Kerko: a
Ndue Dedaj: Kisha, shteti dhe ''pandemia'' sociale
E marte, 05.05.2020, 01:56 PM
KISHA, SHTETI DHE “PANDEMIA” SOCIALE
NGA
NDUE DEDAJ
Nga
nëntori i vitit të kaluar, kur ra tërmeti dhe më pas, në mars të këtij viti,
kur u shfaq pandemia Covid 19, kemi parë një vërshim bamirësish dhe ndihmash
drejt të njerëzve në nevojë. Me çanta në duar kanë trokitur në dyert e banorëve
në fshatra dhe rrethina qytetesh nëpunës dhe zyrtarë vendorë. Po kështu kanë
shpërndarë ndihma shoqata dhe individë të ndryshëm. Kjo nuk ka ndodhur më parë
në këto përmasa dhe në thelb duhet parë si diçka pozitive. Duket sikur ka një
demokratizim dhe “decentralizim” të bamirësisë, që deri në këto kohë ka qenë më
së shumti ekskluzivitet i organizmave fetare, veçanërisht i Karitasit Shqiptar,
atyre dioqezane, si dhe organizatave humanitare të ngjashme, vendase apo të
huaja, që veprojnë në Shqipëri. Ama, mendojmë se shfaqja nuk duhet të shkojë
deri aty sa të shihen me qese në dorë dhe kryebashkiakë, deputetë apo ministra.
Shtrohet
pyetja a është kështu e insitucionalizuar bamirësia, solidariteti i nevojshëm
me njerëzit në zgrip të jetesës? Nuk e gjykojmë ne, nëse është kjo më e mira,
ama jo të gjithë mund të jenë me statusin e bamirësit. Shteti ka rol thelbësor
në rritjen e mirëqenies së popullatës, luftën kundër varfërisë, trajtimin e
problematikave sociale, por jo si bamirës. Bamirësia është ndjesi e dhunti
shpirtërore, kurse përkujdesja shtetërore ndaj njerëzve në vështirësi
ekonomike, shëndetësore, arsimore etj. është nevojë dhe përgjegjësi ligjore.
Duke
marrë shkas nga deklarata e ipeshkvinjve të Kishës Katolike në vendin tonë, pas
një mbledhjeje të jashtëzakonshme, zhvilluar pak kohë më parë, në Shkodër,
nisur nga situata e pandemisë, po cekim ndonjë problem që ka të bëjë me atë që
në mënyrë të figurshme do ta quanim “pandemia” sociale.
E
para, vetëm veprimtarët e kishës nuk i kemi parë të japin ndihma para kamerave,
çka tregon se ata e kanë bamirësinë pjesë organike të veprimtarisë së tyre dhe
se ajo mund të shtohet në raste fatkeqësish, por nuk rresht asnjëherë. Ajo që
bën kisha është si një dorë e padukshme, që zgjatet drejt teje dhe të ndihmon,
por nuk të ekspozon ty nevojëtarin, më fytyrë e me zë, aq më tepër me lot në
sy. Jemi në dijeni të plot rasteve në Dioqezën e Rrëshenit, se si ndihmohen
nevojëtarët, të moshuar të mbetur vetëm, fëmijë familjesh të divorcuara, të
sëmurë kronikë pa ndihma ekonomike të mjaftueshme etj. Dikujt i blihen
rregullisht ilaçet, dikujt karroca për të lëvizur në qytet, dikujt i
rregullohet çatia e shtëpisë, dikujt i paguhet bursa etj. Kjo është
përditshmëria e kishës, ditari i saj i “pashkruar” e i pafilmuar. Të vjetrit
tanë dikur thoshin “Ta rritët Zoti nderën”!
