Kerko: a
Resmi Osmani: Befasia në kanalin e Korintit
E premte, 06.03.2020, 10:00 PM
BEFASIA NË KANALIN E KORINTIT
Tregim nga Resmi Osmani
Shtysën
për të shkruar këtë tregim e mora nga takimi me mikun tim Sokolin, që edhe ai
si unë, ka vite që lundron në dete dhe oqeane. Të ulur në kafe, u çmallëm dhe i
dham sho-shoqit të rejat e fundit. Midis të tjerash, Sokli më njoftoi për ikjen
nga jeta të një të njohuri të përbashkët. Më erdhi vërtet keq dhe mu kujtua ai
rast, që shumë vite më parë u njoha me ‘të.
* *
*
Pasi
morëm ngarkesën në Gjenovë, nisëm lundrimin drejt jugut, dolëm në detin Jon dhe
hymn ë ujërat greke. Mbrritja ishte porti i Izmirit. Mëngjesi na gjeti në
gjirin e Patras.Bashkë me disa nga detarët e ekuipazhit, isha ulur në tryezën e
kuvertës dhe po pinim kafen e mëngjesit shoqëruar me biskota. Lundrimi shkonte
mirë.Deti ishte i qetë.Dielli hodhi dritën mbi ujërat e kaltra që u përflakën
dhe u përskuqën, teksa deti me valët
stolisur me arin e dritës dukej sikur frymëmerrte me gjokisin e tij vigan. Sido
që ne jemi mësuar ti shohim dhe shijojmë shpesh pamje të tilla, nuk mund të
them se s’më japin kënaqësi me bukurinë e tyre. Kur kaluam ngushticën e Patras,
nën urën që lidh dy brigjet, i dhashë timonierit kordinatat e lundrimit dhe e
porosita që të mbante distancë të baraslarguar nga të dy brigjet deri sa të
arrinim në kanalin e istmit të Korintit. Në mesditë u duk bregu dhe bankina e portit të kanalit. U
lidha me kapitenerinë e kanalit.Mënjoftuan se hyrja ishte e lire, te afroheshim
dhe se do të na jepnin nje pilot për lundrimin në kanal.
Ishte
hera e parë për mua, që e kaloja me anijen që drejtoja këtë kanal, i cili lidh
detin Jon me detin Egje. Pas manovrës së kujdesëshme u afruam në hyrje të
kanalit. Në radhë, në të dy anët, nuk kishte anije të tjera. U paraqita në
kapitenerinë e portit, pasi i përshëndeta, u thashë se do të kaloja kanalin për
të vijuar lundrimin për në portin e Izmirit. Pasi bëm formalitetet, dhe paguam
taksën e kalimit, më dhanë një fletpalosje që kishte të dhënat për kanalin dhe
më thanë se lundrimin do ta drejtonte një pilot grek. Në pritje të ardhjes së
pilotit, i hodha një sy fletpalosjes për të marrë ca dije për kanalin. Në të
thuhej se kanali, i gjatë 6.3 km. kishte gjerësi pak më shumë se 25m. thellësia
8m, lartësia e ledheve anësorë arrinte deri 90 m. Ishte përuruar në 25 korrik
të vitit 1893 dhe shkurton udhën e lundrimit rreth Peleponezit me 700 km.
Piloti më përshëndeti me një anglishte me theks
grek, më tha se quhej Kosta Moraiti dhe se lundrimin në kanl do ta bënim së
bashku. Për nga mosha mu duk se ishte afro të gjashtëdhjetave. Shtat mesatar
por muskuloz,hundë krrut, mustaqe të plota, krejt i thinjur por me fytyrë të
freskët e pamje gazmore, të buzëqeshur.Dukej që ishte ujk i vjetër deti. Më
hodhi një vështrim zhbirus nga koka në këmbë dhe mbase u duk i pakënaqur me
moshën time fare të re dhe pamjen prej çunaku.
Hym
në bord . I urova mirseardhjen. Kosta zuri vend pranë timonierit, për të nisur
manovrën e hyrjes në kanal, por timonieri ynë Gjok Përkeqi, nuk e lëshoi vendin
nga timoni, këtë s’ja lejonte askujt. Me shpejtësi të ngadalësuar hym në kanal.
