Kerko: a
Skënder Hoxha: ''Palaço në Prishtinë''
E premte, 22.05.2020, 02:55 PM
“PALAÇO NË PRISHTINË” – POEMË SATIRIKE PËR FËMIJË QË NXJERR BOJËN MASHTRUESVE
Shkruan: Mr. SKËNDER R. HOXHA
Dymbëdhjetë poezitë apo të themi dhymbëdhjetë njësitë
poetike të poemës satirike për fëmijë “Palaço në Prishtinë” e Hasan Hasanit: “Palaço në kryeqytet”, “Palaço Don Zhuan”,
Palaço shkrimtar, Palaço lakuriq, Palaço superstar, Palaço në fshat, Palaço
intrigant, Palaço këngëtar, Palaço me celular, Palaço piktor, Palaço në
ekspeditë, Zhdukja e Palaços, paraqesin profile nga më të ndryshmet të një
figure sa qesharake aq edhe mashtruese, rrenacake e të çoroditur, të quajtur
Palaço, por që as palaço i vërtetë nuk ishte. Kur t’i vargisim e t’i shohim në
një vend këta tituj, shohim se këto emërtime e portretizojnë një figurë të keqe
siç ishte Palaço i vetëquajtur.
Fillimisht, kur dëgjojnë në Prishtinë se po vinte një
Palaço, duke menduar në një Palaço të vërtetë, u gëzuan të gjithë:
“Ra alarmi në çdo
shtëpi
Edhe fshatrat u njoftuan,
Një Palaço erdh n’Prishtinë
I madh e i vogël u gëzuan.”, (f. 7).
Dhe kur përshkruhet pamja e tij: “Mjekrën e kish si të edhit/ Flokët pa krehur tre vjet,/ Në sheshin Nëna
Tereze/ Gorillën e emitonte vetë./, (f. 8). Ndërkaq që edhe fëmijët dhe
prindërit që kishin dalë ta shohin, kishin filluar ta përqeshnin sepse nuk u
dukej ai Palaçoja që e kishin imagjinuar. Madje ai: “Ky Palaço shkreti/ Veten e quan Don Zhuan”, (f. 11), po ai shkonte
edhe më larg: “Unë jam shkrimtar i zoti/
Më të mirë se unë nuk ka,”, (f. 15). Ai ku hynte nëpër lokale, lavdëronte
veten, e quante veten “superstar”, e kur shkon me autobus në fshatin Plepishtë,
në burrat e parë që rastis, në mënyrë ta paskrupullt prezantohet: “Unë jam një supërstar,/ Jam një këngëtar,/
Piktor dhe kompozitor/ Besa edhe shkrimtar!”, (f. 30). Pastaj Palaçoja
vazhdon me intriga e lavde të pavërteta, duke gënjyer e mashtruar, nga qyteti
në qytet dhe kur arrin në Prizren,atje prezantohet edhe si këngëtar:
”Për fëmijët në
Prizren
Kishte një befasi,
“Unë jam një këngëtar
S’kam shoq në histori!””, (f. 39). Aty ishte lavdëruar
si këngëtar, sa që: “ Unë këndoj më mirë/
Se Shkurta e Shyhreti,/ Iliri edhe Shaqa/ Visari dhe Ismeti...”. Nga
kureshtja e madhe, fëmijët dëshirojnë ta dëgjojnë ndonjë këngë nga Palaçoja dhe
i thonë: “Hajt xhaxhi Palaço/ Na këndo një këngë,/ Me atë zë të ëmbël/ Këtë e
kemi brengë”. Por, ai, ja se si gjendet në atë situatë në mesin e fëmijëve, i
gënjen ata: “Kësaj here nuk mundem/ U kënaq herën tjetër,/ Dhuratat që po marr/
S’i harron miku i vjetër”. ... Dhe më në fund:
“Kështu ky far
Palaçoja
Gënjeu fëmijët n’Prizren,
Asnjë këngë s’ua këdoi
Iku si sorrë n/Shkëlzen.”, (f. 41). Ai shtirej edhe
sikur fliste me të dashurat në celular, pastaj se ishte piktor, bile thoshte
se:
“Për mua s’paraqet
gjë
Van Gogu as Ticiani,
Kush është Ibrahim Kodra
Para këtij Tristani!?”, (f. 49).
Poeti jep tablo nga një aventurë tjetër që i kishte
shkrepur në mend Palaços, kur ai merr te arixhiu një ari me qira, nja dy tre
shokë me tupan zurlë e me def dhe dalin për t’i zbavitur njerëzit me këtë lloj
cirku: “Përveç ariut murrosh/ Veshur me
cinglimingla, morën një tupan me zurle/ dhe një def me zhingla.”, ( f.
54). Dhe kështu: “Kështu nëpër fshatra/ N’Llapin legjendar,/ I kënaqën fëmijët/ me qen
dhe me zagarë.”, (f. 55). Pas disa ditësh, edhe pse u kishin premtuar femijeve
të disa fshatrave dhe të kryeqytetit se do të ktheheshin prapë, kjo “Ekspeditë”
kthehen në kryeqytet: ”Zhlyer dhe
përlloçur/ Bërë pis deri në fyt,/ Seç u kthye nga Llapi/ E famshmja ekspedit’.”,
(f. 57), dhe nga aty Palaçoja ishte zhdukur, e këtë lajm poeti e shpreh në
vargje: “ Tash një javë s’u pa n’qytet/
Po, u zhduk si shurra e pulës,/ Mbetën fëmijët me gisht n’gojë/ Kapërthyer
n’lozë t’fasules.”
Prandaj, kjo poemë satirike ka për synim vërien në lojë
të atyrë veprimeve të Palaços, si eksplikim, për të ironizuar e satirizuar
sjelljet, veset, veprimet e këqija e të dëmshme, vese këto që i kishin vërejtur
edhe fëmijët, të cilët, më në fund thonë:
“Jo, jo, n’libra ne
e kemi
Një Palaço vërtet t’dashur,
As s’gënjen me huqe t’veta
Jetën tonë na bën të pasur!”, ( f. 62), strofë me të
cilën mbyllet kjo poemë.
Kjo poemë, nga pjesa në pjesë, zgjon këshërinë e lexuesve
të vegjël për të parë se çfarë do të bëjë Palaço e çfarë do të ndodhë me të?
Në këto 12 pjesë të kësaj poeme satirike, duke e bërë
mirë organizimin e materies poetike, poeti jo vetëm që arrin t’i argëtojë
fëmijët, po edhe të tjerët, të mjediseve të ndryshme (qytete e fshatra), por
nxjerr në sipërfaqe edhe po aq karaktere të një maskarai që përpiqet të luajë
rolin e Palaços! Ndaj, nga përshtypjet që krijohen gjatë vlerësimit dhe
interpretimit tim, mendoj se Hasani ka arrirë objektivat e pretenduara. Po
ashtu, retorika e kësaj satire është në funksion të mentalitetit të kësaj
figure, por është edhe si një paralele tjetër tipologjike në poezinë për fëmijë
të Hasan Hasanit.