Kerko: a
Alfred Lela: Dordoled Rama
E merkure, 20.05.2020, 10:54 AM
Dordoled Rama
Nga
Alfred Lela
Kam
qenë student i Gazetarisë, në mes të viteve ’90, kur Edi Ramës i dhanë një
shqepje në dru. Në një situatë ende të paqartë. Ai pretendonte se ishin ‘leva
politike’, nemesis-i i tij, Sali Berisha, asokohe President, edhe sot e kësaj
dite vazhdon t’i quajë ‘pyka erotike’.
Rrahjet
e atëhershme nuk ishin si sot, që merrnin dhëne në kohë reale, dhe unë, bashkë
me një shok, bij të vërtetë të atij shekulli, u nisëm për të takuar Fatos
Lubonjën. Një angazhim që lidhej me shkollën. Trokitëm në derë dhe aty u dha
Lubonja, shumë më i ri se sot, por me të njëjtën fandaksje, dje e mot. Pasi u
prezantuam me drojë, autori i ‘Ridënimit’ rrotulloi sytë si të kishin orën e
orbitimit dhe na bërtiti: shkoni shkruani për Edi Ramën. A e dini që kanë
rrahur Edin. Çfarë studentësh Gazetarie jeni ju që nuk e dini këtë?!
Kthyem
shpinat, bij të një pendese të atypëratyshme, sikur të kishim qenë ne levat mbi
kokën e Ramës, i cili asokohe ishte çka sot përbuz: një publicist me lugë në
brez, në buzë të kazanit të medias, ku sokëllinte sikur rrathëve të politikës
të ulej e ngjitej dreqi, dhe ai të qe i dërguari për të na shpëtuar.
Shpinën
më të butë se barkun, dreqin në bark, Doktorin në zemër, zemrën te ai muaj i
pafat i janarit ‘91 kur kishte ardhur vonë te rrokullima e ngjarjeve (a nuk e
thotë Cvajgu për Fushenë: kish bërë gabimin më të pafalshëm në politikë: kishte
mbërritur vonë), mërgoi në Paris. Nuk di gjë për këtë periudhë të jetës së tij,
se e ka kryesisht jopublike, dhe nuk dua të ha mjaltë, siç bën ai banak më banak
e frigorifer më frigorifer, në një diarre që i buron nga anusi i kartelës
psiqike, por disa dhoqina thonë se ‘magjepste’ Parisin; të tjera se netëve
ëndërronte për magjepsjen që priste t’i shkaktonte ‘qytetit të dritave’, tek e
zinte një gjumë klosharësh poshtë urave të Senës.
E
shpëtoi babai duke i vdekur dhe Fatos Nano, ati i së majtës së re shqiptare,
duke e ngritur nga varri. Po t’i besojmë të njohurve të tij të asohere, që kur
filluan ta kuptonin nisën edhe ta përçmonin, si prej të vdekuri (Kostandini
pra, Shqipëri, moj motër!) i kish edhe thonjtë: të gjatë dhe me dhe të zi.
Trupin
e gjatë, gjuhën e gjatë, pallton e gjatë, thonjë e gjatë, ai u bë kthetër
kiborgu në shpinën e Shqipërisë, së cilës nuk i ndahet në rrugëtimin upstream
(përpjetrrjedhës) për të dalë prej delirit të vet. Si në mitin me shkabën që
ngjit njeriun nga skëterra, ai nuk heq llokma nga vetja, por nga Shqipëria, kur
doënstream-i (poshtërrjedha) e çon teposhtës.
Në
një Tiranë me 100 vjet jetë urbane dhe me më pak se 100 ndërtesa me këtë moshë
të artë, bash në centenialin e saj, ai varros një ndër to, katedralen laike të
traditës dhe kulturës, Teatrin Kombëtar. E bën hajdutshe në 4.15 të mëngjesit.
Për të shmangur përplasjen thotë. Përplasja megjithatë ndodh dhe kur ajo rrjedh
gjak dhe dhunë sqaron se ‘policia po kalonte mbi gazetarët për të mbërritur te
prishësit e rendit’. Pak orë pasi ka takuar ambasadoren e ShBA, në gjithëdijeni
për vendin, kandidatin për president të të cilit e pat shpallur ‘turp të
qytetërimit’, thotë se kështu u ndodh gazetarëve edhe në ShBA (duke e ditur ose
e pritur që gazetari i dhunuar, shtetas amerikan, e ka depozituar ndërkohë
ankesën në Ambasadë).
Instituti
Ndërkombëtar i Shtypi (IPI) nuk mendon kështu, as organizma të tjerë europianë
që kanë reaguar për rastin. Si ai nuk mendonin shumë të tjera as për Teatrin.
Por i shpërfilli.
Pse
e bën? A mos hakmarrja e atij që nuk është dhunuar asnjëherë për një ide apo
parim dhe urren gjithkënd që bie në levat e dhunës, jo për ‘pyka erotike’? E
shtyn kjo premisë hakmarrëse, që nga partia KIS e këtej, që nga nomadizmi e
këtej, që nga kartela e këtej. Tej e përtej.
Cilat
janë veprat e tij? I ktheu Shqipërisë eksodet biblike të ‘90-‘91. E bëri
atdheun dordolec në fund të savanës së globalizmit, duke trembur çdo investitor
të huaj. Në vend të shpresës euro-amerikane mbolli xhami turko-saudite dhe
erdoganizmën. Keynesianizmi i tij në ekonomi përbëhet nga Rilindja urbane,
përçartja se bukuria, stolisja e Krujës dhe Ersekës me pedonale, rrit
mirëqenien. Rexhep Taipit i thotë ‘vëlla’ e Papës nxiton t’i dalë përpara si
katolik. Ndërkohë katolikët e vendit të vet, persekutuar nga Enveri si kahmos e
askush, bijve a nipave të votuesve të Fishtës e Gurakuqit, i poshtëron duke u
dhënë si alternativë variante gege të Bonnie & Clyde.
Me
karbon e letër në dorë, tek bën skica për Merkelin, rri e hedh romuze fik më
fik e qif më qif, dhe me ta përgatit listat për deputetë. Në darkë, i lodhur
nga vulgu, del piacës me rruzare në thile e shpall se është bir i Konicës dhe
Nolit (a mos doni një listë me grupin parlamentar të peshkopit të mirë për të
kuptuar Ramën?!).
I
frymëzuar prej kso pisqollash intelektuale, gazetarët e dhunuar në një të dielë
të Zotit dhe Shqipërisë i quan ‘trupa të shtrirë mbi të cilët policët do të
kalojnë për të shkuar te ‘kriminelët’’. Ndërkohë OFL e tij dhe Heneralit të
parë, Leshit rudë, kriminelëve të vërtetë u çon letra me bjonde barcaletash, ku
u shkruan ‘gjeni vrimë e futuni se po vijnë bravoçunat që kanë bërë telef atë
gazetarin’.
Këto
mendova sot kur dëgjova Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, të përçartej në
një intervistë dhënë Nisida Tufës, e cila këmbëngulte te dhuna kundër kolegut,
sepse donte të ishte e ndershme me veten dhe publikun.
Por,
jo Edi Rama. Ai nuk don të jetë kryeministri, por një kiborg që sot po e
pagëzoj DORDOLEDI.