Anija jonë ishte e gjerë 19m. Nga të dy krahët hapësira e lirë që e ndante nga
ledhet e kanalit ishte 3 m. Ç’do gabim sado i vogël mund të ishte me pasoja dhe
rrezik përplasjeje.Bënim përpara me ngadalë.Ndërkohë që bënim përpara pata kohë
të sodisja kanalin. Ledhet shkëmbore të prera thikë përbëheshin nga shkëmbenj
masivë, në plasat rriteshin bimësi shkurrore, fjerishte dhe kacavjerrëse, kurse
sipër, aty-këtu shiheshin drurë të lartë lisa dhe pisha.Mbi kanal , ishin urat
që lidhnin të dy brigjet,mbi to kalonin pa rreshtur makinat. Sipër, në lartësi,
një rrip qiell pa re , i kaltër, i përndritur sa të merrte sytë . Sido që pamja
ishte e veçantë dhe e bukur, pata ndjesinë se isha i ngallmuar me anijen time
në një kallëp të gurtë që më shtrëngonte në të dy anët si morsë dhe s’më shqitej
ndjenja e rrezikut. Shihja që Gjoka i përqëndruar dhe paksa nervoz, punonte në
timon duke zbatuar urdhërat e pilotit Kosta që s’rreshtnin tërë kohën: kujdes
shpejtësinë, drejtimin në qëndër, shmangu majtas, më pak e më ngadal përpara,
jo ashtu, ki mëndjen për ato që të them… e kështu pa pushim. Zëri kumbues e i
fortë i komandave të tij, jehonte në hapësirën e ngushtë.
Gjoka,
mirditor inatçi, që e dinte mirë punën e tij, dhe që s’duronte ta trajtonin si
fillestar e të paditur, si të mos i mjaftonte përqëndrimi dhe tensioni u
nervozua nga ndërhyrjet dhe udhëzimet pafund dhe dikur, ja plasi me një të
sharë shqip:
-Mjaft,mor
grek budall, për cilë më di ti, se më pordhe kokën!Nuk mjafton ky dreq kanal si
bira e gjilpërës, por më duheshe edhe ti që ma plase shpirtin, he t’bafsha nan
e motër dhe robt e shpis kudo ku t’i kesh!
E
shara u kap nga altoparlanti dhe u dëgjua në gjithë kuvertën. U turra për te
kabina e timonierit për të parë se çfar po ndodhte dhe i bërtita Gjokës: -Mbylle more gojën! E kupton se ç’je duke
thënë? Ç’të duket vetja. S’ta ka kush për borxh, le që ai nga mosha është sa
prindi yt!
Gjoka
turfulloi si dem i azdisur, por nuk bzajti. Pashë që piloti Kosta Moraiti u
prish në fytyrë, vrejta një përzjerje inati zemërimi dhe mërzie. Doli nga
kabina dhe mu drejtua mua, në anglisht:
-
Kapiten,motra dhe nëna ime nuk meritojnë të shahen, vetëm se ti i ke hajvan
marinarët! Unë heq dorë nga pilotimi. Kur s’doni të më dëgjoni. E tillë gjë
s’më ka ndodhur me askënd. Kokën thyefshi – tha dhe shkoi e u ul në karrige te
tryeza në mes të kuvertës dhe nisi të mbushte llullën me duhan.
Për
mua ishte befasi.Jo se ai hoqi dorë nga pilotimi, por si dreqin e mori vesh të
sharën? Atë sharje, nuk do t’a kasha
kuptuar as unë po të mos e dija dialektin e veriut. U ula kundruall tij, i
kërkova falje, jo një herë por disa herë përsa ndodhi. I thashë të mos ia vinte
re , se ishte i ri dhe nervoz nga ngushtica e kanalit dhe e pyeta si e kish
kuptuar sharjen.
-Jam
arvanitas, flas keq shqip, po kuptoj mirë. Në të dy anët e kanalit gjysma e
fshatrave dhe qytezave janë arvanite. Jemi të qëmoçëm në këtë vend,po rrënjët
tona janë në shqipëri.
-Dhe
flisni shqip?
