Kerko: a
Fatmire Duraku: Shpirti digjet gjithherë pa ty
E hene, 17.02.2020, 07:22 PM
Shpirti digjet gjithherë pa ty
(Nexhat Halimi “Ulli mbi det”, botoi
“Diti & Oli”, Ulqin 2020)
Nga Fatmire Duraku
Poezia e Nexhat Halimit, kjo e librit më të ri “Ulli mbi
det”, e sapo botuar nga Shtëpia Botuese
“Diti & Oli” në Ulqin, është një tërësi unike dhe ti ke përshtypjen e
udhëtimit të pandërprerë ndër valë të ashpra, ndër det të qetë dhe të pafund
për të arritur deri te një kështjellë mijëvjeçare dhe prapë - i përgjakur, me mendime, me ndjenja e pikëpamje, nisesh larg në kohë për të arritur përmes fjalësh deri te
vetja e vjetër e lidhur me gurin, me ullirin, e botën e robëruar të vetes. Etja
e pandërprerë e shpirtit, i cili arrin në Ulqin me galerën e vet e megjithatë nuk arrin te liria
e vet e përshkruar bukur përmes degëzimit të vetëtimës e cila çilet mbi det.
Gjatë udhëtimit dhe kthimit të njëjtë nga largësia e
kohës së ikur prapë në Ulqin, shpirti poetik i shoqërohet me burimet që derdhen
nëpër morinë e ujit të pastër, në lumenj, në liqene e dete, duke rrjedhur nëpër
gurë e gjak e rrënjë për të ruajtur gjithnjë tërësinë e vet, gjuhën dhe këngën
e bukur shqipe. E i bie fyellit, të zgjohen shpendët nga vaji dhe ritmi shpirtëror i këngës, që zgjohet ushtimë e
zjarrtë apo Ulli mbi det / gjithnjë me
fytyrë zoti me frymë guri Ulk / në dritaren me qemer në xhamin nën avull / ta
vizatoj galerën detit në flakë / ta zgjoj etjen e fjetur kaq vjet në gjak / ja
fedorë pse ulliri mbi det i ka sytë tu / e ka moshën e gurit e flokët e thinjur
në kala / lulen e vetëtimës të gjallë në hi / lirinë brenda robërisë flutur në
gji… / kaq vjet tash pres kthimin e e
përjetoj robërinë / pashprehshëm shtrirë rrënjës së gjakut / ulqini të lidh me
ullirin mijëvjeçar të ngrirë / ndihesh i
lumtur pse je rob i zjarrit mbi hi…/
Aty, në kala, përhitet shfaqja e Uliksit, me tërë
historinë e humbjes në det dhe peripecitë e rënda ndër sipërfaqet e panjohura.
Vjen hije e Pnelopës, veç nuk është Esa. Kot e pret poeti dhe shpirti i tij i
vetmuar dhe natyrisht bie jehona mbi gurin e valët e ullirin e kohën e ikur / ah sa rëndë e bart kujtimin për ty / mbyllur në arkivol as vdekur as
gjallë / te koka me një trëndafil të zi/
…Ndërmjet radhiten stacionet e vdekjes në hapësirë.
Radhiten insertet e jetës, ngashërimet, dhembjet dhe çdo gjë që ngel kujtim për
brezat, duke e kujtuar maestron e poezisë. /Ja,koha eci e s`u kthye më e ti ike në këtë
lojë / s` mbeti asgjë e paprekur mirko g as te unë / ja tash për inat dëgjova
të ketë vdekur rb / me emrin e të cilit i kushtonim libra njëri tjetrit/
(tim shok tim poet e tim njeri
nxënës të profesorit tim të nderuar
dhe të tij riza bicajt)
fund botës qenka ndalur
nën yllin e agut
Natyrisht, jeta vdekje ka, e humbi dhe udha e kaq e
mundshme qe ta gjeja… Poezia është diçka e paprekshme. E ndien dhe
ngashërehesh, qan dhe të ndjek vetmia. Veç pse secili send kot e kërkon dritën
e gjakut të vet.
Poeti me përvojë Nexhat Halimi i ka ofruar lexuesit një
libër, i cili përveç çasteve, datave, ngjarjeve, lidhur me qytetin margaritar
të jugut të detit Adriatik, Ulqinit, duke theksuar, siç thotë dhe dr. Rrustem
Berisha “ Sintaksa e gjuhës së Nexhatit është vetëm sintaksë e ligjërimit të
tij dhe e asnjë krijuesi tjetër. “ Përmbajtja e librit e vërshon lexuesin me
dhimbje e herë-herë me qëndresë, fitore e humbje, por është plot forcë e
rezistencë kundër padrejtësive që ia bëri barrë historia popullit dhe atdheut
të poetit. Në këtë drejtim është i mobilizuar ligjërimi i veprës që të
kundërshtojë dhe të rezistojë derisa të ekzistojë e folmja jonë, sepse është rrëfim
epik më tepër dhe qëndresë… “Ulli mbi
Det”, siç thekson dhe botuesi Gazmend Çitaku, është libër që shkruhet rrallë.
Libri është i ndarë në dy cikle të mëdha dhe ka 128 faqe. Libri, duke iu afruar
përmbylljes së shkrimit, buhet gjithnjë e më i rendë. Në këtë mënyrë autori
dëshmon dhe njëherë e gjithnjë se poezia e shpirti janë një dhe të pandarë!
Ja, pse.
tashmë
kam humbur dhe shpresën për ty
s`do
të vish të më ngushëllosh për vdekjen e iLirisë
e në
tokën e robëruar nga e kaluara bie shi në varre
stepur
shikoj në një pikë një dhi pa një bri në qiell
kullot
në yrtin e vogël mes kullës dhe kullës
aty ku
robi servantes ka mbjellë lule për liri…”
“ka
shumë shi këtu në varre ku miti lidhet me histori
e
shpirti digjet gjithherë në përralla të njohura nga ti”.