Kulturë
Kozeta Zylo: Valbona Tolve - në vijën e parë të Frontit të Luftës kundër koronavirust në Amerikë
E enjte, 26.03.2020, 06:40 PM
Bisedë me znj. Valbona Tolve e cila eshtë në vijën e parë të Frontit të Luftës kundër koronavirust në Amerikë
Shqetësimi më i madh imi është që ne nuk kemi “personal
protective equipment” për tu ruajtur nga infektimi me këtë virus. Nuk kemi as
maska. Shqetisimi tjetër është se spitalet nuk janë në gjendje t’i ndihmojnë
dhe të kujdesen pë të gjitë këta pacientë të infektuar.
Znj.Tolve punon në dy qendra të mëdha spitalore në New York të cilat
kujdesen për pacientë që janë testuar me COVID-19.
Në këtë kohë pandemike që po kalojmë cila është detyra juaj në spital për t’i shërbyer
popullit amerikan?
Unë jam
infermiere. Unë punoj në departamentin e Kardiologjise, Montefiore Medical
Center në Bronx si dhe në Good Samaritan Hospital në Suffern, NY në Telemetry
Unit dhe tani kujdesemi për pacientë që janë testuar për COVID-19.
Në MMC unë punoj
në një klinikë. Aty ne shikojmë pacientë që kanë probleme me zemrën.
Unë assistoj me
nuclear stress tests dhe echo stress test. Mbledhje ka përditë, dhe nuk e dimë
se çfarë e nesërmja do të sjellë. Ka shumë të ngjarë që të na lëvizin në spital
ku ka më shumë nevojë për infermierë e doktorë, sepse numri i pacientëve të
infektuar rritet çdo ditë.
Cili është shqetësimi juaj kryesor si infermiere kur ndodheni pranë
pacientëve tuaj?
Shqetësimi më i
madh imi është që ne nuk kemi “personal protective equipment” për tu ruajtur
nga infektimi me këtë virus. Nuk kemi as maska. Shqetisimi tjetër është se
spitalet nuk janë në gjendje t’i ndihmojnë dhe të kujdesen pë të gjitë këta
pacientë të infektuar.
Si u ndjetë kur ju dhanë detyrën se ju do të jeni në vijën e parë të
Frontit të Luftës?
Manaxherja ime më
dërgoi një tekst mesazh për të më njoftuar. Të them të drejtën u trondita, po
pastaj mendova, rreziku është gjithandej tashmë i përhapur dhe njerëzit kanë
nevojë më shumë se kurrë për ne.
Si nënë dhe si bashkëshorte keni frikë se mos e merrni nga të sëmurët këtë
virus vdekjeprurës?
Frika është, po
kur je në vrullin e punës e harron dhe frikën. Të gjithë që punojnë në fushën e
mjekësisë në këtë kohë apo në një tjetër ekspozohen me viruse e bakterie të
rrezikshme. Infermieret që janë shtatzanë, ose kane probleme të tjera
shendëtsore nuk kujdesen për pacientë të infektuar me COVID-19. Në fund gjërat
janë në dorën e Zotit, po kujdesi për të ruajtur veten është për të pasur të
gjitha pajisjet e nevojshme që tani për tani nuk i kemi në dispozicion. Mua më
është dhënë vetëm një maskë N 95 që e kam mbajtur të veshur për 13 orë rresht
pa e hequr nga fytyra.
Ju keni 3 fëmijë kush kujdeset për ata në këtë kohë lufte?
Për fëmijët
kujdeset burri, ai punon nga shtëpia gjatë kësaj kohe.
Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptare, por
dhe si infermiere?
Më vjen shumë keq
për shqiptarët që janë në Shqipëri. Fati i mire i shqiptaëve është se janë
popull i ri relativisht me moshë, dhe uroj që si popull ta kalojë më kollaj, me
më pak fatalitete se Italia qe e ka popullsinë më të vjetër në botë. Nuk ka
ilaç për ta kuruar pacientin për këtë virus, dhe nuk mund te them se ne kemi
ilace e ata s’kane, po këtu në Amerikë njerëzit kanë mundësi nga ana mjekësore
të marrin ndihmë qe ta kapërcejnë këtë virus. Nuk e kam të qartë se çfarë
mjekimi po marrin njerëzit e infektuar në Shqipëri kur kanë probleme me
frymëmarrjen.
Mendoni se ky virus do të zhduket së shpejti?
