të armatosur rëndë, vrapuan për të hyrë në qytet. Nga
katapultat hidheshin shigjeta, gjyle guri dhe lëmshe shtupe të zjarrtë. E
neveritshme ishte kur një kokë e prerë e ushtarëve tanë, që kullonte ende gjak,
e hedhur nga katapulta, na ra para këmbëve. Sytë e saj të zgurdulluar e të
ftohtë si rruzuj qelqi, më kallën datën dhe padashur bërtita.
Leonati dhe kapitenët përforcuan me trupa të
reja pikat e sulmit. Ushtarë të pajisur me sëpata, arritën të shkallmonin dhe
shkëputnin urat, pastaj mbi katapultat dhe kullat u hodhen shigjeta të
ndezura.Ato morën zjarr dhe u dogjën si ca pishtarë gjigandë. Me gurë, pisë të
shkrirë e të ndezur dhe me breshëri shigjetash , u zmbraps edhe sulmi mbi portën
e madhe. Nga sulmuesit pati shumë të vrarë, që dukeshin si të mbjellë në fushë
nga dora mizore e vdekjes. Pas
thyerjes së atij sulmi, nuk kaloi shumë kohë dhe përsëri mbi mure u hodhën
shkallët. Pamja ishte e ankthshme dhe lemeritëse.Sulmues e mbrojtës në
kacafytje të pandërprera, si shpagë të jetës së tyre, merrnin egërsisht jetët e
të tjerëve. Pirgjet e të vrarëve mbuluan sheshin mbi mure dhe gjaku rrodhi lumë.
Pas thyerjes së sulmeve nuk pati kuturisje të tjera dhe lufta për atë ditë u ndërpre.
Nga tanët pati më pak të vrarë e të plagosur.
Në mbrëmje të rennet tanë u nderuan. Mbi turrën
e druve të tempullit të Poseidonit[4], që
ishte mbrojtës i qytetit, u dogjën trupat e luftëtarëve. U derdhen libacione:
elb i bardhë, vaj i shenjtë ulliri, verë dhe u bënë fli dy mëshqerra. Për
nderim të tyre u ngrit një muranë e lartë. Hiri i luftëtarëve u mblodh në ca
arkëza të lehta e të vogla por me zi të rëndë, që do t’u dërgoheshin familjeve
të ushtarëve.
Në vend të burrave dhe djemve, do të merrnin
një grusht me hi!
[1] Gjeneral maqedonas,biri i Antipatrit, pretendent për fronin mbretëror, pas Aleksandrit.
[2] Pidna,qytet në breg të detit Egje, ku u shpërngul Mbretëresh a Olimpia kur filloi te thyhej nga Kasandri.
[3] Shtiza të gjata të këmbësorëve të falangave maqedonase.
[4] Poseidoni, perëndi e detit(Neptuni te romakët, Redoni te ilirët)