E
dyta, ka qenë disi e habitshme “gara” e hallkave shtetërore për shpërndarjen e
qeseve me ndihma, duke u raportuar gjer nga kreu i qeverisë se këtë javë u
shpërndanë kaq ndihma e këtë tjetrën kaq. Duke mos i hequr asnjë presje
përkushtimit të punonjësve shtetrorë në terren, për t’iu ardhur në ndihmë
njerëzve nevojëtarë mbyllur në karantinë, sidomos të moshuarve, përkundrazi
duke i falenderuar fort që kanë rrezikuar shëndetin e tyre, nuk mund të mos
thuash se varfëria nuk luftohet me fushata, sa herë ndodhin fatkeqësi, por me
strategji kombëtare për ta nxjerrë nga varfëria pjesën e margjinalizuar të
shoqërisë. Për më tepër, ipeshkvinjtë vërejnë me shqetësim se “Pandemia ka
thelluar më shumë varfërinë e familjeve tashmë të varfra e ka krijuar varfëri
të reja në pragun e mbijetesës. Kjo punë nuk bëhet nëpërmjet portaleve e as me
bamirësi, por me një program të qartë solidariteti për familjet më në nevojë. E
kjo është punë e qeverisë, e cila duhet të kujdeset për qytetarët e saj që
jetojnë në kushte më të rënduara ekonomiko-shoqërore”.
Është
e qartë se nuk mund të kenë të njëjtën qasje në luftën kundër varfërisë, si
organet shtetërore, si ato joqeveritare. Zyrat e shtetit kanë përgjegjësinë
ligjore për t’i shërbyer komunitetit jo me qese ndihmash, por me projekte
zhvillimi që shkojnë përtej një emergjence. Dhe ka pasur të tilla nisma me
vlerë, si projekti i para disa viteve i qeverisë për ndërtimin e një numëri të
konsiderueshëm banesash sociale për familjet e komunitetit rom e egjiptian në
të gjithë vendin.
E
treta, mbledhja e ipeshkvinjve në Shkodër u ndal dhe të shendeti mendor, apo
ana psiko-shpirtërore e njerëzve, siç parapëlqejnë ta quajnë ata. Njerëzit, pas
pandemisë, nuk kanë nevojë vetëm për ndihma materiale, por dhe shëndetësore e
ekonomike. Ajo çfarë ndodhi tregoi se na duhet një realitet i ri spitalor e
epidemiologjik jo vetëm në Tiranë, shumë më efiçent dhe jo ku të mungojnë si
deri para pandemisë gjer maskat e dorëzat mbrojtëse për personelin dhe të
sëmurët. Nga ana tjetër, biznesi i vogël, jetik për një mase të madhe
njerëzish, është goditur rëndë nga mbyllja e veprimtarisë për tre muaj. Këtu do
të duhej dora lehtësuese e shtetit, “bamirësia” e tij, se si ta ringrë dhe
njehërë këtë veprimtari, ashtu si turizmin etj. Kjo nuk bëhet me burokraci, por
me masa të drejtpërdrejta favorizuese. Aq më pak me fuqizimin e oligarkëve
përmes tenderavë të majmë qeveritarë.
Institucionet
qeveritare dhe joqeveritare kanë role të ndryshme në luftën kundër “pandemisë”
sociale, tjetër funksion ka shteti dhe tjetër Kisha Katolike dhe komunitetet e
tjera fetare. Thënë ndryshe, njeriu në nevojë, shoqatave apo institucioneve të
fesë iu drejtohet për bamirësi, kurse zyrave të shtetit, të cilave iu paguan
taksat rregullisht, ua mësynë derën për banesë, punësim dhe jo për mbijetesë
përmes ndihmave humanitare. Përndryshe, nëse të parave iu thotë faleminderit
për bujarinë e treguar ndaj tij, të dytave u kërkon llogari në emër të ligjit
dhe të votës që iu ka dhënë pushtetarëve për ta qeverisur, e kur kjo nuk kryhet
si duhet, ai proteston për ta përmirësuar apo ndryshuar qeverisjen.
Qeverisja
ndaj komunitetit nuk është mëshirë kristiane, por detyrë kushtetuese.