Unë personalisht
mendoj se ky virus mund të zgjasë dhe një vit. Njerëzit nuk mund t’i mbash të
izoluar tërësisht për muaj me radhë. Është e pamudur po ashtu dhe perspektiva e
anës së ekonomisë. Nëse do ketë lëvizje të njerëzve do të ketë infektime. Ideja
është që të ketë sa më pak humbje jete nga ky virus. Prandaj New Yorku është
mobilizuar nën drejtimin e Governor Cuomo të ndërtojë spitale dhe qendra
testimi, që kush ka nevojë për ndihmë mjekësore ta ketë atë mundësi.
Cilat janë disa nga këshillat tuaja rreth kësaj epidemie si punonjëse e
shëndetsisë?
Duket qesharake,
por sapuni është armiku numër një i këtij virusi. Lani duartë me sapun për
20 sekonda. Mos
tështini në duar, përdorni një facoletë. Hani ushqime të freskta të pasura me
vitamin C. Hapni dritaret dhe ajrosni shtëpitë. Praktikoni distancim social për
të mbrojtur njerëzit që janë më të dobët nga shendeti. Shpresoj se kjo marrëzi
do të marri fund së shpejti, dhe nëse prapë do të ketë raste në të ardhmen,
mbasi kaosi do të kalojë, nuk do të mbulohen nga media si tani…
Si i ngjitët shkallët e karrierës për të arritur këtë sukses në Amerikë?
Gjërat e mira nuk
vijnë kollaj në jetë. Çelësi ka qenë të mos heq dorë nga ëndrrat e mia dhe të
punoja me gjitë forcën e shpirtit për t’i realizuar. Fati im ka qenë se kam nje
mama të mrekullueshme, që më ka mbështetur në çdo hap timim, që ka sakrifikuar
cdo gjë për të më parë jo vetëm mua por dhe motrën time të dilnim në dritë.
Unë këtu në
Amerikë kam diplomën BA në Literaturë Angleze, BSN në infermieri dhe MSN në
Nursing Administration. Ka qenë dashuria për shkollen dhe librin që ka filluar
që kur kemi qenë fëmijë nga babai im, që unë të kem këtë vullnet për edukim dhe
shkollim.
E kishit ëndërr të punonit në shëndëtësi?
Faktikisht kjo ka
qenë ëndrra e mamit tim. Gjithashtu dhe specialiteti i kardiologjisë ka qenë
rekomandim i saj. Që të vogël ajo më ka shtyrë të studioj biologji dhe më thoshte te
bëhesha veterinere që të kujdesesha për qenin tim se përherë kam pasur dashuri
për kafshët. Po ajo ka qenë në gjendje të ma kuptoj personalitetin dhe
karakterin, sepse fusha në të cilën unë punoj me jep shumë kënaqësi dhe
sadisfaksion nga ana profesionale. Jam përherë e lumtur kur jam në gjendje t’i
njihmoj njerëzit që kanë nevojë, dhe e bëj këtë me gjithë zemër.
Ju jeni e bija e dy intelektualëve të nderuar, profesores në universitet në
Shqipëri dhe Amerikë Afërdita Ishmaku si dhe e mësuesit të matematikës dhe drejtorit të gjimnazit “50 Vjetori” në Tiranë Myfit
Ishmaku. Si do ta kujtoni të ndjerin
babain tuaj të cilin e vranë në kohën e demokracisë, post diktaturë duke u lënë
ju në moshë të vogël?
Babin e kam dashur
shumë, dhe megjithëse kanë kaluar kaq shumë vjet, prapë më mbushen sytë me lot
kur e kujtoj. Kanë qenë kohë shumë të vështira për familjen time.
Babai im ishte
njeri i përsosur, i dashur, i dhimbsur, zemërgjerë, intelektual që e donte
shumë kulturën dhe Shqipërinë.
Çdo hap që kam
bërë në jetë përherë e kam pasur babain tim në mendje si udhërrëfyes.
Babai im do ishte
krenar për mua, siç jam unë krenare që jam vajza e Tij, për jetën time, për
çfarë kam realizuar në jetë, Ai na shikon nga lart si Ëngjëll mbrojtës.
Mbasi babai im u
vra, më 24 Janar të vitit 1994, ka qenë mamaja jonë ajo që me një forcë të
jashtëzakonshme na rriti dhe na edukoi me të gjitha parimet e babait tonë.
Kur ishim të vogla
babi na thoshte: “Nëse bëheni të zonjat sa gjysma e mamit, do t’ia dilni në
jetë”. Dhe vërtetë ajo është nje grua
shumë e zonja, megjithëse fati e la të ve me dy fëmjë të vegjël në atë Shqipëri
të rrëmujës dhe të luftës.
Faleminderit
znj.Tolve dhe ju urojmë shëndet në këtë kohë pandemike!
Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare
25 Mars, 2020
New York