Kerko: a
Florim Zeqa: Referendum popullor për marrëveshjen finale me Serbinë
E enjte, 05.03.2020, 08:04 PM
Referendum popullor për marrëveshjen finale me Serbinë
Shkruan
Florim Zeqa
Referendumi
është një instrument demokratik, me të cilin elektoratit i kërkohet të shprehet
me votë të drejtpërdrejtë për propozime të veçanta, me mundësinë për të
zgjedhur në mes dy ose më shumë opsioneve të paracaktuara (për shembull: po /
jo, republikë parlamentare / presidenciale / monarki, qëndrim / largim, bashkim
/ ndarje, etj.).
Referendumi
është forma më e lartë e demokracisë së drejtpërdrejtë, në të cilën qytetarët,
pa asnjë ndërmjetësim apo përfaqësim politik, mund të ushtrojnë vullnetin e
tyre dhe të vendosin për çështje madhore për vendin.
Rrugëtimi 30 vjeçar i
Kosovës
Kosova
si ish njësi federale e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, është
vendi i fundit që e fitoi mëvetësinë si rrjedhojë e shpërbërjes së përgjakshme
të kësaj federate.
Edhe
pse me 2 korrik 1990 Kosova u shpall Republikë përmes Deklaratës së Pavarësisë,
ndërsa nga data 26-30 shtator 1991 përmes referendumit popullor u shpall shtet
i pavarur, mirëpo nuk arriti ta jetësonte pavarësinë e vet në rrethanat e
pushtimit ushtarak serb që zgjati plot një dekadë (1989–1999).
Qëndresa
e gjatë paqësore mbarëpopullore, lufta çlirimtare (1998–1999) dhe ndërhyrja
ajrore e NATO-s në pranverë të 1999 i dhanë fund genocidit të Serbisë mbi
popullatën shqiptare të Kosovës. Trupat e NATO-s hynë në Kosovë në qershor 1999
dhe Kosova u administrua nga një mision i Kombeve të Bashkuara (UNMIK) deri në
2008.
Më
17 shkurt 2008, Kosova u (ri) shpall shtet i pavarur dhe sovran. Edhe pse deri
më tani Kosova ishte njohur nga mbi 116 vende të botës, Serbia po vazhdon
fushatën politike për ç'njohjen e shtetit dhe pretendimet e saj për ripushtim
dhe shtrirje të sovranitet mbi territorin e Kosovës.
Mirëpo,
edhe pas 21 vitesh nga çlirimi dhe 12 nga (ri) shpallja e pavarësisë, trupat e
NATO-s (KFOR-i) janë mbrojtësit kryesor të lirisë dhe pavarësisë së shtetit
tonë.
Referendumi instrument
demokratik për zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të hapura me Serbinë
Kosova
në historinë më të re të saj ka organizuar referendumin e parë dhe të vetëm për
Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, të mbajtur prej 26-30 shtator 1991, në të
cilin kanë marrë pjesë mbi 90 % e popullatës së Kosovës, ku 99,99 % e pjesëmarrësve në referendum janë
deklaruar për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur.
Pavarësia
e 17 shkurtit 2008, e ardhur si produkt i Pakos diskriminuese të Ahtisarit,
përveqse i barazoi shqiptarët shumicë me pakicat etnike, duke e shpallur
Kosovën multietnike me 90 përqind shqiptar, na zhveshi nga identiteti kombëtar
dhe na hoqi referendumin si instrument demokratik për përcaktimin dhe marrjen e
vendimeve plebishitare si shtet i pavarur dhe sovran.
Në
kohën kur Kosovës po i bëhet presion i paparë ndërkombëtar për të hequr taksen,
si kusht për vazhdimin e dialogut, ndërsa në anën tjetër Serbisë nuk është duke
ju bërë asnjë presion për të ndërprerë luftën politike dhe fushatën për ç'njohjen
e Kosovës, kërkohet unifikim i faktorit politik shqiptar, për të mbajtur taksën
si të vetmen mundësi që kemi për ta ndëshkuar Serbinë derisa ajo të njohë
realitetin e krijuar, përkatësisht ta njohë shtetin e Kosovës.
Në
këto rrethana, kur mungon konsensusi nacional për marrjen e vendimeve për temat
kruciale në Kuvend, siq është taksa apo reciprociteti ndaj Serbisë, çfarë do të
bëjmë ne me marrëveshjen finale me Serbinë!?
Kthimi i Referendumit
popullor, imperativ i ngutshëm kohor
Ka
një kohë të gjatë që është folur e përfolur për ndryshimet kushtetuese,
përkatësisht ndryshimin e ligjit zgjedhor, por deri më tani nga asnjëra
legjislaturë e Kuvendit nuk është kërkuar nxjerrja e një ligji që kthen
Referendumin si instrument demokratik, i cili i mundëson sovranit marrjen e
vendimeve të rëndësishme për vendin, siq është përcaktimi i rendit kushtetues,
sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit.
Në
rrethanat kur mungon konsensusi politik
për gjëra më të vogla siq është taksa dhe reciprociteti, në asnjë rrethanë nuk
duhet lejuar që fati i shtetit të mbetët në dorën e liderëve partiak, qofshin
ata në pushtet apo opozitë.
Të
paktën ne, të mos bëhemi pjesë e lojërave të ndyta kundër pavarësisë së shtetit
tonë. Reciprociteti pa njohje reciproke është mashtrimi dhe iluzioni më i madhë
që mund t'i krijojmë vetes në këto rrethana të pa qarta politike.
Kërkojë
që deputetët e kësaj legjislature të inciojnë ligjin për referendumin, si e
drejtë kushtetuese e përcaktimit të sovranit (popullit) për tema kruciale për
vendin.
Kthimi
i Referendumit popullor para marrëveshjes finale me Serbinë, do t'i bënte më të
vëmendshëm dhe më të përgjegjshëm negociatorët kosovarë, si dhe do t'i
zvogëlonte mundësitë e pazareve politike në dëm të shtetit të Kosovës.
Mos
ta lëmë veriun e vendit në mëshirën e pazargjinjëve, për ta trajtuar atë si
"pasuri e të gjithëve dhe pasuri e askujt", por ta mbrojmë në mënyrë
demokratike përmes referendumit popullor.