Kerko: a
Helena Halilaj: Ti që shpif nga divani, ti grua që shan gruan dhe ti burrë llafazan
E enjte, 14.05.2020, 08:21 PM
Ti që shpif nga divani, ti grua që shan gruan dhe ti burrë llafazan
Nga Helena
Halilaj
Ti
që gjithmonë je i pari te vjellësh vrer mbi cdo gjë që bëjnë të tjerët e ke
pyetur veten, ti cfarë bën në jetën sociale që e kemi të përbashkët? Ti që reagon
i pari në facebook me vërejtje, sharje apo fyerje, cfarë bën tjetër përvec se
të nxjerrësh zorrët e barkut të lig me fjalë të ulëta? Apo tani facebook të
duket nje kosh i madh ku të hedhesh ctë duash mbi mundin e të tjerëve, sheh si
punë, apo përfaqëson tinëzarët e heshtur që nuk e prezantojnë inatin si Ti. Ti
zonjë apo zotëri si e bën punën tënde aty ku je? Si e jep kontributin tënd
social? Shkruan ndonjë libër, bën ndonjë analizë ekonomike, familjare,
kulturore, merr pjesë në ndonjë seminar me dëshirë që të vrasësh injorancën, je
i pari në punën ku paguhesh? A lexon vazhdimisht libra, se nga shkrimet ke
mangësi shpeshherë. Ti që citon thënie të figurave të mëdha letrare dhe as
emrin nuk e përmend, vjedh dhe autorësinë. Ti që je në ndjekje të veprimtarive,
mendimeve të të tjerëve, po veten tënde e ndjek ndokund? E kap ndonjëherë veten
mat duke shpifur e baltosur pa masë të tjerët? Po në teatër shkon, kinema,
opera? Po me gruan apo burrin flisni për librat, artin dhe psikologjinë,
sportin, të ardhmen? Ti që je militant i cmendur, që cmendesh familjarisht me
verbërinë në të cilën jeton e frymon. Ti që nuk reagon kur rritet nafta, çmimet
apo ikin njerëzit jashtë por kur të ndryshon pushteti i partisë që ti dëshiron
të ketë pozitë. Ti që mendon se cdo gjë është e thjeshtë për t’u bërë dhe vetë
rri në krevatin e të gjithëve, facebook. Ti zotëri, zonjë bën ndonjë gjë? Flet
me fëmijët e tu të dashur, i shoqëron ata nëpër aktivitete sociale, u jep
ndonjë shembull suksesi nga vetja? Ndonjë dëshmi vlere dhe miqësie? Ti që
shpesh flet dhe stë duket asgjë humanizmi, e ke provuar kënaqësinë e të qenurit
human, të jesh qoftë dhe vullnetar/e?
Ti
që të gjitha politikanet i quan femra të ulëta e ke provuar ndonjëherë
fushatën, pjesëmarrjen në konkurim, sfidat e femrës në karrierën politike? Ti
që merresh me trupin e zhveshjen e këngëtarëve, më thuaj cfarë muzike dëgjon,
sa kultivim ke ti për muziken, artin, kinematografinë? Ti që gjithmonë gjykon e
paragjykon femrat e divorcuara, ke provuar të jesh kryefamiljare, të shkosh në
punë me kokën pas për fëmijën, të jesh e vetme në sakrificë e vështirësi reale,
ke jetuar me ndonjë burrë pijanec, të droguar, dembel apo kriminel? Ti që do të
bëhesh drejtor nga Facebook apo kafe e lagjes cila është fuqia e eksperiencës
tënde, apo soditja nëpër thashetheme sesi u bënë të tjerët? Ti që shan cdo
gazetar, e di Ti se: lajmi, marketingu, tregu mediatik, njohuria mediatike janë
sfida me të cilat përballesh cdo ditë? Ti që femrat me pushtet ekonomik i
njollos, i quan edhe me emra të ulet, e di ti se edhe biznesmenët kanë fëmijë,
gra dhe motra e jetojnë më mirë, por që edhe puna e përditshme, e vazhdueshme
një ditë shpërblehet? Ti që merresh me udhëtimet e të tjerëve, po vetë kur ke
mbërritur aty ku ke shkelur, apo asnjëherë se nuk mbërrihet pa njohur historinë
dhe kulturën e një vendi. Apo udhëton nga divani, edhe për veshjen ske cfarë të
thuash se ti nuk del në media, podiume, në stadium apo në ceremoni të shumta.
Në fakt nuk merren ata që janë pjesë e jetës sociale me ty, me komunikimin tënd,
jetesën apo veshjen tënde, ti je më i zhveshuri se të mungon humanizmi, mendja
dhe vizioni për më shumë. Ti që numëron partnerët e komshijes, koleges dhe asaj
që se njeh fare, po Ti e di se me kë fle e kë zgjohet motra jote, vajza jote,
gruaja jote, burri yt? Ti që shan gjithë profesorët e di ti sa mëson fëmija yt,
sa frekuenton fakultetin, sa orë rri me libra në duar? Ti që përgojon studentet
që punojnë e kursejnë për shkollimin, që nuk di asgjë për ekonominë dhe
rrethanat e tyre familjare pse shpif, apo kjo është puna jote? Ti pra, ti që
gjithkund hedh fjalë, thua "hajt më" a më thua cfarë bën në jetën
tënde? Apo jeton me një rrogë të burrit apo gruas, apo mes jush nuk funksionon
kjo marrëdhënie dhe pakënaqësinë e përktheni në shpifje, mungesa e lumturisë
prodhon inate, nuk të kursen as stresin dhe dhimbjen e kokës. Apo ju jetoni si
militantë të partisë se familja juaj ështe e betuar politikisht, apo rastësisht
keni një pronë të trashëguar. Kush punon fort nuk ka kohë të merret me askënd
përvec vetes, nuk ka kohë me u shëtit nëpër jetën e tjetrit se koha i fluturon.
Ti grua që shan të gjitha gratë që bëjnë karriere, para dhe sukses, vetë cfarë
i jep shoqërisë, po vajzën tënde si e ushqen, apo me gjirin e idhët si fjalët?
A ia lidhni kepucët fëmijeve në mëngjes, e puthni njëri-tjetrin kur dilni që të
mos kaloni nga gjykata, luteni për njëri-tjetrin, e njihni veten dhe partnerët
që keni në krah? Ju që u jepni mend beqarëve, po me martesat tuaja te
coroditura pse nuk merreni? Po për prindërit kujdeseni ju? Po plerat i hidhni
ku duhet, po pështymat i hidhni në rrugë? Ju pra ju që shikoni cdo gjë të bota
e madhe dhe asgjë tek bota e juaj, me thoni cfarë i jepni komunitetit ku
jetoni, familjes tuaj? Ah po, shpifni, nxisni debate dhe urrejtje, krijoni dhe
strese me profile fallce në shumë raste, edhe kur lodheni flini pa ëndërra dhe
zgjoheni për të krijuar rrëmuja të reja...