Kerko: a
Enver Bytyçi: Europa humb besimin te Thaçi, Vuçiq, Rama dhe Isa Mustafa!
E marte, 05.05.2020, 04:51 PM
Europa humb besimin te Thaçi, Vuçiq, Rama dhe Isa Mustafa!
Nga
Enver Bytyçi
Studiuesi
i njohur serb, Dushan Janjiq, është shprehur se BE prej një kohe të gjatë nuk
ka më besim te presidenti i vendit të tij, Aleksandër Vuçiq. Madje ai shkon më
tej, duke e krahasuar politikën e sotme të Beogradit me situatën që krijoi
politika e Milosheviçit, kur përmend faktin se edhe për Milosheviçin Perendimi
e humbi besimin disa vite pas ardhjes së tij në pushtet. Ndërsa diplomati
amerikan, Hoper, shkruan se Vuçiq më mirë merret vesh me Hashim Thaçin sesa me
Angela Merkel. Ndërkohë Isa Mustafa prej dy muajsh shihet si delja e zezë e
liderëve të Partive Popullore Europiane, sepse ai tashmë është njësuar në
aksionin e tij politik me Hashim Thaçin, Aleksandër Vuçiq dhe Edi Ramën.
Të
katër këta, Vuçiq, Thaçi, Rama dhe Mustafa, po i kundërvihen Europës në
projektin për ndarjen e Kosovës. Sepse ndryshimi i kufijve midis Serbisë dhe
Kosovës shkakton konflikt në Europë dhe pasojat e këtij konflikti do t’i vuante
Bashkimi Europian. Nëse do të duhet që projekti evropian i integrimit të
realizohej me sukses, atëherë asnjë zgjidhje e konfliktit midis Kosovës dhe
Serbisë me rregullim kufijsh, apo shkëmbim territoresh nuk e ndihmon këtë
projekt. Përkundrazi ndarja e Kosovës rrezikon interesat evropiane në Ballkan.
Ndaj
dhe duhet thënë se të katër protagonistët e mësipërm nuk dinë ose nuk duan të
bëjnë llogari në interesat strategjike të Perendimit, por bëjnë llogarinë e
Serbisë së Madhe e të Rusisë së Madhe. Retorika e sharjeve dhe fyerjeve për
Brukselin, Berlinin, Parisin etj nga ana e Vuçiq, Thaçit dhe Ramës është
antieuropianizëm i mirëfilltë.
Ndërkhohë
javën e kaluar 16 deputetë dhe eurodeputetë nga Gjermania, Austria, Zvicra dhe
Sllovenia u janë drejtuar institucioneve të Kosovës me një lutje që të mos
nxitohen në arritjen e një marrëveshjeje midis Prishtinës e Beogradit, të
dëmshme për Kosovën dhe rajonin. Natyrshëm këta i druhen një precedenti, që do
ta destabilizojë gjithë Ballkanin. Kjo sepse aktorë të tjerë ndërkombëtarë,
para së gjithash Moska, janë të interesuar që të ndezin një konflikt të ri në
rajonin tonë, me qëllim që t’i japin një goditje të pariparueshme Bashkimit
Europian dhe projektit të integrimit të Ballkanit Perendimor në këtë Union.
Në
fakt agresioni serb në Kosovë, për grabitjen e territoreve të saj, ka ekzistuar
gjithmonë, është kështu një realitet historik dhe aktual. E veçanta e këtyre
kohëve lidhet me atë se edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe
grupi pro Thaçit në këtë parti i janë bashkuar lëvizjeve të tilla destruktive.
Rrëzimi i qeverisë Kurti, nëse nuk do të kishte në sfond realizimin e këtij
projekti, nuk do të ishte problem evropian, aq më pak problem i aleatëve të
LDK-së, Partive Popullore Europiane, union në të cilin bën pjesë edhe partia e
Isa Mustafës.
Shqetësimi
është shprehur hapur në atë reagim të 16 deputetëve evropianë nga Gjermania,
Austria, Zvicra dhe Sllovenia. Kjo nuk le dilemë e hapësirë për debate. Po pse
duhej që Lidhja Demokratike të vinte në konflikt me grupimin më të madh politik
evropian, anëtare e të cilit ajo është? Praktikisht Isa Mustafa nuk kishte
asnjë arsye për t’i nervozuar kaq shumë partnerët e partisë së tij në Bruksel e
Berlin. Kjo sepse përfaqësues të CDU/CSU gjermane ia bënë atij fushatën
elektorale të vitit të kaluar dhe e nxorën me faqe të bardhë në rezultatin
zgjedhor! Isa Mustafa u ka borxh partnerëve evropianë për mbështetjen e
vazhdueshme që ata i kanë dhënë historikisht Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Nuk ka asnjë aksion politik të rëndësishëm të LDK-së, në të cilin të mos
ndjehet mbështetja e partnerëve të partive konservatore në Europë.
Por
aksioni i fundit i zotit Mustafa ishte antieuropian, për pasojë pro-rus dhe
pro-serb. Ndaj kanë reaguar 16 deputetët evropianë. Por jo vetëm këta, kanë
reaguar grupi parlamentar konservator i Parlamentit Europian e drejtues të
lartë të Unionit Konservator të Partive Popullore Europiane. Po ashtu
personalitete të shumta të Europës, kryesisht përmes ambasadorëve në Prishtinë,
por edhe drejtpërdrejt.Kjo do të thotë se iniciativat evropiane e sidomos ato
të Angela Merkel për aksione politike në mbrojtje të kufijve të Kosovës u
dëmtuan me pabesi nga Isa Mustafa, i rrethuar nga disa mjeranë politikë, që
mendojnë me stomak dhe jo me tru!
Të
gjithë këta antiperendimorë dhe antieuropianë, Vuçiq, Thaçi, Rama dhe Mustafa
nuk kanë kuptuar një gjë: Se çdo marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit
bëhet null, nëse nuk ka mbështetjen dhe firmën e Bashkimit Europian,
përkatësisht Brukselit, Berlinit, Parisit, Vjenës dhe kryeqyteteve të tjera të
shteteve demokratike në Europë. Ndaj Hoper thoshte para dy ditësh se “Grenelli
i ka në dispozicion majin dhe qershorin, për ta bindur BE-në që ta përshtasë
qëndrimin e vet përkitazi me mënyrën e të menduarit të Vuçiqit dhe Thaçit. Po
qe se i dërguari i posaçëm i SHBA-së nuk arrin ta bindë BE-në për marrëveshjen
tashmë të arritur, do të marrë fund mundësia për t’i dhënë fund konfrontimit
midis Serbisë dhe Kosovës”.