-Nanëzonja dhe Tatëmadhi, flisnin vetëm arvanitika, nuk
dinin greqisht.Edhe mëma ime dhe tata, flisnin për bukuri, po tani, ca shkolla,
ca papaj në klishë, ca televizori, brezi i ri e ka bjerrur, nuk e flet, po për
të kuptuar kupton. Moreja, që tani i thonë Peloponez, ka patur shumë arvanitë. Shumë
syresh, kur na zaptoi turku, u hodhën në Itali.E ke dëgjuar atë këngën “Moj e
bukura more”, ata ikën këndej për sebep të turkut, po ndryshe nga ne ata i thonë vetes
arbëreshë. Është e njëjta gjë Arbëresh,Arvanit, Shqipëtarë. Jemi një gjak me
ata e me ju. E gjaku ujë nuk bëhet!
Piloti
Kosta Moraiti, tha këto pastaj heshti dhe nisi të thithte me ashk llullën.
-
E di pse mu rënd shumë ajo e shara e atij hajvanit,marinarit tënd? Ngaqë më
shau një i gjakut tim. Do të drejtën, mezi e mbajta veten që të mos ia bëja
surratin përshesh, se grushtin e kam të rëndë.E po thashë, i ri dhe ca më
shumë, s’dua ti hap nam të keq kapitenerisë ku kam një jetë që shërbej.
Porosita
të na sillnin një shishe raki dhe të sajonin ndonjë meze të çastit. Nuk vonuan
të na i sillnin. Mbusha gotat.
- Gëzuar barba Kosta. Gotat tringëllinë.
-
Gëzuar kapiten, u shkoftë mbarë dhe gëzofshi të ritë tuaj!
Ngjëroj
njera pas tjetrës dy gllënjka. E pashë që i shijoi.
-
Të pëlqen?
-Më
pëlqen thua? Është nga dheu i Shqipërisë. Na këtu pimë uzo. Edhe turqit, po uzo
që e hollojnë me ujë e i thonë raki. Ku rakia juaj e ku e tyrja, as vihet në
hesap.
Dhashë
porosi që një shishe rakie t’ia jepnim dhuratë kur të ndaheshim. Kisha një
shishe “Perla” nga kantina e Durrësit, që e ruaja për ndonjë rast të veçantë.
Lundrimi
në kanal po i afrohej fundit.
Piloti,Kosta
Moraiti,nxori celularin dhe e uli mbi tryezë.Më pa i buzëqeshur, si të donte të
më befasonte, pastaj u bë serioz dhe mori pamje të rëndë. Lëvizi butonat e
celularit dhe papritur, i regjistruar në të, buçiti hymni i flamurit. Hymni ynë
i bukur, burrëror, që muret e gurta të kanalit jehonën ja përcollën qiellit. U
befasova nga kjo e papritur. U ngrita në këmbë.U ngrit dhe Kosta Moraiti, në
fytyrë si lëvizte asnjë muskul, ngjante si statujë, si të përcillte me nderim
një solemnitet.Kur melodia mbaroi, unë duartrokita dhe e përqafova Kostën fort
e fort.Çasti ishte mallëngjyes. Atij ju mbushën sytë me lot dhe më tha:
-
E po kapiten, është zëri i të parëve ,
gjaku nuk bëhet ujë!-
Kjo
i thoshte të gjitha.
Lundrimi
në kanal përfundoi. Në dalje, Gjoka manovroj djathtas dhe e ndali anijen anës
bankinës. U ndam me arvanitin Kosta Moraitin.U përqafua me secilin prej nesh,
por gjokës i qëndroi ftohtë dhe s’i zgjati dorën. Por gjoka, e rroku n’grykë, e
shtrëngoi fort dhe nuk pushonte së thëni: më fal, të lutem më fal.
Piloti
Kosta Moraiti-Arvaniti, zbriti në bankinë dhe na uroj shqip:
-Paçi
mbarësi e u kloftë dhromi mbroth!
Ky
ishte piloti arvanitas Kosta Moraiti.Që atëhere nuk e pashë më dhe më erdhi
vërtet keq dhe më pikëlloi lajmi që më dha Sokoli për ndarjen e tij nga
jeta.Njerëz si ai nuk harrohen sado kohë të shkojë.
Tiranë, mars 2020.